English

Vizat me SHBA-në. Jemi fare afër ‘lajmeve të mira’

Një panoramë e raporteve shqiptaro-amerikane dhe sidomos nivelit të komunikimit diplomatik...Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi përcjell në intervistën për gazetën “Shekulli” një shtjellim të hollësishëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, trajtimin e çështjes shqiptare, bashkërendimin e punës së ambasadës me lobimin shqiptar në SHBA, koordinimin diplomatik me ambasadën e Kosovës si dhe intensifikimin e përpjekjeve për të afruar interesin ekonomik drejt vendit tonë. E gjitha kjo, sipas Galanxhit, është një punë që ka parë rrugës, produkte konkrete, jo vetëm falë interesave strategjike, siç edhe përshkruhet zakonisht aleanca mes Shqipërisë dhe Uashingtonit, por edhe nga trajtimi “pa doreza”, i të gjithë problemeve nga zyrtarët e institucioneve amerikane. 

Z. Galanxhi ju jeni ambasador i Shqipërisë në Uashington, në një vend që konsiderohet si partner strategjik nga Tirana zyrtare. Sa reflektohet ky përkufizim në marrëdhëniet tona me SHBA, ato konkrete? 

Më lejoni në radhë të parë t’ju falënderoj për interesimin. Mendoj se përkufizimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik reflekton saktë realitetin e marrëdhënieve aktuale midis Tiranës dhe Uashingtonit. Unë mund të flas për këto dy vitet e fundit që unë drejtoj Ambasadën, gjatë të cilave intensiteti dhe cilësia e bashkëpunimit shumëplanësh është në nivele shumë të larta. Mund të them se ‘pjesën e luanit’ e zë bashkëpunimi shumë i ngushtë, i përditshëm, korrekt dhe dashamirës me Departamentin e Shtetit, dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë ekipin që trajton marrëdhëniet me Shqipërinë. Por, ju siguroj se me të njëjtin intensitet dhe cilësi bashkëpunohet me Kongresin Amerikan, me Departamentin e Mbrojtjes, atë të Drejtësisë, të Sigurisë, etj. 

Një element që bie në sy, sidomos pas përmbylljes së krizës kosovare është kalimi në plan të dytë i Ballkanit si prioritet i politikës së jashtme amerikane. Nisur nga ky fakt, mund të sqaroni se cili është interesi aktual i SHBA në këtë rajon dhe si përqaset faktori shqiptar në këtë ndërthurje koniunkturale? 

Ky konstatim i juaji ka nevojë për korrigjim/ saktësim. Është e vërtetë se prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë zhvendosur në Azi e Paqësor, por kjo nuk ka lënë vakum, për mungesë vëmendjeje, në rastin tonë, Ballkanin. Ju siguroj se ekziston e njëjta vëmendje dhe i njëjti përkushtim i SHBA për avancimin e ‘projektit ballkanik’ drejt integrimit në Bashkimin Europian. Të gjitha përpjekjet e tyre, si për rajonin në tërësi, ashtu edhe për vendet e veçanta të tij, kanë këtë synim madhor dhe mbështetja amerikane, për të gjitha vendet e rajonit është evidente, e prekshme dhe e matshme. Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit janë ‘non-stop’ prezent në Bruksel dhe në rajon. Në lidhje me faktorin shqiptar, ai vazhdon të konsiderohet me seriozitetin më të madh si një mbështetës dhe rregullator potencial i zhvillimeve demokratike në rajonin tonë.Fakti që në Kongresin Amerikan kemi një “Komitet për Çështjet Shqiptare”, me më shumë se njëzet kongresmenë nga të dy partitë, tepër aktiv e dinamik, flet vetë për peshën specifike të shqiptarëve në jetën aktive të politikës amerikane. Më lejoni të shtoj që bashkëpunimi dhe koordinimi i përditshëm midis Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës, është një vlerë e shtuar e përpjekjeve tona të përbashkëta; por edhe bashkëpunimi midis ambasadave të vendeve të rajonit në mbështetje të çështjeve të përbashkëta është për t’u lavdëruar dhe bën që shpesh koordinimi ynë me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin të prodhojë efekte pozitive. Nuk mund të lë pa përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila padyshim meriton të vlerësohet me notat më pozitive të mundshme. Në qoftë se do të përmendja emra konkretë të aktivistëve dhe shoqatave shqiptare, e theksoj, nga të gjitha trevat shqiptare, që çdo ditë punojnë me përkushtim e patriotizëm, lista ndoshta do të ishte më e gjatë se vetë kjo intervistë. Gjithkush që e di si “funksionon Uashingtoni” do ta cilësonte diasporën shqiptare në SHBA si “qershia mbi tortë”. 

Ka një sërë vizitash të nivelit të lartë, në harkun kohor të pak muajve, që kulmojnë me vizitën e ish-sekretares Hillari Klinton dhe përmbyllen me atë të Filip Riker. Mund të shpjegoni çfarë përfaqësojnë këto vizita që duhet thënë se kanë sjellë në Tiranë më shumë mesazhe politike sesa diplomatike? 

Sërish më duhet të saktësoj konstatimin tuaj. Gjithmonë i referohem periudhës që unë jam në këtë detyrë. Më lejoni t’ju kujtoj se në pranverën e vitit 2011 ishte numri dy i Departamentit të Shtetit z. Shtajnberg që ka vizituar Shqipërinë. Kemi pasur disa vizita të Ndihmës Zv. Sekretarit të Shtetit z. Tom Kantrimen në Shqipëri, disa vizita të Ndihmës Zv.Sekretarit të Shtetit z. Filip Riker në Tiranë, vizita të tjera të zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit; vizitën e Presidentit Nishani në Klivlend, vizitën e Kryeministrit Berisha në Uashington e Nju Jork dhe pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s në Çikago, vizitën e Kryetares së Parlamentit zj. Topalli në Uashington, e shumë vizita të tjera, që padyshim kulmuan me vizitën e Sekretares Klinton në Tiranë. Pra, kemi pasur një konstante në rritje të vizitave të nivelit të lartë, çka është një nga treguesit e intensifikimit të bashkëpunimit diplomatik e politik midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Shqipëria është tashmë një vend, i deklaruar si aleat serioz e besnik i SHBA-së, dhe është e vështirë që të ndash mesazhet diplomatike nga ato politike, sidomos për dy administrata që kanë vendosur tashmë një standard dialogu të hapur e bashkëpunues. Këtë, unë si ambasador, e ndjej në çdo takim që kam me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të Kongresit, të Departamentit të Mbrojtjes, etj, ku sinqeriteti dhe trajtimi ‘pa doreza’ i çdo çështjeje, sado delikate që të jetë, është sa produktiv aq edhe mbresëlënës dhe ta lehtëson punën. 

A është sot Tirana zyrtare interlokutori kryesor i Uashingtonit për situatën në Ballkanin Perëndimor duke shënuar këtu edhe një rol hipotetik përgjegjësie për shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit shtetëror? 

Çdo vend i rajonit ka peshën e vet specifike në marrëdhëniet zyrtare me Uashingtonin. Shqipëria ka peshën e vet, ka përgjegjësitë e veta. Duhet theksuar se Shqipëria dhe Kroacia, si vende anëtare të NATO-s kanë përgjegjësitë e tyre shtesë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. E rëndësishme është që të gjitha vendet e rajonit kanë një synim të orientuar qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe, pak a shumë, ndonëse me shpejtësi të ndryshme, të gjitha vendet po lëvizin në kahun e duhur, dhe kjo në vetvete përbën një arsye më shumë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se në cilin shtet u takon të jetojnë, që të mbështesin këtë rrugëtim. Mund të them me bindje se Tirana zyrtare është një nga interlokutorët e rëndësishëm për Uashingtonin. 

Një temë që ka interes është edhe lëvizja e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-së. Media shqiptare, në kohën që ju u prezantuat si kandidat në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, foli për një ide tuajën për heqjen e vizave me SHBA. Sa e vërtetë është kjo gjë, po të kujtojmë se për një shtet fqinj si Greqia, administrata Obama e bëri fakt këtë hapje të plotë? 

Lehtësimi i regjimit të vizave ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës/ mandatit tim, dhe mund t’ju them se jemi fare afër ‘lajmeve të mira’. Është punuar intensivisht me Departamentin e Shtetit, por edhe me Ambasadën në Tiranë, dhe gjithçka po shkon sipas parashikimeve. Mund t’ju them se, diplomatikisht e politikisht, kemi gjetur mirëkuptim të plotë edhe me nivelet më të larta, por duhet të kuptoni se ky është një proces me shumë elementë teknikë, që duhet të realizohen nga të dyja palët. Krahasimet me shtetet e tjera nuk besoj se duhen bërë, dhe nuk ndihmojnë si precedent. Këto janë thjesht vendimmarrje dypalëshe, ku secila palë duhet të përmbushë me saktësi e korrektesë detyrimet e veta. 

KOMENTE