Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha diskuton me studentët projektin Shqipëria e Zhvilluar Europiane . Bashkëbisedimi i plotë
English

Berisha diskuton me studentët projektin " Shqipëria e Zhvilluar Europiane". Bashkëbisedimi i plotë

Kryeministri Berisha nisi sot me një takim me studentë dhe pedagogë të rinj të universiteteve publike dhe private, serinë e konsultimeve me qytetarë për të dëgjuar mendimin, opinionin, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektin Shqipëria, vend i zhvilluar. "Duke filluar nga dita e sotme, - u shpreh Kryeministri - ju jeni kryeministri im dhe unë jam një qytetar që duhet t’ju dëgjoj juve". Kryeministri Berisha dëgjoi me interes mendimin dhe pyetjet e studentëve dhe pedagogëve mbi aspekte të ndryshme të zhvillimit të vendit, të cilat Kryeministri i konsideroi me tepër vlerë dhe u angazhua se katër vitet ardhshme do të jenë vitet e shndërrimit në realitet të këtij projekti madhor për Shqipërinë.

"Ju falënderoj shumë përzemërsisht që keni ardhur sot, në këtë takim. Qëllimi më kryesor i këtij takimi dhe i një seri takimesh të tjera, siparin e të cilave e çelim me takimin me studentët, është të dëgjoj mendimet, propozimet, sugjerimet e studentëve, të intelektualëve, punëtorëve, punonjësve, fermerëve, e shqiptarëve në tërësi për projektin Shqipëria, vend i zhvilluar, për projektin e Shqipërisë Europiane.

Dua t’ju njoftoj se ky projekt është fryt i një pune të gjerë, intensive, të specialistëve nga më të shquarit dhe më me eksperiencë në fusha të ndryshme, por edhe në vendimmarrje e politikë. Në qoftë se do ta shndërronim këtë projekt, ta supozojmë në një ndërtesë, e gjithë kjo punë që është bërë, është thjesht skeleti apo karabinaja e saj. Gjithçka tjetër, e tërë pamja e forma e saj do të varen nga mendimet, sugjerimet, opinionet, kritikat e qytetarëve shqiptarë. Në politikë ka një rregull, të cilin do ta quaja rregulli i artë. Ky rregull për politikanin është se ai duhet të pranojë me të gjithë bindjen e vetëdijen e tij dhe jo formalisht se, ndonjëherë ai udhëheq dhe udhëheq sigurisht, por të pranojë të udhëhiqet nga ata, të cilët udhëheq e drejton. Përndryshe, për mendimin tim, realisht e ka shumë të vështirë të ketë një sukses të qëndrueshëm. Ndaj, duke filluar nga dita e sotme, ju jeni kryeministri im dhe unë jam një qytetar që duhet t’ju dëgjoj juve.

Për t’jua dhënë juve fjalën dhe për të dëgjuar zërin tuaj, shkurtimisht dua të theksoj se cili është objektivi ynë dhe ku duam të arrijmë. Objektivi ynë është të bëhemi një vend i zhvilluar. A jemi ne, sot, një vend i zhvilluar? Jo, nuk jemi. Vendet e zhvilluara, në radhë të parë, një nga treguesit më të rëndësishëm kanë të ardhurat për frymë. Në këtë aspekt, ne kemi ende rrugë për të bërë, ndonëse asnjë komb tjetër nuk i ka rritur ato më shpejt, po të kemi parasysh se 20 vjet më parë ne ishim me 204 dollarë për frymë, duke u renditur vendi i tretë më i varfër i botës, së bashku me Angolën e Ugandën dhe sot jemi me të ardhura mesatare 9 mijë dollarë për frymë. Fatmirësisht, të paktën 80 përqind e të pranishmëve në këtë sallë nuk e kujtojnë atë kohë dhe ju garantoj se kjo është një avantazh shumë i madh për ju.

Por ne kemi arritur disa tregues themelorë të vendeve të zhvilluara e më të zhvilluara. Këto tregues janë të lidhura direkt me qytetarin. Ne kemi një nga vdekshmëritë foshnjore njëshifrore, të barabartë me atë të vendeve të zhvilluara. Në rast se në vitin 2001, ne kishim banesa për njëmijë banorë në nivelim më të ulët se çdo komb tjetër në Europë në vitin 1980, sot kudo ku të hidhni sytë shihni shtëpi të reja. Banesa është shumë të rëndësishme, pasi ajo përbën investimin më themelore të njeriut, përbën dëshminë më të sigurt të klasës së mesme, pasi kusht themelor për t’i përkitur klasës së mesme është të kesh banesën private. Sot, sipas regjistrimit të fundit, në banesa për 1000 mijë banorë, ne lëmë mbrapa 5 vende anëtare të OECD-së, pra, vendeve anëtare të familjes së kombeve të zhvilluara botërore apo anëtare të Bashkimit Europian dhe ecim drejt niveleve më të larta. Sot, shqiptarët kanë vdekshmërinë tërësore më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste. Sot, shqiptarët kanë vdekshmërinë amtare më të ulët se shumica e vendeve të zhvilluara të botës. Sot, shqiptarët kanë nivele rekrutimi në arsimin e lartë dhe atë të mesëm në nivelet më të larta. Shqipëria ka një dinamizëm ekonomik të admirueshëm. Specifika e kësaj krize botërore për ne, ashtu siç e keni dëgjuar nga të gjithë vizitorët e rëndësishëm të institucioneve financiare botërore, ka qenë se reformat që ndërmori Shqipëria 5-6 vite më parë e mbrojtën atë, nga pasojat e rënda të krizës dhe Shqipëria nuk ra në recesion.

Ka edhe tregues të tjerë, ku ne renditemi në 10-20 vendet e parë, por ju garantoj se ka shume shumë të tjerë që ne duhet t’i përmirësojmë me vendosmërinë më të madhe, që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për t’u bërë një vendi i zhvilluar dhe shumë i zhvilluar. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, ka avantazhin madh të jetë një nga kombet më të reja, çka do të thotë një nga kombet me mendjen më të hapur, ka rezerva natyrore të gjithanshme, është një vend me potencial përrallor turistik, është një vend i pasur në nëntokë e mbitokë. Shqipëria pret që, duke shfrytëzuar liritë e qytetarëve të saj, të kapë nivelet e vendeve të zhvilluara.

Unë jam sot, këtu, për të dëgjuar mendimet, sugjerimet, pyetjet e opinionet tuja për këtë projekt, të cilin unë e besoj dhe jam i bindur se pesëvjeçari që vjen do ta shndërrojë Shqipërinë në një nga vendet e zhvilluara të rajonit e Europës.

Fjala është e juaja.

Zoti Kryeministër përshëndetje. Përse taksa e sheshtë dhe jo ajo progresive është taksa e duhur përsa i përket zhvillimit ekonomik aktual.

Kryeministri Berisha: Janë dy koncepte mbi sistemin fiskal që përballen në rreth dy shekujt e fundit. Njëri koncept beson se duke mbledhur sa më shumë taksa, shteti lumturon më shumë qytetarët e vet dhe ndërton mirëqenien e tyre. Koncepti tjetër është se duke ju lënë qytetarëve më shumë para, ata ndërtojnë më mirë lumturinë dhe mirëqenien e tyre, sesa shteti. I pari është koncepti marksist dhe paramarksist, është e njohur taksa progresive. I dyti është koncepti konservator, i cili në kohët e vonshme kulmoi me Ronald Regan, i cilit haptas deklaroi se paratë në kontot e qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë, sesa në arkën e shtetit.

Përse kemi zgjedhur taksën e sheshtë? Së pari, taksa e sheshtë i beson këtij parimi. Unë besoj e jam i bindur se paratë në kontot e biznesmenëve dhe qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë, mirëqenien e zhvillimin e saj, sesa paratë në kontot e shtetit. Të marrim sektorin privat sot, ku në një orë qarkullon buxhetet e të gjitha qeverive të botës, në një vit. E tillë është fuqia e jashtëzakonshme e këtij sektori. Në këtë aspekt është absolutisht raporti i gjigandit me shkurtabiqin. Por përse taksa e sheshtë dhe jo progresive? Në konceptit progresiv, të themi realitetin, ka një qëndrim jo miqësor ndaj të pasurve dhe në një farë mënyre i targeton ata si përgjegjës për të varfrit dhe pjesën tjetër. Por historia fakton se ky koncept është rrënues, sepse kurrë nuk mund të ndihmosh të mëkëmbesh të varfrit, duke shkatërruar të pasurit. Jo! Të varfrit i mëkëmb duke i ndihmuar dhe duke ju krijuar direkt mundësi atyre. Një muaj më parë, vizitoi Shqipërinë nobelisti Mohamad Yunus, i cili ka marrë çmimin Nobel dhe konsiderohet babai i mikrokreditit. Yunus ka bërë një konstatim: Paratë e sistemit bankar konvencional përjashtojnë tërësisht të varfrit e kësaj bote, sepse nuk kanë kolaterial, ose sepse nuk dinë të aplikojnë, të plotësojnë dokumentet dhe në një farë mënyrë, ata zbresin tek klasa e mesme, por nuk arrijnë tek njerëzit më në nevojë. Yunus thotë se varfëria mund të çrrënjoset dhe kjo është një thënie shumë e guximshme. Absolutisht është e vërtetë: Varfëria mund të çrrënjoset. Dhe Yunus filloi me sistemin e mikrokreditit, 300 dollarë, 500 dollarë, 1000 dollarë. Në vitet ’90 e kemi zbatuar edhe ne. Në vizitën e tij të fundit mora vesh se Maria Novak, e cila aplikoi në Shqipëri, kishte qenë bashkëpunëtore e tij, në skemat e para. Yunus zhvilloi konceptin e biznesit social. Çfarë do të thotë biznes social? Korporata e madhe krijon disa biznese të tjera me qëllime për të punësuar të rinj, për t’ju mundësuar të rinjve të hapin biznese, aty ku nuk ka, për t’ju ofruar ushqim. Pra, ka shumë mënyra për të ndihmuar më të varfrit. Por, nëse shkatërron të pasurit, një gjë është e sigurt, të varfrit i zhyt në varfëri më të madhe.

Në fillim të krizës, në një seri studimesh të asaj periudhe, para 5-6 vitesh, u fillua ta akuzojnë taksën progresive si një nga shkaqet e krizës së sotme. Politika e taksa-shpenzo është politikë e dëshmuar. Kriza ishte e paparashikuar dhe në një situatë kaosi, natyrisht, u bë gjithçka që të rriten taksat, në mënyrë që të krijohen shuma për të paguar borxhin, duhej pasur likuiditet, duhej të paguheshin rrogat. Një situatë krejt tjetër tani. Borxhi ka angazhuar sot, më shumë se kurrë, qarqet akademike në studimin e tij. Studimet tregojnë se taksa optimale është taksa e sheshtë, ose pothuaj optimale, pasi optimalja nuk dihet, nuk është përcaktuar se ky nivel është më optimali. Por një gjë është e sigurt se studimet më serioze të Harward-it dhe think tanke të tjerë në Europë e kudo faktojnë se taksa progresive është e dëmshme në rrafshin shoqëror, sepse polarizon, është e dëmshme, sepse ndikon në evazionin fiskal, është e dëmshme, sepse, në rast se çon drejt falimentimit biznesin, falimenton qindra mijëra vende pune. 6 vjet më parë kur vendosëm taksën e sheshtë, unë nuk parashikoja se në harkun kohor gjashtëvjeçar ne do të arrinim të mblidhnim 9.2 miliardë dollarë më shumë, sesa qeveria paraardhëse për të njëjtën periudhë. Kurë nuk e imagjinoja dhe nuk ka qenë vendim i lehtë, përkundrazi, i vështirë. Por, kur e morëm vendimin, u kam thënë bashkëpunëtorëve të mi se ne i besojmë këtij parimi, se paratë do të mbetnin tek biznesmenët dhe ata do të krijonin vende pune. E vërteta është se të dyja ndodhën. Bizneset janë rritur me 2 herë e gjysmë dhe u mblodhën 9.2 miliardë dollarë më shumë. Kjo qe arsyeja edhe që Shqipëria nuk ra në recesion. Tani duhet paketë e re taksash, përsëri të bazuara në modelin liberal. Ne po i marrim ato.

Zoti Kryeministër, gjatë prononcimeve në media jeni shprehur për liberalizimin e universiteteve, fakt, i cili vërtetohet se në vitin 2006, universiteti publik kishte 14 mijë kuota dhe sot ka 28 mijë. Pra, një dyfishim i numrit të kuotave. A mendoni se kjo përbën një asfiksi për universitetet private?

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord me atë që ju shtroni. Reformat janë një proces i vazhdueshëm, janë një perpetum mobile. Unë i vlerësoj shumë universitetet private, kontributin e madh të sektorit privat në arsimin universitar dhe parauniversitar. Siç e dini, ne hoqën TVSH dhe bëmë një hap jo të vogël, ishte e para TVSH që është hequr për arsimin, në një akt mbështetje për arsimin privat. Ne përgatitën paketën e shpërndarjes së financimit në përputhje me cilësinë. Për këtë morëm ekspertët më të mirë dhe në fakt e kemi gati. Përse nuk e zbatuam? Vetëm për një arsye dhe do të jem shumë i hapur. Kredia e studentit është borxh publik dhe midis të gjitha borxheve, në mendimin tim, është më i drejti dhe duhet ta përballojë qeveria. Por, meqenëse u ndodhëm para këtij presioni që të mos rritet niveli i borxhit, por të ulet, sepse kjo u bë një tendencë, një shpatë Demokleu mbi ekonomitë, shtimi i faktorëve që do të rrisnin borxhin, për momentin, nuk ishte i mundur. Hapi i parë që do të bëhet pas këtyre zgjedhjeve, në qoftë se shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, do të jetë vendosja e reformës arsimore, ku studentët të përzgjedhin dhe cilësia të dominojë, të mos u bëhet ky lloj prediktimi universiteteve private. Unë i besoj shumë sistemit universitar e pasuniversitar amerikan. Sa herë që lexoj për të, më është krijuar përshtypja se shkaku më themelor i suksesit të këtij sistemi është kontributi i sektorit privat. Sektori privat në sistemin amerikan të arsimit është një aksioner shumë i madh dhe jo vetëm në shkollim, por edhe në kërkimin shkencor. 2/3 e fondeve për kërkimin shkencor në SHBA vijnë nga sektori privat. Ata e kanë nisur këtë rrugë 200 vjet më parë. Por unë nuk jam i pakënaqur, madje jam i inkurajuar që vetëm pas 20 vitesh, 22 përqind të arsimit të lartë në Shqipëri e përballon sektori privat. Pra, kjo është një reformë në vazhdim dhe unë mbetem i vendosur ta mbështes. Në koncept, shteti është i detyruar të sigurojë shërbimet, por sigurimi më i shkëlqyer i shërbimeve do të vijë atëherë kur shteti t’i japë mundësi qytetarit të zgjedhë shërbimin që ai preferon. Drejt kësaj duhet të ecim dhe nëse ka një revolucion, ky është revolucioni i shërbimeve.

Zoti Kryeministër, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë diskutim publik. Gjatë një takimi në Durrës, ju keni hedhur idenë se qeveria të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë trevjeçare, për të rinjtë që do të punësohen pranë sipërmarrjeve private. Sa mendoni se kjo politikë do të ndihmojë në punësimin e të rinjve?

Kryeministri Berisha: Unë e konsideroj këtë një vendim shumë të rëndësishëm dhe ju siguroj se për investitorët e guximshëm, ky vendim është një mbështetje e jashtëzakonshme. Po të kemi parasysh se ne hoqëm TVSH-në për makineritë, po të kemi parasysh se kemi iniciativën 1 euro dhe po të kemi parasysh se i ofrojmë investitori krahun e punës, kjo përbën në vetvete zonën ekonomike më të mirë të planetit. Dhe nuk ka investitor që të mos inkurajohet për të hapur biznese e punësuar të rinj. Duke thënë këtë, ne i qëndrojmë plotësisht asaj se çdo i ri që do të punësohet mbi bazën e rregullave që do të përcaktohen, shteti do të marrë përsipër të gjitha llojet e taksave dhe tarifave që u merren të tjerëve. I vetmi problem që del - unë dua të jem i hapur – është se kjo nismë që e konsiderojmë shumë të rëndësishme do të degradohet në rast se bizneset do të bënin ripërtëritjen e punëtorëve. Kjo, në mënyrë absolute, nuk do të mund të bëhet, sepse do ketë sanksione ndaj ati që mund ta mendojë këtë. Një bashkëpunëtor i imi, tek po diskutonim për këtë problem para se të merrnim nismën, më thotë për një institucion privat, i cili u bën një si lloj provimi punonjësve, i rrëzon dhe më pas punëson të rinj me pagë 1/3 e pagës së tyre. Praktika këto të pandershme. Ne kurrë nuk dot pranojmë që ky mekanizëm që synon punësimin e të rinjve të shndërrohet në një mekanizëm të kësaj natyre. Por kjo nismë do të ketë ndikimin pozitiv, të fuqishëm. Unë besoj se pas hapjes së dyerve të universiteteve dhe i krijimit të mundësisë secilit prej jush që ëndrrën universitare ta shndërroni në realitet me djersën tuaj, ky është vendimi më i rëndësishëm për t’ju mbështetur juve, në ndërtimin e të ardhmes suaj dhe të së ardhmes së vendit.

Pyetje: Zoti kryeministër, rezulton se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të lartë, për shkak të zhvillimit të infrastrukturës rrugore dhe për shkak të një stabiliteti makroekonomik. Por dua të ngre edhe disa shqetësime, si hapa të domosdoshëm në katërvjeçarin që vjen; Është bërë një punë shumë e madhe në infrastrukturën informatike dhe në dixhitalizimin e saj, por kemi një mungesë të theksuar në burimet njerëzore në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha: Vendi ngjitet lart dhe, sa më lart shkon ngjitja, aq më e vështirë bëhet. Por kjo është inspiruese dhe tërheqëse. Ku duhet të synojmë ne, çfarë duhet të bëjmë dhe cili është leksioni i krizës ekonomike botërore? Leksioni më i madh është; duhet bërë gjithçka për ekonominë reale. A është reale ekonomia shqiptare?. Po, ajo është tërësisht reale, sepse bazohet e tëra në një proporcion shumë të saktë. Asgjë nuk ka të fryrë në këtë ekonomi. Sa herë që lexon rritjen ekonomike, gjen se faktorët më të fuqishëm të ndikimit të saj, janë liria e tregut, ku në të vërtetë ne qëndrojmë shumë lart. Megjithatë, ne do të bëjmë gjithçka që të përjashtojmë çdo barrierë e pengesë, ndonëse e theksova, qëndrojmë lart në këtë drejtim. Faktor tjetër i rëndësishëm është investimi, siç ju e theksuat, në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera. Absolutisht, sot, përcaktuese dhe shumë e rëndësishme në rritjen ekonomike është shoqëria dixhitale, mosha dixhitale. Ne jemi tashmë më përpara në nivelin e përdorimit të internetit. Në vitin 2006 kemi pasur nga nivelet më të ulëta në botë të përdorimit të internetit, kemi qenë 4.8 për qind, ndërsa sot jemi rreth 62 për qind. Sot ne furnizojmë internet me bandë të gjerë dhe të shpejtë, me autostradën e re që ndërtuam para dy muajsh. Së shpejti, ne do të nxjerrim në treg 4G. Në mos gaboj, këtë vit, në universitet e vendit shtetërore dhe private, janë rreth 4 mijë studentë në fushën e informatikës. Por nuk mjaftojnë. Si numër, po të marrësh të gjitha vitet, janë një numër i konsiderueshëm, por ka një rëndësi të jashtëzakonshme kurrikuli i tyre. Asnjë degë nuk kemi më përparësore se këtë degë. Ju besoj e dëgjuat edhe në lajme që Tirana u përzgjodh në një nga 20 qytet e ICT-së, e kësaj fushe në botë. Kjo nuk është pak, është një përparësi e madhe. Ne duhet të nxisim inovacionin. Ka disa fillime shumë premtuese. Kur hedh sytë dhe sheh te ky kontingjent, ne kemi një potencial shumë të madh për të angazhuar në inovacion, në kërkim shkencor në këtë fushë. Ne realisht mund të bëhemi dhe jam i sigurt se mund të bëhemi, një superfuqi e softeve në rajon. Ne i kemi kushtet për këtë. Ky është problemi i universiteteve tona, sepse kjo do bëhet kur universitetet, katedrat tona, të shndërrohen në njësi të fuqishme të kërkimit shkencor. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim bizneset e ICT-së, sidomos në draftimin e programeve. Kjo nuk kërkon ekipe të mëdha, por me ekipe të vogla mund të bëhen gjëra shumë të madha.

Para tre muajsh, në zyrën time, një i ri sa mosha juaj kishte sjellë një program dhe një grup të huajsh, të cilët shprehën rezerva shumë të mëdha për të. Por unë i besova atij dhe, në atë debat, një fakt që ai solli ishte tërësisht bindës për mua dhe ndaj vendosa dhe e mbështeta. Pas dy muajsh, ky grup pune dërgoi një letër ku shprehej se siguria e këtij sistemi është më e larta në Evropë. Pra, ka disa fillime të mbara. Unë jam shumë i inkurajuar. Ne duhet të krijojmë Tirana ICT Park, duhet të krijojmë një zonë të lirë ku këto grupe të ndërtojnë bizneset e tyre tax free dhe të fillojnë bizneset e softeve. Unë jam optimist. Në këtë vit janë në zhvillim e sipër 125 projekte dhe shumë shpejt do të fillojë inaugurimi i disa prej tyre, nga më të avancuarit që ekzistojnë. Mobile Albania do të jetë Shqipëria e katërvjeçarit që vjen. Do të kalojmë nga kompjuteri, në mobile, në mënyrë që të gjitha shërbimet e informacionet t’ia japim qytetarit në telefonin e tij smart.

Pyetje: Zoti kryeministër, në shumë fushata, programe a debate televizive, flitet gjithmonë për të rinjtë e për projektet për ta. Nëse ju merrni edhe mandatin e ardhshëm të qeverisjes, a mund të mundësohet krijimi i një qendre të caktuar, e cila të merret me thithjen e studentëve apo individëve të cilët kanë ide, programe e projekte të caktuara për zhvillimin e vendit dhe pastaj, nga kjo agjenci, në bazë të meritave, ata të katapultohen në kompani të fuqishme apo në administratën shtetërore?

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord. Faktikisht, ne kemi dy agjenci të tilla dhe janë jo të pakta projektet që adresohen aty. Njëra është AIDA, Agjencia e Investimeve dhe Zhvillimit dhe tjetra është Agjencia e Kërkimeve dhe Inovacionit. Ato funksionojnë mbi bazën e projekteve të paraqitura, si dhe financojnë projekte. Sigurisht, fondet për këtë, absolutisht nuk janë të mjaftueshme. Megjithatë, të them të vërtetën, agjencitë më të shkëlqyera në këtë drejtim unë do të konsideroja universitetet. Në qoftë se ne arrijmë të shndërrojmë kërkimin shkencor në komponent jetik të universiteteve, atëherë ne i kemi dhënë mbështetjen më të fuqishme kërkimit shkencor. Në rast se ne u referohemi SHBA-ve, unë ju garantoj se shumica e Nobel kanë dalë nga laboratorët e firmave private. Shumë prej tyre i njoh në fushën shkencore ku unë kam punuar më parë. Kështu që, universitetet kanë shumë mundësi të nxisin kërkimin shkencor, sepse vet mësimdhënia, vet studenti është një frymëzim për kërkuesin. Mësimdhënia në universitet përbën një lloj binomi jashtëzakonisht frymëzues dhe inkurajues për kërkuesin. Natyrisht, ne do të përdorim edhe forma të tjera, por potenciali ynë më i madh janë katedrat dhe departamentet e universiteteve.

Pyetje: Për sa i përket punësimit të të rinjve, cilat janë politikat që keni ndjekur dhe që do të ndiqni në katër vitet e ardhshme në këtë drejtim dhe a keni në plan të aplikoni ndonjë projekt për punësimin e të rinjve part time, ashtu siç bëhet në shumë vende të tjera të Evropës?

Kryeministri Berisha: Sërish punësimi i të rinjve do të jetë përparësia jonë më e madhe. Në qoftë se bëmë gjithçka që të hapnim dyert e universiteteve dhe ky është një nga vendimet më të drejta që kemi marrë, ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës. Të gjithë duhet ta kemi të qartë se gjeneratori më i fuqishëm i vendeve të punës është rritja ekonomike. Do jepen të gjithë stimujt dhe do gjenden të gjitha rrugët që fuqizojnë punësimin. Paketa që ne do të miratojmë së shpejti në qeveri dhe parlament, krahas shkollimit të tyre, formimit të tyre profesional, i bën të rinjtë më të përshtatshmit për punësim. Natyrisht, një sipërmarrës, i cili vendos të krijojë një sipërmarrje me 300 punëtorë, makineritë i sjell pa taksë, tokën, në rast se ajo është publike e merr me një 1 euro, si dhe 300 punonjësit e tij i punëson të çliruar nga çdo takë, ai e shndërron me shpejtësi të madhe projektin e tij në një histori të vërtetë suksesi. Unë mendoj se kjo është rruga më e sigurt e punësimit të të rinjve. Punësimi duhet të vijë nëpërmjet procesit të bizneseve dhe Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, qoftë në zhvillimin e saj industrial. Shqipëria po përjeton dhe të vazhdojë të përjetojë një revolucion të fuqishëm industrial. Le të marrim vetëm një fushë; energjinë e rinovueshme, energjinë ujore, ku janë qindra e qindra hidrocentrale për t’u ndërtuar. Le të kalojmë te projektet e mëdha, ku projekti TAP i ka të gjitha shanset për këtë. Firmosja që u bë sot në Athinë përbën mbështetjen më të fuqishme për këtë projekt. Projekte të tjera të mëdha do të nisin gjatë vitit që vjen dhe vitet në vazhdim. Unë kam bindje të madhe se këto politika do të krijojnë qindra mijëra vende pune në vitet që vijnë. Sidoqoftë, ne nuk shkojmë në format shtetërore, sepse janë faktuar se janë forma të dështuara, por, ju jap fjalën se nuk do lëmë stimuj pa përdorur për punësimin e të rinjve në sektorin privat.

Pyetje: Zoti kryeministër, institucioni i prokurorisë është i vetmi institucion që heton dhe nuk hetohet, që dëmton dhe nuk dëmtohet. A mendoni se ka ardhur koha që edhe institucioni i prokurorisë të ketë ndryshime, të preket nga reformat ligjore? Ndoshta ka ardhur momenti që ky institucion të kalojë në varësi të ekzekutivit, ose duke iu referuar sistemit amerikan, ai të jetë një sistem i zgjedhjes drejtpërdrejtë nga populli.

Kryeministri Berisha: Natyrisht, institucioni i akuzës është një institucion themelor i shtetit. Duke qenë akuzë, e vërteta është që është edhe institucioni që has vështirësitë më të mëdha në punën e tij. Para 5 vitesh, ne ndërhymë në ligjin e prokurorisë. Ndërhyrja në ligj pati dy përmirësime thelbësore. Përmirësimi i parë kishte të bënte me faktin se u caktuar afati i mandateve, pasi ishte i vetmi institucion me mandate për gjithë jetën. Kjo në demokraci nuk qëndron. Përmirësimi i dytë madh ishte heqja e imunitetit, ku prokurorët u bënë zyrtarët e parë imunitarë pa imunitet në Shqipëri. Pastaj u hoq për kategoritë e tjera. Në atë periudhë nuk është se nuk pati diskutime nëse mund të shndërrohej ose jo në degë të ekzekutivit, ashtu si e kanë shumica e vendeve të BE-së. Por, në tërësi, dominoi mendimi i kundërt. Ky është një sistem që në tërësi e trajton prokurorin si gjykatësin. Nuk mund të them se është një sukses, të paktën në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që të ndërpriten përpjekjet për ta shndërruar në një institucion të konsoliduar. Tashmë sistemi gjyqësor është shumë më pak politik dhe këtë e them unë që kam marrë nga prokuroria akuzën për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Millosheviçi të akuzohej në Hagë, duke paraqitur një shishe aranxhate si provë. Pra, drejtësia ka meritën e madhe që, në një shkallë shumë të gjerë, është shkëputur nga politika. Nuk them se nuk ka difektet e veta, pasi ka vend për t’u përmirësuar shumë. Sistemi gjyqësor ka ndikime të tjera ekstra-politike të fuqishme, por gjë pozitive për vendin është që nuk është politikisht i motivuar në tërësinë e saj. Po flas këtu për sistemin gjyqësor. Prokuroria përsëri ka probleme për t’u zgjidhur.

Pyetje: Çdo vit, nga universitetet diplomohen një numër i madh juristësh. Ky numër juristësh a i përgjigjet kërkesave të tregut dhe nëse po, a mund të na bëni një panoramë të vendeve të punës në administratën publike, ku mund të punojnë në të ardhmen studentët?

Kryeministri Berisha: Në themel ekzistojnë mundësi që, në një mënyrë apo në një tjetër, të diktosh një lloj plani në universitete. Por, unë personalisht jam më së shumti për zgjedhjen, pasi është gjë shumë e madhe kur ti ke pasur mundësi të zgjedhësh degën tënde. Unë, deri në vitin e tretë në fakultetit, ëndërroja të kisha mundësi të ndiqja një fakultet tjetër, që nuk e ndoqa dot kurrë. Vetëm nga fundi i vitit të tretë, kur shpresa ime u shua përfundimisht, atëherë unë përqafova me gjithë pasionin tim fakultetin që ndiqja. Në këtë kontekst, jam i bindur që të rinjtë duhet të kenë të drejtë të zgjedhin. Nuk është se e kanë të thjeshtë të zgjedhin, por sot, në periudhën e internetit, ata kanë një informacion pakrahasimisht më të lartë dhe zgjedhjet i kanë më të motivuara. Gjithashtu, duhet që programet të jenë më fleksibël. Të drejtat në fakultetin tuaj do të ishte shumë e dobishme të degëzoheshin sipas të gjitha degëve të tregut. Kjo do të bënte më të mundur punësimin tuaj. Dua t’ju jap një shembull. Para 5 vitesh kam takuar në zyrën time një specialist shumë të shquar që punon me qeverinë tonë për çështje të arsimit, i kontraktuar nga Banka Botërore. Ai më tha se kishte takuar një grup pedagogësh të Fizikës dhe i kishte pyetur se sa vite studiojnë studentët për këtë degë. Ata ishin përgjigjur; - 5 vjet. Më pas specialisti u kishte thënë se a kishte ndonjë mundësi që ata të përfshinin edhe ndonjë program tjetër këtu, psh fizikë dhe biznes. Mirëpo, ata, tha specialisti i huaj, u revoltuan me mua dhe u duk se u fyen.

Ne do të bëjmë gjithçka që universitetit t’i japim sa më shumë mundësi. Ne kemi arritur në rreth 540 programe. Në pamje të parë është mirë, por problemi është se disa nga këto programe nuk kanë pasqyrë në treg, nuk kanë produkt në treg dhe janë produkt vetëm i akademizmit, nuk i shërbejnë tregut. Ndërsa programe të tjera të cilat i kërkon tregu, mund të mos jenë të vendosura. Ndaj unë gjykoj se duhet më fleksibilitet dhe nuk duhet të heqim dorë nga e drejta e secilit për të marrë dhe një degë tjetër. Nuk duhet të heqim dorë nga e drejta e secilit që gjatë studimeve, nëse një student sheh se mund të japë më shumë në një sektor tjetër, apo t’i lindë një pasion më i madh për diçka tjetër, ne të bëmë gjithçka që ai të spostohet në atë drejtim. Mbetem gjithnjë për format e hapura dhe jo për imponim. Natyrisht cilësia duhet kërkuar.

Pyetje: Zoti Kryeministër, kam një shqetësim lidhur me rimbursimin prej 50 për qind të tarifës së shkollimit për kategorinë e studentëve jetimë. A mund dhe duhet të përfshihen në këtë ligj të rimbursimit edhe studentët që kanë vetëm njërin prind? Për këtë çështje, unë ju kam dërguar juve edhe një mesazh në telefonin tuaj, përmes të cilit më keni dhënë të drejtë për shqetësimin.

Kryeministri Berisha: Klaudia, unë mesazhin tuaj e kam lexuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe dy javë më parë, ministri i Arsimit ka sjellë në qeveri dhe është marrë vendimi që edhe studentët që kanë vetëm njërin prind të përfshihen në këtë ligj. Ai ka qenë një arbitraritet burokratik. Ju keni shumë të drejtë dhe ndaj, ky vendim i dy javëve më parë i jep zgjidhje përfundimtare këtij problem. Nuk ka më të pa shpirt se burokracia. Unë të falënderoj për mesazhin e dërguar dhe mesazhin tuaj unë ia kam përcjellë ministrit të Arsimit me porosinë që ai të sjellë në qeveri vendimin. Ky vendim ka dy javë që është firmosur. Gjithashtu, ka edhe të tjerë studentë që shprehin shqetësime. Dikush tjetër më shkruan se është fëmija i katërt në universitet dhe ne absolutisht që do ndërhyjmë për ta ndihmuar, sepse nuk është njësoj një familje që paguan 1 tarifë, me atë familje që paguan 4 tarifa. Prandaj duhen edhe mendimet tuaja.

Pyetje: Zoti Kryeministër, a mund të na thoni 3 arsye se përse të rinjtë duhet t’ju votojnë për një mandat tjetër?

Kryeministri Berisha: Së pari, të rinjtë përfaqësojnë ndryshimin më cilësor të shoqërisë. Në qoftë se shohim me vëmendje, pavarësisht nga lista jo e vogël e vështirësive dhe problemeve, ju nuk do të gjeni ndonjë vend tjetër me konstante më të lartë ndryshimi se ky vend. Ne duhet ta vazhdojmë ndryshimin.

Së dyti, kjo forcë politike dhe kjo mazhorancë, në qoftë se i ka faktuar kujt përkushtimin e plotë, këtë ua ka faktuar të rinjve. Kjo forcë politike dhe kjo mazhotrancë, në qoftë se i ka faktuar kujt përkushtimin e plotë, ua ka faktuar të rinjve. Le të marrim faktet. Në vitin 2005, 2/3 e maturantëve shqiptarë arkivonin me trishtimin më të madh ëndrrën e tyre universitare dhe ju e dini sesa e mundimshme, se ç’vuajtje shpirtërore është për një maturant, kur ai dëshiron të vazhdojë universitetin dhe nuk mund ta vazhdojë atë. Po rikthehem në ditët e mia, t’ju tregoj sagën time natën e parë në Tiranë, për shkak se mu ngatërrua çështja e të drejtës së studimit. Unë e kam kaluar gjithë natën jo në hotel, pasi nuk dija se ku ishin, por në një bar “Krimea” dhe gjysma e publikut ishin të dehur. Po rendja pas së drejtës sime për të shkuar në universitet dhe me shumë vështirësi. Ndaj mendoj se mundësia e shndërrimit në realitet të kësaj ëndrre ka qenë një nga vendimet më të drejta, më të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë. Sikundër ka të bëjë me vendosjen e këtij vendi në shinat e dijes.

Së dyti, në fillim të vitit 2006, interneti kishte në shoqërinë tonë një penetrim ndër më të ulëtit në botë, 4.8 përqind. Natyrisht, të rinjtë ishin frymëzimi ynë. Sot, penetrimi i internetit është 62 përqind dhe kur në vitin 2007 vendosëm ta shtrijmë atë në çdo shkollë, e kemi bërë këtë me një program agresiv dhe me disa qëllime, por një prej tyre ishte që kompjuteri të mos ishte mollë e ndaluar për asnjë fëmijë shqiptar. Sot është situatë tjetër.

Së treti, përse të votosh për këtë forcë politikë? Kjo forcë politike tani ka të shpalosur me vendosmërinë më të madhe punësimin e të rinjve shqiptarë. Kjo forcë politike bën gjithçka për krijimin e vendeve të punës, që të rinjtë të shpalosin potencialin e tyre.

Së katërti, e më e rëndësishmja, është se kjo është forca politike e vokacionit perëndimor e kombit shqiptar. Nuk do të doja të bëja një veçim të tillë dhe ju garantoj se do të doja të thosha se sot, vokacioni perëndimor në Shqipëri është universal. Tek qytetarët, ai është, tek forcat politike është më ndryshe. Po të kthehemi në vitet ’90-’96, Partia Socialiste kundërshtonte me gjithë forcën anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës e bënte rezoluta në parlament kundër bashkëpunimit me NATO-n. Kishte një grup të rinjsh, Ilir Meta, Pandeli Majko, të cilëve unë ju jam mirënjohës, që në grupin e tyre parlamentar luftonin që Shqipëria të bashkëpunonte me NATO-n. Por, kur sot që kërkohen tre ligje për statusin e vendit kandidat, të ketë një njeri që nuk i voton ato, ky është qëndrim jo vetëm për të bllokuar rrugën e integrimit, e cila mund të bllokohet përkohësisht, por do të zhbllokohet, por, në radhë të parë, prek vokacionin tonë perëndimor. Nëse lexoni historinë dhe ju që studioni shkencat politike e keni lexuar, ne e kemi paguar shumë shtrenjtë përpjekjen për ta ruajtur këtë vokacion, sepse ne nuk kemi qenë ndonjë anëtar i vjetër i klubit të vendeve të zhvilluara perëndimore. Ne edhe pse kemi pasur një histori fatkeqe dhe ky është realiteti, kemi ruajtur këtë vokacion. Ne kemi paguar çmim shumë të shtrenjtë për ta zhvilluar atë. E tërë Rilindja jonë është dëshmi e këtij vokacioni. Naim Frashëri ishte bektashi, ka shkruar Qerbelanë dhe ka punuar në doganën e perandorisë turke, kur thoshte se për ne dielli lind nga perëndimi. Ndaj të rinjtë kanë shumë arsye, por, mbi të gjitha, kanë këtë arsye: Të rinjtë kanë një vizion dhe vizioni i tyre është europian, vizioni i tyre është perëndimor.

Në dhjetor kemi pasur 20 vetorin e Fakultetit të Punës Sociale dhe më vjen keq të them se edhe pas 20 vitesh shoqëria shqiptare nuk është ndërgjegjësuar për misionin e punës sociale dhe ku konsiston ajo. Edhe në kërkesat e punësimit kërkohet ose psikolog ose punonjës social, përveç ndërgjegjësimit që kanë bërë shoqata jo qeveritare. Çfarë po bën qeveria për promovimin e punës sociale, statusin e punonjësit social që do të hidhej në parlament dhe sigurimin e punës në treg?

Kryeministri Berisha: Kjo është e vërtetë. 20 vjet më parë psikologjia, sociologjia kanë qenë doktrina të ndaluara. Po kështu edhe punonjësit e punës sociale, të cilët në një lloj aspekti kanë të bëjnë me fibrën humane të shoqërisë dhe janë të pazëvendësueshëm. Ju u shprehët për psikologët, por jo, edhe ata nuk janë në një pozitë kaq të favorshme, edhe ata vuajnë një qëndrim jo kaq të hapur e vlerësues të shoqërisë e administratës ndaj tyre. Por unë besoj se me zhvillimin e dimensionit të vërtetë social të shoqërisë, roli i tyre do të vijë gjithnjë duke u rritur. A e kemi ne të zhvilluar në nivelin e duhur këtë dimension? Ne kemi një solidaritet familjar ndër më të lartit. Por kaq. Ne ende nuk e kemi të zhvilluar, sepse kjo do forma, diversifikim. Ne kemi një faturë sociale shumë të lartë në buxhet, por problemi është si degëzohet, si organizohet ai. Ndaj unë e shoh me shumë perspektivë rolin e pazëvendësueshëm të punonjësit social. Shoh një pozicion jo kaq të avancuar të administratës e shoqërisë ndaj këtij roli. Duhet të persistojmë, duhet të kemi programe. Në katërvjeçarin e ardhshëm do të bëjmë gjithçka për një pozicion më qendror, sikundër jo vetëm për punonjësin social, por edhe në fusha të tjera që në një mënyrë a në një tjetër nuk kanë qenë në vendin ku duhet të jenë.

Gjatë fjalimit përmendet disa herë rëndësinë që ka kërkimi shkencor për promovimin e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe përmendët faktin se buxheti i shtetit, si ai i Shqipërisë, nuk mund të financoj kërkimin shkencor avangardë, të niveleve europiane, ndërkohë që bizneset private e kanë dëshirën për të financuar. Lehtësuarat fiskale në këta rast, i keni menduar ose do të keni ndonjë propozim direkt? Së dyti, në Shqipëria ka shumë kërkues që kthehen nga perëndimi me dëshirën e mirë dhe prodhojnë punime shumë të mira shkencore, a ka ndonjë rrugë formale të lidhjes midis përfundimit të tyre dhe më pas implementimit nga politikbërësit në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Nxitja e kërkimit shkencor duhet të jetë absolutisht përparësia më madhore e botës akademike. Disa hapa janë ndërmarrë. Unë mund t’u them se para 5-6 vjetësh konstatova se projektet duhej të miratoheshin në ministri, që ishte një absurditete, se çfarë punë kishte ministria me projektin e një studiuesi. Pastaj zbritët në rektorat dhe fatmirësisht sot janë departamente. Liria akademike është kusht themelor për kërkimin shkencor. Ka disa probleme të tjera për t’u zgjidhur si ngarkesa e orëve të mësimit të pedagogëve. E kam përdorur disa herë si shembull. Kur isha pedagog në Fakultetit e Mjekësisë, lexoja e gjeta se në Fakultetin e Baltimorës kishte 468 studentë dhe 940 pedagogë. Ato ishin grupe kërkimore shkencore, udhëhiqnin shkencën në nivelet më të larta. Në këtë kontekst, ne nuk kemi ende treguesit që duhet të kemi të raportit pedagog-studentë. Duhet të ulim ngarkesën e pedagogëve dhe duhet t’u njohim atyre hapësira më të mëdha të paguara, të veprimtarisë kërkimore shkencore. Është shumë e drejtë dhe duhet ta praktikojmë sa më shpejt. Duhet të konsiderojmë shpenzime të njohura çdo financim për inovacion apo kërkim shkencor nga sektori privat. Kjo është e mundshme. Po kërkojmë nëpërmjet programeve të Brain Gain të sjellim në Shqipëri, përfundimisht apo provizorisht, ekselenca shqiptare. Ngushtuam për arsye cilësie programin e ekselencës, me të cilën paguhet bursa e plotë për të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora, të cilët fitojnë të drejtën e studimit në një nga 10 universitetet më të njohura të botës, ndërsa për shkencat teknike në 50 universitetet e para të botës. Disa përpjekje janë bërë, më shumë duhet bërë.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit lidhur me albanofobinë në Preshevë, me incidentet ndëretnike në Maqedoni apo deklaratat e një parlamentari grek dhe duke marrë parasysh festimet e mrekullueshme të 100 vjetorit, a mos ndoshta ka ardhur koha që për atë bashkim shpirtëror midis shqiptarëve kudo që ndodhen, mos duhet bërë një plan konkret, duke ditur që kemi një abetare, është bërë rruga e kombit, mos ndoshta kjo ëndërr e të gjithë shqiptarëve do të mbetet një ëndërr, apo do të jetë diçka konkrete drejt BE apo diçka që mund ta nisni dhe ju.

Lidhur me sloganin Ne jemi ndryshimi-përpara, unë si student dhe të gjithë studentët e gjejmë veten tek ky slogan se ne jemi ndryshimi, ne ecim përpara, por si mund të ecim përpara e si mund të ndryshojmë, kur çdo ditë, çdo mëngjes kemi përpara një mur bllokues?

Kryeministri Berisha: Ballkani, i vlerësuar më parë si fuqi baruti, nuk është më. Ishte Ballkani i urrejtjeve, racizmave, por duhet të jemi fare të hapur, me përqendrimin më të lartë kundër shqiptarëve. Ky është fakti. Me doktrina të elaboruara nga qarqe akademike që kanë projektuar eksterminimin e shqiptarëve. Në pranverën e vitit 1992, në vizitën time të parë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, biseda me Presidentin George Bush filloi me Kosovën. I them se projektet janë shumë ogurzeza - në atë periudhë bëheshin përpjekjet më të fuqishme për copëtimin e Kosovës. Synimi i tyre, them, është të copëtojnë Kosovën. Pjesa e rrafshit të Dukagjinit të mbetet ç’të dojë dhe ata të marrin pjesën më të madhe të saj, por të shfarosin së paku një milionë shqiptarë. Më pa. Problemi ishte nëse po më besonte apo jo në këto që po i thosha. Që të thoshe se kanë synim të spastrojnë një milionë, duhet të kishe fakte dhe argumente. Më tutje, kjo bëri që shqiptarët të reagojnë si komb i vetëm dhe nuk mund të ketë rrugë tjetër. Në vitin 1999, kur ndodhi ekzakt spastrimi i një milionë shqiptarëve nga trojet e tyre, bota pa se cilat ishin projektet e këtyre qarqeve ndaj shqiptarëve. General Wesley Clark, në kujtimet e tij thotë se Miloshevici i tha: E zgjidhnim ne me shqiptarët, por nuk na latë ju. Por si e zgjidhnit? – e pyet. I vrisnim – i thotë. Pra, ndaj shqiptarëve ka ekzistuar një urrejtje dhe një vendosmëri për shfarosjen e tyre masive. Mund ta kenë pasur edhe ndaj njëri-tjetrit, por për mua e dhimbshme është pjesa ndaj shqiptarëve. Çdo formë ekstreminimi është e papranueshme. Mirëpo, këto 20 vite, shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër luftuan për liri dhe fituan. Kosova e pavarur është kryevepra më e madhe shqiptare, nga lufta e Skënderbeut e deri më sot, sepse ishte gjëja më e vështirë dhe më e paimagjinueshme. Dalëngadalë, kjo do të sjellë një qëndrim të ri ndaj shqiptarëve në rajon. Por përsëri albanofobia ekziston. Vetëm dy muaj më parë, në një stadium prej 40 mijë vetësh do të brohoritej vdekje shqiptarëve dhe nuk po luante një skuadër e jona, që edhe po të luante një skuadër e jona, kjo nuk duhet të ndodhte. Qëndrimi ynë është një qëndrim që synon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Natyrisht, nuk mund të pranohet që shqiptarët të konsiderohen apo të trajtohen si “under dog” në Ballkan. Jo. Kudo që janë duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë para ligjit.

Ka një projekt europian. Projekt, në të cilin kombet e Europës kanë ndërtuar një të ardhme që kurrë nuk e kanë pasur kaq të mirë. Ne duhet ta ndjekim atë, por ne duhet të bëjmë gjithçka të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën. Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë vendi. Jo. Vendimet tona janë se nuk mund të pranohet dhe nuk do të pranohet që, meqenëse në fillim të shekullit të kaluar shqiptarët u copëtuan në pesë shtete, tani të transformohen në pesë varietete. Jo, jemi një komb. Dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të vendosur të ecim. Janë një univers masash, aktesh, procesesh që ne duhet të ndërmarrim që shqiptarët kudo që ndodhen ta ndiejnë vetën njerëz me dinjitet, të lirë, natyrisht, me identitetin e tyre kombëtar kulturor. A është e mundshme kjo? Plotësisht e mundshme. Ne do t’i shohim gjërat me optimizëm. Ne nuk kemi asnjë lloj revanshi. Ne nuk udhëhiqemi nga racizmi ndaj të tjerëve, përkundrazi, ne bëjmë përpjekje për një kapitull të ri me fqinjët tanë. Ne nuk kemi probleme identiteti. Ky komb mund të ketë shumë mangësi, por nuk ka asnjë problem në identitetin e tij. Ka një identitet që vjen nga shekuj dhe mijëvjeçarë, të pakonfonduar me asnjë varietet tjetër dhe kjo përbën një siguri të madhe në vetvete për shqiptarët, janë qenie të sigurta, nuk kanë komplekse. E rëndësishme është që ne të bëjmë përpjekje të mëdha për të qenë gjithnjë sa më të bashkuar me njëri-tjetrin, sa më të bashkuar me Europën. Kjo nuk ndryshon. Përpiqen të intimidojnë shqiptarë. Po të lexoni një studiues, i cili për dy “Wikiliksa mesjetare” i ndërron origjinën Skënderbeut dhe thotë se dëgjova se i tha konsulli, konsullit se Skënderbeu ka këtë origjinë dhe përpiqet t’ua nxjerrë shqiptarëve Skënderbeun me origjinë tjetër. Përpiqet të krahasojë nacionalizmat e verbra me nacionalizmin civil shqiptar. Në Ballkan ka pasur një nacionalizëm, kryekëput qytetar dhe ky ka qenë nacionalizmi i shqiptarëve, i cili nuk ka synuar kurrë as edhe një pëllëmbë territor të vendeve të tjera. Përkundrazi ka synuar të vendosë marrëdhëniet më qytetare, më të mira. Nuk ka të regjistruar masakra ndaj asnjë kombi. Ka luftëra për liri, për vetëmbrojtje. Përmendin serbët se janë vrarë kur zhvendoseshin në Shqipërinë e veriut. Janë vrarë sepse duke ikur digjnin çdo gjë dhe kjo është historia, por mirë është që këto t’i mbesin historisë dhe të shihet përpara.

Një gjë është e sigurt, që nacionalizmi shqiptar ka qenë i formësuar nga rilindësit tanë, ka qenë dhe është nacionalizëm qytetar, nacionalizmi që çliroi Kosovën, është nacionalizmi që luftoi kudo për liri dhe dinjitet të shqiptarëve. Në asnjë lloj rrethane nuk ka bërë programe as për shfarosje të kombeve të tjera dhe as për murosje të kombeve të tjera. Nuk mund të vihet në diskutim origjina e një figure botërore për thashethemin e një konsulli. Edhe sot, dy konsuj mund të ulen e gjysmën e gjërave t’i kenë të pasakta dhe bëhet fjalë sot në kohen e internetit, në kohën më të shpejtë dhe lëre më në atë kohë.

Në dy mandatet e kaluara qeverisë sfida e qeverisë suaj ishte infrastruktura rrugore, në këtë mandat të tretë ju keni ndonjë sfidë të re apo do t’u qëndroni atyre të mëparshmeve?

Kryeministri Berisha: Ky është mandati më ambicioz i të gjitha mandateve. Ambicia është Shqipëria vend i zhvilluar. Janë një univers treguesish. Shqipëria duhet të shndërrohet në superfuqi të energjisë ujore në rajon dhe në katër vitet e ardhshme do të shndërrohet. Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi të “Hi Tech” në rajon. Unë e kuptoj që kjo dëgjohet me skepticizëm, por unë i besoj kësaj, sepse unë besoj shumë në potencialet e të rinjve shqiptarë. Kam qenë në një vend, i cili kishte nivelin më të lartë në botë të përdorimit të internetit në atë kohë dhe në shpjegimin që po më bënin, ishin pensionistët ata që kishin qenë një faktor shumë i rëndësishëm i lartësimit të përdorimit për arsye utilitare dhe unë i thashë mikut tim se në Shqipëri janë të rinjtë. Në atë kohë ishim shumë ulët, sot jemi lart në përdorimin e internetit dhe jam i bindur se në katër vitet që do të vijnë, Shqipëria do të kapë nivelet më të larta në botë në këtë fushë.

Shqipëria me paketën e re të reformave do të ketë një nga tregjet më të shkëlqyera të punës në Europë, me tipare të qarta aziatike, në kuptimin e mirë. Çfarë tregoi kjo krizë? Kjo krizë tregoi se ngurtësimi i disa normave në tregun e punës është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe në qoftë se gjermanët e përballojnë me kaq vendosmëri, një nga shkaqet më themelore është reforma e tregut të punës. Dy komponentë: trajnim i vazhdueshëm dhe “mini job”, e cila do të thotë punë pak e paguar, por punë. Me këto dy komponentë, ata i dhanë një fizibilitet shumë të madh tregut të punës. Ne e kemi studiuar dhe po e studiojmë dhe do të bëjmë gjithçka për tregun e punës më fleksibël. Në fund të fundit, kjo krizë është krizë e globalizmit, është krizë e atyre vendeve që kanë vendosur ekonominë e tyre në një shkallë të lartë kompetiviteti dhe këto janë vendet aziatike, për shkak të kostos dhe një seri faktorësh të tjerë dhe një grup tjetër vendesh, të cilat në mënyrë të pandierë bënë që të deindustrializohen, bënë që dhjetëra mijëra sipërmarrje të tyre të shkojnë drejt Azisë, vetëm e vetëm për shkak të tregut të punës dhe disa gjërave te tjera. Pra, Shqipëria ka avantazhin të studiojë me vëmendje këtë krizë dhe unë ju them se një nga arritjet më madhore dhe ju garantoj se të gjitha arritjet e tjera do të ishin tërësisht të pamundura, në qoftë se taksa e sheshtë dhe reformat e tjera ekonomike nuk do të mbronin ekonomin shqiptare nga kriza e euros dhe kriza europiane.

Unë ju falënderoj shumë për pyetjet, për vëmendjen dhe për pritjen e përzemërt. Kam edhe një kënaqësi që nis një seri të terë konsultash, bisedimesh, mendimesh, sepse siç e thashë sot fillon periudha, në të cilën ju jeni kryeministrat e mi. Faleminderit

KOMENTE