English

Parid Cara vlerë e madhe, për skuadrën kombëtare të Rilindjes

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i uroi sot publikisht mirëseardhjen një tjetër anëtari të skuadrës kombëtare të Rilindjes, Parid Carës. Kryesocialisti në fjalën e tij theksoi se Cara do të jetë pjesë e ekipit fitues të Tiranës në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

“Jam i bindur se Parid Cara do të jetë një vlerë e madhe e shtuar për skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes dhe ne do të fitojmë në 23 qershor në gjithë zonën zgjedhore të Kavajës edhe më thellë se ç’ fituam në Bashkinë e Kavajës në 8 maj”, ka nënvizuar kreu i PS. Ndërsa nga ana e tij, Parid Cara u shpreh se ndryshimi në Kavajë filloi në vitin 2011 dhe sot pas 22 vjet harresë Kavaja nuk është më bastion i asnjë partie politike, por bastion i qytetarëve.

Në fjalën e tij kryetari socialist Rama ka theksuar: "E kam njohur Paridin si një sipërmarrës të suksesshëm në emigracion, në Italinë fqinje. Tashmë prind i dy fëmijëve të mrekullueshëm. Bashkë me vëllezërit e nisën nga zeroja dhe arritën të ngjisnin shkallët e sipërmarrjes, duke e filluar me një kompani me 20 punonjës për rikonstruksione fabrikash për të arritur sot në një kompani me 120 punonjës që ndërton centrale të energjisë së rinovueshme në vendin fqinjë.
90% e të punësuarve në kompaninë e vëllezërve Cara, janë emigrantë nga rrethi i Kavajës dhe në takimet me ta kam dëgjuar se si Paridi bashkë me vëllezërit u qëndrojnë pranë për t’ua bërë sa më dinjitoze jetën e tyre. U japin mbështetje për shkollimin e fëmijëve apo ju bëjnë garancitë për t’u mundësuar kreditë bankare që të gjithë të sistemohen në shtëpi. Por nga ana tjetër Paridi s’e ka shkëputur asnjëherë vështrimin nga vendlindja. Ku ka qenë jo vetëm vizitor i përmuajshëm në gjithë këto vite, po edhe një qytetar protagonist në ndryshimin e madh të 8 majit 2011. Si shumë të tjerë, djem dhe vajza, emigrant apo që jetojnë aty në Kavajë, ai e mbështeti aktivisht Elvis Roshin drejt asaj fitoreje që i dha Kavajës frymëmarrje, shpresë, besim tek e ardhmja.
Ftesës sime për të qenë jo vetëm mbështetës po edhe protagonist, duke u përfshirë në skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes, Paridi i’u përgjigj pas një kohe reflektimi. Shtysa vendimtare për të thënë po ishte nevoja e çdo emigranti për të pasur për veten, familjen, fëmijët, një atdhe të rilindur këtu në Shqipëri, një shtet dinjitoz që i përfaqëson dhe i mbron me dinjitet dhe emigrantët shqiptarë kudo ku janë, një Shqipëri normale ku kush dëshiron të kthehet për të jetuar dhe punuar ta ketë mundësinë e tij njësoj siç e ka aty ku ka sot ka punën por nuk ka atdheun.

Jam i bindur se Parid Cara do të jetë një vlerë e madhe e shtuar për skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes dhe ne do të fitojmë në 23 qershor në gjithë zonën zgjedhore të Kavajës edhe më thellë se ç’fituam në Bashkinë e Kavajës në 8 maj".

Ndërsa Parid Cara në përshëndetjen e tij shprehet:

Përshëndetje, emocioni është shumë i madh ndaj do flas shkurt. Dua ta nis me falënderimin për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste që më bënë të mundur që të jem pjesë e programit të tyre për një Rilindje Shqiptare. Ndihem shumë krenar dhe jam shumë i emocionuar që po më jepet mundësia të kandidoj në qarkun e Tiranës, në rrethin e Kavajës, pra në qytetin tim. Ndryshimi në Kavajë filloi në vitin 2011 dhe sot pas 22 vjet harresë Kavaja nuk është më bastion i asnjë partie politike. Sot Kavaja është bastion i qytetarëve të Kavajës. Unë mendoj se ne kemi dëshirën, vullnetin, energjitë e duhura për ta drejtuar Shqipërinë drejt një rilindje, fal programit të Partisë Socialiste dhe falë një ekipi me Edi Ramën në krye. Besoj se ne do të bëjmë të mundur më shumë vende pune, një shërbim shëndetësor të nevojshëm dhe jo shërbim xhepash dhe një arsim cilësor që do të bëjë të mundur punësimin e të rejave të rinjve.

KOMENTE