English

Edi Rama: Ku do që shkojmë nëpër takime, ndjehet era e ndryshimit

Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në takimin elektoral në Pogradec.

"Faleminderit shumë!
Faleminderit shumë dhe mirëmbrëma të gjithëve!Ju jam shumë mirënjohës për këtë mikpritje të jashtëzakonshme! Kemi ardhur shpesh herë në Pogradec, kemi bërë edhe këtu në këtë shëtitore një takim, e mbaj mend mirë atë takim ka qenë një takim shumë i bukur, por sot unë pashë me një kënaqësi të jashtëzakonshme pesëfishin e njerëzve. Kudo ku shkojmë, në çdo rrugë, rrugë fshati apo rrugë qyteti, dhe në çdo shesh ku mblidhen qytetarët për të na pritur ndjehet shumë fort era e ndryshimit, ndjehet shumë fort era e fitores, ndjehet shumë fort era e Rilindjes.
Unë jam shumë krenar, që sot kam ardhur këtu bashkë me një mik të çmuar, me një njeri të fjalëve të pakta dhe punëve të mira, me kryeministrin e pajtimit kombëtar dhe deputetin tuaj Bashkim Fino. E po ashtu, jam shumë i lumtur që sot ndaj me ju këto momente në mes të dy miqve të çmuar, të dy kryebashkiakëve që kanë ndërtuar modelin tonë edhe në Pogradec edhe në Korçë, Artan Shkëmbi dhe Niko Peleshi.
Por, sigurisht kënaqësia do të ishte krejt e paplotë nëse ne sot nuk do të ishim përpara jush për t’ju thënë se me votën tuaj do të çoni në parlamentin e Shqipërisë, qoftë një personalitet të rëndësishëm politik si Bashkimi, qoftë edhe një djalë të shkëlqyer të Pogradecit si Iliri dhe ndërkohë në skuadrën tonë të Rilindjes për Korçën, Pogradecin e Kolonjën kemi edhe një Ilir tjetër, kryetarin e Partisë Socialiste të Pogradecit. Unë besoj se jemi tërësisht të kompletuar për t’i thënë Pogradecit se vota tek numri 29 është një votë në respekt të të shkuarës, të asaj të shkuare të lavdishme të Luftës Nacional Çlirimtare që ne socialistët dhe progresistët e mbrojmë me krenari, si një faqe ku Shqipëria shënoi emrin e vet krah për krah me popuj liridashës të botës. Është një votë për të ardhmen, për të mbështetur Rilindjen që do të vijë në 23 Qershor.

Të dashur pogradecarë, unë kam dëshirë sot t’u them nga zemra se vota e 23 Qershorit nuk është një votë vetëm për socialistët dhe për progresistët, vota e 23 Qershorit është për çdo prind. Për çdo prind që do mirëqenie ekonomike në familjen e vet, që do një shkollë të denjë për fëmijët e vet, që do një diplomë me vlerë për djalin apo për vajzën, që do një zanat për secilin prej fëmijëve të vet, që do që familja e vet të jetojë me punë të ndershme dhe nga puna e ndershme të nxjerrë lekët që i duhen për të ngrënë normalisht, për t’u veshur normalisht, për të jetuar normalisht dhe për t’i bërë normalisht dhuratë për ditëlindje secilit prej fëmijëve.
Çdo qytetar, i këtij qyteti që i takon jo vetëm pogradecarëve, i takon Shqipërisë jo vetëm si një mrekulli turistike, por edhe si vendlindja e një poeti të madh si Lasgush Poradeci, nuk duhet t’ia falë Saliut dhe qeverisë atë palo rrugë që po hapet duke shkatërruar bregun e mrekullueshëm të këtij liqeni, duke shkatërruar pamjen e mrekullueshme të kësaj pasurie kombëtare, duke shkatërruar para për të ndërtuar atë palo rrugë atje.
Kam bërë rrugë thotë Saliu. Kam bërë rrugë, shumë rrugë, por e shikoni se rrugët kanë mbetur rrugëve bashkë me kryeministrin që rri në mes të rrugës. (njerëzit bërtasin poshtë Saliu) Jo poshtë Saliu se më poshtë, nuk ka ku të shkojë.
Më 23 Qershor, miqtë e mi, është dita për të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, vendimin se çfarë Shqipërie duam në vitet e ardhshme; një Shqipëri ku rritet papunësia apo duam një Shqipëri ku punësimi është i mundur për të gjithë; duam një Shqipëri ku shkatërrohet biznesi e ku falimentojnë dyqanet, mbyten në borxhe qoftë ata që jetojnë me një dyqan e ata që trokasin tek dera e një dyqani, apo duam një Shqipëri ku menjëherë të heqim taksën për biznesin e vogël, kur menjëherë të përgjysmojmë tatimin e fitimit mbi biznesin e vogël dhe ku menjëherë të fillojmë të lehtësojmë nga borxhet qoftë dyqanet e qoftë familjet?
Çfarë Shqipërie duam? Duam një Shqipëri ku polici, mësuesja, infermierja apo njeriu i zakonshëm që jeton me një rrogë paguan më shumë taksë se ministrat e kryeministri apo duam një Shqipëri që kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë?
Çfarë Shqipërie duam? Duam një Shqipëri ku çdo gjë është mall, ku drejtësia është mall dhe të drejtën e fiton vetëm ai që ka lekë, ku kujdesi shëndetësor është mall dhe kush nuk ka lekë nuk duhet të sëmuret siç thotë Saliu apo duam një Shqipëri ku të drejtat janë të garantuara, ku drejtësia jep drejtësi e ku shëndetësia jep kujdes shëndetësor, pavarësisht nëse je në punë apo i papunë, nëse ke lekë apo nuk ke lekë, nëse je nga fshati apo nga qyteti?
Duam një Shqipëri ku gjysma e 15 vjeçarëve janë analfabetë funksional dhe ku dy në tre të rinj nuk punojnë apo duam një Shqipëri që t’i garantojë arsim normal të gjithë fëmijëve dhe të hapë rrugën e punësimit për gjithë të rinjtë. Zgjedhja në 23 Qershor është shumë e thjeshtë, do të votoni për ne që vijmë me autobus si të gjithë qytetarët apo do të votoni për kryeministrin që vjen me antiplumb për t’ju takuar. Do të votoni për ne që vijmë të shoqëruar nga këngëtarë e valltarë e nga vajza e djem apo për kryeministrin që vjen i shoqëruar nga 200 roje. Do të votoni për ne që mblidhemi bashkë me njerëz të lirë, me njerëz të papunë apo me njerëz që edhe pse e kanë një punë duan më shumë, meritojnë më shumë e prandaj janë këtu me vullnet të lirë apo për ata që i mbushin sheshet me robërit e pushtetit duke i kërcënuar rrogëtarët e shtetit me bukën e gojës.
Për çfarë do të votojë populli shqiptar në 23 Qershor, për të pasur mësues të trembur, mësues të kërcënuar, mësues që mbahen peng nga pushteti apo për të pasur mësues të lirë që shkojnë në shkollë për të mësuar fëmijët dhe jo për të kënduar këngët e pushtetit dhe për t’i shkuar mbrapa kryeministrit e kryetares së Parlamentit.
Unë besoj se zgjedhja është shumë e qartë rrënim i mëtejshëm ose një Rilindje Shqiptare. Zgjedhja është shumë e qartë një Shqipëri që punon, një Shqipëri që prodhon, një Shqipëri që jeton normalisht dhe që nuk dridhet përpara çmimeve të ushqimeve në pazar, një Shqipëri ku vajzat dhe djemtë shkojnë përpara në rrugën e lirë të konkurrencës dhe vlerësohen sipas meritës dhe jo një Shqipëri ku po nuk pate mbiemrin e duhur dhe lidhjet e duhura nuk bën dot asnjë lloj karriere.
Ne, të dashur miq, jemi këtu për t’u thënë se do të bëjmë për këtë qark, do të bëjmë për Korçën, Pogradecin, Devollin e Kolonjën më shumë se ç’është bërë në 20 vjet të marra sëbashku. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Shqipërisë Perëndia apo natyra i ka dhënë gjithçka i duhet që populli ynë të jetojë i qetë, i mirëqenë e të ndërtojë normalisht jetën e tij, të fëmijëve, nipërve e mbesave pa qenë i gjunjëzuar nga varfëria e pa qenë gjunjëzuar nga papunësia, pa qenë i sfilitur nga braktisja. Shqipëria nuk ka nevojë për asgjë tjetër përveçse për të pasur shtet. Shqiptarëve nuk u mungon uji, por shqiptarët nuk kanë ujë për të pirë, nuk kanë ujë për të vaditur tokën.
Shqiptarët përmbyten, si askush tjetër, në mes të Europës, sepse nuk kanë kanale kulluese, sepse nuk kanë sistem mbrojtjeje nga erozioni. Shqiptarët kanë një klimë me diell 9 muaj të vitit, kanë toka buke, kanë mundësi të prodhojnë ushqimin e tyre dhe të jetojnë më së miri në fshat dhe në qytet. Shqiptarët kanë mrekullira si Pogradeci, si Korça, si deti Jon, si deti Adriatik, si alpet. Shqiptarët kanë mrekullira si Berati, si Gjirokastra. Çfarë na mungon? Na mungon vetëm shteti. Ne jemi këtu për t’ju thënë se vota në 23 qershor është një votë për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve që iu shërben qytetarëve pa dallim.
Është një votë për të ndërtuar shtetin që nuk ndërton shkolla për t’ju kthyer atyre jo në kazerma të partisë pushtet, por që ndërton shkolla për t’i kthyer ato në vatra të dijes, në vatra të parimeve dhe vlerave të Europës së Bashkuar ku ne duam të integrohemi.
Sot Shqipëria kërcënohet çdo ditë nga krimi. Krimi ka dalë rrugëve. Krimi bën ligjin dhe policia është tradhtuar dhe braktisur nga një kupolë atje në Ministrinë e Brendshme që është e lidhur me krimin. Për 300 ditë ne do të vendosim ligjin përballjen me forcën e ligjit, krimin dhe çdokënd që guxon të cenojë një shqiptar apo pronën e një shqiptari.
Mjaft më me një histori të gjatë zvarritje dhe rrënimi. Kush prek një nga ne, një shqiptar të zakonshëm ka prekur shtetin dhe do të përballet me Policinë e Shtetit. Kush prek pronën e një familjeje ka prekur shtetin do përballet me policinë e shtetit dhe me ligjet e këtij shteti.
Motra dhe vëllezër.
Unë mund të vazhdoj të flas me orë të tëra sepse entuziazmi juaj dhe dëshira juaj për ndryshimin, energjia juaj për Rilindjen e bën gati të pamundur që të shkëputem nga ju po ne kemi edhe pak javë rrugë drejt ditës së fitores. Unë do t’i thosha secilit prej jush që të shkojë drejt 23 qershorit me bindjen se atë ditë nuk duhet të shkojë i vetëm te kutia e votimit por duhet të marrë me vete edhe një tjetër që nuk ka votuar herën e shkuar. Një të ri në familje, një kushëri, një komshi, dikush që herën e shkuar nuk ka votuar dhe që sot vazhdon të jetë i lëkundur se çfarë të bëjë të rrijë në shtëpi apo të votojë. Tregojuni të gjithëve se kur një vend e sundon e keqja nuk është faji i të këqijve por është faji i të mirëve që nuk bëjnë asgjë dhe çdo njëri nga njerëzit e zakonshëm dhe të mirë të këtij vendi duhet të vijë bashkë me ju atje te kutia e votimit dhe sa hap e mbyll sytë duke vënë një kryq te numri 29, tek partia socialiste të vendosë ndryshimin në jetën e tij, të ulë taksat për 95% të shqiptarëve, të ulë kostot e prodhimit që fshati të prodhojë më shumë që qyteti të ushqehet me mirë dhe që çmimet mos tmerrojnë qytetarin shqiptar kur del në pazar. Që çdonjëri të marrë shërbim shëndetësor falas, që çdonjëri të mund të çoj fëmijën në shkollë, dhe që çdo i ri i talentuar të vazhdojë studimet edhe nëse familja nuk ka para. Që Shqipëria t’i kthehet punës, punës punës, që Shqipëria t’i japë fund përrallave, marrëzive, shpifjeve dhe sharjeve. Që Shqipëria të bëhet një qendër që ëndërronte edhe Lasgushi, vendi i ëndrrave të atyre që i dhanë jetë Rilindjes sonë kombëtare. Ata që i dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, ata që u martirizuan në vite për votën e lirë, ata që u martirizuan në emigracion, të gjithë ata që kanë dashur, duan, një Shqipëri që ky popull meriton dhe që ne do ta ndërtojmë së bashku.
Faleminderit! Rroftë ky popull i mrekullueshëm i Pogradecit, i qytetit dhe i fshatit! Rroftë ky qark njerëzish të mirë, punëtorë, të talentuar, qarku i Korçës! Rrofshi ju! Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!"

KOMENTE