English

Selitë - Unazë e Madhe. Segmenti më i ri dhe modern

Banorëve të njësisë bashkiake nr. 5 u është shtuar një rrugë tërësisht e rindërtuar. Me një investim prej 40.4 milionë lekësh, akorduar nga Bashkia e Tiranës janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, ndriçim, gjelbërim, ndërsa është paraprirë nga ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Selitës.

Rruga me gjatësi rreth 600 metra ka një gjerësi 6 metra dhe në të dy anët e rrugës, trotuarë. Kjo rrugë lidh dy zona të rëndësishme dhe me impakt në reduktimin e trafikut, Selitën me segmentin e ri të Unazës së Madhe. Një element të rëndësishëm që Bashkia e Tiranës ka sjellë përgjatë kësaj rruge dhe do ta implementojë në të gjithë Tiranën, është zëvendësimi i mureve rrethuese të shtëpive me kangjella.

“Rruga është ndërtuar me të gjithë parametrat që ne premtuam, duke përfshirë jo vetëm infrastrukturën publike por edhe zëvendësimin e avllive të vjetra me kangjella, çka nuk është vetëm pjesë e zbukurimit të rrugës por edhe pjesë e një modeli të ri qytetërimi, një modeli të ri bashkëfqinjësie midis banorëve të komunitetit dhe natyrisht një kontribut në shtimin e vlerës së pronës për të gjithë banorët e kësaj zone. Kjo është një përqasje e re që Bashkia e Tiranës po aplikon anembanë qytetit” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku Basha nënvizoi se rrugë të tilla po ndërtohen në të gjithë Tiranën, për të përmirësuar sa më shumë jetën e banorëve. Sipas Kryebashkiakut, Bashkia sot ka zgjedhur t’u shërbejë qytetarëve, pasi vetë qytetarët më 8 maj e refuzuan Bashkinë si repart politik dhe zgjodhën bashkinë që do u shërbejë atyre.

“Kjo është një zgjedhje që Bashkia e Tiranës ka bërë, pikë së pari një zgjedhje për t’u shërbyer qytetarëve, për t’u shërbyer atyre kudo ku jetojnë është një zgjedhje e ndërgjegjshme për ta zhvendosur Bashkinë e Tiranës nga një “repart politik”, siç ishte deri më 8 maj në njësi shërbimi ndaj qytetarëve. Kjo zgjedhje është e mundur, sepse qytetarët zgjodhën vetë që Bashkinë e Tiranës ta kenë për veten e tyre dhe jo për axhendat politike .Duke u kujtuar banorëve të kësaj zone se produkti që shohim sot është një zgjedhje dhe jo një rastësi, uroj që qytetarët e Tiranës sa herë të gjenden para mundësisë për të zgjedhur, të zgjedhin më të mirën për veten e tyre dhe të mos gabohen nga fjalët, por të shikojnë veprat” – theksoi kreu i Bashkisë z.Lulzim Basha.

KOMENTE