Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ekonomia shqiptare pritet të përballet me ditë më të vështira
English

Ekonomia shqiptare pritet të përballet me ditë më të vështira

Ornela Manjani - Për ekonominë shqiptare pritet të vijnë ditë më të vështira. Ekonomia po shkon drejt rënies dhe gjithçka do të varet nga zhvillimet në eurozonë. Pritshmërinë për rritjen ekonomike me 4 % për vitin e ardhshëm duken të paarritshme për ekspertin e ekonomisë Leotiev Çuçi. Sipas tij, edhe tkurrja e kreditit nga bankat e nivelit të dytë po jep pasojat e saj negative në ekonomi duke kushtëzuar biznesin.

Bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar kreditimin me gjithë politikat lehtësuese që po ndjek Banka Qendrore. Çfarë kostoje ka kjo për ekonominë shqiptare? A po vuajnë tregjet tona nga mungesa e likuiditetit?

Është e natyrshme që tkurrja e kreditimit të bizneseve nga bankat e nivelit të dytë të krijojë mungesë likuiditeti në ekonomi. Kjo mungesë likuiditeti, jo vetëm që frenon ecurinë e rritjes ekonomike, por krijon situata të uljes së ritmit të rritjes për çdo biznes në veçanti dhe të ekonomisë në tërësi. Ka qenë pikërisht fenomeni i mungesave në likuiditet që vitet e fundit ka çuar edhe në rënien e ritmeve të rritjes ekonomike në gati 3 herë. E parë në planin e makroekonomisë, tkurrja e likuiditetit, e ka futur tërë ekonominë në një rreth vicioz, brenda të cilit po vepron fenomeni i qarkullimit të borxheve midis bizneseve deri në likuidimet mall me mall. Në qarkullimin ekonomik, fenomeni i shkëmbimit mall me mall, ka rrudhur tregun e këmbimeve dhe për rrjedhojë ka krijuar dhe situatë stoqesh, apo mallrash me qarkullim të ngadalshëm. Mungesa e parasë në qarkullim dhe zëvendësimi i saj nga shkëmbimi në natyrë nuk mund të jetë veçse atrofizuese për çdo ekonomi tregu.

Dalja nga një situatë e tillë mendoj se do të kërkonte disa masa të ndërhyrjes së sistemit rregullator, masa që do t'i konsideroja edhe të emergjencës. Së pari, qeveria do të duhej të likuidojë sa më parë detyrimet financiare ndaj bizneseve të lidhura me financimet publike, pavarësisht madhësisë së tyre me qëllim që të krijojë një frymëmarrje të re të nevojshme për ristartimin e aktivitetit të tyre. Së dyti, të vazhdojë të stimulojë më financime publike kërkesën agregate në ekonomi, duke rritur edhe kufirin e borxhit publik. Së treti, të stimulojë politika fiskale bizneset prodhuese.

Si e vlerësoni situatën ekonomike ne vend. Po mbyllet vitit 2012, ky ishte një vit më i vështirë financiarisht se 2011 apo më i lehtë?

Në vlerësimin tim viti buxhetor 2012 ishte më i vështirë se viti 2011. Ndikimet e krizës së parë të financave botërore të viteve 2008-2009 dhe fillimet e menjëhershme të krizës së Eurozonës nga viti 2010 kanë pasur ndikime të konsiderueshme edhe në ekonominë tonë. Viti 2012-të konsiderohet edhe si viti i fazës më të vështirë të krizës së Eurozonës, ndikimi i së cilës në ekonominë tonë, gjykoj se ka qenë edhe më i madh. Një dalje e ngadaltë e Eurozonës nga kriza do të ishte vetëm pozitive për ekonominë tonë, tashmë të lidhur dhe të kondicionuar nga ekonomia e BE-së. Kjo krizë që pati ndikime të dukshme në ekonominë shqiptare, ndikoi fuqishëm edhe në mungesën e likuiditeteve brenda saj dhe e vuri biznesin tonë në një situatë pritjeje për të gjetur zgjidhje nga financimet publike.

Shqipëria është ndikuar nga kriza ekonomike e vendeve të rajonit. Ekonomia jonë është në fillim të krizës apo po e kapërcen atë?

Po të gjykojmë nga pikëpamja, nëse ekonomia shqiptare është apo jo në krizë, do të isha i prirur të thosha se ajo po lëviz për të vajtur drejt krizës, por akoma nuk ka hyrë në të. Kur them kështu kam parasysh se ekonomia jonë po ecën në rrugën e uljes së ritmeve të rritjes, por nuk ka arritur akoma rritje negative, rritje e cila përbën edhe treguesin tipik të një ekonomie në krizë. A do të hyjë ekonomia jonë në krizë? Mbetet për t'u parë ecuria e vitit 2013 dhe situata e ekonomisë Evropiane. Mbetet për t'u parë, nëse heqja e kufirit të borxhit publik, pra stimulimi që do t'i bëhet ekonomisë edhe me politikën e borxheve do të japë efekte riaktivizuese, apo do të thellojë më tej borxhin në fjalë.

Sapo është miratuar buxheti për vitin 2013. Në këndvështrimin tuaj sa realist është ky buxhet. sa përllogaritet të jetë rritja reale e pagave dhe pensioneve duke pasur parasysh se qeveria ka parashikuar një rritje deri në 5 % dhe norma inflacionit mund të shkojë deri në 3 %?

Buxheti i vitit 2013 ka për të qenë një buxhet i vështirë. Nuk dëshiroj të paragjykoj parashikimet e qeverisë, madje do të dëshiroja që të realizoheshin. Megjithatë, po qëndroj në pyetjen tuaj, që është dhe më e ndjeshmja, pra a do të mund të rriten pagat dhe pensionet në masën 5%, ndërkohë që inflacioni parashikohet në nivelin e 3 përqindshit? Në gjykimin tim niveli i inflacionit në 3% është plotësisht i mundshëm për t'u mbajtur. Por edhe në qoftë se ky nivel tejkalohet, kjo nuk do të thotë se krijohet ndonjë problem shqetësues. Dyshimi është tek rritja e pagave dhe pensioneve në nivelin e 5%-it. Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet parë në radhë të parë, nëse është e mundur që të arrihet ritmi i rritjes së parashikuar të ekonomisë në rreth 4%. Në qoftë se do të arrihej ky nivel rritjeje, atëherë është e mundur që edhe rritja e pagave dhe pensioneve të kapë nivelin e 5%-it. Në gjykimin tim, problemi qëndron tek mundësia e arritjes së nivelit të rritjes në rreth 4%. Po të shohim planet buxhetore të qeverisë, të disa viteve të fundit, ato kanë qenë më të ulëta se realizimet e pritshme, gjë që e ka detyrat atë të bëjë korrigjime reduktuese në mes të viteve, sidomos për mos realizimin e të ardhurave. Po t'i shtojmë këtij fakti edhe rënien e ritmeve të rritjes gjatë këtyre viteve, pavarësisht faktorëve që kane ndikuar në të, lind dyshimi se prirja e mosrealizimit të planit të të ardhurave të buxhetit për vitin 2013 të jetë e mundshme të ndodhë. Me këtë rast, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe faktin se viti 2013 do të jetë një vit elektoral, i cili do të ketë ndikime jo stimuluese në realizimin e parashikimeve ekonomike. Nëse do t'i shtonim këtij arsyetimi edhe faktin se kriza e Eurozonës do të vazhdojë edhe për 2013-ën, atëherë dyshimi merr një bazë edhe më të qëndrueshme. Për t'i dhënë një përgjigje të shkurtër pyetjes tuaj do të thosha se jam skeptik në realizimin e planit të të ardhurave, pra edhe të rritjes së parashikuar nivelit të pagave në 5%.

Banka e Shqipërisë: Kreditimi i dobët

Banka e Shqipërisë vëren se sistemi bankar në vend vazhdon të mbajë kritere të shtrënguara kredi-dhënie, duke u shfaqur mjaft selektive në vlerësimin e planeve të biznesit dhe në përmbushjen e kërkesave për kredi. Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se krijimi i një klime më pozitive do të ndihmonte në gjallërimin e kërkesës për kredi dhe të aktivitetit kreditues. Sistemi bankar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë me kredi. Megjithatë, brenda parametrave të kujdesit financiar, ai duhet të jetë më largpamës në vendimet e veta dhe më fleksibël në mbështetjen financiare të biznesit shqiptar. Tregjet financiare, sipas Bankës, janë karakterizuar nga prirje rënëse të normave të interesit gjatë tremujorit të tretë, të shoqëruar nga presione të ulëta likuiditeti dhe kanë reflektuar politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Rritja e aktivitetit në tregun ndërbankar sugjeron për rritje të eficiencës së përdorimit të këtij tregu dhe është një premisë e mirë për zhvillimin e gjithë tregut monetar në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, janë përcjellë më mirë sinjalet lehtësuese të politikës monetare në drejtim të uljes së yield-eve të letrave me vlerë të Qeverisë. Kjo përcjellje është favorizuar nga përfundimi i lëvizjeve strukturore në sistemin bankar dhe nga rënia e kërkesës të Qeverisë për financim. Normat e interesit të depozitave kanë vijuar gjithashtu të ulen, por sikurse reflektohet nga niveli i lartë i rritjes së depozitave këtë tremujor, ato nuk kanë frenuar rritjen e kursimeve financiare pranë sistemit bankar. Lehtësimi i kostove të financimit nuk ka gjetur përçim të plotë në segmentin e kredive për sektorin privat gjatë muajve korrik-gusht. Në veçanti, kostot shtesë që bankat kërkojnë për akordimin e kredisë së re mbeten ende të shtrënguara, në përgjigje të pasigurisë së perceptuar dhe të mekanizmit reagues të tyre për reduktimin e rrezikut në procesin kredidhënës. Në prani të një panorame ekonomike të karakterizuar nga ecuria e ngadaltë aktuale dhe ajo e pritur e inflacionit dhe e kërkesës agregate, politika monetare thelloi natyrën e saj stimuluese në tremujorin e tretë. Në fund të muajit korrik, norma bazë u reduktua me 0.25 pikë përqindje, duke zbritur në nivelin minimal historik prej 4.0%. Kjo ishte ulja e pestë radhazi e normës bazë, që prej muajit shtator 2011. Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të furnizojë sistemin bankar me likuiditetin e kërkuar, nëpërmjet operacioneve të saj të injektimit të likuiditetit me afate të ndryshme.

KOMENTE