Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hoxhaj në Gjermani. Gjermania interesohet për investime në Kosovë. Hoxhaj krahason Assadin me Millosheviçin
English

Hoxhaj në Gjermani. Gjermania interesohet për investime në Kosovë. Hoxhaj krahason Assadin me Millosheviçin

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, është pritur sot nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Westerwelle.

Dy ministrat kanë biseduar për proceset në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e agjendës integruese evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Westerwelle dhe Hoxhaj gjatë takimit janë dakorduar se pavarësisht epilogut të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të ketë perspektivë të qartë evropiane.

Në këtë pikë, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë që perspektiva evropiane të mos ndërlidhet me epilogun e dialogut.

“Republika e Kosovës ka pas një qasje shumë serioze dhe konstruktive në këtë dialog. Andaj, pavarësisht epilogut të tij, Bashkimi Evropian duhet të fillojë dialogun për MSA-në me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka theksuar se nuk mund të lejohet që një shtet që i ka bërë si duhet detyrat e shtëpisë të dënohet, për shkak të hezitimit të të tjerëve.

“Ne përkrahim një politikë afruese të BE-së, e cila e vlerëson çdo shtet veç e veç, të cilat përmbushin kriteret. Nëse janë të gatshëm për dialog, nëse janë të gatshëm të modernizojnë ekonominë, që të forcojnë strukturat demokratike dhe që të jenë të gatshëm që të ketë sundim të ligjit”, tha Westerwelle.

“Me keqardhje konstatoj se deri më tani nuk ka rezultate të prekshme. Gjermania dëshiron që të ketë më në fund një përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Është me rëndësi për të dy shtetet, në veçanti për njerëzit në Kosovë dhe Serbi”, tha Westerwelle, lidhur me procesin e dialogut.

Ndërsa, Hoxhaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ky proces të rezultojë me normalizimin e situatës në veri të Kosovës, që Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë të normalizojnë marrëdhëniet bilaterale dhe që dy shtetet e pavarura të bëjnë hapa konkret drejt BE-së.

“Ne shpresojmë që kjo marrëveshje të pranohet në ditët e ardhshme”, tha Hoxhaj, duke theksuar rëndësinë që çdo marrëveshje që mund të arrihet, të implementohet.

Sa i përket hapave integrues, Hoxhaj tha se Republika e Kosovës ka vetëm një aspiratë nacionale, integrimin evropian.

“Ne nuk do të eksportojmë Kosovën në Bruksel, por do të ndërtojmë një Kosovë evropiane brenda Kosovës”, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.

Ndërsa, ministri Westerwelle tha se sa i përket MSA-së për Kosovën, Gjermania angazhohet fuqishëm që të ketë trajtim fer, duke u bazuar në kriteret evropiane.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë ka ofruar mbështetjen e Gjermanisë edhe në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, duke theksuar se janë në kontakte edhe me një pakicë brenda BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Gjermania nga fillimi ka qenë një partner i ngushtë i Kosovës. Ne do të vazhdojmë me këmbëngulësi të mbështesim Kosovën që të ketë rritje të numrit të njohjeve që tashmë është afër 100”, ka thënë Westerwelle.

Lidhur me përkrahjen ekonomike për Kosovën, Westerwelle tha se Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Kosovës brenda Bashkimit Evropian, duke bërë të ditur se Gjermania për vitin 2013 ka përgatitur mbi 28 milionë euro për politikat zhvillimore në Kosovë, ndërtimin e infrastrukturës, institucioneve dhe arsimit.

Ministri i Jashtëm gjerman po ashtu theksoi interesimin e ndërmarrjeve gjermane për investime në Kosovë.

“Ekonomia gjermane çdo ditë e më shumë e ka besimin e Kosovës dhe po investon në Kosovë. Planifikimi i investimit të “Axos”, tregon që Kosova po bëhet atraktive si vend për investime gjermane. Në këtë drejtim dëshirojmë të shkojmë”, tha Westerwelle.

Ministri Enver Hoxhaj theksoi angazhimin e fuqishëm të Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.

Hoxhaj falënderoi Gjermaninë për mbështetjen në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në sistemin ndërkombëtar si dhe për kontributin gjerman në proceset tjera.

“Gjermania mbetet partner shumë i rëndësishëm politik dhe evropian. Ne jemi shumë të lumtur që Gjermania është ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë”, tha Hoxhaj, duke shprehur interesimin e Qeverisë së Kosovës për të parë më shumë investitorë gjermanë në Kosovë.

Në interesimin e medieve të pranishme, dy ministrat kanë shprehur ngushëllime për popullin dhe Qeverinë e SHBA-ve, pas shpërthimeve vdekjeprurëse në Boston.

Westerwelle dhe Hoxhaj po ashtu kanë dënuar dhunën në Siri, ku ministri Hoxhaj e ka krahasuar Assadin me Millosheviçin.

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri Enver Hoxhaj është takuar edhe me Ruprecht Polenz, kryetar i Komitetit të Jashtëm në Bundestagun gjerman, nga i cili ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Gjermanisë në fuqizimin subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe shumë përfaqësues të tjerë të institucioneve, shoqërisë civile dhe jetës akademike në Berlin.

KOMENTE