English

Berisha inauguroi segmentin rrugor Gramsh-Kodovjat

Kryeministri Berisha inauguroi sot segmentin rrugor Gramsh-Kodovjat, një rrugë e rikonstruktuar sipas parametrave bashkëkohore, e cila krijon kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet bujqësore.

Rruga Gramsh - Kodovjat me gjatësi 13,4 km dhe gjerësi 5 – 6 m është një financim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekësh. Nga ndërtimi i kësaj rruge përfitojnë 13 mijë banorë në komunat Kodovjat, Pishaj, duke shërbyer edhe si arterie kryesore për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi. Investimi i shërben zonës në zhvillim nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kaskadën e lumit Devoll.

Gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit janë investuar 8 herë më shumë se qeverisja e PS. Janë ndërtuar mbi 80 km rrugë, 25 Shkolla, 10 ujësjellësa dhe 18 ambulanca e qendra shëndetësore. Janë subvencionuar mbi 500 fermerë ose 400 ha me ullinj, bajame, vreshta, blegtori e dru frutor. Qeveria ka kontraktuar dhënien me koncesion të ndërtimit të 9 HEC-ve duke krijuar mundësinë e hapjes së vendeve te reja të punës. Ndërsa numri i bizneseve të reja është rritur në 800 nga 530 biznese që ishin në 2006.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi faktin se qeveria është përqendruar më shumë se në çdo gjë tjetër në ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepse beson se në këtë vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për tu braktisur dhe investimet në infrastrukturë, krijojnë mundësitë të mëdha dhe të jashtëzakonshme për të dalë nga varfëria, për të ndërtuar një jetë në mirëqenie.

Më pas Kryeministri u ndal në investimet që janë bërë dhe do të bëhen gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit, duke thënë se këtë rreth qeveria do të ndërtojë dhe rindërtojë çdo kilometër rrugë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi dhe rindërtimi i rrugëve janë shanse dhe potenciale të mëdha punësimi, sepse rruga hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të mund të shiten në kohën më të shkurtër dhe me koston më të ulët të transportit.

Duke u ndalur tek premtimi i bërë për hapjen e 250 mijë vendeve të reja pune në katër vitet që vijnë, Kryeministri Berisha tha se, ky është një premtim real dhe shumë konkret. “Vetëm katër vitet që shkuan qeveria ka kredituar me grande 42 mijë familje shqiptare. Por në qoftë se ne kemi kredituar 42 mijë familje dhe krijuar dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë ka investuar në sektorin privat, në ferma në agro-biznes dhe në blegtori në vend. Gjatë këtyre viteve që shkuan në sektorin bujqësor u punësuan në bizneset e këtij sektori rreth 100 mijë shqiptarë. Çfarë premtojmë ne? Në katër vitet që vijnë të punësojmë jo 100 mijë, por të punësohen 130 mijë shqiptarë dhe unë ju jap fjalën ju, se ne do të dyfishojmë grandet për Gramshin dhe mbarë Shqipërinë, për fermerët e Gramshit dhe të mbarë Shqipërisë”, -u shpreh Kryeministri Berisha. Ai theksoi gjithashtu se qeveria katër vitet që vijnë do të dyfishojë grandin e saj për fermerët e Shqipërisë dhe do të krijojë fermat më moderne që vendi ka njohur.

Kryeministri Berisha theksoi më tej se alternativa e kësaj qeverie është investimi dhe zhvillimi, dhe tashmë këto janë të provuara, ndërkohë që përballë është një alternativë tjetër, e cila është veçse një gënjeshtër.

Një tjetër investim i madh që do të bëhet në zonë është ndërtimi i Kaskadës së Devollit. Krahas saj, theksoi kryeministri, janë 9 hidrocentrale të tjera, në ndërtimin e të cilave do të punësohen të pakën 8 mijë punonjës.

Kryeministri ka garantuar kryetarin e komunës se qeveria do të investojë çdo projekt që do të hartohet për zhvillimin e komunave dhe se në Gramsh do të ketë një transformim të madh të infrastrukturës së vendit. “Rruga Gramsh-Elbasan do të fillojë brenda pak muajve ndërtimin e saj dhe jo nga ajo që ju mashtrojnë ju se do kalojë nga kodrat. Absolutisht. Ajo do jetë buzë liqenit dhe do të jetë një nga rrugët më panoramike, do jete 10 kilometra më e shkurtër”, - tha kryeministri.

KOMENTE