English

Jahjaga sqaron me hollësi “Vetëvendosje”

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i është përgjigjur haptazi përmes një deklarate ku sqaron gjithçka lidhur me deklaratën e saj dhënë agjencisë “KosovaPress” ku Vetëvendosje pretendon se ajo ka thënë se Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë manipulim të masave me rastin e aksioneve dhe protestave “tërësisht legjitime” që u zhvilluan më 22 dhe 23 tetor.
Sqarimi i plotë i presidentes Jahjaga jepet më poshtë:

- I nderuari zotëri Kurti, kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje”,

E konsideroj letrën Tuaj publike, të datës 06.11.2012, si një veprim institucional për të pasur transparencë të plotë edhe për faktin, siç thoni në letër, “se ndiheni të detyruar të më shkruani këtë letër të hapur për të vënë në dukje disa keqfunksionime shqetësuese e të papranueshme të institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë periudhës që po e drejtoj këtë institucion”.

Në letrën Tuaj thoni se në një deklaratë timen për agjencinë “KosovaPress” paskam thënë se Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë manipulim të masave me rastin e aksioneve dhe protestave “tërësisht legjitime” që u zhvilluan më 22 dhe 23 tetor. Gjithashtu, e jepni vlerësimin se “ato protesta drejtoheshin kundër qeverisë së Kosovës, e cila po zhvillon negociata dhe bisedime pa parime dhe pa asnjë kusht apo garanci me Serbinë”.

Ju më përkujtoni nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës: “Presidenti është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës” dhe më tej vazhdoni se “nuk ju përket juve të mbani anë politike, apo të ngrini akuza të pabaza mbi një forcë politike që është aktualisht e treta në vend”.

Duke e dhënë edhe një shpjegim që “natyrisht, zonja Presidente, ne jemi të ndërgjegjshëm se është vështirë të përfaqësohet uniteti, sepse jeni vendosur në krye të atij institucioni me marrëveshje ndërmjet tri partive politike dhe të një ambasadori të huaj, në mënyrë jodemokratike dhe joinstitucionale”.

E nderuara Lëvizje “Vetëvendosje”

Po Ju përcjell transkriptin e plotë të intervistës dhënë agjencisë së lajmeve “Kosovapress” si dhe incizimin audio-vizual dhe do të mirëprisja faktin të gjeni kurajën qytetare që intervistën ta botonit të plotë në kuadër të fletushkës suaj.

Përgjigja ime si institucion, pra si Presidente e Republikës së Kosovës, në letrën Tuaj përqendrohet në këto çështje:

1. Në letrën që më keni dërguar thoni se “keni thënë shprehimisht se Lëvizja Vetëvendosje! Ka bërë manipulim të masave, me rastin e aksioneve e protestave tërësisht legjitime që ne zhvilluam në 22 dhe 23 tetor...”

- Për të qenë legjitime dhe legale protestat duhet të paraqiten me kohë në organet kompetente dhe të respektojnë kushtet e përcaktuara me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

2. Në letër gjithashtu thoni se “...ato protesta drejtoheshin kundër qeverisë së Kosovës, e cila po zhvillon negociata e bisedime pa parime dhe pas asnjë kusht e garanci me Serbinë...”

- Si Presidente e vendit mbaj qëndrimin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dy shtete sovrane e të pavarura, nuk ka alternativë dhe se kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Platforma bazë e Republikës së Kosovës në këtë dialog është Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Garanci është ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë.

3. Për vazhdimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, në Kuvendin e Kosovës është miratuar një Rezolutë, që është obliguese për të gjitha partitë dhe subjektet parlamentare, pa marrë parasysh se si keni votuar. Ky është parimi themelor i demokracisë dhe i ndërtimit të shtetit.

4. Ju shkruani se “...është e vështirë të përfaqësohet uniteti sepse jeni të vendosur në krye të atij institucioni me marrëveshje ndërmjet tri partive politike dhe një ambasadori të huaj, në mënyrë jodemokratike joinstitucionale”.

- Përcaktimi kushtetues që Presidenti e përfaqëson unitetin e popullit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe unitetin politik. Ky unitet shprehet nëpërmjet respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, që ka të bëjë me legjitimitetin dhe legalitetin e jo me parimin e konsensusit politik e partiak.

5. Presidenti i Kosovës zgjidhet dhe nuk emërohet. Ishit dëshmitarë se propozimi i kandidimit ishte në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, se gara u zhvillua ndërmjet dy kandidatëve dhe se zgjedhja u bë në votimin e parë me dy të tretat e votave, që nuk kishte ndodhur më parë edhe kur kandidati për President ishte pjesë e marrëveshjes politike dhe i koalicionit qeverisës.

- Nëse këtë proces e konsideroni jodemokratik dhe joinstitucional, Ju kisha inkurajuar që çështjen ta dërgoni në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke respektuar verdiktin e saj. Unë, ashtu si edhe Ju, do ta respektoj plotësisht vendimin e Gjykatës.

6. Shkruani se “Ju po silleni si një përfaqësuese e ekzekutivit policor e jo si një përfaqësuese e unitetit kombëtar në Republikën e Kosovës”.

- Jam krenare që kam punuar në Policinë e Republikës së Kosovës, që vlerësohet lart për punën dhe profesionalizmin dhe paanshmërinë politike. Ndërsa sot si Presidente i respektoj obligimet kushtetuese e ligjore.

7. Thoni se me zell e kam pranuar ftesën dhe si mysafire nderi kam marrë pjesë në përvjetorin e PDK-së.

- Si faktor uniteti e kam për obligim të marrë pjesë, sipas ftesës, të përshëndes ose të dërgoj telegram, në përvjetorët e partive politike e subjekteve të tjera publike. Marr pjesë si kreu i shtetit dhe jo si mysafir nderi.

E nderuara Lëvizje “Vetëvendosje”

Jeni të mirëpritur që të vazhdojmë bashkëpunimin institucional, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të ardhmen e vendit dhe të mirën e të gjithë qytetarëve të tij.

Me nderime
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës

KOMENTE