English

Tirana, së shpejti kryeqyteti i Rilindjes

Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mitingun në Tiranë.

Mirëmbrëma Tirana dhe Tirona mirëmroma!
Mirëmroma Ali Demi, Varri i Bomit, Lapraka, Kombinati, Sauku, Selita, Bregu i Lumit, Kamza, Paskuqani, Bathorja, Fusha e Aviacionit, Kavaja, Rrogozhina, Vora, Kashari, Dajti, Kërraba, Zallherri.
Mirëmbrëma gocat dhe çunat e bllokut, Kodra e Priftit, Alliasi. Mirëmroma Tirona e vjetër e njësisë numër 8, Tirona e Bled Nallbonit, mirëmroma! Mirëmbrëma të gjithë ju qytetarët e parë, të gjithë ju kryeqytetasit e ardhur nga Tropoja, Kukësi, Malësia e Madhe, Hasi, Peshkopia, Burreli, Puka, Shkodra, Lezha, Kurbini, Mirdita, të gjithë ata të ardhur nga Skrapari, Berati, Librazhdi, Elbasani, Pogradeci, Korça, Devolli, Erseka!
Mirëmbrëma atyre që kanë ardhur nga Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, Vlora, Lushnja, Fieri, Mallakastra! Mirëmbrëma mallakastriotëve të njësisë numër 5 dhe të gjithë këta nuk janë të ardhur me autobusa janë qytetarë të këtij kryeqyteti, sepse ky është miting safi me vendali safi, jo miting me robër të mbledhur nëpër autobusa. Pastaj, ju e dini ne një autobus kemi vetëm, autobusin mavi, të gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi me antiplumb, për t’i mbushur me njerëz si të gjithë ju, që marrin një rrogë nga taksat e të gjithëve ne dhe që një katragjysh i marrë fund i mban peng lidhur me bukën e gojës.
Ditën e diel, me numrin e bekuar 29, ne do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit. Me numrin e bekuar 29, ne do të çlirojmë policët, mësuesit, infermieret, mjekët, nënpunësit, të gjithë ata prindër, nëna dhe baballarë që ushqejnë familjet e tyre duke i shërbyer shtetit dhe që sot janë lidhur pas autobusëve të pushtetit.
Sot paradite, katragjyshi më çoi edhe mua një mesazh, shikoni çfarë thotë; ju ftoj të votoni 44-trën. Domethënë herën e parë më votuat, mora katër, herën e dytë më votuat prapë katër, tani sikur të mos mjaftonin 44, e do 444 por nuk ka më. Kush kujton 44-trën, voton 29-tën! Vazhdon, votoni thotë projektin e PD-së që të hapim 250 mijë vende pune. Pse si hape po i mbylle? Aty ishe, ku i ke? Premtove 160 mijë vende pune katër vjet më parë dhe të mungojnë sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave të tua 51 mijë, pra u ke shqiptarëve borxh 211 mijë vende. Vazhdon, votoni thotë që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që sot ata që jetojnë me pagë minimale kanë një pyetje, si ta mbërrijnë fundin e muajit dhe me çfarë t’i paguajnë borxhet në listat e ushqimore muajin tjetër?
Kanë një pyetje edhe mësuesit, pse sot që me rrogat që medemek ua ke rritur blejnë më pak se dje? Apo sepse mendon se nuk e kanë kuptuar që nga një anë ju rrit rrogën dhe nga ana tjetër ua bën me sy çmimeve që shkojnë disa herë më shumë nëpërmjet inflacionit. Këto nuk i ha më njeri ashtu sikundër nuk e ha më askush premtimin për trefishim të grantit për fermerët, sepse sot e dinë mirë të gjithë fermerët kudo nëpër Shqipëri, edhe rreth e rrotull Tiranës, se pas tetë vjetësh janë jo vetëm më të varfër por kanë nevojë për një qeveri që t’i çlirojë nga thatësira dhe nga përmbytjet.
E prandaj, kush do të çlirohet nga thatësira në verë dhe t’i shpëtojë përmbytjeve në dimër kujton 44-trën por voton vetëm 29-tën.
Dhe këtë dua të ma dëgjojnë pak kryeqytetasit e Kamzës, Paskuqanit, të Shkozës, të Kodrës së Priftit, të Bregut të Lumit, të Saukut, ata që kanë ndërtuar me mundin e tyre shtëpitë dhe sot e gjithë ditën janë të pa legalizuar e po ashtu të ma dëgjojnë pak edhe ata që kanë 20 e ca vite që punojnë tokën por sot akoma se kanë. Votoni thotë 44-rën që të përfundojnë legalizimet dhe japim tapitë për gjashtë muaj. Gjashtë muaj?! Po pse si dhe për 20 e kusur vite, pse?
Në 2005-ën ky i SMS-ve doli nëpër rrugët e Shqipërisë duke nxjerrë duart përpara e mbani mend? U thoshte njerëzve në Kamzë, Paskuqan, Kënetë të Durrësit e me radhë, kudo në zonat informale, shikojini duart e mia, i kam të pastra, ma jepni udhëheqjen e vendit, do t’ju legalizoj brenda një viti ju thoshte atëherë. Atëherë, kur ishte edhe më i ri, ju thoshte për një vit ua bëj dhe s’ua bëri për tetë vjet. Llogariteni sot që është i lodh, i rraskapit e i mbaruar, do t’i bëjë për gjashtë muaj. E kush i ha këto?
Ndërkohë, që zotimi im solemn dhe i skuadrës së Rilindjes për Tiranën këtu por edhe i skuadrës kombëtare të Rilindjes për Shqipërinë është ky; jo gjashtë muaj, as një vit por brenda mandatit të parë, të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre duke ardhur nga veriu dhe nga jugu, nga fshatra e qytete të varfra për një jetë më të mirë, në kërkim të kësaj Amerike të vogël dhe që sot akoma nuk i kanë dokumentet që vërtetojnë se këto janë pasuritë e tyre, do të kenë në dorë titullin e pronësisë së patundshme mbi shtëpinë falas.
Po kështu, të gjithë ata që jetojnë me punën me tokën dhe që prej 20 vitesh presin të mbarojë reforma e tokës do të kenë çertifikatën e pronës mbi tokën bujqësore brenda mandatit të parë të Rilindjes Shqiptare.
Edhe për ta mbyllur, se nuk po vazhdoj me rrugët se ju e dini këtë punën e rrugëve, rrugë, rrugë, rrugë, rrugë, mbeti Shqipëria rrugëve, mbetën dhe rrugët rrugëve se mirë katragjyshi rrugëve e ka vendin, se s’ka rrugë tjetër për të. Votoni 44-trën që t’u heqë vizat me Amerikën thotë. Por, sot shqiptarët e dinë se Amerika ja ka hequr vizën Saliut.
A ju kujtohet katër vite më parë, vinte dhe thoshte, shiko nuk i bëmë gjërat këto katër vjet por bota na beson e na besoni dhe ju. Ku e ka botën tani? Ku është bota që e beson? Nuk i nxjerr dot duart se ato duar nuk kanë asgjë tjetër përveç gjithë rrugëve të rrënimit në vend të vijave, rrënimin e ekonomisë, rrënimin e shoqërisë, rrënimin e demokracisë, rrënimin e ëndrrës europiane të shqiptarëve.
Ato duar janë të zhytura në zullum e në mëkat tetë vjet me radhë dhe prandaj edhe bota se beson më e as se takon më, sepse bota ku ne duam e do të integrohemi nuk mund t’i shtrëngojë më ato duar.
Miqtë e mi! Motra dhe Vëllezër!
Kjo është Tirana jonë dhe në 23 Qershor kjo do të jetë kryeqyteti i Rilindjes. Tirana do të udhëheqë fitoren e madhe, jo të dikujt kundër dikujt, jo të disave kundër disave por të rilindjes ndaj rrënimit, të të ardhmes ndaj të shkuarës, të ndasisë e të përçarjes që do të munden nga bashkimi dhe solidariteti.
Duke e mbyllur, unë ju zotohem se me votën tuaj për rilindjen, ju kryeqytetasit pavarësisht prejardhjeve krahinore, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë do të keni në krah një qeveri që hallet tuaja do ti bëjë të vetat, problemet tuaja do ti ketë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo përpjekje për t’i zgjidhur hallet dhe problemet.
Sepse, rilindja nuk po vjen vetëm, rilindjen po e sillni ju një popull i tërë në kërkim të së ardhmes sepse dallimi mes nesh dhe atyre është shumë i qartë, pas katragjyshit nuk ka asgjë, pas meje është skuadra kombëtare e Rilindjes. Është Partia Socialiste e Shqipërisë, është Pandeli Majko, është Sajmir Tahiri, është Vasilika Hysi, është Lindita Nikolla, është Fatmir Xhafaj, është Ditmir Bushati, është Parid Cara, është Rakip Suli, është Sadri Abazi, është Besnik Baraj, është Milena Harito, është Artan Gaçi, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, është Arben Seferaj, Ervin Bushati, Sadi Vorpsi, Petrit Vargu, Erjeta Alhysa, Azbi Arapi, Dashamir Peza, Bledar Doraci, Shaqir Shehu, Afrim Qendro, Rodolf Xhillari, Ibrahim Kalemi dhe me ne është kapiteni i madh i kombëtares Blend Nallbani i Tironës.
Shikojeni këtu, ky demokrat e unë socialist, të dy nga Tirana, të dy për rilindjen, të dy për Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Rroftë Amerika e vogël, Tirona jonë, Tirona e të gjithëve, Tirona e shqiptarëve nga veriu në jug, nga Tropoja në Sarandë.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

KOMENTE