English

Berisha: hiqet TVSH-ja për makineritë prodhuese, për të gjitha nivelet e biznesit

Mbledhjen e parë të qeverisë, për vitin 2013, Kryeministri Berisha ia kushtoi rritjes së ekonomisë shqiptare dhe masave më të afërta të qeverisë për nxitjen e prodhimit, investimeve dhe punësimit.

Ndërsa veçoi të rëndësishëm për biznesin, datën 4 janar, me hyrjen në fuqi të ligjit që heq TVSH-në për makineritë prodhuese për të gjitha nivelet e biznesit, Kryeministri u shpreh se ky vit nis me optimizëm real. Për këtë, Kryeministri solli dy të dhëna, sipas të cilave: në 10 mujorin e vitit 2012 fuqia blerëse në vend është rritur me 101 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011 dhe eksportet “Made in Albania” janë rritur me 18 përqind, nga 97 miliardë në 118.9 miliardë.

“Të gjithë ata që besojnë se ka rënë fuqia blerëse kanë një shifër të deklaruar nga biznesi që i përgënjeshtron në mënyrën më ekzemplare.”

Duke përshëndetur hyrjen në fuqi të ligjit për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë prodhuese të biznesit të vogël e të mesëm, Kryeministri njoftoi se vendimi më i afërt është heqja e TVSH-së për blerjen e makinerive prodhuese, të marra me qira, nga biznesi i madh.

“Natyrisht, nga heqja e TVSH-së për makineritë, buxheti i shtetit do të humbasë së paku 120 milionë euro, por të cilat do të konvertohen në dhjetëra e dhjetëra vende pune dhe mijëra e mijëra njësi prodhimi në mbarë vendin.”

Lidhur me këto zhvillime, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ne e nisim këtë vit me optimizëm real. Unë dua t’i informoj shqiptarët se në 10 mujorin e parë të vitit që lamë pas - tre mujori i fundi është ende në përpunim - rezulton të ketë pasur një rritje të xhiros së përgjithshme të sipërmarrjes së vendit. Konkretisht, nga 1 trilion e 346 miliardë lekë që ka qenë në 10 mujorin e viti 2011 është rritur në 10 mujorin e vitit 2012 me 1 trilionë e 447 miliardë, pra, është rritur me 101 miliardë lekë. Të gjithë ata që besojnë se ka rënë fuqia blerëse kanë një shifër të deklaruar nga biznesi që i përgënjeshtron në mënyrën më ekzemplare. Natyrisht, kjo nuk përjashton rënie në biznese të caktuara, sepse kjo është historia e biznesit, por në total e në shkallë vendi ka një rritje solide të xhiros së përgjithshme të sipërmarrjes së vendit. Kjo rritje e qëndrueshme përgënjeshtron në mënyrë përfundimtare idenë e rënies së fuqisë blerëse. Nuk mund të ketë xhiro pa fuqi blerëse. Ky është kushti më themelor.

Së dyti, eksportet “Made in Albania” janë rritur nga 97 miliardë në 118.9 miliardë, pra, janë rritur me 18 përqind. Ka një rënie të eksporteve nga rieksporti, por kjo rënie ka dy shkaqe. Shkaku i pari padiskutim është kriza e vendeve fqinjë dhe shkaku i dytë, që është edhe pozitiv, është kthimi i këtyre bizneseve në biznese të mirëfillta eksportuese shqiptare, pra, jo në funksion të një kompanie të huaj.

Sot hyn në fuqi ligji, që shënon në mënyrë të padiskutueshme, pas vendosjes së taksës së sheshtë, aktin më madhor në revolucionin tonë fiskal, ligji për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë prodhuese të të gjitha niveleve të biznesit. Për makineritë prodhuese të biznesit të vogël e të mesëm TVSH-ja do të jetë zero, ndërsa për bizneset e mëdha është regjimi i parashpallur, për të cilën ata kanë qenë plotësisht dakord. Por edhe këtu ka një ndryshim. Nga kjo masë përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë marrë makineri në përdorim nga jashtë, por që do të donin t’i blinin ato. Me vendimin e ardhshëm i qeverisë, i cili është i përcaktuar në ligj, ata do mund t’i blejnë këto makineri pa paguar TVSH-në. Me këtë hap dhe disa hapa të tjerë që janë në shqyrtim e sipër, ne i japim një nxitje të madhe rritjes së prodhimit të vendit, rritjes së punësimit të qytetarëve shqiptarë.

Së bashku me biznesin po shqyrtojmë çdo hallkë të sipërmarrjes që mund të lehtësojmë. Ne i përmbahemi parimit se rruga më e sigurt për t’u mbrojtur nga kjo krizë, që do të jetë afatgjatë, është të nxisim, të favorizojmë, të lehtësojmë biznesin në Shqipëri; të nxisim, të inkurajojmë investimet e vendit dhe investimet e huaja. Dhe kjo po ndodh. Natyrisht, nga heqja e TVSH-së për makineritë, buxheti i shtetit do të humbasë së paku 120 milionë euro, por të cilat do të konvertohen në dhjetëra e dhjetëra vende pune dhe mijëra e mijëra njësi prodhimi në mbarë vendin.”

KOMENTE