English

Berisha i drejtohet studenteve: Shqiperia ka të gjitha potencialet për t’u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim miqësor e të frytshëm me gjimnazistë e maturantë të shkollave të mesme publike e jopublike të Tiranës, në vijim të serisë së konsultimeve me qytetarë për të dëgjuar mendimin, opinionin, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”.

Ne bashkebisedimin e tij ai ka theksuar

“E kam pritur me shumë interes, me shumë kënaqësi, këtë takim me ju, në kuadër të bisedave që kam vendosur të zhvilloj me qytetarët shqiptarë, në mbarë vendin, me qëllimin më kryesor të dëgjoj mendimet, propozimet, sugjerimet, opinionet, kritikat e tyre, për programin e 4 viteve që vijnë, program i cili natyrisht ka të gjithë dijet, mendjen e ekspertëve më të mirë të fushave. Por jam i bindur se mendimi juaj për fushat më me interes, por edhe, në tërësi, mendimi i qytetarëve është i një rëndësie të pa zëvendësueshme, në mënyrë që programi i katër vitet që vijnë të jetë projekti i Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i Shqipërisë evropiane.

Ju sot jeni qytetarë të një vendi i cili ende nuk është vend i zhvilluar, por i cili ka në mënyrë absolute të gjitha potencialet për t’u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara. Unë mund t’ju them se në disa tregues themelorë, që janë të lidhur me individin, me njeriun, Shqipëria renditet sot në grupin e vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi të njëjtë me vendet e zhvilluara ndjekjen e shkollave të mesme, nga nxënësit që mbarojnë klasën e 9-të dhe kjo është një arritje e madhe. Sot ne kemi edhe më të lartë se jo pak vende të zhvilluara ndjekjen e universiteteve nga maturantët që mbarojnë shkollat e mesme. Sot ne kemi nivelin e disa vendeve të zhvilluara dhe lëmë pas disa prej tyre, për numrin e banesave për 1 mijë banorë. Ju hidhni sytë e shihni ngado banesa të reja. E vërteta është se qytetarët, të cilët në vitin 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se të gjithë kombet e tjera të Evropës, sot kanë banesa për 1 mijë banorë, më shumë se sa kanë 5 kombe anëtare të BE-së. Sot ne kemi vdekshmërinë foshnjore në nivelin e disa vendeve të zhvilluara, një tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe domethënës për të gjithë nivelin social, ekonomik të shoqërisë, të cilin e kemi pasur shumë problem. Ne kemi pasur shifra afrikane (të dikurshme) të kësaj vdekshmërie, pra, shifra shumë të larta. Ne sot e kemi këtë shifër 8 për mijë dhe është në nivelin e disa vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi jetëgjatësinë mesatare të nivelit të disa vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi vdekshmërinë e përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish- komuniste, disa prej të cilave renditen në vendet e zhvilluara.

Pra, ne kemi një sërë treguesish të cilët i kemi kapur, por kemi edhe shumë të tjerë që duhet të luftojmë për t’i kapur. Ne e kemi filluar këtë rrugë me të ardhura që askush nuk mund t’i imagjinojë, me 204 dollarë për frymë në vit. Sot jemi me 9 mijë si mesatare. Kemi akoma rrugë për të bërë, sepse duhet të kapim të paktën shifrën 16 mijë dollarë, për të kapur disa nga vendet e zhvilluara.

Pra, i gjithë synimi ynë është që katër vitet që vijnë, duke shfrytëzuar potencialet njerëzore të vendit, së pari mendjet tuaja, të të rinjve dhe të shqiptarëve në tërësi, rezervat e mëdha natyrore që ka Shqipëria, potencialet e jashtëzakonshme të saj turistike, të cilat ka njohur rritje shumë të madhe, - nga 300 mijë turistë në vit, ka ardhur në 4.7 milionë turistë në vit, në një hark kohor shumë të shkurtër, - pra, duke shfrytëzuar potencialet e mëdha nëntokësore e mbitokësore, ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të ICT-së në rajon. Në këtë moment, ne llogarisim, para së gjithash e mbi të gjitha, mendjen tuaj, aftësitë tuaja. Nuk ka asgjë më të lidhur njëra me tjetrën sesa zhvillimi i high tech-ut me të rinjtë, për Shqipërinë. Por kështu ndodh edhe në botë.

Në fillim të vitit 2006, Shqipëria kishte një përdorim të telefonave celular, gjithsej 48 për qind. Në fillim të vitit 2006, përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 për qind,. Ndërsa importi i internetit ishte gjithsej 34 mega bite. Por ku jemi sot ne në këtë fushë, në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale? Sot telefonia celulare ka një penetrim 186 për qind. Shqiptarët kanë nga përdorimet më të larta në Evropë dhe në botë të telefonave celular. Cimet e tyre janë ulur 3 deri në 5 herë, pa llogaritur këtu paketat e ofertave, të parapagimit dhe të kontratave. Nga 17 lloje tarifash që kanë ekzistuar, sot janë 134 lloje. Po të shtojmë këtu edhe të preferuarat tuaja si what’s up, skipe, etj, biem dakord që, në tërësi, problemi i komunikimit është zgjidhur pa dhimbje koke dhe ju komunikoni qindra e mijëra herë më shumë se sa komunikonim ne, jo në moshën tuaja, por edhe pasi kishim përfunduar universitetin, ose deri para 20-25 viteve. Por paralel me këtë, është bërë një punë shumë e madhe me internetin, nga 34 mega bite në sekondë, sot, në këtë moment importohen 44 giga bite në sekondë dhe sot ekzistojnë kapacitetet e autostradës që inauguruam para dy muajsh, për 130 giga bite. Ju, me të drejtë, prisni që të ulen akoma çmimet dhe unë ju jap fjalën se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të ulen çmimet e internetit në maksimumin e mundshëm. Përveç faktit që po furnizohen me internet falas, qysh dje kur u inaugurua projekti përkatës, 1250 zyra në mbarë vendin, ne do të shkojmë duke i shtuar ato, në mënyrë që çdo i ri, çdo qytetar, të mund të lundrojë në internet. Por hap akoma më i madh do të jetë ai kur ne të lidhim me telefonin tuaj, me telefonin e qytetarit, të gjitha shërbimet e këtij shteti, të gjitha të dhënat e tij. Kjo do të fillojë shumë shpejt. Javën që vjen ju do të shihni që do ne procedojmë me mobile tax, me taksën e telefonit dhe biznesmenët do të mund të paguajnë taksën dhe të kontrollojnë taksën e tyre nëpërmjet kësaj mënyre. Gjatë muajve që vijnë, ne do të bëjmë të mundur që çdo transaksion i parave të bëhet me celular. Atë që ne e quajmë “One Stop Shop” për shërbime, do ta kemi tashmë jo vetëm në kompjuter, por edhe në celular.

Pra, ”Shqipëria mobile” është projekti i katër viteve që vijnë,. Ne jemi të bindur se kjo do të jetë një lehtësi për ju në të gjitha aspektet.

Ne ecim me vendosmëri, investojmë dhe do të bëjmë gjithçka për shkollën dhe arsimin. Për ne, përparësia më madhore, është dhe mbetet shkolla dhe edukimi. Së pari, dëgjojmë tek thonë se u bë masive hyrja në universitete dhe ka shumë studentë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. E frikshme është nëse ne, me masa burokratike, marrim përsipër të ndrydhim, të shkatërrojmë ëndrrën universitare të të rinjve. Secili nga ju sot ka një ëndërr; të marrë maturën dhe ëndrra tjetër më e madhe është të marrë diplomën universitare, të bëhet universitar, të hyjë në shtëpinë intelektuale të kombit të vet, të shoqërisë së vet. Kjo është një ëndërr fisnike. Kjo ëndërr nuk duhet, në konceptin tim, të rrënohet nga burokracia, secili duhet të ketë mundësinë të provohet nëse i del dot zot projektit të tij të ëndrrës universitare.

Së dyti, trashëgimia jonë është shumë e hidhur në këtë drejtim. Kombet e zhvilluara kanë midis 19 dhe 32 për qind të popullatës me universitet. Shqipëria, para 4 vitesh, ka pasur vetëm 3.4 për qind të popullatës me universitet. Kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë përpjekje më të jashtëzakonshme për të kapur kombe të tjera, në mënyrë që të vendosim Shqipërinë në shinat e dijes. Ju, djem e vajza të shkolluar, mund të jepni shumë më tepër për veten dhe vendin tuaj, nëse u krijohet mundësia të studioni, të specializoheni, të profilizoheni në degët që ju doni. Vetëm një Shqipëri e dijes, vetëm ajo Shqipëri që vendoset në shinat e dijes, do të jetë një Shqipëri vërtetë e zhvilluara.

Ne po lëvizim dhe po ecim me shpejtësi në drejtim të arsimit. Por, a ka probleme cilësie gjatë këtij procesi ? Ka dhe janë jo të pakta. Ndaj, ne do të vazhdojmë përpjekjet që, nëpërmjet reformave, ta bëjmë arsimin sa më të zhdërvjellët dhe të ecim me shpejtësi drejt cilësisë. Këtu, një rëndësi shumë të madhe ka reforma e kurrikulave tuaja. Nuk është ngarkesa apo mbingarkesa që ju bën juve më të dijshëm. Ajo që ju bën juve më të dijshëm është thelbi, janë gjerat thelbësore për ju. Ne duhet të synojmë që shkolla t’u japë nxënësve njohuritë më thelbësore, në mënyrën më të kthjellët, më të qartë dhe të kuptueshme. Duhet të synojmë që shkolla 9 vjeçare, shkolla e mesme, të ketë dy shtylla. Ndërsa të tjerat duhet të jenë satelite të këtyre dy shtyllave. Këto 2 shtylla do të jenë gjuha dhe matematika. Në qoftë se ne do të arrijmë ta organizojmë shkollën në këtë mënyrë, do të arrijmë të rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e saj.

Ju jeni një gjeneratë fatlume. Në fakt ju jeni gjenerata e facebook-ut, e internetit. Unë e di që prindërit tuaj e kanë jo pak preokupim kohën që ju harxhoni në internet e FB. Por unë jam me ju, sepse FB është një mrekulli komunikimi. Eshtë e faktuar nga studimet serioze psikologjikë se lidhja njëri- me tjetrin me këtë mënyrë komunikimi është një faktor shumë pozitiv dhe ndihmon në pasurimin kulturor, në zhvillimin, është pozitive në konfortin e jetës, etj. Lidhja e zakonshme është e llogaritur në një rreth të ngushtë, ndërsa FB është me qindra e mijëra miq, me të cilët ndan shumë gjëra. Por para së gjithash, ndan dijet. Me komentet, opinionet, çdo njeri pasurohet. Krahas kësaj, interneti, koha që ju harxhoni në internet, është kohë në të cilën ju qëmtoni të vërteta, përpiqeni të gjeni të vërteta. Dua t’ju them diçka shumë private, po shikoja një ditë historikun në FB të njërës prej mbesave të mia. Aty unë pashë që ajo kishte mbledhur literaturë për origjinën shqiptare të Napoleon Bonopartit. Është a nuk është shqiptar kjo është histori tjetër dhe le t’ua lëmë historianëve, por për hir të së vërtetës, disa nga burimet e mbledhura aty ishin jashtëzakonisht serioze. Imagjinoni ju se çfarë avantazhi është kjo për ju. Një ditë unë vizitova një gjimnaz dhe mësuesja, duke e ditur që unë jam kardiolog, kishte përgatitur si mësim në atë orë funksionin e zemrës. Kur unë pashë në tabelën dixhitale zemrën, mu kujtua koha ime student, që mund të më duheshin edhe 5-6 muaj punë me tablotë, që të arrija të kuptoja atë që nxënësi i sotëm kuptonte për një çerek ore, me të gjithë rrugën, krijimin, formimin e impulseve, kalimin e gjakut, etj. Pra, ju sot jeni në një rrafsh dijesh shumë më të lartë sesa paraardhësit tuaj dhe, në një kohë shumë më të shkurtër, ju akumuloni dije shumë më tepër sesa akumulonin paraardhësit tuaj.

Ndaj unë, edhe njëherë, dua të dëgjoj me shumë vëmendje problemet dhe sugjerimet tuaja të gjithanshme, pasi projekti i Shqipërisë së zhvilluar ka si shtyllë kryesore ambiciet, ëndrrat e të rinjve shqiptare dhe është kusht kryesor që ai projekt të bëhet realitet.

KOMENTE