English

Haxhi Zeka pas vdekjes merr urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi dje në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, udhëheqësin e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtarin dhe organizatorin e kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë, birin e Malësisë së Pejës, Haxhi Zekën (pas vdekjes) me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Udhëheqësit të shquar të Lëvizjes Kombëtare, njërit prej organizatorëve kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Kosovë dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, luftëtarit të vendosur deri në fund të jetës së tij për Pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale”.

Duke i dorëzuar Kryetarit të Komunës së Pejës, Ali Berisha Urdhrin e Lartë, Presidenti Nishani theksoi se “Ky burrë i Malësisë së Gjakovës, ky veprimtar i shquar i Pejës, ky ushtar dhe komandant i madh i çështjes kombëtare, shqiptare meriton sot të gjithë respektin, të gjithë përkuljen, nderimin, përmes kujtesës, përmes vlerësimit për atë kontribut të madh që i dha çështjes kombëtare shqiptare, Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Pavarësisë së shtetit të parë të shqiptarëve. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor nuk ishte një moment i izoluar, nuk ishte as një çast i papritur, por ishte një konkluzion i një rruge të gjatë, i një beteje të gjatë, i sakrificave të shumta të burrave trima, të mençur, të shqiptarëve të mëdhenj, të cilët vunë gjithçka në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, vunë gjithçka në shërbim të lirisë, edhe jetën e tyre”.

Më tej gjatë fjalës së tij Kreu i Shtetit vlerësoi se “Haxhi Zeka, në momente të rëndësishme kulmore, ishte nga ata burra të mëdhenj të kombit shqiptar, që nisën rrugëtimin e gjatë përmes kontributit, përmes luftës, përmes përpjekjeve, përmes bashkëpunimit, përmes sakrificave të Pavarësisë së shqiptarëve. Haxhi Zeka bashkë me Bajram Currin, Sulejman Vokshin, Sami Frashërin dhe burra të tjerë të mëdhenj të kombit shqiptar hapën rrugën e atij momenti historik, të cilin shqiptarët e kishin ëndërruar në shekuj. Ndaj, sot, ne, në prag të këtij 100-vjetori kemi detyrimin e madh për të nderuar këto kontribute kaq të çmuara, të cilat shpesh herë, historia e ideologjizuar, me pa të drejtë tentoi t’i lërë në skutat e harresës. Por, historia nuk mundet kurrsesi të mbulohet. Historia kurrsesi nuk mundet të harrojë. Prandaj, për ne është kënaqësi, por është edhe nder për të gjithë ne, që sot kemi mundësinë të nderojmë, të vlerësojmë dhe të përkulemi para veprës madhështore të këtyre burrave të mëdhenj shqiptarë”, nënvizoi Presidenti i Republikës.

KOMENTE