English

Rama: vendi po ecën në drejtimin e gabuar, me Sali Berishën ka vetëm rrënim të mëtejshëm

Deklarata e Kryetarit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar



''Që vullneti sovran i shqiptarëve në 23 qershor të mbrohet prej çdo manipulimi dhe që ne të hapim një periudhë transformimi rrënjësor demokratik, ekonomik e social dua të filloj sot zyrtarisht procesin e formimit të një koalicioni sa më të gjerë; Për të garantuar zgjedhjet; Për të fituar zgjedhjet; Për të dalë fitues në sfidat e mëdha të kësaj kohe dramatike për Shqipërinë.

Në emër të interesit kombëtar dhe publik, si edhe në emër të interesit të PS-së për të materializuar përmes instrumentit të qeverisjes programin tonë të ri për një Rilindje Shqiptare, dua të shpallim vullnetin për të hapur një faqe të re të historisë së bashkëjetesë sonë në skenën politike shqiptare, me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Prandaj e ftoj sot, drejtpërdrejt dhe publikisht LSI-në që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt i kryer prej vetë kundërshtarit tonë politik të vijë në koalicionin tonë parazgjedhor, duke hyrë në rrugën e natyrshme të bashkimit me PS, si dy forca të së majtës shqiptare dhe të familjes socialiste europiane.

E shkuara na i ka dhënë të gjitha mësimet e nevojshme për të mos përsëritur gabimet që në këto 8 vjet i kanë kushtuar Shqipërisë, u kanë kushtuar shqiptarëve, i kanë kushtuar të majtës shqiptare si e tërë.

Sali Berisha dhe PD s’kanë qenë asnjë ditë shumicë në popull. Por prej 8 vjetësh kanë ushtruar një pushtet të marrë falë ndarjes sonë, apo manipulimeve të lehtësuara nga ndarja jonë. Prandaj do të ishte jo vetëm krejt e panatyrshme, por edhe e pafalshme përpara Shqipërisë dhe historisë që sot, ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, të mos bënim gjithçka kemi në dorë për të rihapur rrugën e bashkimit që siguron votën e shqiptarëve në 23 qershor, duke ia kthyer shumicës reale të popullit, të drejtën e qeverisjes së vendit.

Nga ky bashkim do të humbiste vetëm ajo pakicë politike që e ka emrin Partia Demokratike, por që s’ka lidhje me asgjë demokratike – e cila ka përfituar 8 vjet rresht falë manipulimeve zgjedhore dhe mosmarrëveshjeve e ndarjeve në kampin tonë.

Boll!

Asnjë dyzim më shumë në rrugën ku ka 8 vjet që fiton një njeri i vetëm, që përfaqëson historikisht pakicën dhe humbet një popull i tërë që sot vuan zgjedhën mbytëse të kësaj pakice.

Sot duhet bashkim!

Askush që do rrotacionin nuk duhet t’i trembet këtij bashkimi. Përkundrazi, gjithkush që do rilindjen e këtij vendi, duhet ta kuptojë se ajo realizohet përmes pushtetit jo përmes ngurrimit për t’u bashkuar në funksion të fitores.

Nga ky bashkim do të fitonte çdo njeri i zakonshëm në këtë vend që prej 8 vjetësh nuk voton dot i lirë, nuk mendon dot i lirë, nuk jeton dot i lirë për shkak të sistemit të padrejtësisë dhe të shantazhit politik që ka ndërtuar kryeministri dhe partia e tij familjare.

Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë arsye të besojnë sot se vendi po ecën në drejtimin e gabuar dhe se me Sali Berishën ka vetëm rrënim të mëtejshëm.

Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë arsye të dëshirojnë sot që Shqipëria të prodhojë me votë të lirë një qeverisje normale, dinjitoze dhe transformuese për jetën e tyre.

Por shumica dërmuese e shqiptarëve kanë edhe arsye të dyshojnë fort sot se vota përsëri është e kërcënuar nga vjedhja, ashtu siç kanë arsye të mendojnë se e ardhmja e këtij vendi është peng i një histori të gjatë zhgënjimesh që përsëriten.

Në këto kushte vetëm një koalicion i madh forcash, me vullnetin e fortë për bashkim që nis nga bashkimi i gjithë të majtës dhe shtrihet te çdo forcë e investuar për rivendosjen e demokracisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë e ribashkimin me Europën, mund ta izolojë Sali Berishën dhe partinë e tij familjare, duke e ndaluar planin e tij të lexueshëm për vjedhjen e zgjedhjeve, si edhe mund të përballojë sfidën e madhe që vazhdon me reformat modernizuese deri më sot të munguara në kushtet e një krize totale.

Në këto kushte, ne, Partia Socialiste, jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ndaluar përsëritjen e historisë së zhgënjimeve. Të njëjtën gatishmëri urojmë të gjejmë nga ana tjetër, Lëvizjen Socialiste për Integrim, që presim t’i përgjigjet kësaj ftese duke u nisur nga interesi i vendit dhe i të majtës shqiptare si një e tërë.

E di që e shkuara ka hijen e vet që sot pengon shumëkënd të shohë qartë, qoftë rrezikun që i kanoset zgjedhjeve të 23 qershorit nga zgjatimi i asaj hijeje, qoftë perspektivën reale të ndryshimit që hap ky bashkim për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

Por kur politika nuk e kapërcen dot të shkuarën, e shkuara mban peng politikën dhe përmes politikës pengon njerëzit dhe popujt të ndryshojnë të ardhmen.

Historia mëson se ky kapërcim nuk është çështje konsensusi po bindjeje. Nuk është çështje që trajtohet me moralizime apolitike, po që adresohet me vizion politik. Nuk është çështje që zgjidhet me mjetet e të shkuarës, po që zhvillohet mbi interesat e të ardhmes.

Ne jemi këtu për të mos lejuar që e ardhmja t’i ngjajë të shkuarës. Unë kam bindjen se vetëm duke e kapërcyer të shkuarën me kurajë, largpamësi, urtësi, ne do të realizojmë ëndrra e shpresa shqiptare që përndryshe rrezikojnë përsëri të mbeten në letër përballë kërcënimit të së shkuarës.

Ky është momenti që ne të bëjmë as më shumë dhe as më pak sesa atë që kemi miratuar bashkërisht me konsensus në strategjinë tonë të fitores në Asamblenë Kombëtare, dhe deklaruar botërisht më shumë se njëherë, për muaj të tërë: Nëse LSI vendos të zgjedhë një rrugë tjerr nga ajo e qeverisë, dera jonë është e hapur.

Nuk pres që sot të gjithë të më jepni të drejtë.

Pres vetëm që të kuptoni se unë dua të fitoj për të gjithë ju dhe kjo është rruga e fitores që na jep pushtetin jo për vete, po për t’i ndryshuar gjërat. Le të shkojmë përpara, pa asnjë ngurrim, sepse ne jemi Partia Socialiste dhe jemi bërë për të fituar, jo për të ngurruar atëherë kur duhet të udhëheqim.

Kjo është rruga e një fitoreje që do të ndryshojë për mirë Shqipërinë''.

KOMENTE