English

Aktet noteriale tashmë regjistrim online

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Regjistrit Elektronik Noterial Shqiptar, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 35 milionë lekë. Ceremonia u zhvillua në mjediset e ministrisë së Drejtësisë.
Ky sistem bën të mundur regjistrimin e veprimeve dhe akteve noteriale, në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, në një sistem qendror dhe kombëtar, do të jetë online 24 orë ku në çdo moment të kohës mund të kryen veprime dhe të shikohen të dhëna. Përdoruesit e regjistrit janë Noterët, Dhoma e Noterisë, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjerë, si inspektorate apo investiguese, institucionet tatimore, etj.

Në sistem do të regjistrohen në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt i gjithë informacioni që ka të bëjë me veprimet dhe aktet noteriale që kryhen në Republikën e Shqipërisë. Sistemi është në formën e arkivës dixhitale ku secili aktor pjesëmarrës do të ketë të drejta dhe nivelin e sigurisë përkatëse. Kjo arkivë dixhitale është e sigurisë së lartë, ku secili aktor ka nivelin e tij të sigurisë dhe nuk mund të shikojë më shumë informacion se çfarë i është caktuar. Regjistri përdor arkitekturë dhe një sistem sigurie për monitorimin dhe gjurmimin e çdo veprimi i pavarur nga administratorët e sistemit në kohë reale për të bërë të mundur që informacioni të jetë i monitorueshëm dhe i sigurt.

Regjistrit Elektronik Noterial Shqiptar është i instaluar në serverë të sigurt, me të drejta të ndara dhe të mirë përcaktuara, si dhe mbrohet me certifikatë sigurie me mundësinë për nënshkrimin elektronik në të ardhmen. RNSH është i lidhur me sistemin One Stop Shop të noterëve për të parë certifikatën e pronësisë, si dhe ofron mundësinë që të lidhet me sisteme të tjerë kombëtare si: Sistemet e Taksa-Tatime; Sistemet e Bashkive; Sistemet e Regjistrit i gjendjes Civile; Sistemet e Përmbarim; Sistemet e Drejtorive dhe Trasportit .

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një hap shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, i cili ndikon në rritjen e mëtejshme të transparencës. “Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në rast se shoqërohesh nga transparenca, në çdo hap ke një siguri shumë më të madhe, por edhe konsolidon një etikë të re pune, një kod të ri pune”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh qeveria shqiptare do të bëj gjithçka që katër vjeçari i ardhshëm të jetë “mobile Albania”- Shqipëria e celularit. “Kompania ka bërë një program të shkëlqyer të një regjistri shumë të rëndësishëm. E ka bërë atë të pajtueshëm në regjistrat e tjetër, me institucionet e tjera dhe në këtë mënyrë ne ecim të sigurt duke e pasur të afërt ditën kur qytetari shqiptar, jo nga kompjuteri, por nga telefoni i tij celular do të mund të marrë të gjitha shërbimet dhe të realizojë të gjitha transaksionet. Ne ecim në këtë rrugë të vendosur t’i krijojmë qytetarit lehtësitë më maksimale”, tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se “do të bëjmë gjithçka që teknologjitë e reja 4G dhe të gjitha të tjerat të jenë disponibël për qytetarët shqiptarë”.

KOMENTE