English

Rama të kërkojë falje, që na la të jetojmë mes ujërave të zeza, shprehen bnorët e Kodrës së Priftit

Bashkia e Tiranës ka garantuar banorët e “Kodrës së Priftit”, se projekti i kanalit të ujërave të zeza dhe rruga e “Kokonozëve” do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar, pra në shtator të këtij viti. Lidhur me reagimin e një dite më parë të Partisë Socialiste, për mos mbajtjen e premtimit nga ana e Bashkisë, përsa i përket bërjes së kanalit të ujërave të zeza, Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli garantoi se ky projekt do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar. Vonesat në nisjen e punës, sipas zotit Zeneli kanë ardhur nga situata metereologjike. Ai shprehu keqardhjen për përdorimin politik të këtij investimi, që zgjidh një problem të madh për këta banorë të vjetër dhe të rinj të Tiranës.

“Jemi sot këtu për të sqaruar banorët e zonës në lidhje me spekulimet e bëra mbi ecurinë e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për këtë zonë. Punimet kanë filluar në muajin janar për ndërtimin e rrugës dhe kolektorit dhe afati kohor për realizimin e tyre është 8 muaj.

Nisur nga kushtet atmosferike (reshjet), punimet kanë pasur një ngadalësim por Bashkia e Tiranës siguron banorët e kësaj zone dhe çdo të interesuar tjetër se punimet do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare të gjithë problemeve që ka sjellë ky kanal i hapur për banorët e zonës.

Bashkia e Tiranës është e keqardhur, që ky investim kaq i rëndësishëm keqpërdoret politikisht, një investim ky i munguar prej 11 vitesh. Edhe njëherë, garantojmë qytetarët se punimet do të përfundojnë me të gjithë parametrat e kërkuara” – u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli.

Banorët e “Kodrës së Priftit” i kanë kërkuar ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama, t’u kërkojë ndjesë për vëmendjen dhe investimet e munguara në 11 vite në këtë zonë, para se të flasë për investimet që më në fund kanë nisur dhe do u japin zgjidhje si kanalit të ujërave të zeza i cili për 11 vite ka qenë një vatër e hapur infeksioni por edhe rrugës së “Kokonozëve” që s’e ka parë kurrë asfaltin.

“Jemi banorë të vjetër të kësaj lagjeje dhe është për të ardhur keq që gjatë gjithë kohë së qeverisjes socialiste në Bashki nuk është parë me sy kjo zonë kaq e vështirë për banorët e lagjes, ndërkohë që tashmë që Bashkia e Tiranës me z. Basha në krye premton dhe realizon objektivat, dalin njerëz në media dhe kërkojnë të “hedhin shashka” dhe për më tepër kur ata nuk janë as banorë të kësaj lagjeje. Janë njerëz të futur nga Partia Socialiste, për të krijuar “anomali” në popull.

Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste të vijë të kërkojë falje për të gjithë periudhën e parë, kur as nuk i hodhi sytë dhe nuk bëri as investimin më të vogël në këtë zonë e tani vjen e kërkon llogari se pse nuk është bërë.

Ne si banorë të vjetër të kësaj zone, (u bënë rreth 15-20 vite që banojmë në këtë zonë) falënderojmë Kryetarin e Bashkisë, që pas vëzhgimit të situatës këtu “vuri dorë” dhe me anë të një projekti të cilin e shikoni në këtë tabelë, do i japë fund të gjithë problematikës së kësaj zone” – u shprehën banorët e zonës.

KOMENTE