Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Thaçi: Serbia dëshiron që asociacioni të jetë një trup politik në Kosovë
English

Thaçi: Serbia dëshiron që asociacioni të jetë një trup politik në Kosovë

Duke komentuar takimin e mbrëmshëm mes baroneshës Ashton dhe delegacionit serb në Bruksel, Kryeministri i vendit Hashim Thaçi ka thënë se ky takim ka pasur qëllim të vetëm që Serbisë ti ofrohet edhe njëherë mundësia të pranojë ofertën e Kosovës për asociacionin në veri.

Fjala e plotë e kryeministrit të Kosovës jepet e plotë më poshtë:

"Më lejoni që në fillim t’ju falënderoj, të nderuar deputetë, për mundësinë e krijuar për t’ju adresuar juve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pra, baroneshës Catherine Ashton dhe përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unë herën e fundit raportova para juve, të nderuar deputetë, në detaje dhe në mënyrë kronologjike për të gjithë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për rezultatet që janë arritur deri më tani.

Prandaj, sot, do të përqendrohem vetëm në raportin që ndërlidhet me takimin e gjashtë në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt në Bruksel me datë 4 mars 2013. Mirëpo, mbetem i hapur për të dhënë sqarime shtesë për të gjithë procesin sa herë që ju e konsideroni të nevojshme dhe të dobishme.

Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Njësoj si në takimet e kaluara, fillimisht delegacioni i Kosovës kishte një takim bilateral me baroneshën Ashton dhe ekipin e saj. Në këtë takim, baronesha Ashton, shprehu përsëri konsideratën e saj të lartë për punën serioze dhe nacionalitetin që ka dëshmuar delegacioni shtetëror i Kosovës gjatë gjithë këtij procesi.

Gjithashtu, e theksoj faktin se është në dijeni të të gjitha reagimeve politike në Kosovë që ndërlidhen me ndjeshmërinë që mbart në veri procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, ajo shprehu gatishmërinë e saj që të vijë së shpejti në Kosovë për të takuar liderët institucionalë dhe politikë, për të dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme për temat që janë duke u adresuar në kuadër të këtij procesi.

Pas konsultimeve që kam pasur me baroneshën Ashton, unë e kam ftuar që të bëjë një vizitë në Kosovë me datë 14 mars, pra të enjten, me qëllim që bashkërisht të kemi mundësi të dëgjojmë nga vetë baronesha Ashton për rrjedhën e procesit dhe pritjen për përmbylljen me sukses të këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Për javën e ardhshme të gjithë liderët politikë të partive parlamentare do të kenë mundësi të drejtpërdrejtë nga vetë baronesha Ashton të marrin përgjigje për ndonjë shqetësim eventual që do të mund të kenë lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht ata që meritojnë të dëgjohen.

Dhe, unë pajtohem, të nderuar deputetë, keni nevojë t’i dëgjoni edhe nga vetë baronesha Ashton se çdo zgjidhje eventuale për problemet që janë duke u diskutuar në kuadër të këtij procesi, do të jenë të gjitha në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në pajtueshmëri me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisje Lokale.

Tani, po kthehem përsëri te takimi bilateral, që gjithmonë i paraprin takimit të përbashkët.

Kësaj radhe si pjesë e agjendës së takimit të gjashtë me baroneshën Ashton, si ndërmjetësuese, insistoi që të diskutohet ndër të tjera për çështjen e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas baroneshës, kjo çështje duhet të jetë thelbësore për Serbinë, dhe në rast se arrihet marrëveshje për themelimin e këtij asociacionit, atëherë duhet të jetë më lehtë për të gjitha problemet tjera.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Në vazhdim të këtij takimi bilateral, delegacioni i Kosovës ka theksuar edhe njëherë domosdoshmërinë se përfundimi i këtij procesi duhet të rezultojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të nënshkruhet nga kryeministrat e të dyja vendeve – në cilësinë e garantuesit do të nënshkruhet nga baronesha Ashton, në emër të Bashkimit Evropian dhe me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ne mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të duhet të jetë një dokument i përgatitur mirë, duke përfshirë parimet bazë, obligimet e palëve, planin e detajuar implementues, obligimet e garantuesit e kësaj marrëveshje, të gjitha anekset për marrëveshjet e arritura në fushat e caktuara, duke përfshirë edhe marrëveshjet që duhet të arrihen në fushat e energjisë, telekomunikacionit, transportit dhe të tjera.

Delegacioni i Kosovës i ka bërë të qartë baroneshës Ashton se një proces i tillë kaq i rëndësishëm i zhvilluar në një nivel më të lartë ndërshtetëror, patjetër që do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në të kundërtën i gjithë procesi mund të mos prodhojë rezultatet e pritura.

Kemi theksuar se Republika e Kosovës dëshiron që nëpërmjet këtij procesi t’i jap fund problemit që Serbia i ka shkaktuar Kosovës për 13 vite me radhë.

Prandaj, ne jemi këmbëngulës që në fund të procesit të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të nënshkruar.

Të nderuar deputetë,

Pas përfundimit të takimeve bilaterale ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe baroneshës Ashton, pastaj takimit bilateral ndërmjet baroneshës dhe kryeministrit të Serbisë, Daçiq, filluam takimin e përbashkët për të diskutuar modalitetet për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe të Kosovës.

Ne përsëri, edhe në këtë takim, shprehëm gatishmërinë tonë për të mundësuar themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Ne kemi prezantuar në detaje strukturat që do të mund të kishte një asociacion i tillë dhe funksionin dhe detyrat që do të mund t’i ushtrojë brenda fushëveprimit të vet për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale.

Unë dua të ritheksoj faktin se struktura dhe funksioni i këtij asociacioni nuk mund të jenë ndryshe krahasuar me asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës.

Unë besoj se ju të gjithë e keni të qartë strukturën e asociacionit të komunave të Kosovës dhe funksionin që ushtron ai, duke përfshirë edhe mënyrën se si zgjidhet ai.

Prandaj, nuk do të elaboroj këtë aspekt, por vetëm mund të them se, njësoj sikur tek mekanizmi ekzistues i komunave të Kosovës, edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe që do të themelohet, mundësia për të ushtruar funksione të ndryshme që ndërlidhen me vetëqeverisje në nivelin lokal, është shumë më e madhe, përfshirë fusha të ndryshme në nivel lokal.

Në rastin konkret, përveç fushave të veprimit që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale dhe në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të emërojë: një përfaqësues të vetë për anëtarë të Bordit Zhvillimor për veriun e Kosovës, i cili kuptohet, është një bord i përkohshëm; mund të emërojë një përfaqësues të vetin për anëtarë të Këshillit Presidencial për Komunitete; mund të mbajë kontakte ose të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe vende të tjera; mund të koordinojë ndihmat financiare që Serbia i dedikon për komunat me shumicë serbe në Kosovë e të cilat duhet të jenë transparente dhe vetëm brenda kompetencave të komunave; mund të aplikojë për fonde të BE-së dhe mund të grumbullojë fonde tjera për nevoja të projekteve infrastrukturore në nivel të komunave të tjera.

Të nderuar deputetë,

Baronesha Ashton shprehu miratimin e saj për gatishmërinë tonë që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet tona, duke respektuar Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, ne jemi të gatshëm për themelimin e këtij asociacioni të ri.

Nga ana tjetër, kryeministri Daçiq, i cili duket qartë përsëri se asnjë miratim apo autorizim për të arritur ndonjë marrëveshje në këtë çështje, fokusin e prezantimit të tij e kishte përsëri te mënyra e zgjedhjes së këtij asociacioni dhe te kompetencat ekzekutive që duhet të ketë ky asociacion.

Serbia pra, sipas kryeministrit Daçiq, dëshiron që asociacioni apo siç Serbia preferon ta quajë ‘bashkësia e komunave me shumicë serbë në Kosovë’, të jetë një trup politik, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe ka kompetenca ekzekutive. Pra këto janë kërkesat dhe dëshirat e Serbisë.

Natyrisht, që një propozim i tillë të Serbisë, ne e kemi hedhur poshtë si tërësisht të papranueshëm dhe të parealizueshëm në shtetin e Kosovës.

Ju e dini, ashtu siç e di edhe unë, se de facto dhe de juro, propozimi i Serbisë synon krijimin e nivelit të tretë të pushtetit dhe rrjedhimisht themelimin e një Republike Srpska të dytë, që kurrë nuk do të pranohet nga ana jonë, dhe kjo do të minonte shtetin tonë. Prandaj, një gjë e tillë as që do të diskutohet, as që do të pranohet, e as që do të mund të realizohet kurrë në Kosovë.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Baronesha Ashton pasi dëgjoi diskutimet dhe pozicionet e Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kërkoi një pauzë për të bërë përpjekje për të përmbledhur në letër çështjet kryesore që ndërlidhen me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pas pauzës, ne u takuam përsëri, kësaj radhe në formatin një plus tre nga të dy palët. Ne kemi qenë si delegacion i Kosovës të gjithë. Në këtë pjesë të takimit, baronesha në formë të shkruar një draft dokument i cili përmbledhë parimet bazë për themelimin e asociacionit dhe funksionet apo detyrat që një asociacion i tillë do të mund të ushtronte.

Me bindje të plotë po konfirmoj përpara jush deputetë të nderuar dhe qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, se draft dokumenti për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Të gjitha funksionet që do t’i ushtroj ky asociacion, janë të njëjta me ato që ushtron edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ndërsa, ajo që është kryesore të theksohet, dhe që është thelbi i kësaj problematike, është fakti se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plotësisht në përkrahje të qëndrimit parimor të delegacionit të Kosovës, që ky asociacion nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe nuk mund të jetë një mekanizëm i cili do të shërbej si zëvendësim për kompetencat që ushtrohen nga secila komunë veç e veç.

Prandaj, Asociacioni do të zgjidhet në mënyrë indirekte, njësoj siç zgjidhet edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, dhe do të ketë strukturë të njëjtë dhe do të ushtroj funksione të njëjta.

Për më tepër, komunat me shumicë serbe në Kosovë mund t’i bashkëngjiten këtij asociacioni me dëshirën e tyre, dhe mund të largohen nga i njëjti përsëri me dëshirën e tyre. Një komunë mund të jetë pjesë e dy mekanizmave të tillë, apo asociacioneve varësisht prej vullnetit të tyre.

Komunat me shumicë serbe në Kosovë mund të zgjedhen të bëhen anëtare e cilitdo asociacion që ekziston në Kosovë, bazuar në vullnetin e tyre, por natyrisht se mund të bëhen anëtare të një apo më shumë asociacioneve, ashtu siç e mundësojnë ligjet tona që e rregullojnë vetëqeverisjen lokale.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Si përfundim, tashmë baronesha Ashton, mbrëmë, ka takuar në Bruksel edhe presidentin e Serbisë Nikoliq, kryeministrin Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Vuçiq, për të marrë pajtueshmërinë e tyre për propozimin e bërë.

Ne kemi dëgjuar deklarata kontroverse mbrëmë nga presidenti Nikoliq lidhur me rezultatet e takimit, dhe presim qartësi zyrtare nga Brukseli sot gjatë ditës.

Gjithashtu, të enjten, pra pasnesër, ne do të kemi mundësinë të dëgjojmë drejtpërdrejt nga baronesha Ashton për rezultatet e takimit të mbrëmshëm në Bruksel, dhe për mënyrën se si pritet të vazhdojë procesi në të ardhmen.

Sido që të jetë, ne e dimë se Serbia do të vazhdoj me manovrime deri në pafundësi, prandaj me të drejtë presim që në takimin e radhës që do të mbahet më 20 mars në Bruksel, ne ta mbyllim edhe këtë çështje dhe të kalojmë në përpilimin e zbatimin e marrëveshjes në praktikë.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ka hyrë pothuajse në fazën e vet përfundimtare.

Unë siç e theksova në fillim, në emër të institucioneve të Kosovës në Bruksel, do të insistojë që ky proces të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila duhet të nënshkruhet nga të dy kryeministrat, dhe garantuese e zbatimit në praktikë duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, që janë në Kosovë.

Në javën e ardhshme unë pres që ekipi i Bashkimit Evropian të përgatisë në detaje aspektet teknike të kësaj marrëveshje dhe planin e detajuar të afateve kohore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në temat që janë diskutuar në kuadër të këtij dialogu.

Në këtë aspekt, ne kemi marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ky proces do të përmbyllet me marrëveshje të shkruar, dhe garantues të zbatimit të saj patjetër që do të jenë BE-ja me mbështetje të SHBA-së.

Të nderuar deputetë,

Më lejoni që edhe njëherë t’iu falënderoj për mundësinë, që më keni krijuar për t’iu informuar për rrjedhën e bisedës deri më tani.

Më lejoni në të njëjtën kohë t’iu falënderoj për idetë dhe këshillat tuaja, që i keni dhënë deri më tani, në shërbim të këtij procesi. Unë dëshiroj t’iu siguroj se delegacioni i Kosovës me saktësi do t’i përmbahet vetëm mandatit të dhënë, nga ju të nderuar deputetë, përmes Rezolutës të miratuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, falënderoj edhe liderët e LDK-së dhe AAK-së për mirëkuptimin që kanë treguar për të dëgjuar opinionet tona, shqetësimet tona, shqetësime që i kemi ndarë bashkërisht, dhe për mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi në takimet e përbashkëta të mbyllura që i kemi pasur këto ditë.

Natyrisht edhe liderët, z. Petroviq, z. Yagcilar, dhe të gjithë liderët e komuniteteve tjera.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni që të vazhdoj të flas edhe për një çështje gjithashtu të freskët. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, baronesha Ashton mbrëmë ka takuar zyrtarisht delegacionin e Serbisë i kryesuar nga presidenti Nikoliq në Bruksel.

Ky takim, sipas informatave të mia zyrtare, ka pasur një qëllim të vetëm: që Serbisë t’i ofrohet edhe njëherë mundësia për të pranuar propozimin që e ka bërë delegacioni i Kosovës në takimet e kaluara për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky asociacion, siç e kam thënë tashmë disa herë, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Propozimi ynë për formimin e këtij asociacioni përkrahet plotësisht nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të risqaroj se ky asociacion do të ketë të njëjtin rol, funksion dhe strukturë siç e ka edhe projekti tjetër i komunave të Kosovës.

Nga kjo që thashë më lartë dëshiroj të qartësoj, të nderuar deputetë, kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, opinionit publik ndërkombëtarë, se deklarata e mbrëmshme e presidentit të Serbisë Nikoliq, përveç që tregon një papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, pra një gënjeshtër e kulluar tradicionale e politikës së Beogradit.

Ju e dini se ata humbjet i shpallin vazhdimisht fitore, prej Betejës së Kosovës, në Rambuje, Marrëveshjes së Kumanovës, kur është larguar ushtria dhe policia serbe në 1999-ën, ata ngrinin dolli shampanjë në Beograd, prandaj aq sa është e vërtetë deklarata e Slobodan Milosheviqit në qershor të 99-ës për luftën në Kosovë, po aq e vërtetë është deklarata e Nikoliqit, për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Pra, është një gënjeshtër tipike tradicionale, e kulluar, e politikës zyrtare të Beogradit, që humbjet gjithmonë i prezanton si fitore.

Sido që të jetë, ne jemi këtu, vazhdojmë në çdo angazhim tonin do ta respektojmë në plotë Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, dhe ligjin për Vetëqeverisjen lokale.

Faleminderit shumë".

KOMENTE