English

Rama: Shëndetësia, sektori ku ndryshimi do të jetë radikal, pas 23 qershorit. Spitali nuk do jetë më pazar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar prezantimin e programit për një Rilindje Shqiptare, duke u fokusuar në sektorin e shëndetësisë. Në kuadër të javës së shëndetësisë, kryesocialisti ka vizituar Spitalin Ushtarak në Tiranë, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, por që tashmë për shkak të abuzimit, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë është shndërruar në një “pazar” të madh, të ndarë pjesë-pjesë mes shtetit dhe privatit. Kreu i PS është takuar me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e këtij spitali prej të cilëve është njohur me gjendjen dramatike në të cilën ndodhet ky spital. Pjesë të shumta të tij u janë dhënë privatëve, në mënyrë krejt abuzive, edhe pasi aty nga donatorët janë investuar shuma të mëdha për rikonstruksione dhe modernizime. Kështu kati i dytë i spitalit i është dhënë një subjekti privat, ndërkohë që kati i parë, i tretë dhe i katërt mbeten shtetërore.

“4 milion e 280 mijë dollarë janë investuar nga qeveria Norvegjeze në këtë godinë që jemi këtu dhe pastaj të gjitha këto i morën privatët”, tregon njëri nga mjekët që shoqërojnë kryesocialistin nëpër mjediset e spitalit. E ndërkohë që pjesë të spitalit u janë dhënë privatëve dhoma e grafisë për fëmijët e vegjël që vuajnë nga sëmundjet e kockave është vendosur në mjediset e kabinës elektrike që furnizon spitalin me energji. “Fëmijët 0 deri në 6 muaj futen në ambientet e kësaj kabine elektrike”, thotë një tjetër mjek, ndërsa specialisti që kryen grafitë në këtë mjedis pune, një burrë i thinjur me një përvojë të gjatë në profesionin e tij shton: “Kjo dhomë këtu, mbase e kryen disi funksionin e saj, por prezantimi institucional duhet të ishte më bashkëkohor, më i konceptueshëm. Nuk koncepton njeri në botë që grafia të jetë këtu, fizioterapia në një vend tjetër, kartoteka në një kat tjetër. Një hallakatje e pakuptimtë”.

Mjekët po ashtu i kanë treguar kreut të Partisë Socialiste për mungesën e theksuar të bazës materiale, çka i detyron pacientët që të sjellin me vete të gjitha materialet që duhen për operacionet që duhet të kryejnë. “Sot po të duash të operohesh duhet t’i blesh të gjitha vetë. Unë për shembull kam operuar në mëngjes dhe pacienti duhej të sillte një shishe betadinë dhe materialet e tjera si garza, bende, madje edhe doreza. Që të gjitha i blejnë vetë. A i keni parë farmacitë si kanë mbirë atje jashtë spitalit, 20 a 30 janë te dera. Nga 5 milion xhiro në ditë bëjnë rrezik. Janë blerë dhe serumet para një jave”, shprehet një tjetër mjek i Spitalit Ushtarak, i cili nuk e fsheh aspak mërzinë e tij për këtë gjendje ku është katandisur ky institucion, teksa thotë: “Mjerë kujt i bien me u shtru”. Mjekët duket se kanë shumë për t’i thënë kreut të PS, aq sa shpesh ja marrin fjalën nga goja njëri-tjetrit. “Nuk ka karburant. Ambulancat e gatishmërisë ka 8 muaj nuk lëvizin se s’ka karburant”, thotë njëri prej tyre, duke treguar me dorë ambulancat, që “pushojnë” në parkim prej shumë kohësh. Si për t’i vënë kapakun gjithë kësaj ekspozeje vjen edhe një statistikë po aq skandaloze.
“Buxheti në 5 vitet e fundit është rritur me 70%, ndërsa numri i shtrimeve është ulur duke arritur në 3 mijë. Pra shtrimet bien dhe buxheti ngrihet, ndërsa shërbimi është ky që shikoni”, tregon një nga mjekët, që më pas teksa kryesocialisti e pyet se ku shkojnë këto fonde, ngre duart lart si për të thënë “një zot e di”.

Kryesocialisti Rama nga ana e tij ka vlerësuar lart rëndësinë që ka ky Spital, që është unik në llojin e vet në Shqipëri. “Në dy tre momente tragjike që ka pasur ky vend, të gjithë tek dera e këtij spitali kanë ardhur. Kjo mjafton për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, që po u humb kjo bazë zbarkimi e njerëzve në nevojë për ndërhyrje të shpejtë apo për ndërhyje të specializuar për trauma, ku do shkojnë. Ku do shkojnë?!”, është shprehur kreu i PS. Ai ka theksuar se gjëja e parë që duhet dhe do të bëjë qeveria socialiste menjëherë pas 23 qershorit do të jetë rimarrja e kontrollit të plotë të mjediseve spitalore dhe vendosja e tyre në efiçencë në funksion të të sëmurëve. “Duhet filluar me hapin e parë që është rimarrja e kontrollit mbi territorin e spitaleve të Republikës së Shqipërisë nga shteti. Se këtu territoret e spitaleve janë bërë toka e asnjërit oburra kush mundet, njëri zapton për një parkim, tjetri për një lavash, tjetër për një piceri. Dhe ndërkohë qeveria vazhdon me të vetën një kat ja jep një privati, një cep ia jep një privati tjetër. Njerëzit hynë e dalin, makinat hyn e dalin. Këtu vetëm spital nuk është kur e sheh. Po jo ky, por në territorin spitalor të Republikës së Shqipërisë vetëm spital nuk ka nga pikëpamja e asaj që sheh, e asaj që të rrethon dhe e asaj që të pret”, është shprehur Rama.

Kreu i PS ka thënë se do të vazhdohet me zbatimin e planeve dhe masterplaneve, të cilat jo se mungojnë, por nuk vihen në zbatim me qëllim, për ta lënë situatën të përshtatshme për abuzime dhe korrupsion. Sipas Ramës shëndetësia është sektori ku ndryshimi do të jetë radikal, pasi asgjë nuk mund të vazhdojë kështu si është. “E dyta është që ne po humbasim një kapital njerëzor që është vënë me shumë mund në vite dhe që ka kushtuar jashtëzakonisht shumë në këto vite për specialistë, për një gjeneratë tjetër. Ne e vumë në program kthimin e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në universitet mjekësor me idenë që nga një anë të rritet niveli i shërbimeve dhe nga ana tjetër të rritet kapitali njerëzor. Arsyeja pse edhe në programin tonë, pjesa e shëndetësisë është pjesa më radikale, është sepse këtu realisht duhet përmbysur komplet. Duhet ndryshuar komplet sistemi i financimit. Duhet ngritur shërbimi kombëtar shëndetësor domethënë shteti ta blejë shërbimin. Ta blejë shteti, jo ta blejë qytetari. Dhe shteti ta ofrojë nëpërmjet shërbimit kombëtar shëndetësor në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. I duhet dhënë autonomi trupës mjekësore. Trupa mjekësore duhet të jetë me një autonomi të konsiderueshme dhe spitalet duhet të jenë ndërmarrje spitalore. Dhe buxheti nuk mundet dot të përcaktohet në ministri. Buxheti përcaktohet me prioritetet, hapat, shpenzimet përcaktohen me borde të spitalit”, ka shpjeguar kryetari i Partisë Socialiste, kështu,disa nga hapat që do të ndiqen pas 23 qershorit për të ndryshuar rrënjësisht këtë situatë skandaloze.

KOMENTE