English

Panariti informon ambasadorët rreth zhvillimeve në Luginën e Preshevës

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti zhvilloi dje takime të veçanta me ambasadorët e SHBA-së, të Mbretësisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës si dhe kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Ministri Panariti, informoi ambasadorët lidhur mbi zhvillimet në Luginën e Preshevës, si dhe argumentoi reagimet përkatëse të autoriteteve shqiptare në lidhje me këto zhvillime.

Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare ka inkurajuar gjithmonë zgjidhjen e problemeve reale që lidhen me të drejtat e popullsisë shqiptare në Jugun e Serbisë përmes dialogut. Këtë e kemi komunikuar, tha ai, si në drejtim të autoriteteve lokale shqiptare ashtu edhe në drejtim të qeverisjes qëndrore në Serbi. Gjithashtu ministri Panariti, i vlerësoi si të papranueshme cilësimet, nga autoritetet më të larta serbe, të popullsisë shqiptare si elementë terroristë, të cilat dëmtojnë drejtperdrejtë dialogun, mirëkuptimin dhe integrimin e plotë të pakicës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Serbi.

Njëkohësisht, ministri Panariti, ka theksuar se qeveria shqiptare vazhdon të ruajë konstanten e qëndrimit të saj konstruktiv në rajon, e në këtë kontekst mbetet e angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë në interes të të dy popujve, sikurse ka pritshmërinë legjitime që kjo frymë të reciprokohet nga qeveria serbe.

KOMENTE