English

Doktor Sali Berisha në Bllok, në kujtimet e oficerit Naim Saraçi

E përditshmja "shekulli" ka botur sot artikullin lidhur me detaje të patreguara, të kryeministrit Berisha që ka qeverisur vendin në këto 20 vite.

Naim Saraçi, tregon jetën e ish-kardiologut, kur shërbente si mjek pranë anëtarëve të Byrosë Politike.
Gjithashtu flet dhe mjeku Dine Abazi, për ish-kolegun e tij tashmë kryeministër.

*****
Një prej dëshmitarëve të viteve ”70- 80 zbulon disa detaje të rëndësishme nga veprimtaria e kardiologut Berisha në shërbim të udhëheqësve kryesorë të Partisë së Punës. Naim Saraçi, ish-shoqërues i Hysni Kapos nga viti 1976 deri më 1979 dhe më pas të Simon Stefanit, Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos, tregon se e ka njohur mjekun Berisha pikërisht në ato vite kur ai kryente detyrën e mjekut roje pranë klinikës speciale të udhëheqësve. “Doktor Berisha vinte për të plotësuar numrin e mjekëve të rojes në këtë klinikëkujton Saraçi- por gjatë këtyre viteve, asnjëherë nuk ka qenë stabël pranë udhëheqjes së atëhershme”. Kjo dëshirë i ka rënë në sy edhe oficerit të besuar të figurës numër dy të Partisë së Punës, që sot thotë se “nga ç’kuptoja dhe dëgjoja, atij ia kishte ënda të ishte mjek stabël me ndonjë nga udhëheqësit kryesorë të atëhershëm, të Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës”. Nga ç’kujton Saraçi shërbimet e para të mjekut Berisha pranë udhëheqësve të lartë të Partisë kanë nisur në vitet ’77 me shërbimet mjekësore ndaj sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë, Hysni Kapo. “E merrnim me vete, sidomos në Vlorë, në vilën 1, ku dublonte mjekun Dine Abazi për ndonjë proces gjimnastikor të zemrës së Hysniut”, vijon rrëfimin e tij Saraçi. Në ato ditë vere, kur Kapo bënte pushimet në Vlorë, Berisha shfrytëzonte rastin për t’u prezantuar edhe si njohës i mirë i problemeve që shqetësonin udhëheqjen dhe popullin. Bisedat e tij me zë të lartë, të shoqëruar me gjeste, kanë lënë gjurmë edhe në kujtesën e oficerit të shërbimit të sigurimit. “Na qëllonte shpesh, kur ishim me shërbime të tilla në Vlorë, që ne të tre, Dinja, unë dhe Saliu, duke ecur në shëtitore pas Hysniut, bisedonim për probleme të ndryshme. Përgjatë këtyre shëtitjeve ‘të në të gjitha fushat, fliste për transportin, shëndetësinë, arsimin dhe fusha të tjera që nuk kishin lidhje me profesionin e tij,vazhdon Saraçi. Ne të dy nuk flisnim. Ndërsa Hysniu, kur e kuptonte se ligjëratat e pafund të Saliut po e bezdisnin, i jepte gazetat për t’i lexuar”. Ndërkohë, vdekja e Kapos në vitin 1979 këputi shpresat e doktorit se mund të miratohej si kandidaturë në këtë familje.

Berisha dhe Blloku

Cilido që ka parasysh murin rrethues të ish-Bllokut të udhëheqjes së PP-së mund ta marrë lehtësisht me mend se sa e vështirë dhe e gjatë ishte rruga për të kaluar portën hermetike të tij. Aq më tepër kur ishte fjala për mjekun që do të asistonte kudo në jetën shoqërore, familjare dhe personale të udhëheqësit. Por dëshira për të qenë pranë drejtuesve të shtetit të atëhershëm ka joshur shumë nga plejada e mjekëve të specializuar jashtë vendit. Dhe gjithmonë përpara miratimit të kandidaturave për këto vende, përveç zotësisë profesionale, shpesh vendoste kriteri i besnikërisë ndaj politikës dhe udhëheqësve kryesor të Partisë. Doktor Berisha, ashtu si kolegët e tjerë, i njihte rrethanat që mund ta shtynin drejtë vilës së Enverit. Ndaj duke e ndjerë veten të aftë profesionalisht, për të cilën pak- kush ka shprehur hapur rezerva deri tani, zgjodhi rrugën e natyrshme të miqësimit me mjekët e tjerë të njohur dhe të famshëm që kishin fituar prej kohësh statusin e doktorit të familjeve të bllokut. Në këto vite, kur u shfaq hapur dëshira e Berishës për t’u te kreu i shtetit, mjekët që mund ta ndihmonin, duke i thënë ndonjë fjalë Enverit, ishin Llambi Ziçishti, prof. Fejzi Hoxha, prof. Ylli Popa e ndonjë tjetër. “Për të arritur këtë synim e shikoja të rrinte me këta persona”, shprehet Saraçi. Por me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, ai do të mbetej edhe për disa vite të tjera “mjek me korrespondencë i sferave të larta”. Arsyet e refuzimit të Berishës, sipas Saraçit, kanë lidhje me faktin se “te Hysni Kapo në ato vite ishte një tropojan tjetër, i ndershëm e idhull, mjeku i njohur Dine Abazi. Kështu që doktor Saliu nuk mund të hynte dot aty. Atëherë bëri luftë të shkonte te Enver Hoxha. Por nuk arriti dot as aty se në këtë familje ishte një xhentëlmen tjetër, Isuf Kalo, më i preferuar”. Kështu dëshira e madhe, e cila nuk është shuar as pas vdekjes së Enverit, duket se mbeti e tillë deri në deri në fund të viteve ’90. Për këtë dëshmitari kujton se miqësia e Berishës me profesorët që shërbenin brenda Bllokut ka vazhduar edhe pas viteve 1985. “Edhe pas vdekjes së Enverit rrinte sërish me këta persona”, kujton Saraçi.

Afrimi me familjen Hoxha

Naimi ka konstatuar se në vitet e fundit, pas vdekjes së Hysniut, doktor Berisha arriti, më së fundi, të afrohej edhe me familjen Hoxha. Pas shumë viteve prova të mjaftueshme, ku kanë lozur rol edhe bindjen e tij të palëkundura komuniste, ai mund të hynte në shtëpinë e familjes më të rëndësishme për shqiptarët në atë kohë. Ndaj kur e pyet për antikomunizmin e kryeministrit, Saraçi thotë se Berisha nuk ka qenë asnjëherë antikomunist. Ndryshe nuk do të arrinte kurrë të afrohej deri në brendësi të familjes Hoxha. Duke përforcuar këtë mendim, ai rreshton edhe detaje të tjera që flasin rreth lidhjeve të qëndrueshme, për disa vite me radhë, me familjen e ish-diktatorit. “Këtë afrim e ruajti edhe pas vdekjes së Enverit, përfundon Saraçi. Mbaj mend se disa vite pas vdekjes së tij , kur punoja me Simonin, e kam gjetur Berishën në Drilon bashkë me Sulo Gradecin, ku shoqëronte vejushën Hoxha.

Naim Saraçi: Ishte thëngjill i mbuluar

Ai e kujton me nostalgji kohën kur ka punuar përpara viteve ’90. Ka qenë shoqërues i Hysni Kapos, Simon Stefanit, Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos. Sot ndihet i lënë pas dore nga regjimi aktual dhe mendon se Shqipëria nën sundimin e Berishës ka rënë në greminë. Në këtë rrëfim të shkurtër tregon Berishën e Bllokut.

Z. Naim, kur e keni patur kontaktin e parë me kryeministrin Sali Berisha?

Herët. Kur unë nisa të punoja në Ministrinë e Brendëshme si shoqërues i Hysni Kapos, e kam gjetur Sali Berishën aty. Ishte mjek, punonte pas Dine Abazit. Më kujtohet kur shkuam njëherë në Vlorë të shoqëronim Kapon. Isha unë, Dinia dhe Saliu që i qëndronim nga pas. Na qëllonte që edhe në Durrës kur bënim shëtitje që të ishim të tre bashkë pas Hysni Kapos. Ai përpara, ne mbrapa. Mbante me vete gjithmonë një tufë gazetash, pasi ai ishte i rregullt në leximin e shtypit të përditshëm. Mirëpo Saliu kishte një veti që fliste shumë. Kur fillonte Berisha të fliste papushim ai i thoshte gjithmonë: merri këto (gazetat), duke i lënë të kuptohej që të mbyllte gojën.

Ai kujdesej për shëndetin e Hysni Kapos?

Ai nuk ka qenë mjeku i tij personal. Personali ishte Dine Abazi. Ai nuk e kishte emrin në listën e doktorëve të klinikës së udhëheqjes. Nuk e di se si futej aty.

Cili ishte roli i tij atëherë?

Po nuk e di, nuk e ka bërë ndonjëherë atë rolin për të cilën kishte ardhur aty. Të themi që bëntë rolin e mjekut nuk mund ta themi pasi, sepse kishte mjek të tjerë, ishte Dinia, infermieret. Roli i Berishës edhe ka qenë edhe nuk ka qenë. Unë nuk e di se si vinte ai tek ne. Ishte provizor. Se kush na e sillte, nuk e di.

Si sillej?

Ai ishte tip i futur. Mua më thoshin: Naim bëj kujdes nga ky ( për Saliun). Fjalia ishte: bëj kujdes për Hysni Kapon nga ky njeri. Nga ana tjetër ishte njeri shumë i mbyllur. Rrinte i vetmuar. Nëse ne të tjerët e kishim një bazë ai rrinte veç. Studionte ç’është e vërteta, por rrinte i vetmuar.

Ju për sa vite keni punuar me Berishën?

Deri sa vdiq Hysni Kapo. Më pas ishte me të gjithë. Unë punova edhe me Simon Stefanin për shtatë vjet, ai ishte po aty. Edhe pse Stefani kishte mjek tjetër, Berisha ishte nga pas. Domethënë kam punuar me të për dhjetë vite.

Berisha vetë si i kishte marrëdhëniet me Hysni Kapon?

Nuk kishin marrëdhënie. Nuk shikoja afrimitet mes tyre. Madje ne oficerët ishim më afër se sa ishte ai.

Dyshonit ju se ai mund të kishte një rol tjetër përveçse doktor?

Unë ia u thash pak që porosia e eprorëve të mi ishte: Bëj kujdes!... Porosia flet vetë

Po ju çfarë marrëdhënie kishit me Berishën në atë kohë?

Kisha marrëdhënie normale, sepse nuk ishte i përhershëm mes nesh. Vinte herë pas herë. Unë bëja punën time si oficer, pasi oficerët ishin kryesorë. Hysni Kapo, për shembull, për çdo problem nuk thërriste doktorin, por thërriste oficerin. Ai ishte bujtës mes nesh, në mungesë të Dines, kujdesej për gjimnastikën e zemrës. Ajo që më bënte përshtypje ishte fakti që ai nuk ishte në listën e mjekëve, por se si futej aty nuk e di!

Ju që e keni njohur në atë kohë dhe e keni jetuar qeverisjen e tij tani, çfarë mund të na thoni?

Asnjëherë nuk buzëqesh Shqipëria nëse është ai në pushtet. Nuk ia dua të keqen askujt, por Shqipëria është në buzë të greminës. Shqipërinë e duam shumë, është e pasur nga toka, nën toka, deti. I ka të tëra. Nuk e meritonte këtë shkatërrim nga ky njeri. Tani nuk flas dot, por derisa mua më thanë “Bëj kujdes për Hysni Kapon nga ky njeri”, çdo të thotë kjo? Sigurisht që ai e ka patur një rol.

Ata kishin frikë mos i bënte diçka Hysni Kapos?

Po, patjetër kjo ishte përderisa na vinin në dijeni për këtë fakt.

Kishit ju dyshime se mos ai ishte një agjent?

Patjetër që kishim dyshime. Ngjarjet që kanë ndodhur si Rambujeja, nafta, Shqipëria sot me privatizimet, çfarë janë? Këto të çojnë diku. Vetëkuptohej që kishte një mision të caktuar.

Ishte njeri kurioz?

Ishte shumë kurioz. Donte të dinte për gjithçka që ndodhte rreth e rrotull.

Nëse ju pyesim si ka qenë Berisha i para ‘90-ës cila është përgjigja juaj ?

Ka qenë një njeri i humbur. Të djeg thëngjilli? Po, kështu ka qenë ai, thëngjill i mbuluar! Çdo gjë që është bërë nga ana e tij sot, është bërë për të fituar ai vetë se bashku me gomarët që ka nga pas. E.Resuli

Shoqëruesi i Kryeministrave

Naim Saraçi është lindur në qytetin e Kavajës. U diplomua në shkollën e mesme të Ministrisë së Brendshme, dega sigurim në vitin 1975. Gjatë më shumë se 27 viteve ka punuar si shoqërues pranë krerëve më të lart të shtetit, që nga Hysni Kapo deri te Ramiz Alia dhe Fatos Nano. Ky i fundit e ngarkoi me detyrë për të organizuar grupin e shoqërimit të kryeministrit, gjatë kohës kur kryente këtë detyrë, në vitin 1991. Por vetëm 2 muaj më pas, dërgohet sërish në grupin e rezervave të qeverisë. Shërbimi i parë pranë udhëheqjes së lartë komuniste për Saraçin ka nisur në vitin 1976, kur bashkë me dy koleg të tjerë u caktua në grupin e Hysni Kapos. Prej tij ruan edhe kujtimet më të mira. Në vitin 1981 nisi detyrën e oficerit shoqërues me Simon Stefanin, ish-sekretar i Komitetit Qendror të Partisë dhe ministër i Brendshëm pas shkarkimit të Kadri Hazbiut. Më pas, për më shumë se një vit, ai ka punuar me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme dhe Ushqimit, derisa gjatë ditëve kur kryente detyrën e oficerit të shërbimit në kryeministri, në varësi të degës së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë në Gardë, u lirua. Rititullohet oficer në vitin 1998. Detyra për të ka qenë mjaft e nderuar dhe e respektuar, ndonëse, siç e pranon edhe vetë, midis grupeve të shoqërimit të tre figurave të shtetit të atëhershëm reflektoheshin qartë xhelozit e udhëheqësve. Midis grupit të parë të Enver Hoxhës, të dytit të Mehmet Shehut dhe të tretit që i përkiste Hysni Kapos, kishte fërkime të heshtura, të cilat ndonjëherë shfaqeshin edhe në publik, kujton Saraçi. Nga këto përplasje të vazhdueshme atij i ka mbetur në mendje frika e Mehmet Shehut nga Hysni Kapo në mjedise publike dhe sidomos në mitingje. Kjo frikë dukej fare qartë kur pranë tij afrohej Hysniu, thotë Saraçi.

Dine Abazi: Berisha erdhi në staf me miratim nga “lart”

“Shekulli” ka siguruar edhe disa foto të viteve ‘70-80 ku duket ish-mjeku Berisha. Gjithmonë në krah të tij është mjeku Dine Abazi, që ka shërbyer në atë kohë si mjek i Bllokut. Abazi flet shumë mirë për ish-kolegun, kryeministër:
“Ai ka qenë i ngarkuar dhe atë detyrë që ka patur e ka kryer me përkushtim, ashtu siç e kam kryer unë dhe shumë të tjerë. Berisha na ka ardhur në staf me miratim nga lart. Mjeku kryesor isha unë dhe sipas situatave të paraqitura vinin edhe të tjerë. Ai ishte në përbërje të ekipit të mjekëve dhe roli i tij ishte të qëndronte në gatishmëri për situatat që paraqiteshin. Kishte një ekip mjekësor që ngarkohej për të dubluar dhe për të përforcuar punën time. Kjo është normale. Nuk mbaj mend kur ka ardhur, ka qenë periudha e viteve ’70. Por duhet thënë një gjë: e kush nuk do ta kishte për nder në atë kohë të punonte pranë Bllokut të udhëheqjes dhe të ishte pjesë e atij stafi. Të gjithë do e dëshironin. Shumë e kishin ëndërr. Ishte privilegj i madh, nuk ishte pak për një njeri që dëshironte karrierë mjekësore”- thotë Dine Abazi.

KOMENTE