English

Linja Kinostudio-Kombinat me autobusë modernë. Orari 05-24

Përdoruesve të linjës Kombinat – Kinostudio, duke nisur nga dita e sotme do u ofrohet një shërbim i ri, me standarde dhe kushte optimale, për ta, duke i dhënë përfundimisht fund një trashëgimie të hidhur të transportit në këtë linjë. 20 autobusë tërësisht të rinj nisën sot funksionimin në këtë linjë. Këta autobusë kanë kapacitet, secili prej 100 vendesh. Deri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio, në 36. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka përzgjedhur të udhëtojë personalisht, në një nga autobusët e rinj të kësaj linje, të cilën e premtoi rreth 2 vjet më parë.

“Dua të shpreh edhe njëherë kënaqësinë që ia dolëm brenda një kohe relativisht të shkurtër, të realizonim zëvendësimin e linjës së vjetër me këtë linjë të re, me këtë park të ri autobusësh dhe besoj se ky premtim i mbajtur do të mirëpritet nga banorët por dua t’i siguroj që premtimi tjetër jo vetëm nuk është harruar por është në rrugë të mbarë, pasi në këtë linjë, ashtu sikundër në dy linja të tjera kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë franceze dhe BE po vazhdon projektin teknik që do të çojë drejt vendosjes së linjave të tramit, me qëllim ofrimin e këtij shërbimi evropian edhe në qytetin e Tiranës” – u shpreh z. Basha.

Autobusët do të shërbejnë pa ndërprerje nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 24.00 e natës, gjatë verës dhe nga ora 05.30 e mëngjesit deri në orën 23.00 të natës, gjatë dimrit, duke mundësuar kështu harrimin e kushteve të këqija, që ofronte kjo linjë shumë e rëndësishme dhe e përdorur nga qytetarët e Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka ironizuar edhe qëndrimin e ish - kryebashkiakut Rama, i cili cdo projekt të Bashkisë e konsideron si ide të tij, por që nuk e realizoi dot për 11 vite.

“Para se të marr autobusin së bashku me bashkëqytetarët e mi, dua të shpreh dëshirën që të mos kemi akuza edhe për këtë linjë, që e “kopjuam” apo që ndodhej në programe, pasi fakti është që kjo linjë ka qenë në gjendje të mjerueshme prej më shumë se një dekade. Fakti është që banorët e kanë kërkuar përmirësimin e shërbimit për një kohë shumë të gjatë dhe fakti është që ky përmirësim shërbimi erdhi atëherë kur Bashkia ktheu vëmendjen tërësisht ndaj qytetarëve dhe kështu do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve, me devocion, me vendosmëri, përtej demagogjisë dhe luftës politike” – theksoi kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

Autobuzi i vjetër i kësaj linje, në mënyrë simbolike u nis drejt parkut të autobusëve, duke përmbyllur kështu ciklin e shërbimit të qytetarëve dhe autobusi i ri, së bashku me Kryebashkiakun Basha dhe pasagjerët e parë u nis drejt destinacionit të tij. Në të njëjtën kohë 10 autobusë nisën funksionimin nga Kombinati dhe 10 nga Kinostudio.

Zoti Basha ka shprehur angazhimin e tij, për sistemin e punonjësve të këtij parku, i cili prej vitesh është keqmenaxhuar dhe ka akumuluar shumë borxhe.

“Kjo është një ndërmarrje e cila është keqmenaxhuar prej shumë vitesh, ka akumuluar borxhe. Për fat të keq, keqmenaxhimi nuk është bërë për të ofruar një shërbim të mirë. Shërbimi ka qenë i keq, menaxhimi ka qenë i keq. Ne do përpiqemi sa më shumë që ata punonjës që nuk janë përgjegjës për keqmenaxhimin, të integrohen qoftë në këtë park të ri, qoftë në parqe të reja autobusësh për linja të reja që do të hapim në qytet” – u shpreh z. Basha.

KOMENTE