Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fatmir Xhafaj: Kush është kanceri që po gërryen sistemin gjyqësor
English

Fatmir Xhafaj: Kush është kanceri që po gërryen sistemin gjyqësor

Partia Socialiste e ka konsideruar projektligjin “Për Administratën e Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, si shumë të dobët, që nuk sjell ndonjë risi dhe nuk përmirëson aspak situatën në të cilën ndodhet sot administrata gjyqësore. Gjatë diskutimeve të sotme në Komisionin parlamentar të Çështjeve ligjore, zëvendëskryetar socialist i këtij Komisionit, Fatmir Xhafaj duke marrë fjalën ka theksuar se ky projekt ka mbi 3 vjet që fle në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë dhe është sjellë në Kuvend kur kanë mbetur vetëm 3 muaj nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie.

Më poshtë fjala e zëvendëskryetarit të Komisionit Kuvendor të Çështjeve ligjore, Administratës publike dhe të drejtave të njeriut Fatmir Xhafaj:

Një p/ligj vonuar.
Po bëhen afërsisht rreth 5 vjet e gjysmë nga miratimi konsensual i projekt ligjit për organizimin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë i cili përcaktoj detyrimin ligjor për miratimin e një ligji për administratën gjyqësore. Po bëhen mbi 3 vjet e gjysmë nga shqyrtimi i tij në Gjykatën Kushtetuese. Kanë kaluar 4 raporte progresi të Komisionit Europian të cilat në mënyrë të përsëritur theksojnë nevojën e miratimit të këtij projekt ligji. Ndërkohë që ky ligj ka mbi 3 vjet që fle në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ju e sillni sot për miratim kur ka veç 3 muaj nga përfundimi i mandatit të qeverisjes suaj. Pse u është dashur të mbahet sirtarëve një projektligj i tillë, përse nuk u përfshi dhe ky projekt në marrëveshjen e nëntorit të vitit 2011 kur dhe u kërkua nga ne për tu bërë pjesë e paketës konsensuale megjithëse drafti në atë kohë ishte gati?
Padyshim e ka një arsye. Larguat një sërë punonjësish me përvojë të gjatë në administratën gjyqësore për ti zëvendësuar me militantë të verbër politikë, disa edhe me diploma të sajuara deri edhe në lidhje nepotike e klienteliste me anëtarë të qeverisë dhe deputetë të partisë suaj. Tashmë kërkoni të bëni legalizimin e radhës duke i lënë gjykatat peng të disa kancelarëve dhe sekretarëve që gjëja që dinë të bëjnë më mirë është manipulimi i shortit të çështjeve gjyqësore apo sekserin e disa gjyqtarëve të korruptuar.
Një tjetër p/ligj i dobët. Projektligji nuk sjell ndonjë risi dhe nuk përmirëson aspak situatën në të cilën ndodhet sot administrata gjyqësore. Duke mos sjellë asnjë ndryshim esencial në këtë drejtim ligji nuk sjell dhe nuk ka pritshmëri pozitive për përmirësimin e situatës së sistemit gjyqësor në përgjithësi.
Projekt ligji ka disa defekte thelbësore në përmbajtjen e tij. Konkretisht.

1. Në projekt parashikohet një rol i pakufizuar i Ministrit të Drejtësisë dhe i strukturave përbërëse të Ministrisë së Drejtësisë në çështjet e administrimit të gjykatave, duke i dhënë Ministrit të Drejtësisë deri në funksione dhe të drejta të trajtimit të çështjeve dhe problematikave individuale në gjykata. Projektligji e kthen Ministrin e Drejtësisë de fakto në kryeadministratorin e çdo gjykate në veçanti dhe të tërë gjykatave të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë në tërësinë e tyre. Në një projekt ligj që në tërësinë e tij ka 57 nene rezulton se në 25 nene trajtohen kompetencat, të drejtat dhe detyrat e Ministrit të Drejtësisë në çështjet e administrimit të gjykatave.
Projekt ligji autorizon Ministrin e Drejtësisë të nxjerrë të paktën 28 urdhra dhe akte të tjera nënligjore për mënyrën e zbatimit të këtij ligji. Ky fakt tregon se ky projekt ligj tenton të shmangë rregullime të plota ligjore në përmbajtjen e ligjit, duke shmangur vendimmarrjen e Kuvendit në një ligj që miratohet me shumicë të cilësuar, duke ia deleguar ato në mënyrë të ekzagjeruar dhe pa asnjë lloj kriteri Ministrit të Drejtësisë. (Ligji duhej të përcaktonte qartë se cilat janë çështjet që duhen trajtuar dhe rregulluar në vetë përmbajtjen e ligjit dhe se cilat janë ato çështje që në pamundësi për tu shprehur në ligj mund t’i delegohen për rregullim Ministrit të Drejtësisë). Nëse projektligji do të miratohet në gjendjen që ai është, ekziston rreziku real që çështjet e administrimit të gjykatave të rregulloheshin nga një përfaqësues i vetëm i pushtetit ekzekutiv, duke rrezikuar potencialisht pavarësinë e funksionimit të gjykatave.

2. Projekt ligji parashikon një rol shumë të dobët të Kryetarit të Gjykatës duke i parashikuar rol drejtues tepër të kufizuar në çështjet e administrimit të gjykatës.
Nga ana tjetër parashikohet një Kancelar i cili ka pothuajse tërësisht rol drejtues në administrimin e gjykatës. (Në mënyrë të pakuptimtë ligji parashikon se Ministri i Drejtësisë, Kryetari dhe Kancelari i gjykatës bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre (neni 11).
Për Ministrin parashikohen kompetenca që lidhen dhe me organizimin dhe funksionimin e zyrave përbërëse të administratës në një gjykatë, duke konfirmuar në këtë mënyrë se drejtuesi kryesor bëhet Ministri dhe pas tij vijnë Kancelari dhe Kryetari i Gjykatës).
Projekti shkon deri aty sa parashikon mundësinë që Kancelari mund të mos zbatojë urdhrin e Kryetarit. Për këtë situatë projekt ligji në nenin 18 parashikon që Kryetari i Gjykatës duhet t’i kërkojë Ministrit të Drejtësisë zgjidhjen e problematikës së krijuar dhe marrjen e masave që nuk merren nga Kancelari. Këto parashikimi janë kundërshtuar edhe nga ekspertët e misionit Euralius të cilët sugjerojnë që Kryetari i Gjykatës duhet të marrë vendime përfundimtare për çështjet e administrimit dhe jo të kërkojë zgjidhjen e problematikave të administrimit të përditshëm nga Ministri i Drejtësisë.
Në praktikë kjo do të thotë që Ministri i Drejtësisë një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së vet ta vërë në funksion të arbitrimit të marrëdhënies midis Kryetarit dhe Kancelarit të Gjykatës për çështje të rëndomta të administrimit të përditshëm.

3. Projekt ligji në nenin 34 parashikon se rregullat e hollësishme për procesin e emërimit dhe shkarkimit të Kancelarit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lind pyetja: Përse hartuesit e këtij projekti kërkojnë të shmangin Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga përcaktimi i këtyre rregullave dhe tentojnë t’ia delegojnë Këshillit të Ministrave? Në fakt pyetja duket të jetë retorike pasi synohet që figura e rëndësishme e administrimit të gjykatës të kontrollohet dhe të urdhërohet nga ekzekutivi, duke mos pasur asnjëherë një status të mirëpërcaktuar.

4. Projekt ligji parashikon që emërimi i administratës gjyqësore të bëhet nga Ministri i Drejtësisë, duke marrë propozime nga një komitet ad hoc. Neni 43, paragrafi i 4, parashikon se “rregulla më të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e komiteteve ad hoc, përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë”. Kjo do të thotë që Ministri organizimin dhe funksionimin e strukturës që i bën propozimin ka të drejtë ta bëjë sipas dëshirës dhe preferencës së vet personale, duke bërë kështu që i gjithë procesi i emërimit të administratës gjyqësore të kontrollohet plotësisht vetëm prej tij. Së dyti a është vërtetë e nevojshme që Ministri i Drejtësisë të emërojë personalisht të gjithë stafin administrativ të gjykatave?

5. Projektligji ka defekte të rënda teknike për sa i përket rregullimeve të strukturave përbërëse të administratës gjyqësore. Funksione të ndryshme janë shpërndarë njëkohësisht në disa struktura dhe në subjekte të ndryshme të administratës, duke mbivendosur funksionet dhe mosndarë në mënyrë të qartë përgjegjësitë.
Por një analizë të posaçme për të kuptuar konfuzionin e projektligjit meriton neni 12 i tij i titulluar Struktura e zyrës së gjykatës si dhe neni 14 i titulluar Struktura e zyrës administrative. Sipas këtyre neneve parashikohet që sipas nevojave në gjykatat e shkallës së parë dhe në gjykatat e apelit që ndodhen në të njëjtin rreth gjyqësor krijohet vetëm Një Zyrë e Gjykatës dhe vetëm Një Zyrë Administrative, si pjesë përbërëse e administratës gjyqësore të gjykatës me numrin më të madh të punonjësve. Nëse do të zbatohej ky projekt në Rrethin Gjyqësor Tiranë, kjo do të bëjë që në praktikë në Rrethin Gjyqësor Tiranë të krijohet vetëm Një Zyrë e Gjykatës dhe vetëm Një Zyrë Administrative të cilat do të ishin pjesë përbërëse e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (meqenëse kjo gjykatë ka numrin më të madh të punonjësve) kurse Gjykata e Apelit Tiranë mund të mos i ketë fare këto zyra megjithëse është Gjykata e Apelit më e madhe në vend.
Lind pyetja – A kanë pasur ndonjë ide të qartë hartuesit e këtij projekt ligji se si Kryetari dhe Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë do të jenë përgjegjës edhe për drejtimin, kontrollin dhe funksionimin e administratës gjyqësore të Gjykatës së Apelit Tiranë? Të imagjinojmë për një moment që i njëjti skenar mund të ndodhë edhe për Gjykatat e Krimeve të Rënda dhe Gjykatat Administrative që priten të krijohen.

6. Projekt ligji nuk parashikon në strukturën e gjykatave ndihmësit ligjorë, megjithëse ligje të veçanta të sistemit parashikojnë Ndihmësin Ligjor si një subjekt të rëndësishëm të administratës gjyqësore.

7. Për përgjegjësinë disiplinore mungojnë rregulla të përcaktuara qartë, por neni 51 i jep të drejtë Ministrit të nxjerri një rregullore për sistemin disiplinor. Kjo do të thotë që statusi i administratës gjyqësore të ngelet i parregulluar në mënyrë të plotë nga ky ligj.
Sa më sipër janë konstatime të disa prej defekteve kryesore të projektit, pa u thelluar në faktin se në nenet përkatëse të tij ka nevojë për rregullime më të qarta dhe sidomos në përshtatjen e emërtesave të strukturave në harmoni me legjislacionin shqiptar, traditën e organizimit gjyqësor të gjykatave, ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” etj.
Një ligj antikushtetues. Projektligji në disa rregullime të ofruara vjen në kundërshtim të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 20, datë 09.07.2009 ka vendosur disa standarde në drejtim të rolit të ekzekutivit mbi administratën e pushtetit gjyqësor.
- Është konsideruar e papajtueshme me Kushtetutën vendosja e administratës gjyqësore nën varësinë e Ministrit të Drejtësisë dhe marrja prej tij e një roli parësor në organizimin dhe drejtimin e shërbimit të administratës gjyqësore, (pika 14 e Vendimit të GJK); Pushteti ekzekutiv, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, ka si detyrë të tij garantimin e kushteve të përshtatshme të punës për gjykatat dhe gjyqtarët, në funksion të dhënies së drejtësisë, ndërsa “ kontrolli” që ai kryen mbi administratën gjyqësore nuk duhet të cenojë elementët e pavarësisë, të cilat në thelb prekin vetë funksionin e dhënies së drejtësisë, (pika 18 e Vendimit të GJK)
– ndërkohë që me këtë projektligj siç e parashtruam edhe më lart në disa nene të tij, Ministri i Drejtësisë ka marrë një rol përcaktues nëpërmjet kompetencave të dhëna për organizimin dhe mbikëqyrjen e administratës gjyqësore.
- Vendimi i GJK ka shfuqizuar si antikushtetuese të drejtën e kancelarit për të emëruar dhe shkarkuar personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës;…”
- ndërkohë që projekti sipas nenit 20, pika 3, Kancelari jo vetëm plotëson vendet e lira me anë të transferimit të përkohshëm (kompetencë jo pak e rëndësishme), por sipas shkronjës “dh”, “ merr vendime në fund të periudhës së provës të nëpunësve civilë gjyqësorë pasi ka marrë mendimin paraprak të kryetarit. Mendimi i kryetarit për nëpunësit e zyrës së gjykatës është i detyrueshëm;”
- Shmangia e kryetarëve të gjykatave nga çështjet që lidhen me organizimin, drejtimin dhe kontrollin e përgjegjshmërisë së administratës gjyqësore, si dhe me emërimi dhe shkarkimi i personelit, krijon rrezikun e një ndikimi të papërshtatshëm në dhënien e drejtësisë, (pika 20 e Vendimit të GJK)
– ndërkohë që ky projektligj në shumë dispozita të tij siç u parashtrua edhe më lart e kthen kryetarin e gjykatës në një rol pasiv mbi administratën gjyqësore;
Qartazi rezulton se projekti në disa dispozita të tij ka implikime kushtetuese, pasi bien ndesh me vendimmarrjen kushtetuese dhe me parimet që GJK ka elaboruar në vendimin nr. 20/2009 të saj. Pra në vlerësimin tonë ky është një ligj i vonuar, i zvarritur qëllimisht dhe kryesorja me një sërë problemesh deri edhe me implikime kushtetuese.
Një projektligj që nuk ndryshon situatën aktuale në gjyqësor. Çështja shtrohet më shumë se kaq. Nëse pranojmë e i hyjmë këtij diskutimi dhe e miratojmë këtë pligj çfarë të rejash sjellim ? A e përmirëson ky projekt gjendjen e rëndë në të cilin gjendet sot sistemi i drejtësisë dhe veçanërisht pushtetit gjyqësor?
Janë shumë shqetësuese vonesat dhe cilësia në dhënien e drejtësisë, korrupsioni dhe paaftësia që është prezente në jo pak gjykata dhe gjyqtarë çka ka bërë që të mungojë ndjeshëm besimi i publikut ndaj gjyqësorit, të adresohen kritika të ashpra nga shoqëria civile, faktorët politikë e shoqërorë në vend dhe veçanërisht në mënyrë të përsëritur edhe nga partnerët ndërkombëtar përfshi dhe vet Komisionin Europian.
Këto janë problemet reale që ka sot sistemi, probleme që lidhen por kurrsesi nuk mund të zgjidhen me administratën gjyqësore sikur edhe perfekte të ishte ajo. Ju nuk mund të vini sot këtu e ta na thoni se gjyqësorin dhe gjyqtarët si rregullojmë dot po ejani në këtë fund mandati të ndreqim me sa të mundim administratën me sekretaret e gjyqësorit. Kjo është sikur në një trupi njeriu me kancer mjeku të kërkoj ti bëj plastikë hundën. Jo nuk është kjo qasja që duhet të kemi ndaj gjyqësorit dhe problemeve të rënda që e kanë mbërthyer atë.
Ne jemi këtu për të parë në sy problemin, për t’i adresuar shqetësimet e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë e jo për ti anashkaluar me ligje të peshës sekondare dhe kryesorja për të vepruar me reforma të thella kushtetuese e masa institucionale. Korrupsioni në gjyqësor është kanceri që po e gërryen sistemin. Drejtësia është shndërruar në një mall që shitet e blihet nga kush paguan më shumë e më shpejtë. Këtë e pranojnë dhe vet gjyqtarët në studimin e kryer para disa kohësh. E theksojnë në mënyrë të përsëritur partnerët dhe na i thonë çdo ditë qytetarët me një zemërim e revoltë të papërmbajtur. E thoni dhe ju kur ju duhet të justifikoni treguesit e indeksit të korrupsionit Muaj më parë e bënit duke treguar gishtin nga ish-presidenti dhe ish-zv.kryetari i KLD-së përmes akuzash që kurrë nuk i konkretizuat. Po sot që Presidenti është thjesht një oficer i komanduar në atë detyrë nga radhët tuaja partiake, që prokurori është përzgjedhur e emëruar po prej jush, që zv.kryetari i KLD-së është një ushtar i bindur juaji, që ministri është blu nga koka te këmbët !!! Kë do të akuzoni?
Po sot që ka mbi 6 muaj që gjyqtarët i keni tërësisht pa imunitet çfarë bëni ? Çfarë nuk i thatë opozitës për imunitetin se po ju pengonte në luftën tuaj ndaj korrupsionit ? Po ku i keni të korruptuarit, sekserët, shitësit dhe blerësit e dekreteve ?! Më tregoni një dhe vetëm një prej tyre të vënë para përgjegjësisë penale e administrative ? Asnjë të vetëm! Pse? S’keni ligje? Keni imunitet? Jo e thjeshtë fare. S’keni vullnet dhe s’ka se si. Sepse ju jeni vet problemi, qeverisja juaj dhe përfaqësuesit tuaj në drejtimin e pushtetit gjyqësor nuk janë atje për të bërë reforma reale, për të zbatuar ligjin e për të ndëshkuar korrupsionin, por për ta nënshtruar e marrë peng gjyqësorin edhe përmes korruptimit e manipulimit të disa gjyqtarëve e disa prej kryetarëve të gjykatave që janë përzgjedhur për të rregulluar shortet, për të përcaktuar trupat gjyqësore siç po veprohet rëndom në gjykatën e rrethit gjyqësor dhe apelit të Tiranës.
Ju kërkoni ta shkëpusni vëmendjen e opinion publik përmes procesit të miratimit të ligjit të radhës ndërkohë që ju e keni marrë peng pavarësinë e gjyqësorit. Juve ju kundërvutë brutalisht një deklarate dashamirëse të ambasadorit të SHBA në Tiranë për një konstatim e një këshillë publike që ai guxoj e shprehu në emër të qeverisë së SHBA për vendimin absurd të gjykatës së Tiranës për 21 janarin. Juve ju kundërvutë brutalisht deklaratës së partnerit më të rëndësishëm për vendin tonë e që ka bërë aq shumë për vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës në këtë vend, që ka financuar e mbështetur me një sërë projektesh thelbësore për reformimin e drejtësisë shqiptare. E bëtë këtë ju që s’keni lënë fjalë dhe fyerje pa lëshuar ndaj gjykatave e prokurorëve që ju kanë cënuar sadopak në interesat tuaja, ju që keni guxuar e keni çuar inspektimin e ministrisë së drejtësisë për çështje gjyqësore jo më me një vendimmarrje të përfunduar qoftë kjo edhe në shkallën e parë, por edhe për çështje në proces hetimi e gjykimi! Ju që mbani ende në këmbë një komision hetimor për 21 janarin, një komision fantazmë që ka pasur për ish kryetar pikërisht ministrin e drejtësisë në detyrë, një komision që s’ka bërë prej një viti asnjë mbledhje të tij, por që mbahet në këmbë me të vetmin qëllim ti bëj presion gjyqësorit e prokurorisë sepse gjithkush e di që s’mund të ketë një komision hetimor kur ka në proces shqyrtimi një çështje gjyqësore ! Ky është pseudo morali juaj për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe mosndërhyrjen në vendimmarrjen e gjykatave.
Ju kërkoni të miratojmë ligjin për Gjykatën e Lartë apo edhe këtë për administratën gjyqësore thjesht për të hapur disa vende të reja pune në gjyqësor për klientët e pushtetit tuaj politik. Çfarë nuk keni thënë ju për emërimet djeshme në gjyqësor dhe këtë ja ngarkonit ish drejtuesve të KLD-së (e për hir të së vërtetës në disa raste jo pa të drejtë) megjithëse ishit pjesë e çorbës së gatuar po prej jush ? Po sot kujt do t’ja caktoni përgjegjësinë për dekretin që fle sirtarëve të kuvendit për anëtarin e munguar të GjK të cilës ka mbi 1 vit që i mungon një gjyqtarë çka e vë atë në pozitë vështirë funksionimi e potencialisht edhe bllokimi vendimmarrje. Kujt do t’ja ngarkoni edhe këtë përgjegjësi opozitës që s’ka miratuar ligjin për gjykatën e lartë? E thjeshtë fare. S’ka asgjë parimore në qëndrimin tuaj. Thjesht po prisni të bëni pazarin politik të radhës me dekretin në radhë e për të vazhduar me pazaret e tjera për emërimet e pritshme në gjyqësor. Tenderi është hapur. Thjesht po priten ofertat më të mira që kënaqin ethet tuaja për mbajtjen peng të gjyqësorit. Në mënyrë të përsëritur është thënë e rithënë veçanërisht nga partnerët tanë të BE-së se “Shqipëria vazhdon t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te zbatimi i legjislacionit ekzistues”.
Një shembull konkret. Keni vetëm pak muaj që keni miratuar ndryshimet në ligjin e avokatisë. E konsideruat fundin e zvarritjeve në gjyqësor ? Ne jua thamë që ndryshimet ishin kozmetike po ju përsëri na drejtuat gishtin si anti reformatorë ! Po cili është rezultati ? E zvarritët pa fund gjyqin e Gërdecit ! Ndërkohë që janë bërë 203 e seanca për gjyqin e Dritan Dajtit dhe vetëm zvarritje e zvarritje pa fund. Një skandal i vërtetë në historinë e gjyqësorit shqiptarit, një rekord për Gines.

Ne nuk jemi këtu për të pasuruar bibliotekën e kuvendit me ligje, as për të pasuruar me goglën e radhës numëratorin parlamentar të kryetares partizane të kuvendit. Ne jemi ligjvënës dhe detyra jonë është të miratojmë ligje e të marrim vendime që ja bëjnë më të mirë e më të drejtë jetën qytetarit , që i ofrojnë atij një shërbim sa më të shpejt të barabartë dhe të ndershëm. Ne nuk dëshirojmë që të jemi bashkautorë të suksesit me statistika të rreme me numërtim ligjesh që nuk sjellin asgjë në dobi të qytetarit, të forcimit të shtetit të së drejtës. Ndaj nuk do të jemi pjesë e këtij debate për administratën e sekretaret e gjyqësorit.

Ne nuk mund t’jua zgjidhim për momentin hallin e madh qytetarëve me padrejtësinë që ju ofron qeverisja juaj, por së paku nuk mund t’i lejojmë vetes të jemi pjesë e talljes ndaj tyre me hipokrizinë tuaj të radhës duke ju ofruar ligjin e radhës në pritje të padrejtësisë së radhës.

KOMENTE