English

Trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës, i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit

Qeveria Shqiptare, mbështetur nga UNICEF dhe Komisioni Europian, organizoi Konferencën Shkencore për dhunën ndaj fëmijëve, në të cilin nëpërmjet punimeve shkencore dhe studimeve serioze u vlerësua se si sistemi i mbrojtjes sociale dhe i shërbimeve sociale ndihmon dhe duhet të ndihmojë në parandalimin e dhunës.
Pjesëmarrësit në Konferencë theksuan se Shqipëria është një vend ku fenomeni i dhunës kundër fëmijës është i përhapur gjerësisht dhe megjithëse situata e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, falë miratimit dhe zbatimit të ligjeve dhe politikave të reja mbrojtëse dhe promovuese, ende shumë fëmijë dhe të rinj në të gjithë vendin përballen me probleme të dhunës psikologjike dhe fizike në familje, shkolla dhe kudo.
Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti punimet e Konferencës, vuri në dukje se duhet të bëhet gjithçka për të promovuar në mbarë shoqërinë shqiptare një qëndrim më të qytetëruar dhe më njerëzor ndaj fëmijëve. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të qartësojmë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur se trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit, ndikojnë në suksesin dhe në jetën e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke theksuar se është bërë një progres i ndjeshëm, Kryeministri nënvizoi se të drejtat e fëmijëve duhet të ekzistojnë edhe në të gjitha tekstet e edukatës qytetare, si kapitulli më i rëndësishëm.
Kryeministri Berisha garantoi se Qeveria është e vendosur të mbështesë çdo iniciativë, e cila ka si qëllim garantimin e lirive dhe të drejtave të fëmijëve shqiptarë.
Ministri Ksera theksoi se dhuna ndaj fëmijëve është forma më e keqe dhe e patolerueshme e dhunës ndaj një qënieje humane dhe ky fenomen prek të gjitha shoqëritë, sistemet dhe vendet, qofshin ato të vafëra, në zhvillim apo të zhvilluara, dhe është e shtrirë në familje, shkollë, rrugë e shoqëri.
“Ndaj, nuk është rastësi që Kombet e Bashkuara kanë vendosur në kalendar dy ditë të njëpasnjëshme përkujtimi dhe sensibilizimi për mbarë botën, 19 Nëntorin - Ditën Botërore për Parandalimin e Abuzimit dhe Dhunës kundër Fëmijëve dhe 20 Nëntorin - Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës”, deklaroi Ksera.
Ministri i Punës, pasi renditi reformën ligjore që është ndërmarrë në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, theksoi se rëndësi të veçantë merr forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve në nivel qendror dhe vendor, me mbështetjen e shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare, për zbatimin e legjislacionit dhe identifikimin dhe trajtimin e rasteve të abuzimit me fëmijët dhe veçanërisht përdorimit të tyre për lypje dhe punë të detyruar. “Së bashku me strukturat e Ministrisë së Brendshme kemi ndërmarrë nismën dhe po punojmë për identifikimin dhe heqjen nga rruga të çdo fëmije”, deklaroi Ksera.
Ambasadori i Delegacionit Europian në Shqipëri, z.Ettore Sequi, prezantoi iniciativën më të re të Komisionit Europian dhe UNICEF-it, titulluar ”Mbrojtja e Fëmijëve nga Dhuna në Rajonin e Europës Juglindore”, që po zbatohet në katër vende, përfshi Shqipërinë. “Kjo inisiativë synon të forcojë kapacitet e shoqërisë civile në monitorimin e pavaruar në lidhje me dhunimin e të drejtave të fëmijëve e, në veçanti, të dhunës fizike të ushtruar ndaj tyre”, deklaroi Ambasadori Sequi, duke theksuar se të drejtat e fëmijëve kanë një rëndësi të veçantë për BE, e cila e ka kriter të fortë politik mbrojtjen e tyre, duke e vendosur edhe si një nga 12 prioritetet për statusin kandidat të Shqipërisë.
Për përfaqësuesin e UNICEF në Shqipëri, z.Detlef Palm, “dhuna, përfshi atë fizike dhe psikologjike, është gjithmonë një eksperiencë shumë e dhimbshme dhe degraduese, aq më tepër kur viktima të saj janë fëmijët”. Z.Palm vuri në dukje se, “Shqipëria ka bërë progres në fushën e hartimit dhe miratimit të një legjsilacioni mbrojtës për fëmijët dhe në ngritjen e mekanizmit të referimit të rasteve të fëmijëve në rrezik”.
Konferenca u përshëndet edhe nga Znj.Mesila Doda - nënkryetare e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë, Z.Igli Totozani - Avokat i Popullit, Znj. Astrid Wein - Përfaqësues i Koperacionit Austriak në Shqipëri.

KOMENTE