English

Rama: Nëse komunizmi vazhdon dhe sot, ai jeton vetëm në kokën e Saliut

“PD është një parti familjare dhe nuk ka lidhje me interesat e demokratëve. Akoma dhe sot premtohet ujë, edhe pse vendi ka burime ujore në çdo metër tokë.

S’ka ujë, pasi ata që ju kanë marrë historikisht votën ju shohin si zgjedhës, e jo si njerëz. Thonë ju kemi në xhep. Nëse komunizmi vazhdon të jetë sot, jeton vetëm në një vend, në kokën e Saliut”.

Këto kanë qënë fjalët e kryesocialistit Rama në takimin e zhvilluar në Shkodër me banorët e Komunës Gur i Zi në Shkodër.

I pari që e mori fjalën ishte kandidati për deputet në këtë qark, Tom Doshi, i cili tha se Shkodra, për vite me radhë, është drejtuar nga hajdutë. “Shkodra është e drejtuar nga hajdutë .

I them të gjithëve mos keni frikë, se fundi i tyre do edhe një javë. Do të jetë fushata e fundit që premtohet ujë i pijshëm. Kur të vijmë do vijmë në pushtet pas 23 qershorit do të investojmë për sistemin e vaditjes dhe ujin e pijshëm”, tha ndër të tjera Doshi.

Më tej, kryesocialisti vlerësoi kandidatin për deputet në qarkun e Shkodrës, Tom Doshin, si një biznesmen që hyri në politikë dhe jo si një njëri që u bë biznesmen nga përfitimet politike, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë, akuzave të kryeministrit.

“E keni dëgjuar shpesh Saliun që të thotë se në grupin e deputetëve të PS-së ka disa milionerë, madje në mënyrë të pacipë. Ka nxjerrë dhe një spot ku rreshtojnë portrete sipërmarrësish.

E dini kush është ndryshimi midis Tom Doshit dhe secilit prej anëtarëve të kësaj qeverie, duke filluar nga katragjyshi. Ndryshimi është ky, se Tom Doshi erdhi në politikë nga biznesi, hyri në politikë si sipërmarrës dhe paratë i kishte bërë si sipërmarrës.

Në politikë shumë ka dhënë dhe asgjë s’ka marrë nga pikëpamja financiare. Këta hynë në qeveri me një kostum dhe sot janë miliarderë dhe pasanikë, jo nga biznesi, por nga korrupsioni.

Ky është ndryshimi. Ja pse unë jam krenar që në skuadrën tonë të rilindjes ka sipërmarrës, që kanë bërë sukses, kanë paguar taksat për këtë shtet.

Njerëz që kanë shpenzuar shumë nga pasuria e tyre ne opozitë, jo vetëm për tu shërbyer njerëzve, siç ka bërë Toma këtu, por për të paguar gjoba arbitrate skandaloze.

Ndryshe nga ata që i kanë pirë gjakun këtij vendi, kanë grabitur gjithçka që ka patur nën tokë e mbi tokë. Në 23 qershor do të marrin ndëshkimin nga ky popull. Jam krenar për Tom Doshin, jam krenar për skuadrën", tha ndër të tjera Rama.

Kryesocialisti u ndal edhe tek premtimet e pambajtura të qeverisë, e cila ende nuk i ka dëmshpërblyer shkodranët për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Rama tha se asnjë më nuk beson tek kjo qeveri.

“Berisha u thotë shkodranëve: ‘do jua jap lekët në dorë për përmbytjet’. Po a ka njeri që të besojë se vjen dora e këtij pushteti, të futet në xhep, e t’ju lërë lekët?. Edhe xhepin do jua marrë se, lek jo e jo.

Kështu thotë edhe për lekët e naftës, të fidanëve. Kështu thoshte edhe për lekët te “Sudja”. ‘Çoni lekët dhe nga një do ju bëhen tre, mos punoni, rrini në kafe’, tha kryesocialisti.

KOMENTE