English

Rama : Progresioni i kriminalitetit ka erdhur në rritje gjatë viteve të qeverisjes nga qeveria aktuale

Kryetari i Partisë Socialiste, ka ngritur sërish zërin me forcë, lidhur me situatën tejet të rënduar kriminale në vend. Sipas Edi Ramës, krimi ka zënë për fyti Shqipërinë dhe territori i vendit është jashtë kontrollit të policisë. Kjo e fundit është e tradhtuar, e braktisur dhe e rrënuar, ndërsa qeveria ka kohë që bën opozitën e opozitës. Deklaratat e kryesocialistit janë bërë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, të mbledhur sot paradite në selinë rozë.

Kreu i PS ka renditur më pas disa shifra dhe fakte që tregojnë qartazi progresin negativ që ka bërë numri i krimeve në vend që pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. “Kur PD erdhi në qeveri, evidentoheshin 8250 krime në vit. Në vitin 2012 u evidentuan 20688 krime gjatë vitit. Diferenca në shtatë vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i kriminalitetit është mesatarisht 1500 krime në vit dhe vetëm viti 2012 në raport me 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë.

Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë në Europë dhe në rajon”, ka theksuar Rama. Sipas tij megjithëse në një kohë te shkurtër janë vrarë njëri pas tjetrit tre komisarë policie, asnjë ndryshim nuk është bërë nga qeveria, asnjë masë dhe asnjë veprim për t’a ringritur në këmbë policinë.

Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama:

"Parmbrëmë, pak pas vrasjes së komisar Lamajt, kryeministri lëshoi në rrjetet sociale një prononcim për teknologjinë 3G. Ndërkohë që dje në vend që të mbante një qëndrim të denjë institucional për vrasjet në seri të komisarëve të policisë dha shfaqen e radhës para grupit parlamentar të PD-së duke sharë opozitën. U bë kohë që qeveria bën opozitën e opozitës. Rend pas programit tonë, sulmon idetë tona, pastaj i kopjon kur kupton se janë ide me mbështetje në popull, i kopjon por nuk i zbaton, sepse është një qeveri që nuk qeveris më asgjë. Saliu është bërë si ata futbollistët e kohës së televizorit bardh e zi, që i fusnin në fushë për të shkuar pas këmbëve dhe jo pas topit. Territori i vendit është jashtë kontrollit të policisë. Policia është e tradhtuar, është e braktisur, është e rrënuar. Në zonat rurale njerëzit armatosen përditë për të mbrojtur pronën dhe deri në shkollat e mesme të Tiranë kanë hyrë armët nëpër klasa. 45% e nxënësve nëpër gjimnazet e Shqipërisë janë përfshirë në një konflikt fizik, thotë një anketim i një organizate serioze ndërkombëtare, kurse qeveria propozon një ligj absurd për të armatosur ministra, deputetë dhe zyrtarë. Krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ne nuk kemi asnjë arsye pse të lodhemi duke përsëritur se kur Partia Demokratike erdhi në qeveri, evidentoheshin 8250 krime në vit. Në vitin 2012 u evidentuan 20688 krime gjatë vitit.

Diferenca në shtatë vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së kriminalitetit është mesatarisht 1500 krime në vit dhe vetëm viti 2012 në raport me 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë. Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë në Europë dhe në rajon. Shqipëria e sotme është vendi europian me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë, në një kohë që ka numrin më të vogël të makinave për banor. Kemi katër herë më pak makina për banor, se sa në çdo vend europian dhe kemi katër herë më shumë vrasje në rrugë, vdekje dhe plagosje bashkë se sa në çdo vend europian. Katër herë. Ndërkohë Ministria e Brendshme ose jep lajme vrasjesh, si të ishte agjenci shtypi, ose mban konferenca kundër opozitës, ose organizon homazhe, si agjenci funerale, për komisarë që vriten në seri. Tre komisarë të vrarë njëri pas tjetrit dhe asnjë ndryshim, asnjë masë, asnjë veprim për t’a ringritur në këmbë policinë. Madje sa herë ne ngremë shqetësimi, vijnë menjëherë si përgjigje nga qeveria reagime aq brutale, sa duket qartë që shqetësimi i pushtetit është opozita, nuk është krimi. Unë do kërkojë që nga Komisioni ynë i Ligjeve të ketë një angazhim me përparësi, për një paketë propozimesh kundër armëve në veçanti dhe krimit në përgjithësi. Edhe pse unë e mbroj bindjen se nuk është boshllëku ligjor që ka sjellë lulëzimin e krimit dhe rrënimin e policisë, por është boshllëku mendor, moral, programor i kësaj qeverie si dhe padyshim boshllëku ekonomik dhe social për shkak të kësaj keqqeverisjeje".

1682

KOMENTE