English

Spiro Ksera flet për takimin me deputetin neonazist grek. Është sulm politik

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, e ka vlerësuar sulm politik me qëllim cënimin e imazhit të tij, “kryqëzimin” e tij nga aktorë të caktuar politikë lidhur me takimin e tij me deputetin neonazist grek të “Agimit të Artë” në qytetin e Gjirokastrës. I ftuar në RTV Ora News, Ministri Ksera, duke vlerësuar demokracinë dhe faktin e të qënit njeri i lirë i këtij vendi tha se do të jetë pjesë e të gjitha aktiviteteve në pozicionin e tij qoftë si deputet apo Ministër, ndërsa shtoi se e gjithë kjo propagandë bëhet për të lëkundur bashkëjetesën e shqiptarëve me minoritetet greke në jug të vendit.

“Unë jam shprehur, janë disa grupe që synojnë të dëmtojnë imazhin e qeverisë dhe Kryeministrit të vendit, duke hedhur baltë në punën e çdo Ministri. Ishte radha ime, me mua u mor nacionalizmi. Unë nuk prekem, do vazhdoj të marr pjesë në aktivitete si deputet dhe Ministër. Kjo bëhet për të prekur bashkëjetesën me minoritetet greke. Një Ministër e bën punën e vet të ligjshme, jam deputet i Gjirokastrës, kjo është frika e këtyre grupeve për zgjedhjet e ardhshme. Takimi nuk ka qenë zyrtar, s’ka pasur as shtrëngim duarsh, me pak fjalë asgjë s’ka pasur. Unë jam një njeri i lirë, besoj tek demokracia funksionale e shtetit shqiptar” tha ai.
Ministri Ksera ka folur ashpër lidhur me dështimin e odisesë së përpjekjeve në gjetje të konsensusit mazhorancë-opozitë për kalimin e tre ligjeve me shumicë të cilësuar për marrjen e statusit. Ndërsa vlerësoi se qeveria i ka përmbushur detyrimet e saj, e konsideroi të patolerushëm qëndrimin e kryesocilistit Rama në minutën e fundit, duke e kushtëzuar përfundimisht integrimin e Shqipërisë me qarkun e Fierit.

“Detyrimet përkthen me punë konkrete të administratës dhe shoqërisë civile. Arritëm të përmbushim të gjitha prioritetet. Por parlamenti funksion dhe me ligje me shumicë të cilësuar, ku nevojitet mbështetja e opozitës. Ndërkombëtarët janë befasuar me mënyrën sesi opozita u thotë jo në momentin e fundit këtyre tre ligjeve. Mazhoranca punon për të përmbushur dhe përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë dhe për këtë nevojitet marrja e statusit. Edi Rama nuk do që qytetarët të jetojën më mirë, kushtëzuan me Fierin, që janë dy pushtete të ndryshme. Nuk mund të barazohet marrja e statusit me një qark të veçantë” u shpreh Ksera.
Në ditën botërore të të drejtave të fëmijëve,Ksera u shpreh se sfidë e institucionit që ai drejton, por dhe vetë qeverisë mbetet mbrojtja e këtij grupi të marxhinalizuar. Në këtë kontekst Ksera shtoi se nevojitet më tepër punë nga prindërit dhe shërbimet sociale dhe të gjithë aktorët e tjerë për të shmangur dhunën ndaj fëmijë.

“Çështje të tilla duhet të prekin të gjithë shoqërinë dhe të ndërgjegjësojnë të gjithë aktorët për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve. Përvec dhunës ndaj grave, fëmijët janë grupi më i pambrojtur, qytetarët duhet të denoncojnë punën në të zezë apo dhunën ndaj tyre. Kam bindjen se fushata e ndërmarrë do jetë e suskseshme, kemi të gjithë legjislacionin e nevojshmëm, arritja më e madhe është kujdestaria për këta fëmijë, kemi krijuar kushtet e nevojshme për strehimin, sistemimin dhe mbrojtjen e tyre. Ka arritje në këtë drejtim, por fenomeni ekziston. Duhet koordinim i punës së të gjithë aktorëve për të miniminizuar në maksimum këtë fenomen”deklaroi Ministri i MPCSSHB.
Në funksion të frenimit te shfrytëzimit të fëmijëve, Ksera deklaroi se qeveria dhe Minsitria e Punës të gjithë politikat e saj i ka përqëndruar pikërisht në favorizimin në tregun e punës të këtyre shtresave vunerabël. Duke folur për papunësinë në vend dhe kthimin emigrantëve, Ministri vlerësoi se është arritur me sukses të mbahet konstante niveli i papunësisë, duke mos pasur rritje të saj.
“Gjithë politikat e qeverisë shqiptare fokusohen tek tregu i punës me qëllim që shtresat vunerabël të kenë përparësi në punësim. Janë politikat liberale të qeverisë, me koncensionet dhe privatizimet e mëdha, rritja e investimeve të huaja dhe heqja e akzizave që Shqipëria i shpëtoi recesionit. Kemi mbajtur papunësinë në mënyrë konstatante. Tregu i punës nuk është influencuar nga kriza në Greqi dhe nuk ka pasur rritje të papunësisë. Kemi dy kategori emigrantësh të kthyer, emigrantët që janë nga ana financiare më të fortë dhe vijnë si investitorë, po ashtu dhe grupi tjetër që janë më të dobët. Kemi 60.000 emigrantë të kthyer në vend, por nuk e ka cënuar tregun shqiptar të punës. Ka projekte të ndryshme për ta, ato të bujqësisë, të ndihmës ekonomike, të formimit profesional. Cështja prioritare për ne është punësimi, kishim si objektiv hapjen e 160.000 vendeve të punës deri në përfundim të mandatit. Ne e kemi kapërcyer këtë objektiv. Edhe gazësjellësi TAP do të japë një efekt të madh në drejtim të punësimit” deklaroi në RTV Ora News Ministri i MPCSSHB, Spiro Ksera.

KOMENTE