English

Kontrolli fizik i mjeteve dhe i udhëtarëve në dogana do të kryhet kundrejt një pagese

Kontrolli fizik i mjeteve dhe i udhëtarëve në dogana do të kryhet kundrejt një pagese. Faturat do të arkëtohen nga një kompani private, cila ka marrë të drejtën të kontrollojë çdo gjë që hyn në Shqipëri. Kostoja u faturohet udhëtarëve dhe tregtarëve, faturë, e cila do të paguhet të paktën për 15 vitet e ardhshme raporton shekulli online.

Vendimi Komisioni i Ekonomisë miratoi dje një kontratë që i jep koncesionin e skanimit në dogana një kompanie private amerikane kundrejt tarifës se përcaktuar prej 39 eurosh, që do të paguhet nga tregtarët. Marrëveshja që i jep kompanisë 12 milionë euro në vit ka një afat prej 15 vjet që në total e çon koston e këtij shërbimi që do paguhet nga tregtarët në 180 milionë euro. Ky projekt është parashikuar të zbatohet minimalisht në pesë pika doganore kufitare përfshirë dhe portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncesionare, në portin e Durrësit do vendoset të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohet nga autoritetet doganore bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut.

Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanohen 100 % e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë në listën e mjeteve që do të skanohen, mund të shtohen me kërkesën e autoritetit doganor edhe mjetet e transportit të udhëtarëve. Vendimi do të rëndojë barrën për bizneset dhe do të çlirojë administratën doganore nga përgjegjësia e verifikimit faktik të ngarkesave që hyjnë dhe dalin në pikat doganore të vendit. Përjashtohen nga pagesa e skanimit automjetet që transportojnë njerëz apo mjete, të cilat nuk janë subjekt deklarimi në dogane. Në vendim është parashikuar edhe mënyra se si qeveria do të vjelë të ardhurat nga kompania që do të instalojë skanerat. Në paragrafin tre të vendimit për dhënien me koncesion të këtij shërbimi, përcaktohet se numri i deklaratave që do të përfshihen në llogaritjen e shpërndarjes së kostos së skanimit do të bazohet në sasinë vjetore të deklaratave të regjistruara në të gjitha Degët Doganore.
Gjithashtu aparatura që do të shërbejë për kontrollin e kontenierëve në pikat doganore duhet të jetë e pajisur me softwar-in dhe bazën e të dhënave për analizimin krahasues të imazheve.

KOMENTE