Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jemi pro arsimit privat, por investimet të prodhojnë cilësi dhe jo skarcitet, shprehet PS-ja
English

Jemi pro arsimit privat, por investimet të prodhojnë cilësi dhe jo skarcitet, shprehet PS-ja

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përmes një deklarate lidhur me arsimin privat është shprehur: "Ne nuk kemi ardhur sot këtu si përfaqësuesit e nesërm të publikut që duam të diskriminojmë privatin. Përkundrazi, si përfaqësues të nesërm të interesit publik që në këndvështrimin tonë mbrohet dhe promovohet duke harmonizuar interesat private me interesin publik. Është shumë e rëndësishme për ne që ky dialog të vazhdojë. Synimi ynë është që programi ynë për arsimin e lartë të jetë një program që të ketë edhe autorësinë tuaj. Sepse sigurisht arsimi i lartë është një e mirë publike, kapitali njerëzor i prodhuar prej tij është një e mirë që është në dispozicion të të gjithëve mjekë që shërojnë, mësues që aftësojnë, arkitektë që projektojnë, ekonomistë që projektojnë po ashtu, inxhinierë që ndërtojnë, administratorë publikë që menaxhojnë e me radhë, janë asete kombëtare. Janë pasuri e publikut. Por, arsimi i lartë është edhe një e mirë private, sepse të gjithë ata që e marrin janë në të njëjtën kohë njerëz që investohen për arsimin e vet në funksion të një jete më të mirë për vete, për të pasur paga më të larta dhe një status social që t’u mundësojë sigurisht më shumë. Nga ana tjetër unë besoj që nuk ka kontradiktë konceptuale mes procesit të edukimit dhe liberalizmit të arsimit. Sigurisht, që edukimi është në radhë të parë një përgjegjësi politike. Edhe gjenerata e re ajo e të sapodiplomuarve që marrin një punë, apo ajo e të shumtëve në këtë rast që futen në radhën e gjatë të papunësisë kërkon një zgjidhje politike.
Unë besoj që liberalizmi i arsimit është një mundësi për ta pasuruar ofertën dhe njëkohësisht për të krijuar kushte që njerëzit të mund të zgjedhin. Që njerëzit të mund të marrin atë që meritojnë duke bërë zgjedhjen e tyre. Aty ku ne jemi shumë kritik ndaj liberalizimit të derisotëm është ajo që sipas nesh e dëmton drejtpërdrejt edhe vetë cilësinë e arsimit të lartë privat. Ne jemi kundër një politike të liberalizmit pa vizion, pa kriter, pa karar. Është fakt që dora e pakontrolluar e tregut sot ka sjellë edhe në arsim dëme të rënda, siç ka sjellë në mjedisin tonë me lumenjtë, me minierat, me pyjet, me plazhet dhe në shumë aspekte të tjera të jetës sociale. Duke u orientuar vetëm nga fitimi, praktikisht, arsimi i lartë privat sjell produktin më të thjeshtë atë me më pak kosto për vetveten, por me më shumë kosto për shoqërinë, prodhimin e diplomave që nuk certifikojnë dije dhe që praktikisht e zgavrojnë kapitalin njerëzor të përbashkët m’u njësoj si ato zgavrat që hap dora e pakontrolluar e tregut nëpër male për çimento, e për gurore apo nëpër shtretërit e lumenjve për të shfrytëzuar sa më shpejt dhe pa parë se çfarë mbetet mbrapa pasurinë natyrore. Kështu që, unë besoj se, nuk e kemi të vështirë të biem dakord së bashku që ngrehina e sistemit jo publik të arsimit të lartë s’mund të ngrihet si një Rozafë moderne mbi murosjen e një gjenerate të tërë të rinjsh. Ne kemi përgjegjësinë, ndjejmë përgjegjësinë si Partia Socialiste e Shqipërisë që mos të lejojmë që kjo të ndodhë, duke bërë një ndarje të qartë mes atyre investimeve që në arsimin e lartë jo publik prodhojnë cilësi dhe atyre investimeve që prodhojnë skarcitet. Pra, ne jemi për liberalizimin e arsimit të lartë, kjo nuk ka pikë dyshimi. Por, sfida që mendoj është një sfidë e përbashkët. Nuk është një sfidë thjesht e qeverisë. Ajo qëndron në gjetjen e një ekuilibri të shëndetshëm mes të mirës publike dhe të mirës private në arsimin e lartë. Sigurisht, t’i japim shansin sa më shumë njerëzve që të realizojnë ëndrrat e tyre, duke kaluar përmes sistemit të arsimit të lartë, por të mos djegim shansin e një gjenerate të tërë duke lënë që të zhvillohet një arsim i lartë me një deformacion shumë të rëndë organik.
Unë vetë do doja që të ndaja me ju një mbresë personale. Por, besoj që nuk është aq personale sa të mos rezonojë tek të gjithë ata që i kanë njohur të dy realitetet. Unë kam qenë shumë i mbresuar nga disa vizita që kam bërë në universitete private. Kam vizituar një universitet në zanafillën e vet kur isha kryetar i bashkisë, ngritur mbi ambicien për të krijuar kushtet e marrjes së dijeve për arkitekturën dhe për planifikimin urban dhe kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga synimi për cilësi jete në atë universitet. Kam vizituar një tjetër universitet si dashamirës i librit dhe kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga fakti që në atë universitet mund të gjesh më shumë libra të prodhuar se në tërë fakultetet publike të mbledhura së bashku jo në një vit, po ndoshta në 10 vitet e fundit. Kam vizituar një tjetër universitet si kryetar i Partisë Socialiste për të folur me studentë të interesuar për të dëgjuar dhe jam ndjerë absolutisht mirë pa asnjë lloj barriere dhe pa asnjë lloj pengese tek të rinj me mendime tërësisht të ndryshme dhe me pikëpamje që i ndanin nga njëri tjetri kur ishte fjala për politikën. Kam vizituar një universitet si thjesht një njeri që isha ftuar për të folur për politikën dhe përsëri jam mahnitur realisht nga cilësia e investimit të bërë. Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ato pak vizita që kam pas në universitetin publik. Duke filluar që nga pastërtia dhe duke vazhduar pastaj me gjithë sensin e jetës brenda hapësirës së universitetit publik.
Nuk besoj që i mbetet kujt hatri nëqoftëse do të perifrazoja një përfaqësues të Komisionit Europian ku ne u takuam për të diskutuar programin i cili ishte pikërisht në detyrën lidhur me arsimin e lartë në Europë dhe që i cilësoi universitetet në Shqipëri si: “tejet të mërzitshme”, që është thjesht aspak tërheqëse për studentët.
Çfarë do të vëreja unë si dallim? Kjo është një sfidë për qeverinë nesër, se qeveria sot këtë sfidë e ka humbur; Midis universiteteve private që janë investime në arsimimin e lartë dhe jo thjesht fabrika diplomash për të nxjerrë përfitime nga arsimimi lartë dhe universitetit publik. Së pari liria. Në universitetet private ka liri, në universitetet publike nuk ka liri. Së dyti cilësia. Në universitetet private ka cilësi, në universitetet publike nuk ka cilësi. Së treti konkurrenca, në universitetet private ka konkurrencë, në universitetet publike nuk ka konkurrencë. E, së katërti merita, universitetet private, që përsëris ato të cilat sipas nesh duhen të jenë dhe modeli udhërrëfyes për të ndërtuar edhe raportin me arsimin privat, se nuk mund të jenë udhërrëfyesit që ndërtojnë raportin me arsimin privat fabrikat e diplomave, janë shumicë, por nuk janë arsyeja për të ndërtuar marrëdhënien me arsimin e lartë privat, janë të ngritura mbi meritën. Ndërkohë që universiteti publik është i ngritur mbi të kundërtën. Mbi gjithçka që mund ta enumeronim këtu si problem, si problem zinxhir në raportin mes universitetit dhe studentit që shkon në universitet dhe le të mos e fshehim që liberalizimi i arsimit i tillë siç është zhvilluar deri më sot, ajo që foli njëri prej të pranishmëve pa asnjë lloj kriteri e karari, në sektorin publik dhe pa asnjë lloj kriteri e karari në dhënien e licencave për sektorin privat ka një arsye; Paaftësinë për t’u përballur me papunësinë rinore. Nevojën për të blerë me paratë e prindërve të këtij vendi qetësi në pushtet në raport me sfidat e arsimit të lartë duke u thënë gjithë të rinjve ‘bujrum’ merrni nga një diplomë në pamundësi për t’ju dhënë një zanat, në pamundësi për t’ju ofruar një shteg në rrugën e konkurrencës së lirë në treg me dije dhe aftësi që atyre fatkeqësisht ju mungojnë për shkak se është ndërtuar së prapthi zinxhiri i arsimit më poshtë dhe në nevojën për të sunduar qetësisht.
Këtu vjen pastaj dhe lidhet edhe nyja e mungesës së sot e gjithë ditën të akreditimit të universiteteve, pa dallim. Jo të akreditojmë universitetet private dhe të bëjmë rrush e kumbulla paratë e publikut në universitetet publike, por të fusim gjithë sistemin në një proces akreditimi. Të vendosim konkurrencën me synim cilësinë dhe meritën në të gjithë sistemin tonë arsimor, publik ose privat qoftë. E, pra unë besoj se asnjëherë s’duhet harruar se ka një përgjegjësi të përbashkët që është jetike për kombin, për vendin tonë qoftë në institucionet e sistemit publik, qoftë në institucionet e sistemit jo publik që është përgjegjësia e edukimit. Do doja që t’i referohesha një fjale që më pëlqen shumë që thotë ‘sfida e edukimit nuk është të sharrosh xhunglën, por të vadisësh shkretëtirën’. E pra, në këtë kontekst unë e nënvizoj që ne nuk mundet dot t’i trajtojmë universitetet private si ndërmarrjet fason, që o burra të hapim sa më shumë dhe të ketë sa më shumë njerëz që me punë e tyre të marrin një rrogë. Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që reformën munguar të liberalizimit, në fakt, sepse kjo është një reformë e liberalizimit, ne ta bëjmë realitet një orë e më parë, për të mos lejuar që të jetë, mijëra e mijëra studentë që investojnë në një fabrikë diplomash qoftë kjo private, qoftë kjo publike. Se me të drejtë flasim për universitete private që janë fabrika diplomash, por mos harrojmë që universiteti publik është një kombinat i tërë i përbërë nga shumë fabrika diplomash. Unë kam takuar pedagogë të cilët dëshmojnë se gjenden përballë studentësh në universitetin publik që nuk dinë shkrim dhe këndim. Kuptohet e shkruajnë emrin e tyre, kuptohet që e lexojnë edhe çfarë ndodh nëpër botë në titrat e atyre ekraneve, por nuk janë të përgatitur mjaftueshmërisht për të përballuar me sasinë e nevojshme të shkrimit dhe të këndimit të universitetit.
Synimi është për të ngritur një sistem që prodhon dije dhe aftësi dhe jo diploma. Është një synim shumë i qartë. Ky synim duhet të vlejë si për arsimin publik, dhe për atë privat po njësoj po bërë avantazhime dhe diskriminime dhe kjo është shumë e qartë. Dhe që 7 vitet e fundit e kanë treguar shumë qartë se çfarë nuk duhet të bëjmë më tutje edhe kjo nuk ka dyshim. Ne besojmë që futja menjëherë në proces e një kompanie ndërkombëtare, të pavarur nga të gjitha llojet e lidhjeve dhe të fijeve që e pengojnë akreditimin deri më sot dhe akreditimi i plotë i të gjithë sistemit është hapi parë që duhet bërë në raport me institucionet e arsimit të lartë. Ne kemi shumë nevojë që për një reformë të mirëmenduar të gjithë sistemit të krijojmë një hapësirë për të bashkërenduar idetë, për të ballafaquar opinionet dhe për të dakordësuar sa të jetë e mundur vendimmarrjen. Që të krijojmë model funksionale, që të adresojmë modelet tona tani, por dhe që nuk do të lejojnë që problemet të agravohen nesër. Ne jemi dakord për decentralizimin e buxhetit të universiteteve drejt njësive bazë, fakultete e departamente. Duke i bërë këto pjesëmarrëse reale në vendimmarrjen e buxheteve dhe në një pjesë të menaxhimit të tyre.
Jemi dakord edhe me unifikimin e legjislacionit për universitetet duke futur në fuqi ligjin për shërbime ndaj të tretëve, falë të cilit Universitetet mund të ofrojnë vetë ekspertiza shkencore dhe për rrjedhojë të përfitojnë të ardhura, siç bën e gjithë bota. Po ashtu jemi të vendosur për t’i kthyer institucionet e larta arsimore, publike e private, në ente ku s’ndodh vetëm mësimdhënia, por që shërbejnë si nyje të kërkimit dhe të zhvillimit. Se kështu siç janë, me buxhet vetëm nga shteti apo vetëm nga tarifat e regjistrimit universitetet janë si një i sëmurë me dializë. Kush e njeh procesin e dializës e kupton që bëhet fjalë për një njeri të lidhur pas një makine dhe në momentin që shkëputet lidhja me makinën njeriu nuk mund të mbijetojë. Ne duam që ta inkurajojmë edhe transformimin ose lindjen e institucioneve të lartë që s’janë as private, s’janë as shtetërore, por janë entitete jofitimprurëse që menaxhohen nga truste apo nga aktorë publikë që kanë hapësira përfaqësimi. Nga ana tjetër flitet për teknologji dhe inovacion, por përsëri edhe në këtë rast kemi një hendek shumë të madh mes sistemit të lartë privat, gjithmonë duke ju referuar atij sistemi që përbën model për ne dhe jo sistemit si i tërë që në fakt është model shkatërrimi. Megjithatë edhe në aspektin e rinovimit teknologjik mendoj që ne na duhet një qasje pa paragjykime ndaj arsimit privat. Duke hapur konkurrencën edhe për privatin edhe për publikun me të drejta të barabarta për të aplikuara në fondet publike mbi bazën e projekteve të suksesshme me interes publik, besoj se ne i japim një shtysë modernizimit të sistemit të arsimit të lartë. Duke krijuar apo më saktë duke mbjellë, sepse do të dojë kohë, mendësinë e konkurrencës, duke futur sfidën e mbijetesës së përditshme në funksion të realizimit të të gjitha objektivave në çdo qelizë të arsimit të lartë. Nuk mundet dot që universitet private, ato që investojnë realisht në cilësi të jetojnë me sfidën e mbijetesës dhe universitete publike ta kenë mbijetesën të garantuar dhe për shkak se kanë mbijetesën e garantuar të mos bëjnë përpjekje për cilësi jete, për ata që hyjnë dhe dalin, por përkundrazi cilësinë e jetës ta kenë vetëm privatisht ata që rrinë aty dhe presin ata që hyjnë dhe ata që dalin, duke krijuar një kastë mediokre e cila ka vetëm një rrugë për të qëndruar aty ku është lidhjet më interesin politik.
Në rast se bëra një krahasim, por i rikthehem, sepse është absolutisht kështu në një sërë universitetesh publike, këto që janë këtu të përfaqësuara dhe ndonjë tjetër që ndoshta mungon, ka një hapësirë lirie për gjithë qarkullimin e ideve, ndërkohë që universitetet publike janë tapa që pengojnë çdo qarkullim idesh dhe nuk lejojnë që ajri të hyjë nga jashtë brenda në hapësirën publike të universitetit. Por, përkundrazi i molepsin studentët me ajrin e ndenjur të atij komforti që kanë zgjedhur ata që i sundojnë universitetet publike. Unë besoj se ka shumë gjëra të tjera për të diskutuar dhe për të ndarë me ju. Një gjë dëshiroj ta nënvizoj edhe një herë tjetër që ne kemi nevojë për kontributin tuaj për Programin që dëshirojmë ta detajojmë si një instrument qeverisës, jo si një ofertë elektorale. Sigurisht është një ofertë elektorale, por si një instrument qeverisës, duke projektuar sa të jetë e mundur në mënyrë më të detajuar ecurinë e mandatit tonë. E, sigurisht që në fund është shumë e rëndësishme që universitetet të testohen jo thjesht nga raporti me institucionin e akreditimit, por edhe nga raporti me çfarë ecurie kanë ata që e mbarojnë universitetin në rrugën e tregut dhe sa prej tyre, si, qysh, e tek punësohen dhe ofrojnë pastaj shërbim për shoqërinë. Ambicia është që akreditimi të zbresë edhe në nivelin e mëposhtëm. Por, sigurisht që duhet të fillojë një herë nga arsimi i lartë. Duhet të fillojë një orë e më parë, për të rikuperuar studentët që do të mbeten në momentin e parë viktimë e mosakreditimit të universitetit përkatës në mënyrë që ata të mund ta mbarojnë ciklin e universitetit.
E fundit unë dëshiroj që t’ju shpreh angazhimin, jo premtimin , angazhimin që ashtu sikundër si kryeministër dua që të bashkëpunoj ngushtësisht me sipërmarrjen dhe që një këshill i biznesit të mblidhet në praninë e kryeministrit të Shqipërisë dhe të ministrit të Financave dhe të Ekonomisë për të trajtuar gjithë problematikën e periudhës midis dy mbledhjeve, kështu dhe një Këshill i Arsimit të Lartë Shqiptar mund të ngrihet me pjesëmarrje të përfaqësuesve të arsimit publik dhe të arsimit privat, në mënyrë periodike. Në mënyrë që sfida e cila është e përbashkët sepse në fund të ditës besoj që si arsimi publik, si ai privat, por si edhe qeveria e një vendi kanë një sfidë të përbashkët, që është edukimi i gjeneratës së re, mund të adresohet në mënyrën e duhur duke përfituar nga eksperienca e të dyja anëve të medaljes. Sepse arsimi publik dhe ai privat janë dy anë të të njëjtës medalje besoj unë. E, njëkohësisht duke shkuar përpara nën shembullin e më të mirëve. Shembulli i më të mirëve është logoja që duhet të ketë arsimi ynë i lartë në shkollë, pra për studentët dhe për universitetet, në mënyrë që të ndryshojmë rrënjësisht mendësinë që qysh në ditën e parë secili ta dijë që është në konkurrencë dhe se konkurrenca është një sfidë që fitohet përditë, jo që fitohet një herë e përgjithmonë kur merr një licencë dhe pastaj fillon prodhimin në masë të diplomave apo kur futesh në universitet dhe e di që do dalësh në fund se do paguash paratë, në formë tarife apo ryshfeti."

KOMENTE