English

Berisha inaguron fazën e parë të kampusit të ri të Universitetit Amerikan të Tiranës

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e fazës së parë të kampusit te ri te Universitetit Amerikan te Tiranës, (UAT) ne Lundër, investim prej rreth 3 milion eurosh. UAT është pjesë e dy rrjeteve universitare: UNIMED (Rrjeti i Universiteteve të Mesdheut me qendër në Romë)dhe EUROAS ( Rrjeti i Universiteteve Euro-Aziatike me qendër në Stamboll)​.

Ky universitet ofron për 700 studentët e tij, mjedise nga më modernet dhe bashkëkohoret, ku përfshihen auditorët, laboratorët, mjediset sportive, restorantet, hapësirat e gjelbra, si dhe biblioteka e cila zë një hapësire prej 1000 m2. Kjo bibliotekë është më e madhja në Evropën Juglindore me një fond rreth 100 mijë libra me vlerë të përllogaritur mbi 4 Milion USD. Ajo është mundësuar nëpërmjet një projekti me partner kryesor, donator nga SHBA.
Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafai, administratori i përgjithshëm i Universitetit Amerikan te Tiranës, zoti Lulëzim Ndreu, si dhe nga drejtues të pushtetit lokal dhe përfaqësues të stafit akademik, vizitoi mjediset e brendshme ku u takua e bisedoi me studentë e pedagogë.

Kryeministri përgëzoi zotin Ndreu dhe ekipin, për punën e tyre të palodhur, e cila ka bërë që në një hark kohor të shkurtër, ta rendisë ketë universitet, në programe të caktuara, me dinjitetin më të madh, përkrah universiteteve botërore të një niveli të lartë.

Kryeministri vlerësoi në mënyrë të veçantë bibliotekën, të cilën e cilësoi si Levën e Arkimedit, ku çdo student mund të rrisë në nivele edhe më të larta dijet e tij.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që universiteti ka vendosur me universitet nga më të njohurat në botë si Universiti i Sheffield, në UK Universiteti i Kentucky, në SHBA, Morehead State University, në SHBA, si dhe Universiteti i Pisa, në Itali. “Ne do të mund të ndërtojmë një sistem universitar dinjitoz, vetëm e vetëm mbi baza ndërkombëtarizmi intensiv. Ora globale të cilën duhet ta ndjekin shqiptarët, fton ata të mendojnë gjithnjë e më shumë, të mendojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar. “ u shpreh kryeministri.

KOMENTE