English

Berisha: Mardhëniet me Turqinë janë dhe do të jenë gjithmonë të forta

Kryeministri Berisha priti sot në takim përfaqësues të Grupit Marmara, të kryesuar nga kryetari i tij, zoti Akkan Suver. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori turk në Shqipëri, zoti Hassan Asan.

Zoti Suver i shprehu Kryeministrit, në emër të Grupit të tij, përgëzimet për arritjet e qeverisë në fushën politike dhe ekonomike. Zoti Suver u shpreh se rezultat i këtyre arritjeve janë edhe forcimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë si në aspektin politik, ashtu edhe në bashkëpunimin ekonomik. Interesi i komunitetit turk për Shqipërinë, - tha ai, - është i gjithanshëm dhe shtrirja e bashkëpunimit në shumë fusha është e rëndësishme për të dyja palët. Zoti Suver ftoi Kryeministrin Berisha për të marrë pjesë në Samitin Ekonomik të Euroazisë, që do të zhvillohet në muajin prill në Turqi. Kontributi i Shqipërisë, - nënvizoi zoti Suver, - është i vlerësuar nga grupi Marmara si shumë i rëndësishëm.

Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Suver për vizitën dhe interesin e Grupit Marmara për Shqipërinë. Kryeministri Berisha i siguroi ata se marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetin mik turk kanë qenë e do të jenë gjithmonë të rëndësishme dhe të afërta. Kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi politik është shoqëruar me forcim të marrëdhënieve ekonomike dhe rritje të investimeve turke në Shqipëri. Po ashtu edhe marrëdhëniet historike e kulturore midis dy popujve kanë ardhur duke u forcuar.

KOMENTE