Lajme > Lajme Ditore > Tetor - Dhjetor 2012 > Lajmet e datës 7 Nëntor 2012
 

Imami sqaron trajtimin e pronave të Forcave të Armatosura, në Komisionin parlamentar për sigurinë

Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami.

Pas prezantimit të rendit të ditës nga kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Leonard Demi, fjalën e mori ministri i Mbrojtjes Imami. Pasi ka falënderuar për ftesën që i është bërë në këtë mbledhje të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Imami ka folur dhe ka dhënë sqarime për çështjen e zbatimit të ligjit për trajtimin dhe administrimin e pronave të Forcave të Armatosura, si dhe i është përgjigjur me radhë pyetjeve të drejtuara nga deputetët, anëtarë të këtij komisioni parlamentar.

“Përpara disa muajsh, tha ministri Imami, unë kam ardhur këtu në një seancë me dyer të mbyllura për të informuar gjërësisht dhe me detaje për reformën dhe ristrukturimin. Me vete kisha një staf të përgatitur për këtë çështje të cilët ishin pikërisht ata njerëz që e kryen atë reformë të rëndësishme në ushtrinë tonë dhe që padyshim ndikoi për mirë. Ajo që ishte quajtur si skandal i ristrukturimit tashmë nuk përmëndet më, sepse ne arritëm të japim të gjitha argumentet se çfarë pune kemi bërë dhe besoj që i bindëm anëtarët e komisionit të të dyja palëve për punën e bërë në këtë ministri.

Duke u ndalur posaçërisht për pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Imami theksoi se, për fat të keq, ka një fushatë sensibilizuese, e cila është e mbështetur në të pavërteta, shpifje, trillime dhe mashtrime. “Deklarata ime e parë e rëndësishme është që Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona, por me këtë proces merret Ministria e Ekonomisë. Ajo është përgjegjëse në këtë proces, ndërsa Ministria e Financave nëpërmjet Agjencisë së Ankandeve bën shitjen përfundimtare të tyre. Detyra jonë është që vetëm t’i dorëzojmë pronat e tepërta me aq metra katrorë që ka pasur në vitin 1990”, është shprehur z. Imami.
Trajtimi serioz i pronave, ka theksuar më tej ministri Imami, ka filluar që në vitin 2003, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 515, datë 18.07.2003 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”. Kalimi i pronave sipas ministrive ka filluar pikërisht në këtë kohë dhe besoj se ka qenë një hap i mirë, i domosdoshëm dhe që na ka lejuar ta fillojmë këtë proces. “Shqetësimi im themelor është që ky proces duhet përshpejtuar . Nga supet e ushtrisë të hiqet barra e personelit që ruajnë pronat, të cilat nuk janë efektive. Mos të flasim në aspektin politik dhe n.q.s. këto prona do të ishin në duart e qytetarëve shqiptarë do të ishin prona të vlefshme”.
Me këtë vendim të KM i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes 1117 prona. Ministri Imami ka sjell në vëmëndje të Komisionit disa procedura që kanë ndjekur për trajtimin e këtyre pronave, paraardhësit e tij ministra të Mbrojtjes. Në vitin 2004, ministri Majko i është drejtuar Presidentit të Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, me një relacion, të cilin unë mund t’ua jap sot juve, pasi ai nuk është i klasifikuar. Në këtë relacion kërkohet të përcaktohet numri i pronave që do të mbeten në FA. Nga 1117 prona që janë në administrim të MM, vetëm 283 janë brenda Planit të Përhapjes dhe afërsisht 850 të tjera janë jashtë këtij plani. Ky besoj se ka qenë një vendim i drejtë, ashtu sikurse kanë qenë të drejta edhe vendimet e paraardhësve të tjerë, nëpërmjet të cilave kanë shkuar duke e ngushtuar numrin e pronave për shkak të uljes së numrit të ushtrisë, ndryshimit të madh rrënjësor që ndodhi në Shqipëri pas vitit 1990 dhe përcaktimit të misionit kushtetues të Forcave tona të Armatosura.
Më tej, ministri Imami, ka paraqitur një shkresë që ish-ministri i Mbrojtjes Majko ia ka drejtuar ministrit të Ekonomisë, ku paraqitet një kërkesë për miratim privatizimi objektesh, veprim, i cili sipas zotit Imami, është shumë i drejt dhe që është ndjekur në vijimësi nga të gjithë ministrat e tjerë gjatë gjithë këtyre kohëve. Gjithashtu z. Imami paraqiti edhe një informacion tjetër që z. Majko i dërgonte Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ku jepej një listë me pronat dhe shënimet përkatëse që janë në një zonë turistike, si Grupi i AKA në Spille Himarë, ish-Brigada në Himarë, një bateri AKA në Shëngjin, Batalioni i Këmbësorisë në Pish-Poro, grupi AT Shën-Vasil Sarandë, objektet e Marinës po në Sarandë, bateria e ABD në Çukë Sarandë, bateria ABD Kalaja e Turrës Kavajë dhe shumë reparte dhe nënreparte të tjera ushtarake që ishin suprimuar nga reforma në FA. “Me të gjitha këto që përmenda dua të them se ministri Majko ka vepruar drejtë dhe në bazë të ligjit. I njëjti shqetësim mbetet për të gjithë ne edhe sot. Këto kompani mitraliere, artileri bregdetare, kundraajrore , etj, nuk përfshihen më në misionin e FA dhe si të tilla duhet të jenë prona të qytetarëve shqiptarë dhe të vihen në dispozicion të tyre”.
Duke vijuar më tej, ministri Imami tha se, megjithëse në një urdhër të ministrit Majko përfshihet një pikë e veçantë që kërkon që gjatë inventarizimit të kihen parasysh hartat e miratuara para vitit 1990. Ajo që ne kemi identifikuar për ato ka qenë mospërputhja e sipërfaqeve të miratuara me ato reale sipas kufijve që kanë pasur ato reparte ushtarake në vite. Po kështu kemi konstatuar mosinventarizimin e një numri të konsiderueshëm pronash në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ky ka qenë objekti ynë i punës, kjo ka qenë përpjekja jonë për zbatimin e ligjit për menaxhimin e pronave në MM. Për riparimin e këtij difekti, ka sqaruar ai, pas vitit 2009 i është kushtuar një vëmëndje e veçantë inventarizimit të të gjithë pronave dhe të saktësimit të sipërfaqeve të tyre sipas kufijve realë. Për këtë qëllim është përgatitur dhe dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave dhe u miratua VKM me Nr. 116, datë 17.2.2001 ”Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin Nr. 515, datë 18.07.2003”, ku kërkohet korrigjimi dhe saktësimi i përmasave hapsinore për 136 prona. “Një pjesë e këtyre pronave kanë pasur matje të pasakta në kufijtë 1 deri në 2 përqind, që janë gabime njerëzore, por ne kemi bërë përpjekje për t’i saktësuar sa më mirë ato me qëllim që kur të dalin në privatizim haku të shkojë tek i zoti”. Në këtë kontekst, kemi konstatuar pasaktësi jo të vogla. Kështu, një pronë e jona, që ishte në një vend shumë të rëndësishëm të bregdetit tonë, e cila ishte e regjistruar për vetëm 3500 metra, rezultoi se ishte 35.000 dhe me këtë VKM prona e ushtrisë, shtëpia e pushimit në Jalë, nga 3500 metra kaloi në 35.000 metra. Ky është një shëmbull që flet për menaxhimin që kemi bërë ne”. Abuzimi i bërë në këtë pronë ka ardhur nga ish-roja e këtij institucioni, kapter Mënyr Rexhepi. Ky ushtarak në deklaratën e tij ka deklaruar në emër të pronarit-shtet për dy qytetarë, Valentina Rexhepi, bashkëshortja e tij dhe Bardhosh Alikaj, të cilëve i ka dhënë tokë nga kjo sipërfaqe e tokës së Jalit. Pronat që ishin në regjistrat kadastral, sipas auditit që ne bëmë, dhe që ndodheshin në Himarë ishin zhvendosur dhe ishin vendosur në kodrat e Jalit.
Më tej, ministri i Mbrojtjes Imami ka informuar se për ta pasur sa më të organizuar dhe të kontrolluar këtë proces dhe duke pasur përvojën e shkëlqyer të Bordit për Demilitarizimin dhe për Materialet e Tepërta, me urdhër të veçantë të ministrit të Mbrojtjes, që në mars të vitit 2011, është ngritur një bord i posaçëm për menaxhimin e pronave ku janë të inkuadruar drejtues të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm. Ky bord me një transparencë të plotë merret me regjistrimin dhe inventarizimin e gjendjes së pronave. Mbi bazën e punës së këtij bordi dhe drejtorive përkatëse është përgatitur një tjetër projektvendim, i cili pasqyron ndryshime të tjera të konstatuar në 307 prona, ku pasqyrohen dhe 66 prona të reja, të cilat nuk ishin të inventarizuara më parë. Pritet që ky projektvendim të shndërrohet në vendim, pasi të japin mendimin edhe ministritë e tjera që lidhen me këtë çështje. Ky proces ka vazhduar me intensitet dhe ministri i Mbrojtjes ka nxjerrë me datë 26.10.2012 urdhrin 8038 për verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të pronave në administrimin e MM, i cili do të ketë detyrë të indentifikojë dokumentat tekniko-ligjore aktuale dhe procedurat ligjore të ndjekura lidhur me procesin e inventarizimit, regjistrimit dhe privatizimit të pronave të paluajtëshme të MM, si dhe për pronat e tjetërsuara gjatë këtyre 20 viteve.
Ministri i Mbrojtjes Imami ka informuar anëtarët e komisionit se, për të përshpejtuar procesin e privatizimit të pronave të tepërta jashtë funksionit të përdorimit për FA kemi përgatitur dhe kemi dërguar në Ministrinë e Ekonomisë listën e të gjitha pronave të lira së bashku me anëtarin e komisionit, gjë e cila është detyrë e jona, ndërsa Komisionin për Vlerësimin e Pronave e ngre Ministria e Ekonomisë.
Duke folur për transparencën që kërkon ky proces, z. Imami theksoi se, që në vitin 2010 në Websit-in e MM janë pasqyruar mbi 700 prona, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë ta dinë që këto prona janë të hapura. Kjo listë pronash i është dërguar Kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë me qëllim që të jetë e qartë që MM nuk mund dhe nuk do të mbajë prona të tepërta dhe nuk ka arsye që të shtojë hallkat burokratike dhe të zgjasë procesin. Këto prona janë deklaruar si prona të panevojshme për ne dhe nga 850 prona që nga viti 2004, sot janë rreth 1000, që do shtohen dhe 66 të tjera. I kemi dërguar Ministrisë së Brendshme një listë me 73 prona që ndoshta mund t’i shërbenin komuniteteve lokale dhe shpresoj që ato të veprojnë me shpejtësi për t’ia kaluar këto prona për objekte social-kulturore etj.
Lidhur me procesin e privatizimit, ne i kemi kryer të gjitha punët dhe nuk kemi çfarë të bëjmë gjë tjetër. , por dua të vendosen në vëmëndjen e këtij komisioni edhe dinamikat e nxjerrjes së pronave. Në vitin 2004 ka pasur 283 prona në Planin e Përhapjes, në vitin 2006-2007 262, në 2009 ishin 221 dhe në vitin 2012 që është propozimi im për Presidentin Topi ishin 201. Siç shihet, kam hequr një pjesë instalimesh, ashtu siç kanë bërë zotërinjtë Mediu dhe Oketa, ndërsa për shkak të nevojave të reja që kanë dalë kemi shtuar instalime të reja. Një rast i tillë është aerodromi i Gjadrit, i cili ishte jashtë Planit të Përhapjes, por të dyja emergjencat që kaluam në Shkodër na lanë të kuptojmë që ai ishte i domosdoshëm për çdo emergjencë të mundshme në atë rajon, prandaj i kërkuam Presidentit që të rifutej kjo pronë në Planin e Përhapjes.
Duke treguar harta dhe dokumenta të tjera para Komisionit të Sigurisë, ministri Imami ritheksoi se, e veçanta e punës me të cilën ne po merremi është verifikimi i pronave tona. Procedimi i mëtejshëm me pronat e ushtrisë do të synojë që edhe nga agjencitë të tjera shtetërore të përshpejtohet procesi. Do të bëjmë përpjekje për rikthimin e një grupi pronash në Planin e Përhapjes me qëllim për të ndërtuar banesa për strehimin e ushtarakëve. Trojet që nuk kanë ndërtime do të kalojnë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe besojmë që Ministria e Ekonomisë duhet të fillojë sa më shpejt vlerësimin në tërësi të të gjitha pronave. Për ne përparësi duhet të ketë privatizimi i pronave që ka dalë tepër, por që ne akoma për ruajtjen e tyre mbajmë ende një numër të madh personeli.
Lidhur me akuzat për shitjen e makinerive dhe pajisjeve të tjera në Kombinatin e Poliçanit, ministri Imami ka theksuar se, drejtori i Poliçanit nuk jep mendim se si duhet qeverisur Poliçani, kryetari i bashkisë të merret me Poliçanin mos të meret me uzinën, sepse për atë mban përgjegjësi drejtori, këshilli drejtues i kësaj uzine dhe MM. Nuk është etike që kryetari i Bashkisë së Poliçanit del e flet se çfarë bëhet në ndërmarrje. Kombinati i Poliçanit ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer detyrimet e saj dhe po përpiqet të punojë për të ardhmen dhe nëse do të arrihet do të jetë një gjë shumë e madhe, padyshim që është një objektiv vështirësisht i arritshëm në mënyrë që kjo ndërmarrje të vijojë punën edhe pas mbylljes së procesit të demontimit të municioneve të tepërta. Për këtë gjë kanë filluar eksperimentet për prodhimin e fishekëve, kanë filluar edhe disa shitje të vogla sikurse është e njohur edhe në media. Shitjet janë tërësisht ligjore, ato shkojnë në Kosovë. Kombinati ka ngritur një grup ekspertësh tekniko-inxhinier, të cilët unë i njoh dhe e di shumë mirë se 80 % e tyre nuk janë të PD dhe ato sigurisht që do të vazhdojnë të punojnë pasi janë specialistë. Në qoftë se kombinati do të ketë një vijimësi duhet të vijë tek niveli i Mjekësit. Çfarë bëmë ne në Mjekës? Së pari, e pastruam atë, mbollëm bar sepse shqetësimi për mjedisin ka qenë një nga shqetësimet e mia themelore gjatë këtyre 3 viteve, riparuam ndërtesat në mënyrë që n.q.s. do të ketë një investim të vijë të shohi diçka që të jetë normale. Një fabrikë e amortizuar nuk prezanton asgjë të mirë kjo po bëhet profesionalisht nga ata.
Përsa i përket çështjes së klubit “Partizani” ministri Imami theksoi se ne nuk kemi klub sportiv, ky klub sportiv ka ikur me kohë nga ne. Nuk ka Ministri Mbrojtje në Aleancë që mban klube sportive. Nuk kemi klub sportiv, pasi ai është privat kështu që nuk ka nevojë për fusha futbolli për klubin sportiv. 4000 metra ka qenë bërë një gabim në regjistrimin e vitit 2003 dhe një audit i brendshëm që kemi ngritur këto 4000 mijë metra i janë shtuar pronës pa asnjë dëm financiar.
Lidhur me Spitalin Ushtarak, ministri Imami theksoi se territori i tij do të mbetet ashtu siç është në administrimin tonë. Problemi ishte Qendra e Traumës, një barrë kjo që mbante ushtria, që tashmë nuk mund ta mbajë. Këtë shërbim, si një nga shërbimet shumë të rëndësishme shëndetësore, do ta marrë Ministria e Shëndetësisë që është edhe ministria përgjegjëse. Për këtë besoj se u gjet një konsensus midis palëve politike në parlament dhe ky repart do t’i kalojë bashkë me mjekët dhe pajisjet Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq, Spitali Ushtarak do të vazhdojë të mbetet po aty dhe kjo nuk ka asnjë pikëpyetje

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.