English

Bujar Nishani voton në Qendrën e Votimit 1766/2, “Andon Zako Çajupi” në Tiranë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë Odeta Nishani dhe i biri Ersilio, votoi paraditen e sotme në Qendrën e Votimit 1766/2 të njësisë bashkiake nr. 3, e vendosur në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë.

Pas votimit, Presidenti Nishani iu përgjigj interesimit të mediave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Prononcimi i Presidentit të Republikës Bujar Nishani:

“Së pari, unë dëshiroj që t’u uroj një ditë të mbarë të gjithë shqiptarëve! Dëshiroj mbarësi për të gjithë procesin! Sot është një ditë shumë e rëndësishme, sot është tërësisht dita e qytetarëve. Unë jam i bindur që shqiptarët do të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke demonstruar një pjesëmarrje sa më të gjerë në procesin e votimit, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, duke respektuar komisionerët dhe administratën zgjedhore, të cilët kanë dhe detyrën më delikate në ditën e sotme, duke respektuar mbajtjen e rendit në të gjithë vendin dhe veçanërisht në qendrat e votimit. Një urim të veçantë unë të desha të bëj për ata të cilët votojnë për herë të parë pasi edhe ne në familje kemi një pjesëtar të familjes, djalin tonë që voton për herë të parë sot, ndaj i dërgoj një përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre të rinjve që sot votojnë për herë të parë dhe paçin dorën e mbarë për fatet e vendit.

Uroj që incidente të tilla të mos shënohen. U drejtoj një apel të gjithë qytetarëve të vendit, pasi partitë dhe ideologjitë për të cilat ne votojmë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është vetëm një. Për ne është e rëndësishme paqja, qetësia, jeta e qytetarit, prandaj zhvillohen dhe zgjedhjet për të nxjerrë një qeverisje, e cila do të kujdeset në radhë të parë pikërisht për jetën e qytetarit, për mbarëvajtjen e jetës, për zhvillimin e vendit. Prandaj, do të bëja apel për qetësi, për maturi, pasi vërtet votojmë për parti të ndryshme, por ne jemi të gjithë një, jemi të një kombi, jemi së brendshmi njësoj. Dhe juve si media ju uroj punë të mbarë, e di që do të keni një ditë shumë të ngarkuar sot, nesër, e në ditët që vijojnë. Dhe së fundi mirënjohja ime dhe vlerësimi im do të shkojë për të gjithë ata qytetarë të vendit që janë angazhuar në komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit. Ata meritojnë një respekt shumë të madh nga të gjithë qytetarët shqiptarë për përgjegjësinë që kanë marrë, për ushtrimin e kësaj përgjegjësie që tashmë kanë si menaxherë dhe drejtues të një procesi, nga i cili do të dalë parlamenti i ardhshëm i vendit, nga e cila do të dalë qeverisja e ardhshme e vendit, që ka të bëjë me fatet e drejtpërdrejta të vendit dhe të shtetasve tanë. Dhe një herë urime dhe një ditë të mbarë! Gëzuar!”

KOMENTE