English

Berisha-Haradinaj. Konferenca e përbashkët e dhënë për median në Tiranë

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, ish kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zotin Rramush Haradinaj, i cili me ftesë të Kryeministrit Berisha zhvilloi vizitën e parë në Tiranë, pas shpalljes së pafajësisë nga Tribunali Penal Ndërkombetar per ish Jugosllavinë (TPNJ).

Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e zotit Haradinaj në Tiranë, si një ngjarje shumë të rëndësishme në 100 vjetorin e pavarësisë, pasi zoti Haradinaj si komandant i rradhëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor në lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Kryeministri vlerësoi rolin dhe angazhimin e zotit Haradinaj, në Kosovën e pasluftës, për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, si dhe në mbrojtjen me guxim dhe vendosmëri të lirive dhe te drejtave të minoriteteve në Republikës së Kosovës dhe rindërtimit tërësor të saj.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për hapësirat e gjera të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe u theksua se konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është interes jetik i shqiptarëve, ndërsa përpjekja për bashkim kombëtar është ideali udhëheqës i shqiptarëve kudo që ndodhen.

Në përfundim të takimit mes tyre, kryeministri Berisha dhe zoti Haradinaj dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe më pas kryeministri shtroi një drekë për nder të zotit Hradainaj dhe delegacionit që e shoqëronte.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Berisha dhe zoti Rramush Haradinaj u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim vëllazëror me ish kryeministrin e Kosovës, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), zotin Rramush Haradinaj. Kjo vizitë e zotit Rramush në Shqipëri është një ngjarje shumë e rëndësishme në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje e veçantë për të gjithë shqiptarët sepse si komandant i radhëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor në lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Duhet të theksojmë në këtë pikë se liria kombëtare është vendosur vetëm me çlirimin e Kosovës. Kjo vizitë dhe pafajësia që shpalli Gjykata e Hagës, ishte një ngjarje e një rëndësie shumë të madhe për shqiptarët sepse pas çlirimit të Kosovës duhet mbajtur mend mirë, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin aleatet tokësorë “de fakto” të NATO-s.

Pas çlirimit të Kosovës zoti Rramush Haradinaj u angazhua me një përkushtim të jashtëzakonshëm për ndërtimin, në radhë të parë të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, në mbrojtjen me një guxim dhe vendosmëri të madhe të lirive dhe te drejtave të minoriteteve në Republikës së Kosovës dhe rindërtimit tërësor të saj, për të cilën ai dha një kontribut të madh.

Në detyrën e ish kryeministrit u thirr për tu gjykuar nga Gjykata e Hagës. Nuk kam patur kurrë, as dyshimin më të vogël se ato motive ishin politike, ishin motive të një përpjekje absurde me të cilën kërkohej të barazohej agresori me viktimën, pushtuesi me luftëtarët e lirisë, por edhe një herë duke shprehur nderimin më të madh për zotin Haradinaj që bëri shqiptarët të mbajnë kokën lart, iu përgjigj ligjit ndërkombëtar, duke lënë detyrën e kryeministrit dhe paraqitur për hetim dhe gjykim në trupën ndërkombëtare të Gjykatës së Hagës. Dua të shpreh gjithashtu nderimin dhe vlerësimin më të madh për këtë Gjykatë, e cila nuk pranoi ndikimet dhe interferencat politike të gatuara prapa perdeve, korridoreve dhe skutave të diplomacisë apo sektorëve të tjerë. Shpalli dy herë me radhë pafajësinë e plotë dhe të paqena akuzat absurde për të cilat zoti Haradinaj u detyrua të paraqitej para kësaj Gjykate. Pra ky vendim është njëkohësisht një nder dhe dinjitet për Gjykatën e Hagës për të cilën Shqipëria ka vlerësimin dhe respektin më të madh dhe është përpjekur të japë kontributin e saj modest në lehtësimin e veprimtarisë së kësaj Gjykate.

Me zotin Haradinaj ne diskutuam për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ramë dakord që konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është interes jetik i shqiptarëve. Përpjekja për bashkim kombëtar është ideali udhëheqës i shqiptarëve kudo që ndodhen. Kemi bërë disa hapa serioze, por vullnetin politik e kemi për të vazhduar me vendosmëri të madhe të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Besoj se kjo është rruga që i jep mundësi këtij kombi që të shpalosë të gjithë potencialin e tij për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal.

Zoti Rramush Haradinaj: Është një nder i madh dhe privilegj për mua që vij sot në Shqipëri pas sfidave nëpër të cilat kam kaluar, si .dhe për tu takuar me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ky nder shtohet edhe më shumë kur dihet se sa shumë qytetarët e Kosovës e duan dhe e nderojnë kryeministrin Berisha. Në rrugëtimin tonë si Kosovë, sidomos në kohët tona më të vështira, shpresa jonë gjithmonë ka qenë tek Shqipëria. Në rrugëtimin tonë si shtet dhe në sfidat e reja që na presin, kjo shpresë është e njëjtë. Ne vijmë këtu për të marrë më shumë energji, për të rritur motivet dhe për tu njohur më mirë me punët që na presim. Në takimin tonë të sotshëm ne biseduam për të gjitha ato tema që i kemi para vetes, në mënyrë që të ecim më mirë së bashku dhe të arrijmë më shumë suksese të cilat janë të dobishme për shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por kudo që jetojnë në trojet e veta. Ndaj dhe zoti kryeministër ju falënderoj shumë për nderin që më bëtë dhe për mundësinë që më dhatë që të jem me ju në këtë kohë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, Ish kryeministri Haradinaj është kthyer në një moment tepër të rëndësishëm historik, në skenën politike. Ju ndërkohë keni shpalosur dhe vazhdoni të shpalosni platformën për bashkimin kombëtar. Faktori shqiptar a ka një kohezion për të këtë çështje madhore të kombit dhe si e shikoni ju?

Kryeministri Berisha: Unë mund të them këtu se ka një kohezion të plotë dhe total. Por i nderuar zoti Asllan (gazetari), kemi një problem. Në radhë të parë ju e dini që unë ju admiroj shumë ju mediave, por duke qenë i hapur nuk mund të mos ju them atë që mendoj, se dhe ju kështu mi thoni mua.

Problemi është memoria e mediave. Sapo unë u deklarova për nënshtetësinë shqiptare të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, u përballa jo vetëm me reagimin e albanofobëve, por edhe të mediave shqiptare, të cilave do ju kujtoj një moment. Lexoni dekretin e korrikut të vitit 1992 te ish presidentit Sali Berisha. Tu them të vërteten, me sinqeritet nuk e kisha lexuar, por nuk ka nevojë të lexosh gjerat që i do. Unë kisha riprodhuar në deklaratën time pikë për pikë dekretin. Në atë kohë nuk kishte një reagim, ndërsa tani që po ecën drejt këtij procesi, tani duket si një lloj habie. Në këtë Shqipëri janë aksionarë shqiptarët kudo që ndodhen edhe ata të diasporës. Historia nuk është për tu mohuar. Lexoni aktin e pavarësisë, kush e ka firmosur. Lexoni kuvendin e parë, kush e përbënte. 18 delegatë ka patur Kosova. Të vetët kanë patur shqiptarët në Maqedoni. Dhe këto janë të vërteta pozitive, të cilat nuk lëndojnë askënd.

(Duke iu drejtuar gazetarit që bëri pyetjen) Nuk e kisha me ju, por shfrytëzova rastin për të bërë një reagim ndaj mediave. Unë e di që ju jeni dakord edhe me dekretin e Korrikut, edhe me deklaratën e tanishme. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.

Zoti Rramush Haradinaj: Unë mendoj se është e drejtë e bashkëkombësve kudo që ata jetojnë që të marrin shtetësinë shqiptare. Po flas për njerëzit që nuk jetojnë në kufijtë e Shqipërisë së 1913. Atyre iu jepet një e drejtë e tyre dhe është në vullnetin e tyre për ta shfrytëzuar. Pra, nuk e shoh si një veprim në përmasa të tjera, por vetëm si zbatim i një të drejte të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të 1913-s, që ata me vullnetin e tyre mund ta shfrytëzojnë. Pra ju jepet një e drejtë që ju ka munguar në etapa të tjera.


Pyetje: Zoti Haradinaj, ju u kthyet nga Haga me një staturë të papërlyer, por keni vendosur të jeni pjesë e qeverisjes me qëllim përmirësimin e saj. Por analistë njohës të politikes në Kosovë sugjerojnë që partia juaj të qëndrojë në opozitë, pasi duke qenë pjesë e opozitës, ju merrni përsipër mëkatet e qeverisjes Thaçi. A nuk do të ishte më mirë që partia juaj të qëndronte në opozitë pasi kështu do të ndikonte më shumë në përmirësimin e qeverisjes.

Zoti Rramush Haradinaj: Partitë politike janë sovrane në vendime dhe vendimet i marrin në bazë analizës së tyre për gjendjen e caktuar dhe veprimeve që do të ndërmarrin. Ne jemi në dijeni për gjendjen në vend, për gjendjen në qeverisje, por e kemi vlerësuar si të drejtë marrjen e përgjegjësive edhe tani, në rast se arrijmë ti marrim, pra e kemi vlerësuar si përgjigje adekuate te gjendjes. Nuk bëhet fjalë për kalkulime se si është më mirë për një parti politike apo për një lider, por si është më mirë për vendin tonë që përballet me sfida, me tema të ndjeshme.

Pyetje: AAK është një parti e majtë apo e djathtë. Dhe në këtë kontekst kë shikoni ju si aleatë në Shqipëri?

Zoti Rramush Haradinaj: Ka kohë që në kuvendin tonë të partisë jemi përcaktuar si parti e profilit qendër e djathtë dhe kemi nderin që të kemi një partneritet me Partinë demokratike të Shqipërisë.

Pyetje: Zoti kryeministër, në mbledhjen e qeverisë në Vlorë kërkuat mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar, por dhe të fqinjëve tuaj. Në fakt Brukseli është shqetësuar, pasi në një rezolutë për Shqipërinë që pritet këtë javë do të ketë një amendament të veçantë që të ndalohen deklaratat nacionaliste që nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë. Ju do të vazhdoni me këto deklarata dhe do të bindni partnerët ndërkombëtare se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale për sa i përket çështjes kombëtare?

Kryeministri Berisha: Lidhur me deklaratat, në Shqipëri ka një spektër të gjerë politik. Në këtë spektër Partia Demokratike pati shansin historik për të qenë partia e rivendosjes së të drejtave njerëzore dhe të minoritarëve dhe ajo ka mbetur dhe do të mbetet gjithnjë e tillë. Përsa i përket qëndrimeve të mia ndaj shtetësisë së shqiptarëve kudo që janë këto jam i bindur se kontribuojnë më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar prore jo nga një, por nga disa vende të BE. Maqedonasit nuk kanë probleme përzierjesh identiteti apo rivalitet identiteti me shqiptarët. Ata kanë identitetin e tyre, shqiptarët kanë identitetin e tyre, por Bullgaria mike iu jep shtetësi atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësinë bullgare. Nuk e ka bërë këtë në mënyrë absolute as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, përkundrazi dua të njoh këtu një meritë historike të qeverisë bullgare. Në kohën kur Sllobodan Millosheviçi dhe Kostandin Micotaqis thirrën të mblidhnin aleatë të tre shteteve Serbi, Greqi, Bullgari të krijonin një lloj aleance trilaterale, qartësisht kjo mbi baza fetare, Bullgaria mike iu tha Jo, nuk vij. Dhe Bullgaria një nga kontributorët në njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë. Po kështu Hungaria dhe vende të tjera, kjo është një praktikë që jo vetëm nuk destabilizon por përkundrazi prodhon më shumë stabilitet dhe zhvillim. Unë këto javë do të miratoj vendimin në qeveri, në përputhje me ligjin ekzistues, i cili autorizon dhënien për interesa ekonomike të shtetësisë shqiptare. Si thoni ju, tani, unë tu vë një taksë shqiptarëve për të marrë në shtetësinë shqiptare? Ata e kanë paguar këtë taksë. Për ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe pavarësisë, pavarësi, ata e kanë paguar taksën kudo që janë. Nuk mund ti bëj unë të huaj ata. Për të huajt vendimi do të jetë shumë shpejt në qeveri dhe do të përcaktoj siç ka përcaktuar Bullgaria, siç ka përcaktuar Mali i Zi, siç ka përcaktuar Hungaria. Këto janë standarde, jo të shpikura nga Shqipëria. Do të ketë një shumë të caktuar. Ai që bën këtë investim do marrë shtetësinë shqiptare. Kjo është.

KOMENTE