English

50 mijë qytetarë do të kenë së shpejti hipotekat e apartamenteve

Premtimi i kreut të Bashkisë Lulzim Basha, që qytetarët e Tiranës nuk do të mbeten peng i askujt, po shndërrohet çdo ditë në realitet. Këtij premtimi i shërben dhe akti normativ i miratuar nga qeveria shqiptare më 6 shkurt dhe që i hap rrugë procesit të hipotekimit të apartamenteve për rreth 50 mijë qytetarë të Tiranës. Këta qytetarë kishin mbetur prej vitesh peng i shkeljes së lejeve të ndërtimit nga subjektet ndërtuese. Ndonëse kanë paguar kursimet e jetës për të pasur një shtëpi, ata as sot nuk kishin hipotekën e pronës së tyre. Kryebashkiaku Basha i ka propozuar Këshillit Bashkiak që mblidhet me 28 shkurt, miratimin e listës prej 260 objektesh që do të pajisen me leje përdorimi. Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku tha se kjo listë është një hap më tej drejt hipotekimit të objekteve të mbetura peng prej vitesh në Tiranë.

“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës do i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi, sipas aktit normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 6 shkurt. Miratimi i kësaj liste nga Këshilli Bashkiak i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930 000 m2 dhe rreth 11 000 apartamente. Miratimi i kësaj liste me rreth 11 mijë apartamente i shtohet 5893 apartamenteve, që Bashkia e Tiranës ka dërguar për hipotekim gjatë vitit të shkuar, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Ashtu siç ka premtuar Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia po vazhdon me intensitet plotësimin e detyrimeve të saj, për hipotekimin e objekteve të cilat po mbahen peng prej vitesh.

Në muajin janar i janë dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive edhe 12 objekte, me 520 apartamente banimi. Dua dhe një herë t’u bëj thirrje 13 subjekteve në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, të plotësojnë detyrimet e tyre përballë qytetarëve të Tiranës, në mënyrë që t’i hapin rrugë hipotekimit të apartamenteve të tyre” – u shpreh znj. Tabaku.

Administrata e re e Bashkisë së Tiranës ka dëshmuar gjatë 18 muajve me vepra dhe jo me fjalë, se Bashkia mund të bëjë shumëçka kur ka vullnet në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku Lulzim Basha propozon sërish ulje taksash për biznesin e vogël.

“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës i propozon Këshillit Bashkiak uljen në masën 30% të taksës së biznesit të vogël, për 523 subjekte të biznesit të vogël që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e punimeve të artizanatit në qytetin e Tiranës. Këtu përfshihen biznese në fushën e punimit të drurit, argjendarisë, artizanatit, punimeve të hekurit, rrobaqepësisë, qëndistarisë etj.

Ky vendim pason uljen dhe reduktimin e 60 taksave dhe tarifave vendore, uljen me 30% të taksave për luleshitësit dhe librashitësit, heqjen për një vit të taksave, për 30 tregtarë të Tregut Ushqimor në Kombinat, që u dogj pak më shumë se një vit më parë, heqjen e taksave vendore për një periudhë kohore 5 vjeçare, për të gjithë ndërmarrjet që punësojnë rishtazi mbi 50 punonjës, në zyrat e regjistrimit të Bashkisë së Tiranës.

Administrata e re e Bashkisë ka dëshmuar në këto 18 muaj se ka në dorë të ulë taksat dhe mund të bëjë shumëçka, kur ka vullnet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës” - theksoi zv/Kryetarja Tabaku.

Një tjetër projekt-vendim i rëndësishëm që i propozohet për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës është dhe lista e inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Kjo listë, rezultat i një pune 18 mujore përmban 6999 prona të paluajtshme të regjistruara për herë të parë, ndërkohë që nga viti 2002 e deri më sot, Bashkia e Tiranës ka të regjistruara në inventarin e saj vetëm 6725. Lista që pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak e më pas në Këshillin e Ministrave e çon në 13 724 numrin total të pronave në inventarin e Bashkisë së Tiranës.

Më poshtë, deklarata për media e zv/Kryetares së Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku:

Dje, Kryetari i Bashkisë i ka dërguar anëtarëve të Këshillit Bashkiak plot 18 vendime, për tu diskutuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet me datë 28 shkurt 2013. Tre prej këtyre vendimeve, jam këtu për t’ua komunikuar qytetarëve të Tiranës.

Vendosmëria e Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunimi i saj i ngushtë me qeverinë qendrore do t’u mundësojë së shpejti rreth 50 mijë qytetarëve të Tiranës, pajisjen me hipotekë të apartamenteve dhe njësive të tyre tregtare.

Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës do i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi, sipas aktit normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 6 shkurt. Miratimi i kësaj liste nga Këshilli Bashkiak i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930 000 m2 dhe rreth 11 000 apartamente.

Me leje përdorimi do të pajisen objektet që kanë përfunduar ndërtimin deri më datë 23.04.2009, kohë në të cilën ka hyrë në fuqi dhe ligji i ri “Për planifikimin e territorit” dhe kanë shkelur kushtet e lejeve të ndërtimit.

Përfitues nga akti normativ i qeverisë janë vetëm ato objekte, për të cilat janë konstatuar shkeljet nga Zyra e Urbanistikës në periudhën pas vitit 2006, pasi kishte përfunduar afati për vetëdeklarim për legalizim. Subjektet që kanë aplikuar pranë ALUIZNI-it dhe janë në proces trajtimi nga ana e tyre, përjashtohen nga përfitimi që parashikon akti normativ.

Bashkia do të vijojë ushtrimin e akt kontrolleve për konstatimin e shkeljeve, edhe në rastet e objekteve të tjera nën 3 kat, të cilat do t’i paraqiten Këshillit Bashkiak për miratim në një fazë të dytë, natyrisht brenda afatit ligjor të përcaktuar nga ky akt normativ.

Miratimi i kësaj liste me rreth 11 mijë apartamente i shtohet 5893 apartamenteve, që Bashkia e Tiranës ka dërguar për hipotekim gjatë vitit të shkuar, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive.

Ashtu siç ka premtuar Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia po vazhdon me intensitet plotësimin e detyrimeve të saj, për hipotekimin e objekteve të cilat po mbahen peng prej vitesh.

Në muajin janar i janë dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive edhe 12 objekte, me 520 apartamente banimi. Dua dhe një herë t’u bëj thirrje 13 subjekteve në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, të plotësojnë detyrimet e tyre përballë qytetarëve të Tiranës, në mënyrë që t’i hapin rrugë hipotekimit të apartamenteve të tyre.

Edhe në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës propozon një tjetër projekt-vendim, për lehtësira fiskale ndaj biznesit të vogël të kryeqytetit, duke dëshmuar me vepra dhe jo me fjalë angazhimin e saj për të ulur taksat dhe nxitur hapjen e vendeve të reja të punës.

Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës i propozon Këshillit Bashkiak uljen në masën 30% të taksës së biznesit të vogël, për 523 subjekte të biznesit të vogël që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e punimeve të artizanatit në qytetin e Tiranës. Këtu përfshihen biznese në fushën e punimit të drurit, argjendarisë, artizanatit, punimeve të hekurit, rrobaqepësisë, qëndistarisë etj.

Ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 Janar 2013.

Në 18 muaj, Bashkia e Tiranës ka krijuar një klimë pozitive për biznesin e vogël, duke hequr dhe reduktuar në maksimumin e lejuar ligjor taksat dhe tarifat vendore të cilat kanë sjellë shtimin e mijëra vendeve të reja të punës.

Ju kujtoj se pas heqjes dhe reduktimit menjëherë pas marrjes së drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga administrata e re të 60 taksave dhe tarifave vendore, në fund të muajit dhjetor u ulën me 30% taksat për luleshitësit dhe librashitësit, u hoqën për një vit taksat për 30 tregtarë të Tregut Ushqimor në Kombinat, që u dogj pak më shumë se një vit më parë dhe në këtë mbledhje ne propozojmë uljen me 30% të taksës për artizanatin.

Për të nxitur hapjen e vendeve të reja të punës, Këshilli Bashkiak, me propozim të Bashkisë së Tiranës vendosi heqjen e taksave vendore, për një periudhë kohore 5 vjeçare, për të gjithë ndërmarrjet që punësojnë rishtazi mbi 50 punonjës, në zyrat e regjistrimit të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që do të vazhdojmë të mbështesim sektorë të tjerë që mendojmë se kanë nevojë për stimulim.

Ne e konsiderojmë këtë zhvillim të ri në qytetin e Tiranës, si një nga më të rëndësishmit, duke mos gjykuar për efektet financiare momentare por duke pasur një dhe vetëm një synim, stimulimin e prodhimit vendas dhe nxitjen e punësimit.

Administrata e re e Bashkisë ka dëshmuar në këto 18 muaj se ka në dorë të ulë taksat dhe mund të bëjë shumëçka, kur ka vullnet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Një tjetër projekt-vendim i rëndësishëm që i propozohet për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës është dhe lista e inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Kjo listë, rezultat i një pune 18 mujore përmban 6999 prona të paluajtshme të regjistruara për herë të parë, ndërkohë që nga viti 2002 e deri më sot, Bashkia e Tiranës ka të regjistruara në inventarin e saj vetëm 6725. Lista që pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak e më pas në Këshillin e Ministrave e çon në 13 724 numrin total të pronave në inventarin e Bashkisë së Tiranës.

Gjejmë rastin t’u kërkojmë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të votojnë këto vendime të rëndësishme për qytetarët e Tiranës.

KOMENTE