English

Berisha: “Votova 44-ën, preka fatin!

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, votoi në orën 09:44 në qendrën e votimit numër 1728, të njësisë bashkiake nr. 2 të kryeqytetit. Pas votimit, Kryeministri Berisha bëri këto komente për mediat: “Votova 44-ën, preka fatin! Ishte një ndjenjë kënaqësie që më pushtoi e pandjerë më parë, ndaj edhe i ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. I ftoj të votojnë për alternativën që ata e gjykojnë si më të mirën. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht , i siguroj se këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë për mirëqenien e tyre, për punësimin e tyre, për integrimin në Bashkimin Europian. Edhe njëherë uroj që më së pari ata që votojnë për herë të parë, kanë votë të bekuar, ata sot firmosin me votën e tyre Shqipërinë e katër viteve që vijnë. Falenderoj me mirënjohjen më të thellë emigrantët shqiptarë, që kanë ardhur nga të katër anët e botës me një akt madhor patriotizmi dhe përgjegjësie ndaj Shqipërisë për të votuar sot për të Shqipërinë e katër viteve që vijnë. Falenderoj të gjithë të rejat dhe të rinjtë, qytetarët e këtij vendi burrat, gratë, të moshuarit, për aktin e tyre të përgjegjshëm politik dhe atdhetar që kryejnë sot duke u drejtuar në qendrat e votimit.
Pyetje: Sapo ka ndodhur një incident në Laç, cili është komenti apo mesazhi juaj?

Kryeministri Berisha: Mesazhi im është thirrja për çdo anëtar, simpatizant mbështetës të Partisë Demokratike, thirrja për çdo qytetar që ta shndërrojnë këtë ditë në një ditë feste, në një ditë mirëkuptimi, në një ditë ku qytetarët tanë të shprehin lirisht mendimet e tyre, përsa i përket incidentit unë po marr informacionin e duhur dhe do të prononcohem pas marrjes së informacionit, pasi deri tani nuk kam informacion të plotë.

Pyetje: Keni një thirrje për mbrojtjen ndaj medias pasi një grup xhirimi i Top Channel është dhunuar brenda një qendre votimit?

Kryeministri Berisha: E pa pranueshme çdo lloj intimidimi ndaj çdo grupi mediatik gazetari, vëzhguesi vendas apo të huaj. Ju bej thirrje të gjithë komisionerëve, të gjithë qytetarëve ta shndërrojnë këtë në një simfoni të vërtetë dhe të bëjnë në këto votimi një demonstrim të vlerave tona qytetare, të vullnetit tonë politik.

Edhe njëherë, fitore.”

KOMENTE