English

Rama: Kufiri detar me Greqinë. “Marrëveshja aktuale një zonë e minuar

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ripërsëritur apelin ndaj qeverisë për rishqyrtimin e marrëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite, kreu i opozitës ka deklaruar: “Marrëveshja aktuale dhe harta bashkëngjitur saj është një zonë e minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. Rishikimi i hartës dhe vendosja e vijës së kufirit aty ku i jepet fund kësaj gjendjeje të pezullt me potencial konflikti është një domosdoshmëri historike. Qeveria Shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe duhet të ulet menjëherë, pa humbur asnjë ditë me fqinjët për të gjetur rrugën e arsyes”.

Për kryetarin Edi Rama, deti Jon është një pasuri e përbashkët e të dy vendeve dhe të dy popujt kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo pasuri përmes projektesh e planesh strategjike të përbashkëta, por asnjëri nuk mund dhe nuk duhet të përfitojë në kurriz të tjetrit. Në këtë linjë duke folur për projektin TAP, Rama u shpreh: “Projekti TAP më së pari nuk mund dhe nuk duhet të kërcënohet nga konflikti që ka hapur marrëveshja e firmosur qorrazi prej Qeverisë shqiptare. Por, po ashtu nuk mund dhe nuk duhet të cenohet as vetë perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve tona, që sot më shumë se kurrë, kanë nevojë të shohin përtej rrugëve të vjetra të zhvillimit”.

Edi Rama ka deklaruar se është e papranueshme që kjo marrëveshje e domosdoshme për ardhmërinë e të dy vendeve, të bëhet një vatër ku marifetçinj politikë andej e këtej kufirit t’i frynë zjarrit të nacionalizmit dhe të dasisë primitive.

KOMENTE