English

Studentët dhe nxënësit më të mirë të vitit 2012

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në aktivitetin, “Më të mirët e vitit 2012”. Në fjalën e tij të përshëndetjes, ministri Tafaj, falënderoi në mënyrë të veçantë fillimisht nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët, për këtë punë të shkëlqyer dhe përkushtim të madh që kanë treguar në rritjen e cilësisë në shkollat e të gjitha niveleve në vendin tonë. Ai theksoi, se sot jemi bashkë në këtë veprimtari për të nderuar nxënësit më të mirë, shkollat më të mira dhe mësuesit më të mirë të vitit 2012, që me punën, përpjekjet dhe arritjet e tyre, u bënë kurora e artë e jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Ministri Tafaj, nënvizoi se arsimi ynë është përballë sfidave dhe reformat të shumta dhe ju jeni dëshmia më e qartë e realizimit të tyre. Cilësia ishte dhe mbetet thelbi i reformave dhe i arritjeve tona edhe në këtë vit që lëmë pas. Në këtë këndvështrim, ju jeni protagonistët e një përvoje të shkëlqyer, nga ku mësojnë mijra nxënës dhe mësues, qindra shkolla të tjera, për t’u bashkuar me përkushtimin dhe këmbënguljen tuaj, me pasionin tuaj dhe për të çuar më tej rritjen e cilësisë në shkollën tonë.
Ministri Tafaj, u shpreh se Shqipëria synon të bëhet pjesë e familjes europiane dhe kualitete të tilla cilësore e bëjnë në mënyrë më të shpejtë këtë vend, të jetë pjësë e kësaj familje, duke qenë shembuj domethënës se ne do të jemi dinjitozë dhe përfaqësues të kombit dhe vendit tonë në Europë. Viti 2013 është viti i sfidave të tjera të mëdha në arsimin tone, ne gjithmonë e më shumë po përpiqemi që në hapësirën shqiptare të jemi sa më të unifikuar në fushën e arsimit. Abetarja e përbashkët ishte prologu dhe shtysa për të unifikuar sistemet tona arsimore dhe kurrikulën tonë, planet, programet dhe tekstet.
Ministri Tafaj theksoi se, në bilancin që bëjmë për arritjet tona në arsim, jemi të motivuar t’i përshpejtojmë reformat dhe të punojmë më shumë për rritjen e cilësisë. Me shëmbullorët e këtij viti, ne marrim nxitjet e duhura për të shumfishuar energjitë dhe përpjekjet. Një rrjet i madh i shkollave të ndërtuara të reja apo rindërtuara, Ligji i Arsimit Parauniversitar, reforma në plane dhe programe mësimore, pajisja me kompjutera dhe laboratorë moderne, lidhja në internet dhe të tjera arritje, e kanë bërë shkollën tone, të jetë shumë më e afërt me shkollat e vendeve të tjera të zhvillura.
Ministri Tafaj u shpreh se, veprimtari të tilla, në nderim të më të mirëve, është e mundur të bëhen në çdo shkollë dhe universitet të vendit, duhet vetëm vullneti për t’i vlerësuar dhe stimuluar ata. Ne duhet të ndërtojmë filozofinë e nxitjes, inkurajimit dhe shtimit të individualiteteve të ekselentëve.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Myqerem Tafaj, uroi festat e fundvitit dhe suksese për vitin e ri 2013!

KOMENTE