English

Rama: Ja si do e rilindim Shqipërinë



Fjala e Kryetarit Rama në Konferencën Kombëtare të Programit të PS

Pas prezantimit të Falmës unë do doja të mos kisha dalë këtu sepse është shumë e vështirë të jesh në lartësinë e atyre fjalëve. Me shumë mirënjohje e falenderoj Falmën e cila është një aktiviste e partisë sonë dhe ende më shumë se kaq një qytetare që nuk rresht së bëri përpjekjen e vet për një Shqipëri më të mirë pavarësisht se jeton larg. Unë shpresoj që ne të gjithë së bashku t’ia dalim që shumëkush, ndër zërat që vijnë nga larg, nesër të mund të afrohen. Që shumëkush që sot me zemër është këtu dhe me mendje është këtu, por me trup është larg, nesër të ketë mundësi që të vijë dhe ta jetojë Shqipërinë jo vetëm me zemër e mendje, por edhe me trup.

Jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që gjatë këtyre dy ditëve bënë më të mirën për të shtjelluar për publikun themelet e programit tonë. Themelet, sepse programi është një ngrehinë shumë e detajuar dhe e pamundur për t’u shfaqur në harkun e vetëm dy ditëve. Ashtu sikundër e pamundur për t’u shfaqur duke zënë hapësira mediatike pasi do të donte shumë kohë. U jam shumë mirënjohës dhe i falënderoj nga zemra një nga një të gjithë ata që morën fjalën këtu në këtë foltore, drejtues të grupeve të programit, personalitete të spikatura të fuqisë sonë të ndryshimit apo ende më shumë mirënjohës për ata njerëz të zakonshëm të këtij vendi që erdhën dhe e morën fjalën jo thjesht për vete, po në emër të qindra mijëra të tjerëve që janë pa zë dhe për të cilët askush, përveç nesh Partisë Socialiste të Shqipërisë, nuk e ka një vesh për të dëgjuar.

Dje unë e fillova këtë bashkëbisedim të gjatë mes nesh dhe publikut me një pyetje. Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë? Në një Shqipëri të vërtetë apo në një Shqipëri të gënjeshtërt? Sot ne jemi si popull të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt. Ne duam që ta zhbëjmë këtë imponim. T’u japim mundësinë të gjithë shqiptarëve të jetojnë në një Shqipëri të vërtetë. Në një Shqipëri që di të thotë të vërtetën. Në një Shqipëri që dijë ta dëgjojë të vërtetën. Në një Shqipëri që di të jetojë me të vërtetën.
Duam të jetojmë në një Shqipëri të lirë apo në një Shqipëri të trembur? Sot ne jetojmë në një Shqipëri të trembur. Ne duam që me votën e 23 qershorit çdo shqiptar i majtë apo i djathë, socialist apo demokrat, nga veriu apo nga jugu, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë të jetojë në një Shqipëri të lirë dhe me një Shqipëri të lirë. Pa iu frikur mendimeve të veta, pa iu frikur fjalëve të veta, pa iu frikur veprimeve të veta, kur të gjitha këto janë thjesht dhe vetëm shprehje e lirisë së tij. Duke iu frikur vetëm një gjëje që do të garantojë bashkëjetesën tonë: Ligjit!

Po si duam ne të jetë vendi ynë pas 4 vjetësh, pas 8 vjetësh, pas 10 vjetësh, pas 20 vjetësh? Një vend me një program për të ardhmen apo një vend që programon të njëjtin avaz? Ne sot kemi një vend për të cilin programohet i njëjti avaz. Ja çfarë duam të ndryshojmë ne, socialistët dhe progresistët; nga një vend ku programohet i njëjti avaz, imponohet i njëjti avaz dhe luhet i njëjti avaz, të kemi një vend ku së bashku ne programojmë të ardhmen. Nuk dua të shkoj në çdo temë. Temat u shtjelluan mjaftueshmërisht për këtë fazë, thuajse përfundimtare të programit tonë. Them, thuajse sepse duam të dëgjojmë akoma, duam t’i marrim të gjitha pyetjet që u kanë lindur njerëzve që na kanë ndjekur nga ky shtjellim. Duam të shohim nëse ka ende ide të reja. Duam të ulemi përsëri me të gjitha grupet e programit dhe të bëjmë sistemimet e fundit përpara se t’u ofrojmë shqiptarëve jo një listë premtimesh, as një menu dëshirash për t’u marrë votën, por një plan për të ndryshuar drejtimin e vendit, një plan për të ndryshuar drejtimin e jetës së tyre.

Do të vrapoj, nga pika në pikë, duke dashur të prek vetëm pikat më nevralgjike të programit tonë. Aty ku në fakt bëhet dhe dallimi i madh mes nesh dhe atyre që qeverisin. Aty ku në fakt çdo shqiptar që dëshiron të dëgjojë, dhe që sytë i ka për të parë mund të dëgjojë dhe të shohë se ne nuk jemi njësoj, se vizioni ynë është tjetër dhe se rruga që ne propozojmë është tërësisht tjetër. Sepse besojmë që çdo shqiptar, këtë herë, duke filluar nga socialistët duhet ta kuptojë deri në fund se për çfarë do të votojë, cila është zgjedhja që do të bëjë në 23 qershor. Do të zgjedhë një betejë për punësimin, që natyrisht nuk është një betejë e lehtë. Është e lehtë t’i thuash gjërat siç i thamë ne sot pasi kemi dy vjet që përgatitemi për t’i thënë gjërat lehtë, por do të kërkojë mund, do të kërkojë përpjekje të përbashkëta, do të kërkojë sakrifica për t’i realizuar. E pra, shqiptari apo shqiptarja që do të shkojë në 23 qershor të votojë do të zgjedhë këtë rrugë apo do të pranojë rritjen e mëtejshme të papunësisë, taksimin e ndershëm apo taksën e sheshtë. Që do të thotë, kush sot paguan më shumë duke fituar më pak, do të votojë për të paguar më pak dhe fituar më shumë apo do të vazhdojë të shohë kampet, kufijtë, gardhet, hendeqet, duke zgjedhur të qëndrojë mbrapa atij hendeku që e ndan, në emër të dashurisë, besnikërisë, përkushtimit ndaj partisë së vet, nga ardhmëria e familjes së vet. Sepse kjo është e vërteta sot. Kjo është e vërteta e çdo demokrati. Kjo është e vërteta e çdo qytetari në raport me vetveten dhe me ekonominë e tij familjare. Çdo demokrat dhe çdo qytetar, që sot ndjehet djathtas dhe, që jeton me një rrogë paguan më shumë taksa se të gjithë ata për të cilët ka votuar. Këtë duam të ndryshojmë ne për socialistët, për demokratët dhe për të gjithë shqiptarët. Sepse shoqëria që ne parafytyrojmë është një shoqëri krejt tjetër nga kjo që na imponohet. Taksim i ndershëm apo taksë e sheshtë?
Zmbrapsje e krimit apo nënshtrim ndaj krimit? Sot na është imponuar një Shqipëri ku mbi 70% e shqiptarëve ndjehen të kërcënuar dhe ku mbi 70% e shqiptarëve e konsiderojnë pasigurinë problemin kryesor që kanë për të zgjidhur. E pra, në rast se në 23 qershor këta shqiptarë bashkë me të tjerët, duan ta zmbrapsin krimin ka vetëm një zgjedhje; mes zmbrapsjes së krimit që nënkupton dhe përcakton programi ynë dhe nënshtrimit ndaj krimit që nënkupton dhe përcakton si fat të përbashkët të shoqërisë pushteti dhe qeverisja e sotme e punëve të Shqipërisë.
Shërbime sipas nevojës apo sipas xhepit. Sot çdo gjë është mall, edhe drejtësia është mall, që blihet dhe kush nuk ka para nuk e blen dot. Zhvillim rural apo braktisje të fshatit?

Atdhe të pastër apo vend të mbuluar nga plehrat, që madje importon plehra? Kush i ka ndjekur lajmet e fundit të ditëve të fundit për ekzistencën e kanalit, që tanimë falë këtij ligji që ne e konsiderojmë tradhti kombëtare, ka futur në Shqipëri plehra të rrezikshme duhet të kuptojë se vazhdimi në këtë rrugë të rrënimit të mëtejshëm do të bëjë që më shumë herët se sa vonë ajo që është pasuria kryesore e jona, territori i vendit tonë më burimet e veta të mirëqenies ende të pashfrytëzuara të jetë tokë e djegur. Tokë e djegur siç janë toka të djegura njolla të tëra në hartën gjeografike të vendeve të varfra ku interesa mafioze kanë garantuar kalimin e mbeturinave të rrezikshme nga vende të zhvilluara dhe nga ku popullsitë të tëra detyrohen të shpërngulen sepse është tokë e djegur. Tokë e djegur që nuk prodhon asgjë, dhe tokë e djegur që prodhon vetëm sëmundje për fëmijët. Kjo është zgjedhja në 23 qershor.

Atdhedashuri për të ndërtuar urën e bashkimit duke shkuar nga e ardhmja apo nacionalizëm primitiv për të shkuar buzë humnerës së të shkuarës? Sot dëshiroj ta them shumë qartë. Betejën historike të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në regjimin e Millosheviçit e dini çfarë e përcaktoi; E përcaktoi përmbajtja thelbësore e asaj beteje. Ajo ishte beteja e atdhedashurisë me nacionalizmin. E fitoi atdhedashuria dhe humbi nacionalizmi. Nacionalizmi është pjellë e domosdoshmërisë për të qëndruar në pushtet apo për të marrë pushtet. Atdhedashuria është produkt i domosdoshmërisë për të jetuar i lirë dhe për të luftuar për çdo përmasë të munguar të lirisë tënde. Ky është ndryshimi. Ne jemi qartësisht të vendosur në anën e atdhedashurisë dhe qartësisht të vendosur kundër nacionalizmit. Programi ynë shtron në mënyrë të nënkuptuar, por përmes gjithë rrugës së argumentimit një pyetje që lidhet me gjithë sa thashë dhe me çfarë do të mundohem të them; çfarë duam dhe ku mund të shkojmë, përtej ngjyrës së fanellave politike dhe të emocioneve prej tifozësh? Emocione të cilat e bëjnë rëndom një tifoz të paaftë për të kuptuar se skuadra e vetë nuk mund të fitojë, por që e bëjnë rëndom një votues të paaftë për të kuptuar se me votën e vet prej tifozi në fakt po voton vazhdimin e rrënimit të vet. Ky është fati i çdo votuesi që më 23 qershor do zgjedhë të votojë Partinë Demokratike. I çdo votuesi që sot ndjehet në vështirësi ekonomike dhe që zgjedh të votojë emocionalisht si tifoz për çka dëgjon në televizor për ekonominë. I çdo votuesi që nuk arrin dot të dallojë atë që blen gjithmonë e më pak, atë që konsumon gjithmonë e më pak, atë që merr si shërbim gjithmonë e më pak në raport me atë që dëgjon në televizor. E pra, në këtë pikë përtej fanellave dhe përtej emocioneve të tifozëve ka një rëndësi të veçantë që njerëzit të kuptojnë ku ndryshojmë ne me ata që sot qeverisin. Ku ndryshojnë me të vërtetë vizionet. Ku ndryshojnë idetë. Ku ndryshojnë rrugët e tyre me rrugën e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Më e para gjë nuk është programi ynë ekonomik, nuk është as programi ynë për ripërtëritjen shoqërore, nuk është as programi ynë për rivendosjen e demokracisë duke rivendosur drejtësi. Më e para është se për ne politika është qëllim fisnik, për ta politika është qartësisht vetëm një mjet përfitimi.

Politika për ne është mundësia për t’i shkuar pas një vizioni për Shqipërinë europiane. Pyetja që lind për të gjithë ata që sot janë ende të luhatur, po edhe për ata që sot vazhdojnë të mendojnë si tifozë dhe të shkojnë pas fanellës bardh e blu, duke e ngatërruar fanellën e Tironës me fanellën e Saliut. Dhe është një ngatërrim shumë i madh sepse Tirona mund të humbasë një të dielë dhe mund të fitojë të dielën tjetër. Ndërkohë kjo ngatërresë sjell që kështu fiton Saliu, po humbet çdo votues i tij dhe humbet vendi ynë i përbashkët. E pra, duam një vizion për Shqipërinë europiane apo duam një siklet kombëtar në sytë e gjithë botës? Sepse sot jemi në një siklet kombëtar në sytë e gjithë botës, për shkak të imazhit të rrënuar të Shqipërisë dhe për shkak të njëmijë e një problemeve që mbeten sot e gjithë ditën në të gjitha rezymetë që bota bën në përpjekjen për të na ndihmuar që të shkojmë më pranë saj.

Programi ynë është i ri dhe modern dhe jo i vjetër dhe i lodhur. Ne në këtë program hapim rrugën e bashkimit përmes një plani kombëtar zhvillimi të qytetit dhe të fshatit, ndërkohë që programi i avazit të vjetër është programi i përçarjes për të sunduar përmes urrejtjes politike, përmes errësirës e cila ushqehet politikisht dhe varfërisë e cila është produkt i dështimit politik.

Sot Shqipëria shkon në drejtim të gabuar e thonë 70% e shqiptarëve. Të gjithë ata që nuk kanë emocionin e tifozit për fanellën e partisë në pushtet. Por përsëri përtej këtyre që u thanë, përtej konstatimeve drithëruese mbi shifra dhe fakte në çdo fushë, Shqipëria shkon në drejtimin e gabuar sepse ne jetojmë sot në një Shqipëri ku shqiptarët nuk dëgjohen. Dua t’ju rrëfej se si mund të ndjehesh kur takon njerëz siç kemi takuar ne në gjithë këtë rrugëtim për programin. Takon invalidë dhe gjëja e parë që kërkojnë, e drejta për t’u dëgjuar pas zhbërjes së ligjit. Takon të përndjekur. Lëngojnë në një grevë urie, dhe gjëja e parë që iu mungon ajo më themelorja është e drejta për t’u dëgjuar. Nuk i dëgjon asnjë njeri dhe pastaj njëri syresh i vë flakën vetes sepse plas nga pamundësia për t’u dëgjuar. Takon gruan e policit të vrarë në Kukës dhe babain e tij. Çfarë thonë? Nuk na dëgjojnë, nuk na hapin derën, na lënë prapa derës, për të kërkuar që burri që nuk kthehet më dhe djali që nuk troket më në derën e shtëpisë të shpallet dëshmor. Takon një mësuese historie në një fshat, 23 vjet mësuese, sot papunë. Historinë në atë fshat e jep një muzikant. Kuptohet, jo muzikant me shkollë të lart, por ndonjëri që me siguri i ka rënë dajres ose daulles në ndonjë miting. Çfarë thotë mësuesja? Nuk kam ku shkoj, nuk më dëgjon njeri. Askush nuk do të dëgjojë që nxënësit e fshatit edhe historinë edhe gjeografinë edhe matematikën e bëjnë me muzikantin, po në fakt nuk e bëjnë fare se nuk vjen, merr rrogën diku.
Takon mjekun në Ndroq. Çfarë të thotë? Thotë:Dakord të gjitha këto që do bëni ju. Shumë mirë të bëhen, por një gjë nuk ma dëgjon njeri. Gjashtë vjet më parë me të njëjtin buxhet, kishim autoambulancë, kishim shërbim 24 orësh, kishim gjithçka na duhej për urgjencën. Sot nuk i kemi. Autoambulancën na e morën, shërbimin nuk e bëjmë dot se kam mbetur vetëm unë. Vijnë njerëzit për urgjencë dhe atyre që i shoqërojnë u jap recetën që të shkojnë me vrap te farmacia që të bien dhe ilaçet me vete. Dakord, por s’dëgjon njeri. Pse me të njëjtat lekë, sot ne bëjmë shumë më pak. Përgjigja dihet. Por mjeku gjëja e parë që thotë është: Nuk më dëgjon njeri.
Takon sipërmarrësit. Një sipërmarrës, ndër shumë që ne i takojmë ilegalisht, sepse jo vetëm që nuk e dëgjojnë, por po e panë i qepen mbrapa dhe i shkreti ai. E çfarë thotë taksë e sheshtë 10%?! Urdhëro gjobën. Këto para u desh të paguheshin. E sa shkon? Shkon taksë 300% dhe nuk i dëgjon njeri. Përpiqen të komunikojnë. Me kryeministrin me Ministrin e Financave, me Drejtorin e Tatimeve, asnjeri nuk e dëgjon.
Takon fasonistët. Shikon çfarë kanë bërë ata vetë, të mbledhur si bord. I kanë shkruar të gjitha përpara se të ndodhnin dhe i kanë thënë qeverisë: Ndërmerr këto hapa për të përballuar cunamin e krizës që do të bjerë mbi ne dhe ne jo vetëm do t’i ruajmë këto vende pune që kemi, por do të shtojmë edhe të tjera. Dhe çfarë thonë? Nuk na dëgjon njeri, thonë. Dhe në fund fare 30 mijë vende pune humben. 30 mijë gra, nga familjet më të varfra, nëna apo vajza që kthehen në shtëpi. Pse? Se nuk dëgjon njeri.
Shkon në ushqimore. Çfarë thonë? Kush na dëgjon neve, thonë. Vazhdojnë të japin borxhe dhe këtë e thotë edhe një njeri, një goxha burrë në Paskuqan, anëtar me teserë, themelues i Partisë Demokratike. Teserën, thotë nuk do ta dorëzoj kurrë derisa të vdes, por për të më dëgjuar njeri, nuk më dëgjon.
I patë sportistët dje? I pamë të gjithë, nga Rozana tek më të rinjtë. Po është e vërtetë, drafti ynë për sportin është një draft që Shqipëria duhet ta kishte 22 vjet më parë. Nuk ka brenda asnjë shpikje, asnjë formulë për të vrapuar mbi ujë, nuk ka asnjë premtim për të bërë kërcim më shkop dhe për të zbritur në hënë. Është një program normal, për një shtet që nuk mundet dot të konsiderojë sporte, bingot, lotot, bilardot, duke i lënë fëmijët në mëshirën e fatit. Çfarë thanë sportistët? S’na ka dëgjuar ndonjëherë njeri. Ndërkohë që ai draft është i tillë i mbështetur nga të gjithë sportistët shqiptarë, sepse u dëgjuan sportistët shqiptarë.
E pra, Shqipërinë nuk e dëgjon kush. Ja ku jemi sot! Por, më lejoni t’ju rrëfej dhe pjesën tjetër, kur takon të huajt. Është siklet, sepse e ndjen, e dëgjon dhe kur flasin “off record”, ose me burime dytësore, e thonë: Nuk ju shikon kush seriozisht, në qoftë se nuk merrni seriozisht veten tuaj dhe në qoftë se nuk i jepni fund një historie të stërzgjatur ku përmendeni për të njëjtat gjëra; Pandëshkueshmëri, mungesë e zbatimit të ligjit, krimi i organizuar, korrupsion, e kështu me radhë. E pra, këtu lind edhe domosdoshmëria për të shkuar edhe përtej programit, në kuptimin e shifrave, në kuptimin e planeve, në kuptimin e strukturave. Për të shkuar drejt e në zemrën e çdo shqiptari që është prind përpara se të jetë anëtar partie, që është sipërmarrës përpara se sa të ketë një parti për të cilën bën tifozllëk, që është mësuese, mësues, përpara se sa të jetë e rreshtuar apo i rreshtuar në partinë në pushtet, që është infermiere, që është mjek, përpara se sa të jetë betuar për programin e parealizuar të partisë që qeveris dhe për të thënë një gjë shumë të thjeshtë: Çfarë Shqipërie duam dhe çfarë Shqipërie jemi duke ndërtuar në rrugën e rrënimit të mëtejshëm dhe çfarë Shqipërie mund të ndërtojmë në rast se të gjithë bashkë bashkohemi në një pikë, siç bashkohen në fakt, nga të gjitha anketimet tona, shumica dërmuese dhe e votuesve të palës tjetër, që Shqipërisë i duhet një rilindje. E thonë: I duhet një rilindje! E pra, nëse Shqipërisë i duhet një rilindje, atëherë kjo rilindje, për të gjithë ata që ende nuk besojnë te Partia Socialiste fillon nga ndarja me Partinë Demokratike dhe nga dhënia e mundësisë Partisë Demokratike që të shkojë në opozitë dhe të rilindë vetë njëherë dhe pastaj të mendojë se si mund ta ndihmojë këtë rilindje.
Ne nuk duam të fitojmë në 23 qershor për të qëndruar 30 vjet në pushtet. Jo! Madje edhe fjala pushtet është e vjetër dhe e lidhur me të vjetrën. Ne duam një mandat për të qeverisur, për të mirëqeverisur. Sigurisht jo pafundësisht, po për të mirëqeverisur deri në pikën ku forca të tjera, energji të tjera, ide të reja do të lindin natyrshëm. Për këtë është dhe demokracia. Atëherë çfarë propozojmë ne socialistët dhe progresistët për ta kthyer vendin në drejtimin e duhur? Propozojmë që përpara se sa të shkojmë te programi dhe ta shohim atë si një gjë të shkruar, njerëzit të na shikojnë ne. Nuk jemi të përsosur, nuk jemi të pagabueshëm, nuk jemi as të rënë nga qielli, përkundrazi, të lindur nga kjo tokë jemi. Por ama ne kemi prova që ne mësojmë nga e shkuara, por nuk jetojmë me të shkuarën. Ndërkohë që kjo qeveri është prova e përditshme se nuk mëson nga e shkuara dhe jeton vetëm në të shkuarën. Me ta ka vetëm të shkuar, me ne ka një rrugë drejt të ardhmes, shumë shpejt.

Çfarë do bëjmë ne për ta zmbrapsur krimin, që e ka vënë poshtë shtetin dhe që ka kallur gjithë këtë pasiguri te qytetarët? Do të kemi vetëm një polici, Policia e Shtetit Shqiptar. Do mbyllim epokën, e nuk e di se sa policive janë. Nja dhjetë i kam numëruar vetë. Ekspertët thonë se nuk janë të gjitha të numërueshme. Parafytyrojeni: polici pyjore, polici drusore, polici ujore, polici financiare, polici teknike, polici elektrike, polici në llogore, polici ... dhe çfarë janë këta? Këta janë njerëz për rroga, me uniforma të ndryshme, me kapele të ndryshme, që shfaqen në kohë të ndryshme, për të njëjtën gjobë. Për të marrë pjesën e tyre. Pjesën e tyre nga xhepat e Shqipërisë që nuk dëgjohet. Një polici me një mesazh shumë të qartë: Çdo punonjës policie që është sot në detyrë dhe që ka arsimimin e nevojshëm, sipas kritereve që ne do të vendosim, eksperiencën e nevojshme në punë sipas kritereve që ne do të vendosim dhe integritetin e provuar në punë do të qëndrojë aty ku është. Nesër me ne do të jetë shumë më i motivuar profesionalisht, sepse nuk do të rrethohet nga injorantë, nga sekserë, nga tradhtarë të misionit të policisë, por do të rrethohet nga të tjerë profesionistë, të cilët sot janë rrugëve, sepse i kanë nxjerrë në rrugë programi i të njëjtit avaz. Programi i avazit të vjetër. Rrogat që kemi premtuar, brenda mandatit të parë do t’i ngremë për të gjithë strukturën e policisë, siç i kemi premtuar. Byronë Kombëtare të Hetimit do ta themelojmë, për t’i mbledhur të gjithë këto lloj agjencish që sot janë në një rrjet merimange, e cila është praktikisht e izoluar. Ne jo vetëm në polici, por në të gjithë procesin qeverisës, do të dallojmë shumë qartë nga këta, e dinin se ku? Ne do jemi forca e shembullit, këta janë vetëm shembulli i forcës.


Si do ta ndalim ne rritjen e papunësisë? Sepse këtu problemi nuk është vetëm rritja e punësimit, këtu problemi fillon nga ndalja e rritjes së papunësisë. 51 mijë vende pune të humbura në 4 vite. Në 2009-n thanë: Do hapim 160 mijë vende të reja pune. 51 mijë vende pune të humbura me statistikat e tyre. Parafytyroni se sa janë në realitet. 51 mijë vend pune të humbura. Del kryeministri dhe thotë kemi hapur vende pune, por ato janë të padukshme. Vende pune të padukshme!! Ne do ta fillojmë nga statistikat reale. Do ta bëjmë ne, hapin që nuk e kanë bërë në 22 vjet as socialistët kur ishin në pushtet, as demokratët kur rierdhën, lëre më pastaj kur ishin për herë të parë që nuk dinin ku ishin. Do ta bëjmë ne. Do të kemi një Institut Statistikash që nuk do të varet nga qeveria, nuk do varet nga Kryeministrit siç varet sot, që bën Censusin në zyrë dhe u thotë ulin një çikë këta, ngrini pak ata, shtoni një çikë këto, hiqni një çikë ato...E kemi gati projektin. Do ta binjakëzojmë Institutin e Statistikave tona me një institut statistikash të Bashkimit Europian, duke përfituar nga një projekt europian për rritjen e besueshmërisë së shifrave dhe do ta shikojmë veten tamam lakuriq, siç jemi në ekonomi, në forcat shoqërore dhe në zhvillim. Mos u trembni nga fjala lakuriq. Ju e dini që unë nuk kam frikë. Por është një lakuriqësi, e cila ndan të vërtetën nga gënjeshtra. Ndan, praktikisht, shtetet që funksionojnë, shtetet demokratike, shtetet ku të dhënat nuk janë pronë e sulltanit, apo e byrosë politike, po janë pronë e publikut dhe në fund fare ndan shtetet ku populli voton nga shtetet ku populli vidhet në votën e vet.
E, sigurisht që do të përballemi me të vërteta shumë të tmerrshme. Shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për këtë gjë. Nuk do t’u themi shqiptarëve: Shikoni, tani kemi vetëm një problem. Kryeministri e çoi deri në vend të dytë, ne tani do mundim Gjermaninë. Këtë nuk do ta themi. Sepse ai do të vazhdojë të thotë: Ju a lashë në vend të dytë ekonominë. Ja u lashë një hap prapa Gjermanisë, ku e çuat. Sapo merrnim shqetësime nga Kina, që po na i kalon Shqipëria, ju ku jeni. Ne do ta fillojmë nga aty ku jemi realisht. Statistika reale.

Shqipëria nuk dëgjohet dhe nuk dëgjohet do të thotë se nuk ka asnjë konkurrencë, fare, zero, nuk fiton dot asgjë me konkurrencë. Nuk të vlen fare sa i zoti je. Nuk të vlen fare sa i zoti je për të marrë një vend pune, nuk të vlen fare sa i zoti je për të fituar të drejtën që t’i shërbesh popullit tënd pas një gare në një punë publike. Nuk ka. Ai prokurimi i famshëm elektronik, e keni dëgjuar. Ajo është që ne jemi të parët në botë që e kemi. Ai është një prokurim fenomenal. Kush do të futet dhe të konkurrojë, nuk e hap dot. Nuk futet dot, është i mbyllur. Hapet natën. Atëherë kur e dinë ata që dihen që do fitojnë. Konkurrencë e lirë. Investime prodhuese. Ka investime ne Shqipëri. Pa tjetër. Po me çfarë çmimi? Kush paguan? Fitojnë ata. Ata që po e shkallmojnë Krujën, që tha Auroni, fitojnë, fitojnë shumë lekë. E keni parë Krujën si është bërë? Se tjetër është që të zhvishesh vetë dhe tjetër është të të zhveshin me dhunë. Ajo që ndodh me Krujën është zhveshje me dhunë. Zhveshje me dhune e një vendi që është djepi, jo i historisë sonë, por që është djepi ku përkundet një pjesë e historisë së Europës ku ne duam të integrohemi. Shikoni se çfarë po i bëjnë “nacionalistët” Krujës. Ata që vuajnë nga albanofobia, shiko se çfarë po i bëjnë Krujës. Nuk ka albanofob që t’ia punojë Krujës atë që po i punojnë ata që sot rrinë merren me broçkulla nacionaliste dhe ndërkohë e rrjepin ditë e natë këtë vend që thonë se e duan. E duan me fjalë dhe e rrjepin me vepra çdo ditë.

Vetëpunësimi. U thonë biznesmenë të vegjël. Cilët janë biznesmenë të vegjël? Biznesmene, ajo gruaja 65 vjeç, rrobaqepëse, bashkë me burrin e vet rrobaqepës, në një skutë të marrë me kredi, ku banka kërkon t’ia marrë edhe skutën! Ajo punon 16 orë, me probleme tensioni, me probleme shëndeti dhe në fund fare të muajit e dini sa fiton, mbasi vetëm ha aq pak sa mua më vjen zor t’ua them dhe me vjen zor ta mendoj që ka në mes të Tiranës njerëz që hanë aq pak, fiton 5 mijë lekë të vjetra. Prandaj banka është aty për t’i marrë atë qoshen. Biznesmene? Jo mor jo, nuk janë biznesmenë. Janë 400 mijë njerëz që mbahen nga puna e atyre që falë vetëpunësimit kanë hapur një të ashtuquajtur biznes të vogël. Nuk është biznes i vogël është një përpjekje individuale për të jetuar me punë të ndershme. Ne do t’ua heqim taksën e biznesit të vogël, sepse të paktën do t’u japim mundësinë që në fund të muajit të fitojnë pak më shumë se sa një lëmoshë, ndërkohë që punojnë nga 16 orë në ditë. Kush thotë që ky është marksizëm – leninizëm, është një marksist – leninist që nuk bëhet dot kurrë jo demokrat, po as njeri nuk bëhet dot.

Edukim profesional. Sot në këtë Shqipërinë që po shkon dhe po e kap Gjermaninë befas, ne kemi numrin më të madh të juristëve, këtu e kemi kaluar edhe Gjermaninë, edhe Amerikën, numrin më të madh të juristëve për kilometër katror. Nuk kemi asnjë taksist që të mos ketë një diplomë juridiku, ekonomiku. Këto të dyja, se të tjerat as nuk i preferojnë fare taksistët. Ne kemi numrin më të madh të kamerierëve me master. Kamerier me master, por ama larg qoftë, të të pikojë diku dhe të kërkosh një hidraulik, nuk e di se sa kilometra katrorë duhet të kërkosh. Larg qoftë të kesh nevojë për një elektricist, nuk di se ku duhet të shkosh të trokasësh. Shqipëria nuk është ajo që ishte në atë që quhet bota dixhitale. Vetëm se bota dixhitale për ata që qeverisin dhe për ekonominë e vendit nuk është as Tëitter-i dhe as Facebook-u. Bota dixhitale për ata që qeverisnin dhe për ekonominë e vendit është ekonomia e re, është ekonomia e punës, dhe e fitimit, përmes botës dixhitale. E di që po them fjalë të huaja që nuk i kupton kryeministri. Po s’ka problem. Deri në 23 qershor dhe pastaj do t’ua tregojmë me vepra shqiptarëve.
Si mund Shqipëria të rritet ekonomikisht dhe të mos rrënohet fare si shoqëri, ndërkohë që ka 1 milionë të papunë, që shtohen dhe ndërkohë që nuk përgatitet për t’u futur në punë. Nuk përgatitet. Shqipëria sot nuk përgatitet për të punuar. Ky është fakt. Me këtë model, modeli i rritjes që nuk ka filluar me këtë qeveri, është modeli i fillimeve që ka vazhduar dhe rivazhduar, model i rritjes pa punësim. Rritet ekonomikisht po s’ka punësim. Një model rritjeje pa zhvillim të qëndrueshëm është i dështuar. Model rritjeje sigurisht, sepse ekonomia rritet kur pret pyjet, shkatërron lumenjtë, zapton toka për të ndërtuar shtëpi. Në shifra rritet. Sigurisht, njerëzit kanë një shtëpi dhe kjo është gjë e mirë, po çfarë vjen mbrapa. Çfarë prodhon modeli mbrapa? Prodhon gjithë këto pasoja që sapo kanë filluar. Prandaj në 23 qershor duhet kthesa. Është një model rritjeje pa zhvillim komunitar. Kemi krijuar vendbanime të reja nga ky model, por nuk kemi krijuar një shoqëri të re. Kemi komunitete të tëra. Mjafton të shikosh sa del nga Tirana kur ecën anës rrugëve, siç thoshte dhe thotë miku im Maks Velo, ka dalë gjithë Shqipëria buzë rrugës.
Të gjithë në rrugë. Magazina, pishina, motele, hotele, karburante, loto, bilardo, makina të vjetra, makina të reja, shitje, blerje, shtëpija...Por pyetja është fëmijët që lindin në atë shtëpi ku shkojnë? Policia ku është aty? Çfarë lloj kujdesi social shëndetësor ka? Pa vendbanime kemi më shumë, po shoqëri të re jo. Përkundrazi, kemi këto fenomenet që janë të reja po janë njëkohësisht dhe të vjetra sa Shqipëria, që ne mendonim që i takonte atyre librave të historisë, gjakmarrje e rritur në mënyrë eksponecnaile, dhunë, vrasje, vrasje grash, dhunë në familje, në numra dhe në forma që janë të paimagjinueshme. E pra, pyetja është çfarë ndodh? Është çështje e disa personave, që janë komplet në depresion apo është çështje shoqërore? Por, nga vjen kjo çështje shoqërore? Të varfër shqiptarët kanë qenë dhe më përpara, më të varfër. Është ajo shprehja lapidare e gjyshit të Damianit, njeri i madh si shumë njerëz të mëdhenj të Shqipërisë së panjohur, të Shqipërisë së shqiptarëve të zakonshëm, mësues, jetoi 100 vjet dhe e dini çfarë i tha në fund: Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur, kurrë!
Ne jemi kundër këtij modeli! Ky është një dallim shumë i madh. Jemi kundër modelit të rritjes, pa punësim. Jemi kundër modelit të zhvillimit pa ruajtje të burimeve që gjenerojnë shpresën tek e ardhmja, që janë bukuria e këtij vendi, që po shëmtohet kudo ku po vë dorë robi, që janë të gjitha asetet nëntokësore dhe mbi tokësore. Jemi kundër një modeli rritjeje pa zhvillim komunitetesh. Ato mund të prodhojnë shumë votues të verbër, por nuk prodhojnë qytetarë për sfidën tonë të Shqipërisë europiane. Pse ne nuk e pranojmë taksën e sheshtë? Si mund ta pranojmë ne taksën e sheshtë, e dini çfarë ka ndodhur? Është shumë e thjeshtë, përpara se të vihej taksa e sheshtë në vitin 2007, të gjitha shpenzimet që shteti bënte për popullin dhe për vendin, vinin 70% nga biznesi, nga kompanitë, dhe 30% nga populli. E di çfarë ka bërë taksa e sheshtë? E ka ndryshuar këtë gjë. 30% vjen nga biznesi, 70% vjen nga populli. Të gjithë shqiptarët, që sot kanë nevojë ta mbërrijnë fundin e muajit pa u dridhur sesi do paguajnë faturat që vetëm shtrenjtohen, pa u dridhur se çfarë do i thonë këtë radhë shitësit të ushqimores që ua ka vënë emrin në një listë borxhi që shtohet, pa u dridhur se çfarë do t’i veshin fëmijës për shkollë kur bie shi, të gjithë këta paguajnë 70% të borxheve të këtij shteti dhe 30% i paguajnë ata që fitojnë nëpërmjet biznesit. Ku ka kjo kur të rrijë? Kjo nuk ka ku të rrijë dhe ne do ndryshojmë këtë, shumë e thjeshtë.
Ata thonë se ne duam të rrisim taksat. Jo! Jo! Jo! Shqiptarët duhet ta dëgjojnë, socialistë, demokratë, pa parti, të luhatur, të ngritur, të fjetur duhet ta dëgjojmë;

Ne do ulim taksat për 95% të popullit shqiptar. Më pak se 5% e njerëzve zotëron më shumë se gjysmën e pasurisë dhe më shumë se 95% e njerëzve është jashtë, jashtë, jashtë fare, mundësisë për të marrë pjesë në fitimin e përbashkët. Dhe fitim të përbashkët ne socialistët konsiderojmë fitimin që del nga bashkëpunimi me kompanitë në funksion të menaxhimit më të mirë të burimeve natyrore dhe të pasurive kombëtare, që nuk mund të konçesionohen për llogaritë familjare të atyre që janë në pushtet. Po mund të koncesionohen vetëm për llogaritë e familjeve të zakonshme që të mund të përfitojnë vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit apo nëpërmjet autorizimeve që jep shteti nga shfrytëzimi i këtyre pasurive. Atëherë si ka mundësi më pak se 5% zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së këtij vendi dhe 95% e më shumë e shqiptarëve nuk kanë fare pjesë? Ku jemi? Në Gjermani jemi? Jo nuk është Gjermania kështu. As Franca nuk është kështu. As Regani nuk ishte kështu. As Theçeri nuk ishte kështu. Kështu janë vetëm ata që Reganin, Theçerin, Gjermaninë dhe Francën i përdorin siç përdorin nacionalizmin, me fjalë për t’i hedhur popujt e tyre nëpër gremina dhe për të sunduar si gjela majë plehut, si ata që i mori përpara pranvera arabe. Vetëm ata flasin kështu. Ne nuk do godasim të pasurit, edhe kjo është e gabuar. Ne nuk e kemi problemin me të pasurit. Nuk janë të pasurit targeti ynë, është varfëria. Ne duam që pasuria të jetë më e aksesueshme, por jo që të pasurit të jenë më pak të pasur. Politika jonë nuk godet të pasurit, politika jonë godet varfërinë. Është një ndryshim qasjeje. Qasja e tyre është qasje ndaj të pasurve, qasja jonë është qasje ndaj pasurisë. Sepse ne nuk jemi e majta e Saliut, ajo e majta e shekullit të kaluar. Ne jemi e majta e re, që ne jemi e majta e Tonny Blair, jemi e majta e Gerard Shreder, jemi e majta e Romano Prodit, jemi e majta që e mësoi dhe të djathtën sesi mund të qeverisë. Ja pse kompanitë e biznesit të madh do të votojnë për ne, për këtë program në 23 qershor.



Sepse ne nuk ju themi atyre, shiko taksën e sheshtë 10% do ta bëjmë 2- fish, 3-fish, 5-fish, 10- fish dhe ndërkohë gjithë këto taksat e tjera, taksën e arbitrariteti, taksën e korrupsionit, taksën e kohës, taksën e monopoleve, taksën e klientëve ju do ta keni njësoj. Se kjo do ishte pastaj absolutisht një zgjedhje e qartë, jo për ne po për ata që janë sot në pushtet. Atëherë sipërmarrësit do kishin të drejtë të thoshin jo, ne do vazhdojmë të mbajmë këta sepse i kanë më të arsyeshme këto tarifa.



Me ne do shërbeheni shumë e shumë herë më me dinjitet se ç’shërbeheni sot. Nëse sot fitoni para, me ne do fitoni para dhe dinjitet. Nëse sot jeni të pasur, por nuk keni kurajë ta nxirrni fytyrën për të reklamuar produktet tuaja, se ju vijnë me vrap dhe ju marrin paratë nga arka. Nesër ne do t’ju vëmë në piedestal, njësoj si sportistët, njësoj si artistët, njësoj si këngëtarët. Sipërmarrësit me ne do të jenë figura të respektuara nga gjithë shoqëria, sepse janë në fund të fundit protagonistët e sistemit. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Po jo sistemi që 5 vetë nëpërmjet lidhjeve me të parin e punës dominojnë gjithë ekonominë, zënë të gjitha rrugët e konkurrencës, fitojnë të gjitha koncesionet dhe të tjerët rrinë dhe vështrojnë. Ky nuk është sistem dhe në këtë sistem po mund të thuhen përrallat e taksës së sheshtë 10%. Për të pasur më shumë shërbime, për të mos pasur te dera një drejtor tatimesh, por për t’u hapur dera e kryeministrit sa herë që shteti nuk di si të sillet me ty. Për ta parë të ndëshkuar këdo që guxon të të vijë tek dera dhe të të bëjë kontrolle të paparalajmëruara duke shkelur ligjin, duke shkelur dinjitetin dhe duke të shkatërruar dhe psikologjikisht. Shikojini në vite sa biznesmen kanë lënë jetën nëpër infarkte, nuk ka pësuar infarkt ndonjë politikan. Kjo është e vërteta. Ne me këtë të vërtetë ju themi të gjithë atyre që janë të pasur që Shqipëria nuk është vendi ku ju të pasuroheni dhe rreth e rrotull gjithçka të rrënohet. Shqipëria është vendi ku gjithkush të ketë të drejtën të pasurohet, po ku rreth e rrotull fëmijët e të pasurve dhe të varfërve të kenë një atdhe të tyrin që iu jep mundësi të ndjehen fëmijë, që u jep mundësi të argëtohen si fëmijë, që u jep mundësi të edukohen dhe arsimohen, që u jep mundësi që të kenë kujdesin e duhur shëndetësor dhe social nga shteti. Si bëhen të gjitha këto? Këto bëhen me taksa. Taksat në këtë sistem janë atdhedashuria, forma më e madhe e atdhedashurisë dhe shprehja më kuptimplotë e patriotizmit. Kurse këta nacionalistët nuk paguajnë as taksën e gjelbër në Bashkinë e Tiranës, s’e kanë paguar asnjëherë. Ne do të ndryshojmë statusin e sipërmarrësit.



Vijmë tek një pyetje tjetër. A do ta vendosim ne drejtësinë? E kam shumë të qartë, e ndjej, e shoh, e prek kudo ku shkojmë, kurdo herë që njerëzit flasin. Taulanti i meriton të gjitha ovacionet, por miqtë e mi nuk ka drejtësi të mundshme në dyert e gjykatave dhe nuk ka asnjë drejtësi, sjellje të drejtë të mundshme në asnjë derë të administratës, në qoftë se një vend qeveriset me padrejtësi, në qoftë se qeveria e shfrytëzon pushtetin e vet që përmes vendimeve të padrejta të përfitojë në rrugë të padrejtë atë që nuk i takon. Vendosja e drejtësisë fillon nga sjellja e qeverisë. Fillon nga shembulli që japin ata që janë në krye të vendit. Nuk mund t’i kërkosh një gjykatësi të lodhur të të japë drejtësi kur ai që është në krye të vendit vret haptaz dhe thotë hajde herën tjetër se më keq do ta pësoni. Çfarë drejtësie të kërkosh? Nuk mund t’i kërkosh policit që rri nën shi me atë uniformën, që mban era korrupsion nga tenderi i uniformave, që të mos kërkojë 10 mijë lekëshin për fëmijët që e presin për bukë atje, kur shikon sesi gjithë kupola e Ministrisë së Brendshme merret vetëm me korrupsion, me kontrabandë dhe me tradhti ndaj misionit të Policisë së Shtetit. Çfarë t’i kërkosh Policisë së Shtetit?



Nuk mund t’i kërkosh infermieres dhe mjekut më shumë se ç’bën sot. Askujt nuk mund t’i kërkosh, në qoftë se të gjithë së bashku për model, për shembull kanë ata të cilët çdo ditë nga televizori propagandojnë gënjeshtrën, ndërkohë që gjithë populli e di se çfarë bëjnë kur fiken kamerat. Por këtu lind nevoja për të thënë diçka konkrete, jo thjesht që ne do të sillemi më mirë. Gjëja konkrete është kjo:



Ne do të fusim në Shqipëri një model që sapo ka filluar në disa vende të zhvilluara, por që është avantazhi i kohës që jetojmë sepse, siç e tregoi dhe Milena dje teknologjia e re ia jep këtë mundësi edhe vendeve më pak të zhvilluar, çdo shpenzim që do të bëjë kryeministria, ministritë dhe çdo agjenci shtetërore do të jetë i dukshëm për publikun online, gjithçka për mediat dhe për publikun. Publiku do ta dijë çdo muaj sesa ka harxhuar kryeministri, ministrat, administrata përkatëse dhe për çfarë i kanë harxhuar. Nuk do ketë më nevojë për heronj që gjejnë dokumente, por çdo dokument i prodhuar nga vendimmarrja publike do të jetë i hapur për publikun. Publiku do të dijë në kohë reale se çfarë dokumenti ka prodhuar çdo institucion. Duke shkuar pak më tutje, çfarë po ndodh dhe ku po shkon gjenerata e re? Çfarë Shqipërie do ketë nesër një vajzë apo një djalë që sot është 15 -16 – 17 vjeç? Në cilën Shqipëri? Ku? Në raport me punën, në raport me komunitetin, në raport me shërbimet, në raport me institucionet, në raport me shetit, ku? Sot brezi i ri është bërë rob, është kapur rob në emër të pafuqisë së qeverisë për t’u marrë me papunësinë rinore. I është dhënë një drejtim i paditur. Asnjë nuk e parashikon dot se çfarë do të ndodhë pas 10 vitesh në qoftë se sistemi ynë arsimor do të vazhdojë kështu siç është. Në qoftë se këta njerëz pa shkuar në diktatura dhe në situata të rënda që gjithsesi ne na bëjnë shumë më të vetëdijshëm për vlerat e lirisë, për vlerat e demokracisë. Këta njerëz që qysh në kopsht, se bëhej dhe mis kopshti, që kur bëhet mis kopshti fiton goca e drejtoreshës. Pastaj në shkolla ku senatorët janë kalamajtë e atyre që kanë një lidhje me flamurin e Partisë Demokratike, pastaj në universitet dhe pastaj në një sistem që konkurrenca nuk ekziston dhe merita është komplet ilegalitet dhe pa shembuj të duhur për t’u imituar. Normalisht, ajo që ndodh në botën ku votohet, që një politikan, një ministër jep dorëheqjen, një yll i politikës në vendin më të fuqishëm të Europës pritej të bëhej kancelari i ardhshëm, jep dorëheqjen sepse ka kopjuar disa faqe të doktoraturës së vet. Pse jep dorëheqjen? E jep dorëheqjen sepse është shembulli, jo shembulli që ikën ai, po shembulli që i thotë të gjithë të rejave dhe të rinjve të atij vendi se kopjimi është gjë e gabuar. Ndërkohë fëmijët jo vetëm janë thithur në këtë labirinth, por dhe prindërit janë mësuar të investojnë para për shkollimin e lartë në një sistem që është një skemë e vërtetë piramidale. Vetëm se paratë e humbura nuk janë të holla që mungojnë tek sporteli i Sudes, por janë e ardhmja që mungon tek rruga e djalit dhe e vajzës pasi mbaron universitetin. Është një piramidë publike dhe private. Unë e refuzoj idenë se ne duhet ta marrim me të mirë sistemin universitar publik meqë ne jemi socialist, ndërkohë që refuzoj idenë që meqë jemi socialist duhet të jemi refuzues ndaj arsimit privat. Kjo është një piramidë dhe është një piramidë në arsimin publik, në arsimin privat, sepse është e ngritur nga një shtet privat. Ne duhet të bëjmë shtetin e të gjithëve që të kemi arsim të standardeve që të gjithë meritojnë, publik apo privat. Prandaj do t’i fusim në garë universitet qoftë publiket qoftë privatet. Asnjëri që merr rrogat me lekët e shqiptarëve nuk mund të thotë që jo unë nuk futem në konkurrencë se jam publik. Pikërisht se je publik, t’i duhet të futesh në konkurrencë në të gjithë sistemin bashkë me privatët dhe duhet të provosh se je më i zoti edhe sesa privatët, Sepse ty të mban populli, ndërsa ata mbajnë veten e tyre. Ndërkohë që nga ana tjetër edhe në sistemin privat ne sigurisht do të vendosim rregulla strikte, shumë të qarta. Duam një sistem universitar, nuk duam dy sisteme. Çfarë do të ndryshojë për mësuesit? Mësuesit duhet ta dëgjojnë, duhet ta dëgjojnë mirë, se çfarë mund të bëjnë këta që janë kjo dihet, shihet, jetohet. Se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë do të ndryshojmë ne, është e para ajo që thashë në fillim, çdo mësues do dëgjohet. Mbi të gjitha për mësuesit dhe për prindërit ne do të kthejmë lirinë, lirinë për të qenë edukatorë pa qenë domosdoshmërisht anëtarë partie, pa qenë mitingashë, pa qenë një rekrut që të marrin me listë të hipin në autobusë dhe të çojnë nëpër koncerte partie. Kjo nuk do të ndodhë. Mësuesit do të jenë mësues dhe bashkë me prindërit dhe me ne, do ndërtojmë atë që është në të gjithë botën trekëndëshi brenda të cilit zhvillohet brezi i ri, mësues, prindër, komunitet përmes qeverisjes vendore, duke pasur një bashkëpunim të ngushtë. Ne do kërkojmë që çdo prind të marrë në mënyrë të rregullt nga shkolla me shkrim të dhënat për gjithçka prindi ka nevojë të dijë nga ajo që fëmija bën në shkollë. Nga ana tjetër bordi i prindërve së bashku me atë të shërbimit publik në qeverisjen vendore të vendosë për mësuesit. Nuk mund të vendosen mësues pa lidhje dhe as t’u imponohem prindërve mësues. Të cilët zhbëjnë atë që prindërit bëjnë pasdite, paradite duke ju thënë Shqipëria është çliruar në 28 nëntor dhe në qoftë se ti nuk e pranon këtë unë të ngel në klasë, apo duke i treguar gjithçka broçkullash sesi Shqipëria paska dy gra të mëdha, Nënë Terezën dhe Jozefina Topallin. Këto janë gjëra të cilat nuk mund të ndodhin.



Çfarë ndodh sot? Çfarë ju bën kjo qeveri të gjithë demokratëve dhe atyre që thonë jemi të djathtë, e janë të djathtë është e drejta e tyre, çfarë ju bën kur sëmuren dhe kur janë të papunë? Shqipëria thotë, është vend në zhvillim. Shqipëria vend i zhvilluar. Po si mund të ketë Shqipëri të zhvilluar me një fshat të katandisur në atë derexhe që është katandisur. Ne do të pesëfishojmë menjëherë investimin për fshatin. Ne e kemi propozuar kaherë heqjen TVSH-së për makineritë bujqësore. Kemi propozuar edhe heqjen e TVSH-së për plehrat kimike. Kemi propozuar qartësisht edhe heqjen e akcizës së naftës. Çfarë ndodh?! Ky thotë, është vizioni im i kahershëm. Heqim TVSH-në... Po pse e heq TVSH-në për makineritë dy muaj përpara zgjedhjeve, mbasi të paktën opozita ta ka thënë dy vjet përpara zgjedhjeve. Ua them unë pse. E para sepse nuk kanë haber fare nga punët e qeverisë. Dinë vetëm të qeverisin për punët e tyre. E dyta sepse nuk kanë jo asnjë ide, por nuk asnjë respekt për njerëzit që jetojnë në fshat. I duan sa më të varfër, që t’i blejnë sa më kollaj kur vjen puna për t’ju marrë votën. E treta, sepse nuk kanë askënd që e ka idenë se çfarë i duhet fshatit dhe si duhet të zhvillohet fshati. Dhe më e rënda është, që e heqin dy muaj përpara zgjedhjeve sepse s’do e bëjnë kurrë. E dëgjuat çfarë tha, e shtymë pak tha se kishim ca probleme me biznesin. Domethënë nuk e paske përgatitur, po e paske kopjuar drejtpërdrejtë dhe sot thua e shtyjmë pak. Por në fakt nuk janë problemet me biznesin, është nevoja për ta shtyrë mbas zgjedhjeve dhe pastaj për të mos ta bërë kurrë. Ashtu sikundër edhe kjo e plehrave kimike.
E dëgjuat atë tjetrën, ta heqim tha, fare taksën 10% për ata që marrin nën 300 mijë lekë. Po çfarë është kjo?! Është një lule marksiste në oborrin kapitalist. Çfarë është kjo?! Kjo në fakt është më keq, se as oborri nuk është kapitalist, as taksa progresive nuk është marksiste. Kjo quhet çorodi. Dhe duke qenë se është çorodi ka një gjë shumë të thjeshtë për të thënë. Mirë e hiqke për këta deri në 300 mijë taksën, po këta që fitojnë 310 mijë pse duhet të paguajnë me herë më shumë se ti? Dhe këtu s’ka përgjigje. Sepse është arnë. Është thjesht arnë. Arna të një programi të dështuar për t’ju shitur njerëzve një kostum të ri. Por kjo nuk ndodh.

Së fundi dua të prek çështjen e zhvillimit rural të bashkuar me çështjen e zhvillimit të marrëdhënieve tona me Kosovën, se edhe këtu kemi një dallim shumë të madh. Njeriu që ka furnizuar haptas Sllobodan Millosheviçin me naftë në kohën e embargos ndërkombëtare, ky president i Republikës së Shqipërisë, njeriu që ka angazhuar propagandën më të madhe dhe të vetme shqipfolëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burimet shqipfolëse të informimit të lidhura drejtpërdrejtë me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë kanë qenë të vetmet, që kanë thënë se ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë narko-trafikantë, marksistë-leninistë. Njeriu që ka dalë hapur një zëri me Beogradin kundër marrëveshjes së Rambujesë, sot na thotë se qenka i vetmi që e paska në zemër Kosovën. Po si e ka në zemër Kosovën? Sepse ky është problemi me zemrën e nacionalistëve. Nuk kanë zemër.

KOMENTE