Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
PS dhe PD, për herë të parë miratojnë së bashku, 18 vendimet e Bashkisë së Tiranës
English

PS dhe PD, për herë të parë miratojnë së bashku, 18 vendimet e Bashkisë së Tiranës

Këshilli Bashkiak ka miratuar të 18 vendimet e propozuara nga Bashkia e Tiranës. Unanimisht, Këshilli Bashkiak i ka hapur rrugën procesit të hipotekimit të 260 objekteve me 11 mijë apartamente dhe përfitues direkt 50 mijë qytetarë të Tiranës. Vendimi që pason aktin normativ të qeverisë zgjidh një problem të madh të qytetarëve të Tiranës të cilët edhe pse kanë shpenzuar kursimet e jetës së tyre për të pasur një apartament, për shkak të shkeljes së lejes së ndërtimit nga subjektet ndërtuese nuk kanë ende një çertifikatë pronësie.

“Ky është një vendim i cili shkon edhe më në palcë të interesit të qytetarëve, ka të bëjë me dy aspekte kryesore, e para; me një të drejtë themelore të mohuar prej kohësh që është e drejta për titujt e pronës dhe ka të bëjë fortë edhe me aspektin ekonomik për shkak të vlerës që këto tituj të munguar kanë ngrirë para sektorit bankar. Bëhet fjalë pikërisht për përkthimin apo për aktualizimin e aktit normativ të qeverisë, për hipotekimin e afro 260 objekteve të banimit, me përfitues të drejtpërdrejtë afro 50 mijë qytetarëve të Tiranës. Ne brenda një kohe fare të shkurtër do të japim lejet e shfrytëzimit për afro 11 mijë njësi banimi, dyqane etj që përfaqësojnë interesat e afro 50 mijë qytetarëve të Tiranës, por në të njëjtën kohë përfaqësojnë një kapital shumë të madh kolateral të ngrirë. Bëhet fjalë për dhjetëra, qindra, miliona euro vlerë të këtij kolaterali, i cili pa dyshim do të ndihmojë edhe më tej axhendën tonë për t’i dhënë qytetit tonë sa më shumë frymëmarrje dhe oksigjen në fushën e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të shanseve për punësim” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Këshilli Bashkiak miratoi unanimisht edhe propozimin e Kryebashkiakut Basha, për uljen me 30% të taksave për 528 subjekte që ushtrojnë aktivitetin në fushën e artizanatit. Ky është vendimi i tretë që merret, gjatë 18 muajve të drejtimit të Bashkisë nga Lulzim Basha, për ulje taksash në Bashkinë e Tiranës.

“Masa konsumon tërësisht kompetencën e Këshillit Bashkiak por edhe timen si kryetar, për reduktimin maksimal deri në 30% të taksave për këto kategori biznesesh. Duke i numëruar një për një dhe duke i vendosur me emër këto kompani, nga njëra anë shmangim rrezikun e abuzivitetit apo të një diskrecioni jo pozitiv nga ana e administratës, por nga ana tjetër e lemë derën hapur, natyrisht duke iu rikthyer Këshillit, duke përfshirë ose sektorë të tjerë që mund të identifikohen në të ardhmen. Dëshira, natyrisht e jona është që të shohim biznese të reja në këto kategori, sepse ky do të ishte edhe një përfitim i drejtpërdrejtë i qytetit, duke krijuar më shumë vende pune, duke krijuar një tjetër impuls ekonomik. Pra, në qoftë se shohim biznese të tjera të këtyre kategorive që hapen ose këto biznese që rriten, mund të themi me krenari që kjo masë ia ka arritur pjesërisht objektivit tonë kryesor që është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i shanseve për punësim.

Dua të përshëndes edhe këtë të majtë të re, e cila me siguri është frymëzuar edhe nga fushatat për qytetarin të vitit 2011, ku unë e pata uljen dhe heqjen e taksave si një ndër premtimet kryesore për regjenerimin ekonomik. E përshëndes, veçanërisht duke pasur parasysh që në paketën e parë të uljes së taksave, jo vetëm nuk u trumbetua si politikë e majtë por u votua kundër heqjes së tarifave e taksave. E përshëndes këtë qëndrim, duke pasur parasysh që nuk është punuar në drejtim të uljes së taksave kur majta e ka pasur pushtetin në këtë karrige ku jam ulur unë ose të paktën një përfaqësues i së majtës e ka pasur dhe ka pasur të njëjtën mundësi që kam pasur edhe unë sot për të ulur me 30% taksën dhe nuk e ka ulur. E rëndësishme nuk është pse nuk u ul taksa në 11 vitet e kaluara. E rëndësishme nuk është pse nuk votuat për heqjen e tarifave dhe taksave, e rëndësishme është se ju sot e mbështesni këtë masë dhe për këtë unë sot ju përshëndes” – u shpreh z. Basha.

Këshilli Bashkiak i kryeqytetit ka miratuar trajtimin e 179 familjeve me subvencion për interesat e kredisë, dhënien e bonusit për strehim të 8 familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë si dhe përcaktimin e sistemit të pikëzimit për programin e banesave sociale me qira.

Zoti Basha ka bërë të ditur pas akuzave të opozitës, se pavarësisht problemeve të mëdha të trashëguara për banesat sociale të Shkozës, Bashkia është e vendosur të procedojë me përfundimin e tyre dhe zgjidhjen e problemeve.

“Meqë këtu flitet nganjëherë edhe vetëm për kamerat, dhe jo për substancën, ju siguroj, sikurse ju sigurova në dhjetor, që procesi nuk ka ngecur por ne kemi ecur me eliminimin e të gjithë problemeve, që shoqëruan ndërtimin e objekteve në Shkozë, probleme që nisën që nga mungesat e procedurave të ndërtimit. Meqë vetë z. Bushati pati probleme me monumentin për të cilin ka filluar sistemimi para se ju të shpreheshit, ju them se gjithë kompleksi aty, është i pa pajisur me asnjë leje ndërtimi, apo procedura të tjera publike. Pra, që nga problematika ligjore e deri te problematika teknike, ku eliminimi i shtyllës së tensionit të lartë është bërë vetëm së fundmi dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën sesi zhvillohej projekti.

Është një projekt i financuar nga Banka e Këshillit të Evropës, me një kredi të garantuar nga qeveria shqiptare, të negociuar nga Ministria e Transporteve, kredi e cila shlyhet nëpërmjet personave që marrin strehim social. Këtu, kemi një dilemë, meqë u përmend në anën substantive, sepse kemi mbi 200 kërkesa për 135 apartamente, dhe natyrisht një nga kriteret përveç atyre të pikësimit është edhe aftësia e atyre që mund të përfitojnë nga ana sociale për t’u strehuar, për të paguar dhe këtu kemi një problem sepse strukturimi financiar i kësaj kredie, nëse dëshironi edhe nga administrate e mëparshme, lë një hapësirë shumë të vogël manovrimi. Unë personalisht kam vërejtjet e mia për këtë, sepse më duket e paarsyeshme që garsonierat në Shkozë të kushtojnë 100 mijë lekë të vjetra në muaj qira, sepse nuk më duket sociale një garsionerë me 100 mijë lekë. Këto janë probleme të kryetarit, janë probleme të administratës, probleme të përballjes tonë, ditë për ditë me qytetarët dhe jam i sigurt se janë jashtë formalizimit përpara kamerave, ndaj këtë e kisha vetëm për t’ju sqaruar se nuk kishte asnjë vonesë. Ka probleme reale me të cilat po merremi. Me këtë që po bëni sot, po miratoni një sistem transparent pikëzimi, për të cilën më erdhi mirë që dëgjova një përkrahje transversale” – u shpreh Kryebashkiaku Lulzim Basha.

Në këtë mbledhje u miratua edhe dhënia e bursave të shtetit nxënësve dhe studentëve për vitin shkollor 2012-2013, për 95 studentë parauniversitarë, 224 bursa për nxënësit e konvikteve, 1 bursë ekselence dhe 25 bursa për shkollat e larta.

Një tjetër projekt-vendim i rëndësishëm i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës është dhe lista e inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Kjo listë, rezultat i një pune 18 mujore përmban 6999 prona të paluajtshme të regjistruara për herë të parë, ndërkohë që nga viti 2002 e deri më sot, Bashkia e Tiranës ka të regjistruara në inventarin e saj vetëm 6725. Lista që miratohet në Këshillin Bashkiak e më pas në Këshillin e Ministrave e çon në 13 724 numrin total të pronave në inventarin e Bashkisë së Tiranës.

Kreu i Bashkisë Lulzim Basha u ka kthyer përgjigje dhe akuzave të opozitës për cënim të hapësirave të gjelbra nga plani i ri rregullues.

“Plani jo vetëm që nuk zhduk asnjë centimetër katror gjelbërim lulishtesh të qytetit, por nëpërmjet një formule transparente, harmonizimit të interesave private me interesat publike, për herë të parë i jep fund ati fenomeni që ka ekzistuar deri më sot. Ne kemi parë lulishte të kthehen në sheshe ndërtimi, kemi parë lulishte publike të gllabërohen dhe të kthehen në sheshe ndërtimi. Nuk është vendi e as koha për të numëruar. Ka ndodhur dhe ju e dini fort mirë se një nga arsyet kryesore se pse ka ndodhur është se nuk ka pasur një instrument llogaridhënës me të cilën mund të ballafaqoheshin përgjegjësit siç është plani urbanistik. Sot, pas 23 vitesh, ky instrument ekziston dhe bën të mundur për herë të parë mbrojtjen e çdo centimetri katror hapësirë publike e po ashtu ekziston edhe një vullnet katërcipërisht i demonstruar përpara qytetarëve si në vepra publike, siç ishte rasti po e përmend edhe njëherë rrugën “Konti Bertold”. Edhe aty ku ndërhyjmë për infrastrukturë publike, aty ku është e mundur të përdorim atë pjesë që nuk është pjesë e infrastrukturës publike për të gjelbëruar, për të ofruar një kënd lojërash apo një kënd çlodhjeje. Këtë do të bëjmë sot anembanë qytetit të Tiranës. 25% e veprave publike që po ndërton sot Bashkia e Tiranës me buxhetin e vitit 2012, me buxhetin e viti 2013 përbëhet nga komponentë të tillë, kthim gjelbërimi, sheshesh për fëmijët të moshuarit, për atë që quhet gjelbërim kapilar. Jo vetëm kaq, do të kemi ndërhyrë dhe rehabilituar hapësira të cilat ndonëse jo me statusin e pronës publike, pra që disponohen nga pronarë, ndonëse kishin koeficient të lartë zhvillimi, nga studimet e dikurshme pjesore as nuk u zhvilluan se me sa duket sekserët nuk u morën vesh por mbetën në atë gjendje që të gjithë e dimë dhe ne i kthyem në hapësira të gjelbra, i kthyem në hapësira të gjelbra, të nderuar antarë të Këshillit! Besoj që të paktën në këtë Këshill duhet të bini dakord se lajmi shumë i mirë që qytetarët e Tiranës morën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e jo nga institute fantazëm, por nga OBSH-ja për rënien për herë të parë në 22 vjet në nivelin e pranueshëm të grimcave më të rrezikshme të shëndetit është pjesërisht edhe rezultat i përkushtimit tonë për përmirësimin e ajrit të Tiranës.

Sot kemi një plan dhe ju duhet të ndiheni krenarë si këshilltarë, se kjo gjeneratë këshilltarësh, pavarësisht se një pjesë prej jush zgjodhi dhe mirëkuptoj kontigjencat politike, mirëkuptoj edhe ndienjën e turpit, shpresoj të kthehet në pendesë nga ata që urdhëruan, zgjodhi të mos votojnë planin, por të vish këtu dhe të thuash që plani zhduk gjelbërimin, jua them edhe njëherë, është njësoj sikur Hitleri të akuzojë Ajzenhaurin që persekuton hebrenjtë. Jua them me gojën plot, se jemi krenarë për planin që për herë të parë paraqitet në mënyrë transparente përpara qytetarëve dhe garanton përveç aspekteve të tjera gjelbërimin e pesëfishuar vetëm brenda vijës së verdhë.

“Komuna e Parisit” është shembulli se si ndërtohet me studim pjesor dhe pa plan urbanistik, se si ndërtohet “geto” (thotë profesori). Sot, jo vetëm që s’preken hapësirat publike, po hapësira private zhvillohet në mënyrë të tillë që gjithashtu liron hapësira të reja publike. Mjerë ata që se kuptojnë, sepse është e thjeshtë! Akoma më mjerë ata që e kuptojnë, por s’duan ta kuptojnë, s’duan ta kuptojnë sepse kanë një problem. Problemin e kanë me të kaluarën, me mënyrën se si janë bërë punët deri tani, sepse qenka gjëja e parë që është bërë dhe nuk është bërë në 23 vjet dhe pse nuk është bërë në 23 vjet dhe pse nuk është bërë veçanërisht në 11 vitet e fundit kur është premtuar për t’u bërë në 100 ditët e para. Këtu është problemi.

Këtu nuk bëj akuzatorin dhe nuk kam as tagrin institucional, as kohën e dëshirën për t’u marrë me mëkatet e së shkuarës, sepse mandati im është për të ecur përpara me premtimet që kam karshi qytetarëve të Tiranës dhe këtë po bëj. Kam mbajtur premtimin duke ju sjellë planin urbanistik i cili u jep transparencë qytetarëve të Tiranës dhe kështu do të jetë më e vështirë të tjetërsohen e të bien pre e klientelës apo sekserëve që si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen mund të përpiqen të tjetërsojnë atë që u takon qytetarëve por tani e kanë më të vështirë, pasi plani është transparent dhe i parashikon të gjitha.

Plani është i pandryshueshëm, në kuptimin që ndryshimi kalon nga Këshilli Bashkiak dhe KKT por nuk mund të ndryshohet më as në zyrën e Kryetarit, as në ndonjë hapësirë tjetër. Kjo është mbrojtja që qytetarët e Tiranës kanë dhe s’ka sekser që të vijë e t’u thotë: “kaq e ke, por unë të vij e ta bëj kaq!”, sepse ka plan, ka “kushtetutë” urbane. Ky është ndryshimi!” – u shpreh z. Basha.

Me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak miratoi delegimin tek 11 njësitë bashkiake të kompetencave që lidhen me kontrollin e territorit të tregjeve, me sigurinë etj. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative. Ky vendim u votua unanimisht, me kusht që të hyjë në fuqi pas 23 qershorit.

“Këshilli Bashkiak miraton këtë vullnet politik të Kryetarit të Bashkisë, për t’u dhënë pushtet real kryetarëve të njësive vendore, që të mos firmosin vetëm certifikata. Është premtuar decentralizimi dhe nuk është bërë decentralizimi. Ky është decentralizimi! Do u japim edhe kompetenca të tjera, kompetenca e parë u jepet, kontrolli i territorit, polici bashkiake, mjete për të operuar. Do u jepet mundësia për të vendosur për ndërhyrje të veçanta në territore, do u jepet mundësia për të bërë projektet e tyre, për të mbajtur tërësisht taksat e pronës që sot vilet në nivele të vajtueshme. Po ecim përpara, po e mbajmë premtimin. Në qoftë se i thoni të bardhës “e bardhë” e të zezës, “e zezë”, ta lëmë të kaluarën! – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Këshilli Bashkiak miratoi dhe vendimin për tarifat në shërbimin taksi të qytetit të Tiranës dhe konkretisht për ndryshimin e distancës së zonës fillestare, për mjetet e shërbimin taksi 4+1.

Këshilli Bashkiak miratoi në këtë mbledhje projekt - vendimin për vendosjen e bustit të figurës së mirënjohur të Rilindjes sonë kombëtare, Jeronim De Rada, vepër e realizuar ng Odise Paskali; bustit të ish deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Sabri Godo; dhënien e titullit “Mirënjohje e Tiranës” humoristit dhe artistit të mirënjohur të Estradës së Tiranës, Z. Veli Rada dhe artistit të mirënjohur të folklorit shqiptar Haxhi Maqellara; emërtimin “Skënder Xhiku”, të rrugës nga prerja me rrugën “Arkitekt Sinani”, deri në brendësi të bllokut të banimit dhe “Haxhi Dede Reshat Bardhi”, të rrugës nga ndërprerja me rrugën “Muhamet Gjollesha”, deri në brendësi të bllokut në afërsi me rrugën e “Kavajës”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, duke iu përgjigjur shqetësimit të këshilltarit të opozitës Kiço Blushi për kriteret e vendosjes së busteve apo emërtimeve tha se do të ngrinte një komision për të shqyrtuar të gjithë emërtimet e rrugëve në Tiranë, ndërsa i ka bërë të ditur zotit Blushi, se një nga kriteret e ngritjes së busteve është se ata duhet të jenë ndarë nga jeta.

“Jam dakord që kriteret duhet të jenë të sakta dhe kriteri i saktë, një nga fillestarët është se nuk mund të bëjmë buste për të gjallët, kështu që unë nuk uroj që t’i bëj bust zotit Kadare, përkundrazi i uroj jetë të gjatë, i uroj të vazhdojë krijimtarinë e tij, shpresoj që kjo figurë që padyshim është figura emblematike e letrave shqiptare dhe që ndoshta një nga faktorët për të cilat nuk e merr çmimin “Nobel” është albanofobia. Ndoshta edhe kjo do të bjerë dhe ai do të marrë atë çmim që e meriton para shumë e shumë të tjerëve që e kanë marrë këtë çmim, por siç thashë i uroj jetë të gjatë dhe krijimtari, sepse me krijimtarinë e tij dhe librat e tij, ai me të vërtetë krijoi një univers edhe në kohët e errëta, ku universi që na rrethonte ai real jo ai virtual i Kadaresë ishte pothuajse i padurueshëm, i padurueshëm. Në atë që cekët zoti Blushi, në mënyrën se si emetoheshin rrugët e Tiranës, të cilat edhe sot e kësaj ditë më së shumti kanë emër figurash ose pa asnjë kontribut, ose me kontribute negative në shoqërinë tonë dhe jam i sigurt që po t’i rihidhnim sot në këtë Këshill dhe të zhvisheshim nga çdo paragjykim politik apo polarizim paraelektoral, asnjë prej nesh nuk do të ngrinte dorën për t’i miratuar pa u skuqur. Ju kam thënë që jam zotuar që ne me një komision ekspertësh, me një spektër sa më të madh qytetar do të bëjmë një rishikim të plotë të gjithë sistemit të plotë të rrugëve të Tiranës dhe duke e bërë këtë do ta zhveshim nga politizimi, do ta zhveshim nga pasionet e çastit, do t’i japim qytetarëve një sistem i cili nga njëra anë të jetë i kuptueshëm, i zbërthyeshëm, të ndihmojë në orientimin në qytet dhe nga ana tjetër të nderojë, sepse është kryeqyteti shqiptar, të nderojë historinë e Tiranës, historinë e Shqipërisë, historinë e kombit tonë dhe miqtë tanë apo të huaj që kanë dhënë kontribute për qytetin apo për kombin.

Së treti, do të thosha që Bashkia ka një vizion farë të qartë për këtë, vizion i shpalosur në programin tim që po ekzekutoj dhe po e shpalos hap pas hapi. Ju kujtoj se vetëm në periudhën para festave të nëntorit, para 100-Vjetorit të Pavarësisë, ne së bashku me qeverinë i dhamë Tiranës një itinerar historik i cili nuk ka ekzistuar apo ka ekzistuar pjesërisht në kohë të kaluara, por që ka qenë subjekt pastaj i sulmeve të regjimeve të mëparshme. Investuam dhe vendosëm simbolin tonë kombëtar në hyrje të qytetit, vendosëm një tjetër simbol, aty ku Tirana më 26 nëntor, familjet tiranase ngritën flamurin kombëtar.

Kemi sot shtatore të figurave të shquara të kombit përgjatë itinerarit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” apo figura që kanë një domethënie të veçantë siç ishte ajo e Presidentit “Wilson”. Nderuam me emërtimin e rrugës së re që u hap tek “Brryli”, një tjetër figurë të rëndësishme për të rënë në obskuritetin e historiografisë komuniste dhe post komuniste, atë të Kontit “Bertold” dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, për të nderuar figurat historike” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Një tjetër vendim i miratuar në Këshillin Bashkiak ishte dhe vendosja e memorialit për simbolet e diktaturës “Postbllok”, në hyrje të zonës së ish - Bllokut.

Dy nga elementët janë të dhënë, bunkeri ndodhet aty ku ndodhet kemi një dhuratë të një pjese të Murit të Berlinit, dhe vetmi element i tretë për të cilin besoj se ka një unanimitet midis shqiptarëve është elementi i njësisë më famëkeqe të persekucionit i “aus-vicit” të shqiptarëve që ishte Spaçi dhe është zgjedhja e artistëve. Njëri ka qenë bashkëvuajtës në Spaç, publicist i njohur, me kredenciale z. Lubonja dhe tjetri është një ndër artistët pararojë të artit out-door, modern shqiptar, z. Ardian Isufi.

Nuk duhet të konfondohet apo ngatërrohet kjo me Obeliskun apo monumentin e përkujtimit të të përndjekurve nga komunizmi i cili është një proces tjetër dhe për të cilin do të ketë një vendimmarrje tjetër e cila me siguri në një moment do të përfshijë edhe Këshillin Bashkiak, për të përcaktuar vendndodhjen e monumentit” - u shpreh z. Basha.

KOMENTE