English

Bashkia e Tiranës do të trajtojë me prioritet zhdukjen e lagjeve geto nga kryeqyteti i Shqipërisë

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z. Petrit Vasili i shoqëruar nga zv/Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Klajda Gjosha, si dhe Komisioneri i Zyrës për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Bashkinë e Tiranës z. Behar Sadiku, kanë zhvilluar sot një takim me komunitetin Romë në zonën e Shkozës.

Gjatë bashkëbisedimit z. Vasili theksoi se, Bashkia ka stabilizuar një program në bashkëpunim me Ministrinë e Punës për punësimin me prioritet të komunitetit rom. Programet janë parashikuar që të jenë të përshtatshme për këtë grup vulnerabël, për të marrë një zanat, që të kenë mundësi ta ushtrojnë atë me lehtësi.

Gjithashtu në politikat e Bashkisë është parashikuar që të kihet në konsideratë edhe heqja e qerave të banesave ku ata jetojnë, dhënia e banesave, ngritja e një poliklinike shëndetësore, si dhe mjaft shërbime të tjera, të cilat nuk do t’i mungojnë këtij komuniteti falë ndihmës dhe vëmendjes që do të tregojë Bashkia Tiranë ndaj tyre.

“Ne kemi marrë një vendim si Bashki, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punës, që komunikimin me komunitetin rom, për zgjidhjen e problemeve ta bëjmë në përputhje me një strategji të madhe, në raport të veçantë me ato që janë probleme konkrete për këtë komunitet” - tha Vasili.

Ndërsa zv/Ministria e Punës znj. Klajda Gjosha u shpreh ndër të tjera në lidhje me politikat e punësimit të ndërmarra për këtë komunitet se: “Zyra Rajonale e Punësimit ka tashmë disa projekte, ku favorizohet komuniteti rom dhe patjetër që ne shpresojmë që edhe gjatë viti 2013-të, të kemi sa më shumë të punësuar nga ky komunitet, nëpërmjet projekteve të nxitjes së punësimit.”

Komisioneri i Zyrës për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Bashkinë e Tiranës z. Behar Sadiku tha se, Bashkia është e vendosur për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtyre lagjeve geto të diskriminuara.

“Ne do të shkojmë edhe nëpër qendra të tjera, të cilat janë të njëjta me këtë lagje këtu, për t’i trajtuar në mënyrë graduale dhe me prioritet të veçantë, sipas porosisë së Kryetarit të Bashkisë z. Basha. Në 2013-ën do të fillojë zbatimi e një sërë politikash të Bashkisë për këtë komunitet, duke filluar me strehimin e tyre, me punësimin e tyre, me problemet shëndetësore etj., të cilat do të ndiqen direkt nga Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Bashkinë e Tiranës. Bashkia do ta trajtojë me prioritet zhdukjen e lagjeve geto nga kryeqyteti i Shqipërisë” - ka përfunduar z. Sadiku.

KOMENTE