English

Basha: Tirana, pas 23 vitesh ka planin e saj urbanistik

Në muajin mars të këtij viti pritet të nisë puna për bulevardin e ri të Tiranës, sipas projektit të studios arkitekturore britanike “Grimshaw”. Kjo u bë e ditur nga Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtues të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale. Ndërtimi i bulevardit të ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës hap një mundësi të re për zhvillimin ekonomik dhe nxit punësimin, duke prekur 1/5 e qytetit në një prej zonave më të pazhvilluara të kryeqytetit. Ky investim trefishon hapësirat aktuale të gjelbërta dhe krijon një park tjetër të madh.

“Brenda marsit ne presim që të nisim investimet për bulevardin e ri, zgjatimin e aksit jug-veri të kryeqytetit, duke filluar nga Stacioni i Trenit deri në lumin e Tiranës e më pas deri në kodrat e Paskuqanit, investim i cili do ta bëjë këtë aks, nga 1.8 km që është aktualisht, në 4.8 km të gjatë, nga sheshi “Nënë Tereza” apo selia qendrore e Universitetit Politeknik të Tiranës deri tek përmbyllja e këtij aksi në kodrat e Paskuqanit. Do të mundësojë futjen brenda qytetit të Tiranës me gjithë potencialin e vet zhvillimor, ambiental dhe rekreativ të lumit të Tiranës që i ka dhënë emrin qytetit por që askush në këtë sallë nuk e ka parë. Shpesh herë edhe nga mediat ngatërrohet me lumin e Lanës dhe do të bëjë të mundur trefishimin e hapësirave aktuale të gjelbra dhe krijimin e një parku tjetër të madh, përtej parkut të liqenit, pra në ekstremitetin verior, në veri të qytetit të Tiranës. E gjithë kjo, në kuadër të një zhvillimi të planifikuar, multidimensional të hapësirës urbane apo akoma për t’u urbanizuar të kësaj zone e cila para 20 vitesh faktikisht ka qenë një tokë bujqësore, ndërkohë që sot është një zonë që ka një popullsi më të madhe se qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë” – u shpreh z. Basha.

Kreu i Bashkisë është ndalur edhe tek procesi i decentralizimit. Sipas tij, kur kompetencat janë më pranë qytetarit, edhe shërbimi është më i mirë. Për këtë arsye z. Basha tha se duke nisur nga mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak, një sërë kompetencash do t’i kalojnë njësive të qeverisjes vendore të Tiranës.

“Unë besoj fuqimisht tek decentralizimi dhe tek aftësia për të trajtuar me profesionalizëm problemet, kur kompetenca është sa më pranë qytetarit. Në rastin konkret, ndonëse minibashkitë kanë 13 vjet që ekzistojnë, kompetenca e tyre e vetme është vula e gjendjes civile, ndërkohë që këtë vit, duke filluar që nga mbledhja e Këshillit, të 28 shkurtit, unë jam i vendosur t’u transferoj kompetenca për kontrollin e territorit, kontrollin e tregjeve, të stimuloj mbledhjen e taksës së pronës që është kompetencë e tyre dhe t’u ndaj një grant konkurrues, pak a shumë e njëjta skemë që përdor qeveria qendrore me pushtetin vendor” – theksoi Kryebashkiaku Lulzim Basha.

Kreu i Bashkisë së Tiranës i ka njohur të pranishmit me tri prioritetet kryesore mbi të cilat operon administrata e Bashkisë së Tiranës: zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i shanseve për punësim real dhe të qëndrueshëm; përmirësimi i cilësisë së jetës dhe avancimi i qytetit drejt projektit Tirana moderne evropiane. Kryebashkiaku ka nënvizuar kontaktin me qytetarin, si një instrument të domosdoshëm.

“Gjërat ecin dhe ecin më mirë nëse ka transparencë dhe bashkëveprim me qytetarët, ndaj kjo pjesë e veprimtarisë që nuk është një synim në vetvete por është për ne një instrument i domosdoshëm për të garantuar suksesin e programeve dhe veprave të përshkruara në këto tre shtylla kryesore të programit që përmenda. Për mua janë “abc-ja” apo të themi elementarja e një pune të mirë dhe vazhdimësisë së mirë të punës” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku ka bërë të ditur se Tirana, pas 23 vitesh ka planin e saj urbanistik, i miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe që brenda këtij muaji pritet të marrë edhe aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

KOMENTE