English

Çiftet e të njejtit seks para altarit edhe në Shqipëri. Intervista

Martesat ndermjet te te njejtit seks duket se shume shpejt do te lulezojne edhe ne Shqiperi. Ne intervisten dhene per panorama dhe ballkanweb Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj shume shpejt do te jene para altarit.
Pas legalizimit të martesave gej në Francë, një dritë jeshile për legalizimin e tyre në Shqipëri e ka dhënë Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të para pak ditëve me dy përfaqësuesit e LGBT-së, Kristi dhe Xheni. Ata tregojnë gjithçka çfarë mund të fshihet pas vrimës së çelësit ku bashkëjetojnë çifte të të njëjtit seks. Lloji i dashurisë që ata përjetojnë, pasioni, marrëzitë dhe xhelozitë, i zbulojnë në këtë intervistë me sekrete dhe përmbysje të stereotipave nga një bashkëjetesë e tillë.
Para pak ditësh realizuat një takim me Kryeministrin Berisha për mundësinë e legalizimit të martesave të të njëjtit seks. Çfarë ju tha në atë takim?
Kristi: Berisha i mbante mend të gjitha aksionet që ne kemi bërë. Shumë i respektuar, i kujdesshëm të dëgjonte, na tha shprehimisht që: “Më vinte keq ato kohë që nuk dilte dot askush nga komuniteti që ta mbronte kauzën”. Ai e kishte ndjekur në ekranet shqiptare historinë e dy djemve gej dhe na tha: “Për çfarë arsye ata s’duhen lejuar të jetojnë me njëri-tjetrin?!” Kam përshtypjen e ka për emisionin “Opinion”, sepse kishte kërkuar ta shikonte të plotë që nga fillimi.
Xheni: Takimi me Berishën ishte shumë profesional dhe korrekt. Kryeministri u shpreh shumë i lumtur në lidhje me faktin që më në fund Lëvizja LGBT është bërë më vizibël dhe që tashmë ka një fytyrë dhe zë e njerëz që mbrojnë kauzën në të cilën besojnë. Na uroi për aksionet që kemi ndërmarrë deri më sot dhe tha se i janë dukur shumë me vend dhe të drejta. Këtu kishte parasysh dhe rastin e Ekrem Spahisë. Ai tha që homoseksualiteti është i lashtë sa vetë njerëzimi, gjë që e ka thënë dhe vjet, pas deklaratës së Spahiut. Tha që të gjithë njerëzit duhet të kenë të drejtën të jetojnë të lirë orientimin e tyre seksual.
Gjatë këtij takimi morët premtim konkret? Pra sa e mundur është që martesat gej të legalizohen?
Kristi: Ai la të kuptohet që e mbështet sepse, siç tha vetë, është diçka e drejtë, por la të kuptohet që presioni duhet të vijë nga vetë komuniteti në këtë pikë, pra na tha që “është një akull që duhet thyer dhe ju tani jeni në rrugë të mbarë”.
Xheni: Sfidën më të madhe na tha që kemi pikërisht ndryshimin e mentalitetit në Shqipëri.
Sa të afërt e shikoni në kohë bërjen realitet të këtyre martesave?
Kristi: Brenda legjislaturës së ardhshme. Por edhe shkrirja e akullit në shoqëri mendoj që do jetë e shpejtë, pasi nuk ka pse shqiptarët të mos jenë tolerantë. Të mirë kanë qenë gjithmonë dhe me ata që s‘kanë qenë shqiptarë, e jo më me ne që jemi shqiptarë.
Xheni: Lëvizja LGBT po rritet me hapa të jashtëzakonshëm dhe realiteti i martesave gej këtu në Shqipëri mund të vijë më shpejt seç e mendojmë. Është një sfidë, e cila po fitohet në të gjitha shtetet në të cilat po diskutohet. Historia po ecën në drejtim të të drejtave të njeriut.
Nëse miratohet ligji, cilat mendoni se do të jenë të jenë çiftet e para që do marrin guximin ta bëjnë publike?
Kristi: Unë them se të martuarit e parë do e bëjnë larg syve të njerëzve këtë akt martesor, sepse martesa është një akt mes dy njerëzve dhe ka shumë mundësi që ata apo ato që do përfitojnë nga çdo përmirësim i ligjit, do jenë të interesuar të jetojnë në lumturi me njëri-tjetrin, jo detyrimisht në sy të kamerave apo të botës.
Xheni: Të gjitha ato çifte gej dhe lesbikesh që kanë arritur t’u bëjnë ballë gjatë këtyre viteve presioneve për martesa të sforcuara, dhunës psikologjike dhe fizike të familjeve dhe kanë arritur të mbajnë të bashkuara lidhjet e tyre. E, sipas burimeve të mia, ka çifte që jetojnë jashtë, domethënë shqiptarë gej dhe lesbike të martuar me të huaj, shumë prej të cilëve duan të martohen edhe këtu.
Nga njohjet që keni, cilët mund të ishin çifti i parë shqiptar që do lidhnin kurorë në bashki?
Kristi: Atë nuk e dimë, por dihet që do jetë ngjarje për familjen e tyre.
Xheni: Është një proces shumë personal si të gjitha vendimet e tjera në jetë, për t’u shprehur me emra.
Dihet që familja ka një tronditje me shumë divorce të regjistruara në gjykata. Po një martesë e të njëjtit seks si mund të funksionojë?
Kristi: Funksionon në bazë të dashurisë për njëri-tjetrin, në bazë të përgjegjësisë së përbashkët për familjen e krijuar bashkë, pra të qenët bashkë në të mirë e në të keq.
Xheni: Funksionon në bazë të përkushtimit, investimit te marrëdhënia dhe jeta e përbashkët.
Këta partnerë e kanë prioritet fëmijën në jetën e tyre dhe në ç’mënyrë e zgjidhin?
Kristi: LGBT janë njerëz që s’kanë probleme riprodhimi, sepse mënyrat janë natyrale. Çështja është si do rriten fëmijët në SHBA, ku tani fëmijët e parë të lindur e të rritur nga çiftet gej janë mbi 30 vjeç dhe aty më në fund sociologët dhe psikologët kanë pasur material për të studiuar rezultatet më të pranuara deri tani. Pra, rëndësi në rritjen e një fëmije ka dashuria dhe ngrohtësia që merr në familje, kjo vlen për çiftet gay, për fëmijët që rriten nga një prind e kështu me rradhë.
Xheni: Studimet për martesat gej të 10 viteve të fundit tregojnë që martesat gej janë më të qëndrueshme se martesat heteroseksuale. Në disa lidhje gej dhe lesbike, ashtu si dhe në lidhjet heteroseksuale, vjen një moment kur ndihet nevoja për ta kaluar lidhjen në një tjetër nivel. Dëshira për fëmijë është e natyrshme. Mënyrat e zgjidhjes janë të ndryshme. Ka çifte gej dhe lesbike që vendosin të lindin dhe rrisin bashkë një fëmijë, për shembull, njëra nga femrat mund ta bëjë me donator, ka çifte të tjera që vendosin të adoptojnë fëmijë.
Fëmijët e dy prindërve gej apo lesbike janë të predispozuar për të pasur orientime të tilla seksuale?
Kristi: 90 për qind e djemve dhe vajzave të rritura ose nga nëna lesbike ose nga baballarë gej, janë straight dhe kjo risiguron që të qenët gej nuk është stil jete, por lind bashkë me identitetin e çdo qenieje njerëzore.
Xheni: Si gej dhe lesbike, nga studimet tregohet që nuk ka asnjë korrelacion midis të pasurit të prindërve gej dhe të bërit i tillë. Është e njëjta gjë si me fëmijët gej ose lesbike, qëlindin nga prindër heteroseksualë.

KOMENTE