English

Presidenti Nishani nderon Policinë e Shtetit me Urdhrin e Flamurit Kombëtar

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte sot i pranishëm në ceremoninë e kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, në Sheshin “Skënderbej”, ku morën pjesë edhe Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Avokati i Popullit, Igli Totozani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë e personalitete të tjerë.

Gjatë ceremonisë, Presidenti Nishani e nderoi Policinë e Shtetit me Urdhrin e Flamurit Kombëtar me motivacionin: “Për merita dhe sakrificë të jashtëzakonshme për mbrojtjen, forcimin e rendit dhe sigurisë publike në Republikën e Shqipërisë, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij”.

Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Kryetari i Shtetit ia dorëzoi Urdhrin e lartë, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Me këtë rast Kryetari i Shtetit shqiptar mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe historik, që ka luajtur Policia e Shtetit në sigurimin e rendit publik dhe zbatimin e ligjit gjithmonë në shërbim të qytetarëve.

“Ne, sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit, shprehim nderimin e thellë dhe kujtojmë me krenari sakrificën sublime të të gjithë atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të ligjit, rendit, institucioneve, flamurit dhe shtetit”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti Nishani inkurajoi Policinë e Shtetit dhe drejtuesit e saj të vijojnë fuqishëm reformat, të rrisin standardet e shërbimit dhe aftësitë profesionale në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit, duke respektuar liritë, të drejtat e njeriut dhe parimet kushtetuese të shtetit ligjor.

KOMENTE