English

Zyrat plot me punonjës që kanë kontrata me kohë të përkohshme

Pavarësisht apelimit të institucioneve ndërkombëtare për rritjen e profesionalizmit të Administratës Publike dhe rekrutimit të punonjësve përmes konkurseve transparence, punësimi përmes kontratave të përkohshme vijon që të jetë një gangrenë. Në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil që “Shekulli” ka mundur të sigurojë vihet re një situatë dramatike, veçanërisht në njësitë e qeverisjes vendore. Rreth 41 për qind e vendeve të punës në administratës nëpër bashki dhe komuna rekrutohet përmes kontratave të përkohshme në shkelje të hapur me ligjin duke kaluar çdo normë.

Në disa njësi vendore, kjo shifër shkon edhe në 100 për qind, duke treguar edhe njëherë problematikën e punësimeve dhe të pavarësisë së administratës. Në institucionet e administratës vendore, gjatë procesit të mbikëqyrjes janë kontrolluar 754 pozicione pune në shërbimin civil dhe është konstatuar se në 311 raste, (ose e shprehur në përqindje, 41 % të gjithë pozicioneve të punës në shërbimin civil të kontrolluara), këto pozicione janë plotësuar në kundërshtim me ligjin, pasi është përdorur si mjet ligjor për të lidhur marrëdhënien e punës, kontrata e përkohshme sipas Kodit të Punës.

Në qoftë se situatën do t`a krahasojmë me të dhënat e raportuara një vit më parë, ku për 644 pozicione pune që përfshihen në shërbimin civil, ka rezultuar se në 369 raste, të cilat përbëjnë rreth 55% të gjithë pozicioneve të punës në shërbimin civil të kontrolluara, janë plotësuar në kundërshtim me ligjin, vihet re një ulje e konsiderueshme me rreth14% e numrit të kontratave. Megjithëse, përsëri situata në këtë grupim institucionesh, e krahasuar me gjendjen në administratën qendrore apo institucionet e pavarura, mbetet problematike. Ky përfundim arrihet duke krahasuar shifrën prej 41% të kontratave në këtë grup institucionesh, me nivelin 9% të kontratave që është konstatuar paraprakisht në institucionet e pavarura, sepse pas përfundimit të afatit të paralajmërimit, kjo shifër është zvogëluar në 4%, si dhe kufirin prej 2.5% ku synon që të shkojë administrata qendrore. Sipas Komisionit të Shërbimit Civil, ky është një problem i konstatuar në mënyrë të vazhdueshme nga KSHC-ja dhe vështirësia në zgjidhjen e tij rritet në kuadrin e respektimit të pavarësisë së tyre, pasi këto institucione e administrojnë vet shërbimin civil. Në rastin e institucioneve të administratës vendore, është konstatuar një numër i lartë i marrëdhënieve të punës me kontratë, madje në disa raste edhe 100% i pozicioneve në shërbimin civil, përmendim këtu Bashkinë Koplik, Bashkinë Orikum, Këshillin e Qarkut Shkodër, apo edhe Bashkinë Durrës e Bashkinë Vlorë, ku kjo shifër është mbi nivelin 50%.

Ajo ç`ka konstatohet nga KSHC-ja, rezulton se kujdesi i të gjitha institucioneve të kontrolluara është kryesisht në drejtim të zbatimit të procedurave formale të vlerësimit, si plotësimi i formularëve të vlerësimit në të gjitha rubrikat e tyre, si dhe brenda afateve ligjore. Ndërsa, nisur nga përmbajtja e procesit, vihet re se nuk është bërë në fakt diferencimi i nëpunësve që realisht punojnë mirë dhe janë të përkushtuar, pasi pothuajse në të gjitha rastet e vlerësuara, si në institucionet e pavarura ashtu edhe ato të njësive të qeverisjes vendore, niveli i vlerësimit është “mirë” dhe “shumë mirë”, duke mos e përdorur pothuajse në asnjë rast vlerësimin ”kënaqshëm” dhe në asnjë rast vlerësimin ”jo mjaftueshëm”. Për të konkretizuar këtë konstatim, përmendim: ILDKP-në dhe Avokatin e Popullit, ku 100% të rasteve janë vlerësuar “shumë mirë”, Bashkinë Durrës, ku nga 128 nëpunës të vlerësuar, në 90 raste janë vlerësuar në nivelin "shumë mirë", në 34 raste janë vlerësuar në nivelin "mirë" dhe në 4 raste janë vlerësuar në nivelin "kënaqshëm". Duhet të përmendim në këtë moment se në disa njësi të qeverisjes vendore, ndër të cilat Këshilli i Qarkut Shkodër, Bashkia Koplik, skema e vlerësimit nuk ka funksionuar, pasi punonjësit nuk e gëzojnë statusin e nëpunësit civil për shkak të emërimeve sipas rregullave të vendosura në Kodin e Punës.

KOMENTE