English

Berisha inaguron rrugën Vrijon – Qereshnik, Berat

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Vrijon – Qereshnik, Komuna Otllak, në Qarkun e Beratit. Ky segment rrugor është realizuar me një investim prej 186 milion lekë dhe ka një gjatësi prej rreth 6 km.

Rruga përshkon një nga krahinat kryesore të njohura për rritjen dhe kultivimin e ullirit, vreshtarisë dhe prodhimeve bujqësore dhe prej saj përfitojnë lehtësi infrastrukturore dhe komunikimi fshatrat Vrijon, Ullinjas dhe Qereshnik, me një popullsi rreth 2.000 banorë. Por, rruga krijon lehtësi edhe për disa fshatra të komunës Rroshnik. Rruga është një ndihmë e madhe për gjithë fermerët e zonës, të cilët kanë tashmë mundësinë që prodhimet e tyre t’i nxjerrin më shpejt në tregun e Beratit. Por gjithashtu, rrit edhe numrin e banoreve të interesuar për t’u kthyer dhe për të investuar përsëri për shtëpitë dhe pronat e tyre në këto zona.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal dhe admirimin e tij për punën dhe përkushtimin e banorëve të kësaj zone, të cilët i kanë shndërruar tokat e tyre, shpatet e kodrat, në plantacione të tëra me ullinj e frutikultura të tjera. “Në këto pak vite, ju keni shprehur besimin tek trojet tuaja, tek vendi juaj, fshatrat tuaja, duke i qëndisur ato dhe duke i shndërruar në kopshte të vërteta të lulëzuara”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë me vendosmëri mbështetjen dhe investimet për zhvillimin jo vetëm të kësaj zone, por të çdo skaji të Shqipërisë, në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, etj.

Duke iu referuar rritjes ekonomike të vendit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të Ballkanit, të shënuar edhe në këto kohë të krizës globale, Kryeministri theksoi se rritja ekonomike është vepër e mundit dhe djersës së çdo qytetari. “Ajo qëndron në çdo rrënjë ulliri, molle apo vreshte që ju mbillni në tokat tuaja, në çdo kalli gruri apo mistri që ju mbillni, në çdo tullë a gur që ju hidhni në muret për të lartësuar shtëpitë tuaja, qëndron para së gjithash, në lumenjtë e djersës me të cilat ju vaditni tokat tuaja, fshatrat, komunat e qytetet tuaja”, u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, ai nënvizoi se kjo rritje ndodh dhe do të ndodhë, sepse reformat ekonomike të kësaj qeverie, siç deklarojnë institucionet më serioze botërore, e mbrojtën Shqipërinë nga kriza ekonomike e tmerrshme që ka gllabëruar vendet e rajonit e të Evropës.

Kryeministri i drejtoi nga Berati një thirrje kryetarit të PS-së Rama, për të votuar në parlament 3 ligjet e rëndësishme, të nevojshme për marrjen e statusit kandidat në BE, duke u shprehur: “ky 100 vjetor i pavarësisë na fton, zoti Rama, të marrim përgjegjësitë tona, të votojmë ligjet në parlament, të votojmë për hir të fëmijëve shqiptarë të cilët meritojnë Evropën, për hir të këtyre grave e burrave që, me punën e tyre ditë e natë, kanë qëndisur tokat dhe i kanë shndërruar në kopshte të vërtetë dhe presin që, me statusin e kandidatit, prodhimet e tyre të qarkullojnë të lira, pa doganë, në mbarë Evropën”.

Në komunën Olltak janë ndërtuar mbi 23 km rrugë, 4 sisteme ujësjellës e kanalizime të ujërave të zeza në Dushnik, Lapardha, Moravë e Orizaj. Janë ndërtuar 2 shkolla në Lapardha e Moravë dhe 2 ambulanca që mbulojnë fshatrat Qereshnik, Lapardha, Dushnik e Otllak.
Për sa u përket investimeve të gjithanshme në qarkun e Beratit, rezulton se në këto vite janë ndërtuar e ri-konstruktuar mbi 500 km rrugë; 60 shkolla e kopshte; 31 ujësjellës e kanalizime dhe 46 qendra shëndetësore e ambulanca. Në bujqësi janë subvencionuar 2600 ha me ullishte, pemëtore, vreshta e sera, duke përfituar kështu 5900 fermerë, ose mbi 25 herë më shumë se në qeverisjen socialiste. Në sistemin e energjisë elektrike, janë investuar 25 milionë euro në përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit. Gjithashtu, në qarkun e Beratit është dyfishuar numri i bizneseve, ku rezulton se në vitin 2005 ka pasur 2820 biznese, ndërsa sot janë 5350 biznese.

KOMENTE