Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: Vlora e sotme i ngjan asaj të atëhershmes aq sa ç’i ngjaj unë këtij fëmijës këtu
English

Rama: Vlora e sotme i ngjan asaj të atëhershmes aq sa ç’i ngjaj unë këtij fëmijës këtu

Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama, gjatë prezantimit të skuadrës së Rilindjes për Vlorën.

"Përpara se sa të filloj dua të ndaj me ju diçka familjare. Dua t’u tregoj disa fotografi lakuriq që nuk i ka parë njeri deri më sot… Në fakt ngaqë nuk kam pasur kohë që të merrem edhe me prezantimin shikoj që ato lakuriq, lakuriq, i kanë hequr, po kanë bërë shumë gabim. Janë fotografi në plazhin e Skelës në vitet ‘60. Janë fotografi të një kohe kur unë e kisha Vlorën ëndrrën e gjithë vitit dhe kur gjithë viti më kalonte duke shkuar në shkollë për të marrë 10-ta sepse Aneta më thoshte “nëse do dalësh me të gjitha 10-ta do shkosh të bësh pushime në Vlorë”.
Vlora ishte për mua vendi ku unë ndjehesha krejt i lirë. I lirë dhe pjesë e një bote që gjatë vitit të shkollës unë nuk e njihja. Bota e djemve të Skelës, bota e peshkatarëve, bota e notit dhe e shkuarjes për të marrë kumë te Bova. Bota e Flamurtarit të Vajzave në Basketboll. Më kujtohet atëherë kur shkonim te këndi i lojërave për të parë vajzat e Flamurtarit dhe e gjithë Vlora mblidhej për të mundur Tiranën, dhe e mundte. Këtu në këtë Pallat Sporti kur u ndërtua unë isha pak më i rritur, por kisha fatin e madh që të vija dhe të bëja stërvitje me Viktor Papavangjelin. Pastaj me Vlorën më lidhte edhe vajtja – ardhja tek studiot e piktorëve te Skënder Kamberi, te Agron Dinia, te Rakip Shabani, te Nestor Jonuzi. Artistë të mëdhenj të këtij qyteti. Sot ju siguroj, unë kam bërë shumë fjalime përpara shumë njerëzve në sheshe të hapura, në pallate sporti, në salla të mbyllura, por asnjëherë si sot nuk kam ndjerë emocione të jashtëzakonshme si përpara një provimi. Ju e dini që unë mund ta vendosja emrin tim për të qenë deputet kudo. Ju siguroj se vendimi për të vendosur emrin tim këtu në Vlorë nuk ka qenë për t’ia bërë vetes më të lehtë, por për të marrë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të përfaqësimit të Kryeqytetit të historisë dhe të Pavarësisë së shqiptarëve.
Unë e mbaj mend Vlorën e atëhershme si një ëndërr shumë të bukur.
Vlora e sotme i ngjan asaj të atëhershmes aq sa ç’i ngjaj unë këtij fëmijës këtu. Por, megjithatë, siç unë jam ky fëmija edhe Vlora është ajo. Është Vlora në nevojë për të shkuar përpara dhe për t’u bërë porta e shqiptarëve ndaj Mesdheut, dhe porta e Mesdheut drejt Shqipërisë. Vlora sot është në nevojë për t’i kthyer shkëlqimin e ëndrrave të atyre, që në Vlorë shpallën Pavarësinë e vendit, të atyre që në Vlorë gjetën vendin e duhur për të parafytyruar Shqipërinë Zonjë të Rilindësve dhe për të shkuar përpara me guxim në kushtet kur askush nuk besonte se Shqipëria mund të bëhej. Unë jam këtu në Vlorë për t’ju thënë se Shqipëria mund të bëhet se Shqipërinë do ta bëjmë.
Në këto 20 vjet Vlora ka pasur shumë nevoja. Ajo është zhvilluar falë sakrificave, punës, vullnetit të njerëzve të saj. Por, unë kam dëshirë të ndaj me ju këtu një tabelë shifrash. Një tabelë shifrash që tregon se çfarë kanë bërë për Vlorën në vitet e fundit ata në Tiranë. Po të shikoni shifrat flasin vetë. Qysh nga viti 2003 deri në vitin 2013 ky qytet dhe ky qark janë financuar shumë më pak se qytete dhe qarqe të tjerë, dhe vetë qyteti i Vlorës ka marrë më pak fonde se Kamza.
E pra, një qeveri socialiste nuk financonte Vlorën se mendonte që vlonjatët i kishte në xhep dhe se votat e tyre i merrte pavarësisht se punonte apo s’punonte për Vlorën. Më pas qeveria e Saliut nuk e financoi asnjëherë Vlorën, sepse e sheh si vendin ku nuk do të gjejë kurrë mbështetje dhe ku sa herë që të votohet aq herë do të ndëshkohet dhe aq herë do të largohet po të jetë për Vlorën. Ne jemi sot këtu për të nisur fushatën për Vlorën. Por, unë nuk jam këtu për t’ju bërë premtime dhe për të qenë me ju deri në 23 qershor. Unë jam këtu për t’ju thënë se pas 23 qershorit do të angazhohem si përfaqësues i juaji për të bërë për Vlorën në 4 vitet e ardhshme sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku.
Çfarë do të bëjmë ne për Vlorën. Shqipëria është i vetmi vend i Mesdheut që ka det përgjatë gjithë profilit të vet dhe që nuk e shfrytëzon detin e vet. Është i vetmi vend i Mesdheut që detin nuk e ka pjesë të ekonominë kombëtare. Është i vetmi vend i Mesdheut që pati fatkeqësinë që për 8 vjet të kishte një kryeministër i cili i vuri çelësin detit dhe e përdori si govatë për të mësuar not vet.
Po të shikoni gjithë rrugëtimin e anijeve dhe sidomos të varkave turistike ai rrugëtim ndërpritet, pikërisht, në segmentin e bregut shqiptar. Po të shikoni se si të gjitha ato anije pafund që vijnë nga të katër anët e botës për të kaluar pushimet në Mesdhe shkojnë në Adriatik, ngjiten lart, zbresin deri në Mal të Zi, pastaj nuk kalojnë më nëpër bregun shqiptar po shkojnë në Itali për t’u furnizuar, për të ndaluar dhe pastaj shkojnë poshtë në Greqi. Pra, Shqipëria është e izoluar nga deti. Ne do të bëjmë që Shqipëria të bashkohet me Mesdheun dhe e gjithë vija jonë bregdetare të bëhet vijë e kalueshme për të gjitha anijet, anijet tregtare dhe turistike që sjellin aq shumë të ardhura, dhe aq shumë të mira, për vende të tjera të Mesdheut dhe që deri sot s’kanë sjellë asgjë për Shqipërinë. Sepse deri sot Shqipëria nuk e ka hapur detin e saj dhe ka qëndruar e izoluar nga Mesdheu.
Ne do të ndërtojmë Korridorin e Kaltër, një rrugë e cila do të lidhë rrugën e bregut, me rrugën që nis qysh lart nga Sllovenia, zbret në Kroaci, kalon në Malin e Zi, dhe do të dalë poshtë deri në jug ku do të bashkohet pastaj me rrugën që shkon në bregun e fqinjit të jugut. Kjo autostradë e kaltër do të jetë mundësia e jashtëzakonshme që ekonomia jonë të rritet duke përfituar nga rritja e fluksit të atyre që e përshkojnë Shqipërinë jo vetëm për të ardhur drejtpërdrejt në Shqipëri po edhe për të kaluar përmes saj siç kalojnë në vendet e tjera fqinje.
Kur ne e prezantuam këtë projekt doli një nga këta të Saliut dhe tha, duan të bëjnë tunel në ujë, por në fakt këtë mund ta thonë vetëm ata që nuk kanë sy për të parë këtë pasuri të jashtëzakonshme që quhet det dhe këtë mundësi të munguar në kaq shumë vite që e bën detin pjesë të ekonomisë. Ndërkohë që JO, ne nuk do të hapim ndonjë tunel në det, ne do të ndërtojmë rrugën detare dhe rrugën automobilistike krahas saj dhe do ta kthejmë të gjithë Shqipërinë në një destinacion njësoj si vendet e tjera të Mesdheut duke e rritur kështu ekonominë edhe përmes detit, jo vetëm përmes aktiviteteve ekonomike që bëhen në tokë, si çdo vend i Mesdheut.
Ndërkohë ju po e shikoni se si flama e ndërtimeve pa leje dhe virusi i bathorizimit po përhapet në gjithë bregun e Jonit.
Unë ju garantoj se pas 23 qershorit ne nuk do të lejojmë më të vihet një tullë pa leje në Shqipëri dhe nuk do të lejojmë më asnjë lloj cenimi të bregdetit me ndërtime apo ndërhyrje të pakontrolluara dhe të pamiratuara.
Ndërkohë që do bëjmë një punë të posaçme për të restauruar dhe për t’i kthyer në vlera ekonomike të 7 fshatrat e bregut duke iu dhënë mundësi që të kalojnë nga epoka e një turizmi primitiv në një epokë tjetër. Në epokën e një turizmi elitar të integruar, sepse ato fshatra që ne kemi në bregun e Jonit janë xhevahire që asnjë vend tjetër nuk do ia falte vetes që t’i linte në derexhenë që i ka lënë Saliu dhe qeveria anti-det e Tiranës.
Këtu shikoni hartën e pasurive kulturore të bregut, sepse ne nuk kemi vetëm det. Ne nuk kemi vetëm mundësi për të zhvilluar turizmin detar dhe peshkimin po kemi mundësi për të zhvilluar një turizëm që bazohet edhe tek gjithë thesari ynë i trashëgimisë kulturore. Një thesar që në 8 vitet e fundit është rrënuar më shumë se çdo e kishin rrënuar në 500 vjet të gjithë pushtuesit që kanë kaluar nëpër Shqipëri.
Kam një fjalë për të gjithë ata që këtu në qarkun e Vlorës i thonë vetes të djathtë. E, kanë të drejtë t’i thonë vetes të djathtë edhe pse unë nuk jam shumë dakord me idenë që, meqë gjyshi ka qenë ballist unë duhet të jem i djathtë, apo meqë ti e ke pasur gjyshin partizan unë duhet të kem inat ty.
Megjithatë, unë dua t’u them të djathtëve në Vlorë, që në 23 qershor duhet të votoni si vlonjatë, si vlonjatë të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, sepse Saliu e la Vlorën jashtë rrjetit të rrugëve që tha se ndërtoi. Pavarësisht, se nuk ka bërë 10.400 kilometra, ka bërë vetëm 1.400, i thotë me lekë të vjetra Saliu. Por, pavarësisht kësaj, e rëndësishme është që secili në 23 qershor të mos votojë për partitë, por të votojë për projektin, të votojë për programin, të votojë për vizionin, për skuadrën që ka vizionin e duhur. Kështu, duke votuar për Partinë Socialiste të gjithë ata që sot janë të izoluar, sepse rruga e mbarë lumit të Vlorës, është kthyer në një shteg ku edhe dhitë e kanë të vështirë të kalojnë pa thyer këmbët, vetëm për shkak se nuk ka vullnet në Tiranë për t’i trajtuar ata si njerëz.
Pas 23 qershorit ne do ta ndërtojmë rrugën e lumit të Vlorës. Të gjitha ato zona që shikoni aty Peshkëpinë, Drashovicën, Sevasterin, Bratajn, Tërbaçin, Vranishtin, Kucin, Qeparoin, ne do t’i lidhim. Por, ky qark nuk ka vetëm detin, nuk ka vetëm nevojën për infrastrukturën, nuk ka vetëm trashëgiminë kulturore, ka edhe mundësinë që ta zhvillojë ekonominë duke prodhuar dhe duke tregtuar. Shikoni një moment gjirin e Vlorës shumë shekuj më parë, shikoni se sa anije shkonin e vinin dhe futeshin në këtë gji që ishte një port, një nga portet e rëndësishëm të Mesdheut. Të njëjtën gjë tregojnë pamjet. Shikojeni! Në vitin 1916 Vlora ishte një qytet shumë i vogël, por shikoni sa anije dhe sa varka vinin për të bërë tregti apo vinin për të vizituar Vlorën. Jetonte mbarë zona me këtë tregti. Sot ju e shikoni, vetë. Shikoni si është situata sot. Një port i braktisur! Ne bashkë me Shpëtimin po shikonim pak premtimet e Partisë Demokratike dhe katër vjet më parë Saliu këtu në Vlorë ka thënë në 2013 porti i Vlorës do të jetë një vepër e madhe publike me të cilën do të krenohet Vlora dhe gjithë Shqipëria. E pra, vetëm për këtë thënie dhe vetëm për këtë gjendje çdo vlonjat duhet që në 23 qershor ta nxjerrë Saliun nga Vlora pa asnjë votë, pa asnjë votë, fare.
Ndërkohë, në hartën e porteve Vlora zë një vend strategjik shumë më të rëndësishëm. Por i gjithë bregu dhe i gjithë qarku i Vlorës kanë një pozicion të rëndësishëm strategjik për të gjithë ekonominë dhe për ekonominë rurale në radhë të parë. Ne në programin tonë kemi vendosur si prioritet mes prioriteteve kryesore zhvillimin e ekonomisë së fshatit për t’i dhënë fund braktisjes shumë vjeçare të fshatit dhe për ta kthyer fshatin shqiptar në një hapësirë prodhimi, fitimi dhe mirëqenie. Këto janë portokalle (tregon foto) të mbledhura këtu në këtë qark, poshtë në jug në komunën e Dhimo Kotes. Me atë model, por me mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë në Tiranë ne do t’u japim bujqve dhe fermerëve të gjithë komunave të këtij qarku mundësinë që të prodhojnë, të fitojnë dhe të ndërtojnë mirëqenie në fshatin e tyre.
Në 23 qershor çdo bujk dhe fermerë duhet ta dijë se tek ajo vota, tek ajo fleta, tek ai emri Partia Socialiste, me një kryq ka mundësinë t’i vëri kryqin politikës diskriminuese për fshatin.
E para, të garantojë ujitjen e plotë dhe kullimin e plotë të tokës.
E dyta, të garantojë uljen e kostove të prodhimit duke hequr taksën për plehrat dhe për farërat, për qarkullimin e naftës dhe akcizën e naftës. Pastaj, ka mundësinë të garantojë nxjerrjen e prodhimit në treg. Ky është një tjetër zotim, të garantojë më në fund pas çerek shekulli, certifikatën e tokës së vet.
Dua t’ju them që ne Vlorën, qarkun e Vlorës duam ta kthejmë në një model zhvillimi të qëndrueshëm për të gjithë Shqipërinë. Duam që këtu në Vlorë, në këtë qark, në këtë breg të bëjmë laboratorin e politikës së re ekonomike dhe sociale. Laboratorin e politikës që do të zgjidh problemet e pronave, që do të zgjidh problemet e prodhimit, që do të zgjidh problemet e agrobiznesit, që do të zgjidh problemet e turizmit dhe që do të zgjidh problemin e madh të mungesës së Shqipërisë në hartën e Mesdheut, duke e përfshirë bregun tonë në gjithë vijën bregdetare të Mesdheut, për turizëm dhe për tregti.
Vlora, qarku, ka një ullishtari të vjetër nga 50 në 400 vjeçare, ashtu si e gjithë Shqipëria. Por, ullishtaria e vjetër sot ka nevojë urgjente për rikonstruksion, në mënyrë që ne të trefishojmë prodhimin që marrim dhe të ardhurat që marrim nga ullishtat. Kështu, zotimi ynë është, që nga njëra anë ta hapim kantierin e rikonstruksionit të ullishtarisë së vjetër dhe nga ana tjetër të mbjellim 3 milionë rrënjë të tjera ullinj, nga të cilat 30% në Qarkun e Vlorës.
Së fundmi, qyteti i Vlorës. Unë dua t’ju garantoj që pas 23 qershorit ky qytet, bashkia e këtij qyteti, të gjithë njerëzit që jetojnë, punojnë, përpiqen, lindin dhe rrisin fëmijët këtu do të kenë atje në Tiranë jo vetëm një qeveri që do të jetë në mbështetje të tyre, por edhe kryeministrin që do t’ju përfaqësojë me dinjitetin më të madh si deputeti juaj.
Ne do të rindërtojmë Sheshin e Flamurit, do të rindërtojmë bulevardin lidhës me shëtitoren dhe do të ndërtojmë pedonalen e re, nga Skela deri poshtë, ku do të heqim makinat dhe do t’jua kthejmë atë këmbësorëve dhe vizitorëve, duke e bërë një nga hapësirat më të bukura të Mesdheut. Ky është zotimi im! Keni për ta parë që këto zotime nuk janë si premtimet e Saliut, po janë zotime për t’u angazhuar me mish e me shpirt pranë jush, në mbështetjen tuaj, bashkë me ju dhe për t’i dhënë përmes Vlorës dhe Qarkut të Vlorës gjithë Shqipërisë dhe gjithë Europës modelin e një zhvillimi që do të jetë njësoj si dikur me Tiranën, ku askush nuk e besonte që Tirana mund të shpëtonte. Por, Tirana nga një pazar i rrëmujshëm oriental u bë një qytet europian. Edhe më shumë se me Tiranën, sepse nuk do të ketë qeveri që të na pengojë. Përkundrazi, qeveria do të jetë aty për të na mbështetur dhe për të na inkurajuar që të shkojmë përpara.
Në fund fare miqtë e mi, ju siguroj se besimi im për transformimin që do të sjellë në Vlorë nuk lidhet me personin tim, por lidhet me Skuadrën e Rilindjes që ne kemi sjellë këtu për të përfaqësuar Vlorën, Sarandën, Himarën, Delvinën, të gjithë bregun dhe gjithë këtë pjesë Shqipërie që ne do ta bëjmë një pjesë Shqipërie për të cilën do të jemi krenarë. Gjithkush që do të bashkohet me ne, pas vitesh, dot të jetë krenar që ishte pjesë e këtij momenti historik dhe e kësaj Rilindje për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë.
Dua të ftoj këtu për t’ju përshëndetur të gjithë skuadrën tonë dhe dua të ftoj këtu gruan që më bëri kokën dhe gruan që më mban krahun dhe nuk më lë të rrëzohem".

KOMENTE