English

Basha anëtar i grupit të kontaktit të Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale dhe Komitetit të Rajoneve të BE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha po merr pjesë në mbledhjen e grupit të përbashkët të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Komitetit të Rajoneve të BE. Anëtarë të këtij grupi janë Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale, përfaqësues nga Norvegjia, Danimarka etj.

Presidenti i Kongresit Herwig Van Staa, në fjalën e mbajtur në këtë takim përgëzoi Shqipërinë, për seriozitetin me të cilin trajtoi drejtimin e presidencës së KE. Një falënderim të veçantë, Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale adresoi për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, për mikpritjen që i bëri Komitetit drejtues të Kongresi të Autoriteteve Lokale, gjatë Javës së Demokracisë Lokale, në Tiranë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, z. Basha, në cilësinë e anëtarit të grupit të kontaktit, përfaqësues i Këshillit të Evropës u ndal në rëndësinë që Këshilli i Evropës i kushton pjesëmarrjes së qytetarëve, në demokracinë lokale. Z. Basha ka sjellë eksperiencën e Bashkisë së Tiranës, në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Kryebashkiaku Basha ka shprehur besimin e tij, se duke dëgjuar zërin e qytetarëve, projektet dhe vendimet e Bashkisë së Tiranës do të jenë ato të duhurat për qytetarët dhe do të mundësojnë arritjen e objektivit, për përmirësimin e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë. Kryetari i Bashkisë ka bërë të ditur së çdo të premte ai ka një orar të caktuar të takimit me qytetarët, sikundër një gjë të tillë bëjnë të gjithë drejtorët e Bashkisë, në një ditë të caktuar të javës.

Z. Basha nënvizoi faktin se për dytin vit radhazi, është konsultuar me qytetarët projekt - buxheti i Bashkisë. Mendimet dhe sugjerimet e tyre, tha z. Basha kanë qenë të vyera në adresimin e saktë të problematikës më emergjente. Konsultimeve me banorët e Tiranës u është nënshtruar edhe plani i përgjithshëm rregullues, prej të cilëve u morën mendime dhe sugjerime shumë të vlefshme, të cilat janë reflektuar në draft - planin urbanistik.

Në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës është hapur një faqe e veçantë “Planifikoj qytetin tim”, ku qytetarët kanë pasur dhe kanë mundësi të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre, për planin urbanistik. Një rubrikë tjetër, “Rregulloj qytetin tim” e cila është e përfshirë në faqen zyrtare të Bashkisë, i jep mundësi çdo qytetari të Tiranës, të shprehë shqetësimin për problemin që has në rrugën apo në lagjen e tij.

Ndër çështjet që po diskutohen në këtë takim janë prioritetet e Kongresit për periudhën 2012-2016 dhe axhenda politike e Komitetit të Rajoneve 2012-2015. Një vend të veçantë, në diskutim i kushtohet kontributit që Komiteti i Rajoneve duhet të japë, për implementimin e politikës së fqinjësisë së BE. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu, për qasjen pan – evropiane, për një qeverisje të mirë dhe në veçanti bilancin e Javës Evropiane të Demokracisë Lokale, në luftën kundër korrupsionit, në nivel lokal dhe rajonal.

Gjendja e procesit të decentralizimit në Bashkimin Evropian, roli i autonomisë lokale dhe rajonale, në zhvillimin e politikave të BE-së dhe zbatimin e tyre janë tema të këtij takimi që po mbahet në Paris. Programi i vëzhgimit të zgjedhjeve në vitin 2013, të Kongresit dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve në këtë fushë, është një tjetër çështje e shtruar për diskutim, në mbledhjen e grupit të përbashkët të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Komitetit të Rajoneve të BE.

Francezi Jean-Vincent Placé, anëtar i Komitetit të Rajoneve, u zgjodh Kryetar i grupit të kontaktit, për një mandat dy vjeçar dhe anëtarja norvegjeze e Kongresit Gunn Marit Helgesen u zgjodh zv/Kryetare.

KOMENTE