English

Drejt dështimit shitja e Albpetrol (VIDEO)

Në lidhje me ecurinë e procesit të privatizimit të Albpetrol sha., Zv. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Sokol Dervishaj deklaroi se kompania Vetro Energy, e cila u rendit e para në tenderin e zhvilluar më datë 7 shtator dhe fitoi të drejtën e negocimit të Kontratës së Shitjes së Aksioneve, nuk arriti të nënshruajë KSHA-në brenda datës 3 dhjetor, afati i fundit ligjor, si dhe nuk depozitoi garancinë e kontratës prej 20% të vlerës së ofertës.
Zv. Ministri Sokol Dervishaj deklaroi se pas skadimit të afatit të fundit ligjor, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i lind e drejta të kërkojë ekzekutimin e procedurës së tërheqjes së garancisë së ofertës prej 10 %.
Zv. Ministri Sokol Dervishaj iu përgjigj interesit dhe pyetjes së gazetarëve duke sqaruar se nëse Vetro Energy do të depozitojë në ditët në vijim garancinë e kontratës, METE do të tregojë fleksibilitet për të vlerësuar rifillimin e negociatave, duke pasur në vëmendje rëndësinë e veçantë të këtij privatizimi.

Duket se çka u nis si një nga privatizimet më të bujshme, mund të rezultojë në një dështim të plotë. Pas dy muajsh bisedimesh, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundshme kohore, blerja e Albpetrolit nga konsorciumi Vetro Energy me shumën maramendëse prej 850 milion eurosh ngjan të jetë e pamundur. Ministria e ekonomisë njoftoi sot se nuk është arritur asnjë marrëveshje. “Në momentin që jemi dua te bëj me dije se nuk kemi një kontratë të nënshkruar”, deklaroi zëvendësministri Sokol Dervishaj.
Bisedimet mes palëve dhe nënshkrimi i kontratës do të duhej të ishte realizuar brenda muajit tetor, por konsorciumi kërkoi një shtyrje të afatit deri në 3 dhjetor. Gjë e cila nuk solli asgjë te re. Vlera prej 20 përqind e kontratës që duhej depozituar si garanci nuk ndodhi as pas shtyrjes: “Praktikisht deri më datë 3 dhjetor nuk ka patur një përfundim të suksesshëm të bisedimeve, pra kontrata nuk është nënshkruar dhe kompania nuk ka dorëzuar 20 përqindshin e garancisë së kontratës”, shpjegoi zoti Dervishaj.

Nuk dihen sakte arsyet e kësaj situate të krijuar. Konsorciumi Vetro Energy, i kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Rezart Taci nuk ka bërë asnjë koment. Konsulenti ndërkombëtar Patton Bogs kishte deklaruar se aspekti financiar nuk do të ishte problem, dhe se madje edhe garancia prej 20 përqind do të bëhej në një kohë të shkurtër. Ndërsa vetë zoti Taci ishte shprehur se sapo të mbylleshin bisedimet dhe të nënshkruhej kontrata pagesa prej 850 milion eurosh do të bëhej menjëherë:“Pagesa do jetë një këst i vetëm”.

Nuk është e qartë se si do të veprohet. Ministria tha se është e gatshme të tolerojë edhe disa ditë nëse paratë e garancisë depozitohen:
1546

KOMENTE