English

Thaçi: Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, përcakton edhe kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

Është mbajtur mbledhja e 105-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilën është miratuar projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve si dhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-196 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka falënderuar të gjithë qytetarët për organizimet madhështore për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Ishin organizime madhështore, ishin organizime festive, të unitetit dhe bashkimit të kombit shqiptar. Manifestime këto që u përcollën në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, me theks të veçantë në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë, por mbi të gjitha në qytetin e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit kombëtar, në Vlorë” tha kryeministrit Thaçi.

Poashtu, kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar për takimin që do të mbahet të martën në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se çështja kryesore që do të diskutohet është implementimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

“Dëshiroj të theksoj se fillimi i implementimit të kësaj marrëveshje shënon një kthesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, një kthesë në implementimin e kritereve dhe standardeve evropiane. Kjo marrëveshje përcakton edhe kufirin në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, prandaj dëshiroj t’i falënderoj të gjithë akterët edhe ndërkombëtarë të kyçur në këtë proces, që janë duke ndihmuar maksimalisht edhe Qeverinë e Kosovës, por që janë duke e lehtësuar këtë përkushtim edhe të Serbisë” ka thënë kryeministri Thaçi.

Pos kësaj teme, kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se do te diskutohet edhe për mundësinë e përmbylljes së procesit të hapjes së zyrave ndërlidhëse të shtetit të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, si dhe mundësinë e përshpejtimit të agjendës për fillimin e implementimit të projektit infrastrukturor në mes të Kosovës dhe Serbisë, të autostradës Besi në drejtim të korridorit evropian në Serbi.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve ndërlidhet me prioritetet e Qeverisë dhe është përcaktuar në Programin Legjislativ të vitit 2012, duke u ndërlidhur edhe me kërkesat e Raportit të Progresit të vitit 2011.

“Është roli dhe përkushtimi ynë që secili qytetar i Republikës së Kosovës ta ndiej veten të sigurt, në një ambient ku siguria dhe privatësia e tij personale dhe familjare dhe e banimit të jetë e siguruar me ligji. Liria nuk përkon me sfidimin e lirisë së tjetrit por me respektimin e ndërsjellë. Me qëllim të krijimit sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar Projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve. Po ashtu Projektligji ndërlidhet edhe me prioritetet e Qeverisë për luftimin dhe parandalimin e kërcënimit të sigurisë shtetërore” ka thënë Kuçi.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-196 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ka thënë se pas analizave të bëra dhe bazuar në dokumentet e Komisionit Evropian, e me theks të veçantë të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, dhe Raportit të Fizibilitetit për Kosovën, është vendosur që të bëhet plotësimin i këtij Ligji që është në fuqi.

“Këto ndryshime do ta avancojnë luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, ku me këtë rast do të ndikojë tejet pozitivisht në faktorët kryesor makroekonomik të vendit dhe në stabilitetin financiar të shtetit” ka thënë ministri Hamza.

KOMENTE