English

Nxirren nga shtëpia 16 familje pranë shkollës "Petro Nini" në Tiranë. Nëndrejtori i policisë kthehet në detyrë pas pezullimit (VIDEO)

Vijon përplasja mes banorëve dhe policisë në godinën 3 katëshe pranë shkollës Petro Nini, rruga "Margarita Tutulani" në Tiranë. Banorët kanë tentuar rreth orëve të mbrëmjes të hyjnë me forcë në godinën nga ku i nxorën, por kanë hasur në rezistencën e policisë private. Në konfrontim e sipër dy persona kanë shfaqur probleme me shëndetin dhe janë transportuar menjëherë me ambulancë në spital, ku mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka tentuar që të nxjerrë jashtë ndërtesës familjet e ngujuara brenda. 2 familje po bëjnë rezistencë ndërkohë që forcat e policisë kanë larguar nga godina banorët e tjerë. Policia ka shoqëruar në komisariat edhe 2 banorë të banesës, të cilët janë konfrontuar me ta.

Sipas banorëve, pallati ka qenë i marinarëve italianë, që në kohën e Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas janë vendosur aty familjet e tyre.

Por, Gjykata e Lartë ia ka dhënë të drejtën një personi, që pretendon se është pronari për këtë pronë, çka bën që përmbaruesit të kërkonin daljen nga pallati të banorëve.

Ndërkohë, gjatë këtij konflikti, policia ka arritur deri aty sa të shtijë me armë në ajër. Në ndihmë të banorëve kanë ardhur deputetët e Partisë Socialiste, të cilët i kanë kërkuar policisë të dhëna mbi situatën e rënduar dhe dhunën që po ushtrohej ndaj njerëzve.

Ndërkohë, deputeti Sajmir Tahiri është përballur me një surprizë, nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i pezulluar me bujë dy javë më parë, por i rikthyer në heshtje në detyrë ditët e fundit.

Erzen Breçani u pezullua nga detyra për goditje ndaj operatorit të Top Channel. Përmes një deklarate, policia lajmëroi në 9 prill pezullimin e Breçanit, por, me sa duket, pezullimi ka shërbyer për të shuar protestën dhe polemikat.

Dhe pa kaluar as dhjetë ditë nga vendimi i parë, Breçani është kthyer sërish në detyrë dhe është bërë sërish objekt incidentesh me deputetët e opozitës.

Policia tha se Breçani është kthyer në detyrë, pas hetimeve që po kryhen nga Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ndërkohë që ndaj tij vazhdon të mbetet edhe një kallëzim penal në fuqi.

Pavarësisht argumentimit zyrtar, rikthimi i Breçanit në detyrë, në një kohë kaq të shkurtër, në mënyrë jo transparente, hedh dyshime të forta mbi sinqeritetin e vendimit të pezullimit të tij dhe hetimet e mëtejshme, që vetë policia po kryen për një drejtues të lartë të policisë.

Ndërkaq, banorët e nxjerrë forcërisht nga shtëpitë e tyre thanë se do t’i drejtohen Prokurorisë së Rrethit, me akuzën e ushtrimit të dhunës. Një inspektim mbi ngjarjen e rëndë ka filluar edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Kamera e top-channel sjell situatën reale të mbrë,mjes së djeshme
1754

KOMENTE